Pas terminalit, BERZH interes për tramin e Tiranës

0
146

Blerta Mrishaj

terminaliBasha: Në mars, bashkia merr në dorëzim studimin e fizibilitetit të terminalit

Chakrabarti: Bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, më i suksesshmi në rajon

 

Pas fondit të dhënë prej 500 mijë eurosh për studimin e fizibilitetit të terminalit multimodal, BERZH ka shprehur interes edhe për tramin. Në një takim me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, kryebashkiaku Lulzim Basha falënderoi për mbështetjen që i kanë dhënë Bashkisë së Tiranës dhe projekteve të saj strategjike, një ndër të cilat është edhe terminali multimodal i pasagjerëve.

Terminali

Basha ka bërë të ditur se në muajin mars, kompania italiane “Ital – Ferr” do t’i dorëzojë Bashkisë së Tiranës studimin e fizibilitetit dhe termat e referencës, për koncesionin e terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë. Ky terminal parashikohet të ketë një kosto investimi në vlerën 25 milionë euro e cila planifikohet të financohet nga BERZH, nëpërmjet një kompanie koncesionare që do të përzgjidhet sipas procedurave të prokurimit të BERZH-it. Një tjetër projekt i rëndësishëm për qytetin e Tiranës që po realizohet me mbështetjen e BERZH është dhe Qendra e Kontrollit të Trafikut në Tiranë, e cila do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme por edhe monitorimin 24 orë, çka do i shërbejë edhe përmirësimit të sigurisë rrugore brenda qytetit të Tiranës. “Zbatimi i këtij projekti po ecën me ritme shumë të shpejta”, – tha z. Basha.

Trami

Një tjetër projekt i rëndësishëm dhe strategjik për Tiranën është dhe trami, për ndërtimin e të cilit ka shprehur interes dhe BERZH. Kryebashkiaku Basha e ka njohur presidentin e BERZH-it me përfundimin e planit urbanistik të Tiranës i cili i ka munguar qytetit për 23 vjet. “Pjesë e këtij plani, – tha z. Basha, – është edhe bulevardi i ri dhe lumi i Tiranës, për realizimin e të cilëve është siguruar tashmë mbështetja financiare. Bulevardi i ri nëpër të cilin do të kalojë edhe një nga linjat e tramit, do të mundësojë lidhjen e terminalit multimodal të pasagjerëve me pjesën tjetër të qytetit. “Plani i ri urbanistik i hartuar nga ekspertët më të mirë vendas ka marrë edhe konsensusin më të gjerë qytetar, pasi iu nënshtrua konsultimeve intensive për disa muaj me radhë, – theksoi kreu i bashkisë. Kryebashkiaku Basha ka nënvizuar edhe bashkëpunimin e mirë që ka ngritur gjatë kësaj kohe në krye të Bashkisë me BE. Përmes projektit IPA, BE do të financojë rikualifikimin urban të disa blloqeve të banimit, duke plotësuar në këtë mënyrë rreth 8 % të nevojave të qytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka njohur drejtuesit e lartë të BERZH, edhe me projekte të tjera të Bashkisë së Tiranës, siç është ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës së qytetit, lehtësirat për biznesin, të cilat kanë dhënë impakte që në vitin e parë me shtimin e vendeve të punës dhe hapjen e shumë bizneseve të reja. Presidenti i BERZH, nga ana e tij e ka vlerësuar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, si më të suksesshmin në rajon. “Për këtë arsye, tha z. Chakrabarti, së shpejti BERZH do të aktivizojë një fond të veçantë për pushtetin vendor në rajon nga i cili Bashkia e Tiranës me këtë angazhim dhe përkushtim do të ketë edhe më shumë mundësi të përfitojë”. Presidenti i BERZH, duke vlerësuar fokusin shumë të orientuar të Bashkisë së Tiranës, për të ndihmuar dhe mbështetur sektorin privat, ka sugjeruar eksplorimin e mënyrave dhe formave të partneritetit publik privat, që nga UKT, trami, platforma dixhitale në transportin publik etj.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency