Optikë e re gjurmuese për një pjesë të ligjëratës në gjuhën shqipe

0
179

 Evalda Paci

ndajfoljetStudimi/ Shaban Sinani me monografinë “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”

 

Monografia me titull “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe” e Shaban Sinanit përfaqëson një nga studimet më të thelluara dhe specialistike të këtij studiuesi, kontributet e të cilit orientohen prej vitesh nga disa fusha studimesh të përafërta si me gjuhësinë, si me letërsinë, ashtu dhe me historinë e kulturës shqiptare.

Një punim i tillë na ofron një optikë të re të gjurmimit shkencor të këtij studiuesi, megjithëse formësimi i tij konceptual u realizua në një periudhë jo dhe aq të afërt në kohë, pikërisht si rezultat i një pune të kujdesshme në të cilat do të shënohet si vendimtar dhe kontributi i udhëheqësit shkencor të saj, profesorit të nderuar Shaban Demiraj, të cilit edhe i kushtohet punimi në fjalë.

Studimi monografik “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe” përbën një punim origjinal që i ka munguar traditës së studimeve tona të shkruara në gjuhën shqipe për pjesët e ligjëratës dhe kategorizimin e tyre morfosemantik.

Në përpilimin e paraqitur të këtij studimi autori i saj është nisur nga një motivim mjaft domethënës: një homazh nderimi për mentorin e tij, profesor Demirajn, motivim përherë i pranishëm dhe në frymën aktuale të këtij materiali. Ndërkohë, puna e tij është thelluar më tej pa prishur aspak metodologjinë e gjurmimit dhe të evidentimit të burimeve të referimit, shumë të vlefshme dhe të pranishme si material themelor në punim. Gjenden të dokumentuara në shërbim të ilustrimit të argumenteve të trajtuara fragmente nga tekstet e vjetra shqipe, përkthimet biblike të traditës, burimet e letërsisë gojore si dhe autorë të letërsisë së shkruar shqipe, njohës të mirë të dialekteve të gjuhës sonë dhe ndërkohë dhe përkthyes të sprovuar të disa veprave madhore të letërsisë së huaj. Autori ka informuar lexuesin dhe për burimet kryesisht literare, por dhe teorike që së fundi ka shtuar, në mungesë të mundësisë së konsultimit të tyre vite më parë, në periudhën e formësimit fillestar të punimit. Këto burime i kanë shërbyer më së miri ilustrimit të argumenteve teorike që lidhen me problematikën e trajtimit të një kategorie të veçantë siç janë ndajfoljet përemërore.

Me këtë përfshirje të gjerë bibliografike na ofrohet edhe një model i ilustrimit të shembujve nga letërsia dhe nga fusha e publicistikës, përveç faktit që janë sjellë në këtë punim disa pikëpamje për konceptimin e ndajfoljeve përemërore në gjuhën shqipe, gjithnjë duke shfrytëzuar dhe sjellë si burim literature studiues të njohur të gjuhësisë botërore, shumica të konsultuar në gjuhën origjinare (Jakobson, Vinogradov, Brugmann, Peshkovsky, Bloomfield Noreen etj.).

Këto burime referimi që kanë të bëjnë me konceptimin e shtrirjes së materialit dhe të argumentit qendror të punimit monografik autori i ka pasur në dorë që në formësimin primar të këtij punimi. Trajtesa e argumentit qendror, shtjellimi i motivimit dhe i objektivit të parashtruar në këtë punim monografik nuk ka lënë mënjanë asnjëherë traditën e trajtimit të kësaj kategorie në të tjera gjuhë, disa prej të cilave të krahasueshme me shqipen në pikëpamje të numrit të folësve dhe vendit në familjen gjuhësore i.e.

Një burim i rëndësishëm referimi që në fakt përfaqëson një vepër që e ka objekt të vetin morfologjinë e shqipes është punimi i Atë Justin Rrotës “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”, Botime Françeskane, 2006, botuar nën redaktimin shkencor të E.Hysës dhe E. Lafes. Në këtë vepër gjithnjë me përmasa të një punimi gramatikor ku trajtohen dhe të tjera pjesë të ligjëratës, i kushtohet një sysh i veçantë kësaj kategorie, nën titullin “Ndajfoljet përemnore”.

Në trajtesën e Justin Rrotës të tilla ndajfolje shihen nga pikëpamja e prejardhjes së tyre dhe gjendjes në to të formanteve me origjinë nga të tjera pjesë të ligjëratës. Autori i punimit në fjalë jo vetëm ka veçuar për nga rëndësia dhe objekti i trajtimit një kapitull të tillë nga vepra e Rrotës, por është dhe nga të paktit që e bën atë model referimi në një punim të përmasave shkencore.

Një vlerë e madhe e punimit të paraqitur nga Shaban Sinani qëndron pikërisht te faktet e trajtuara në këtë punim që sigurisht përfaqësojnë arritje të gjuhësisë botërore (një ndër autorët shpesh të cituar mbetet Jespersen), janë vënë në shërbim të argumentimit të vendit që i takon kësaj pjese të ligjëratës në gramatologjinë shqiptare, një detyrë jo fort e lehtë duke pasur parasysh se duheshin trajtuar dhe përdorime që në fakt mund të zënë një vend të ndërmjetëm ndër pjesët e ligjëratës në gjuhën shqipe.

Në vepër trajtohen edhe argumente të gjuhësisë teorike (më saktë të morfologjisë teorike meqë shpesh trajtohen çështje të konceptimit të kuptimit kategorial të fjalëve të caktuara), por i është bërë vendi i duhur dhe gramatikës historike të shqipes. Me të drejtë për lema të caktuara është cituar E. Çabej dhe studimet etimologjike të tij, pasqyruese në mjaft raste dhe të gjykimeve të gjuhëtarëve të tjerë që janë cituar nëpërmjet shtjellimeve të tilla (Meyer, Pedersen, Jokl etj.).Në disa vende janë bërë të vlefshme dhe pikëpamjet e vetë Çabejt mbi konceptimin kategorial të disa fjalëve të caktuara, fakt që shton në njëfarë mënyre dhe pluridimensionalitetin e gjurmimeve shkencore të këtij të fundit. Në këtë linjë janë cituar gjithashtu kontributet e studiuesve të tjerë në këtë fushë me prirje nga studimet e gjuhësisë historike: Meyer, Bardhyl Demiraj, K. Topalli, V. Orel etj. Në veçanti studiuesit e kësaj fushe janë cituar në lidhje me origjinën e formanteve të caktuara, të pranishme në përbërjen e ndajfoljeve të caktuara.

Punimi është artikuluar në disa kapituj e pjesë përbërëse (gjithsej shtatë), në të cilat në një vijimësi logjike janë trajtuar çështje të konceptimit dhe interpretimit kategorial të kësaj kategorie morfosemantike në gjuhën shqipe. Në disa sythe janë marrë përsipër çështje të rëndësishme në pikëpamje të diskutimit shkencor dhe në këtë kuptim autorit i kanë ardhur në ndihmë dhe trajtesa ekzistuese në traditën e studimeve të gjuhësisë teorike. Ndajfoljet përemërore janë parë në pikëpamje të trajtimit tradicional të tyre, në pikëpamje të përbërjes dhe strukturës morfologjike, të funksioneve sintaksore dhe veçanërisht në lidhje me këtë argument të fundit, del në pah roli ilustrues por dhe argumentues i burimeve të referimit të përmendura dhe më sipër.

Autori ka shfrytëzuar arritjet më të mira në fushë të gramatologjisë shqiptare, të shkruar nga studiues të huaj dhe shqiptarë. Këto arritje përveç se janë cituar vazhdimisht gjatë shtjellimit të punimit, janë trajtuar dhe në kapituj të veçantë të tij. Një pjesë e tyre i kanë shërbyer për të ilustruar dhe emërtesat që i janë dashur të përdorë në punim, ndërsa disa të tjera për të argumentuar pse disa çështje duhen bërë akoma burim diskutimi. Janë rimarrë gramatika dhe autorë që kanë cituar këtë kategori të rëndësishme leksiko-gramatikore. Janë bërë objekt citimi punime serioze në fushë të studimeve gramatikore, në përbërje librash e tekstesh shkencore e shkollore, por dhe artikuj të veçantë në të cilat shtrohet dhe çështja e interpretimit të kategorive themelore të kësaj pjese të ligjëratës. Përfshirja e gjerë e këtyre arritjeve të studimeve tona dhe atyre të shkruara nga studiues të huaj i shërben më së miri jo vetëm argumentimit të problematikës themelore të këtij punimi, por dhe studiuesve dhe studentëve që do të orientohen në hulumtimet në fushë të morfologjisë së shqipes dhe historisë së gramatologjisë shqiptare.

Ky punim i studiuesit Sinani përbën pa dyshim një arritje të rëndësishme në fushë të gjurmimeve albanologjike dhe në veçanti në atë të morfologjisë së shqipes, por dhe plotëson më së miri një panoramë studimesh të realizuara në disa fusha të dijes së albanologjisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency