Kushtetuesja rrëzon qiramarrësit, u jep të drejtë ish-pronarëve dhe qeverisë

0
132

Florenc Drizari

kushtetuesjaGjykata Kushtetuese: Kërkesa për shfuqizimin e aktit normativ është e pabazuar dhe për rrjedhojë, duhet rrëzuar

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë rrëzoi me vendimin e djeshëm pretendimet e “Shoqatës së Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore ish-pronë private”, e cila kërkonte shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë, për lirimin e banesave të ish-pronarëve.
Shoqata e Qiramarrësve kishte dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e aktit normativ nr. 3, datë 1.8.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, ku palë e akuzuar ishte Këshilli i Ministrave dhe palë e interesuar Kuvendi i Shqipërisë. Objekti i marrë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese ishte “Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i aktit normativ nr. 3, datë 1.8.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, si dhe i ligjit nr. 82/2012, datë 13.9.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Pezullimi i zbatimit të aktit normativ nr. 3, datë 1. 8.2012 dhe i ligjit nr. 82/2012, datë 13.9.2012. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga Bashkim Dedja, kryetar; Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Vitore Tusha, Admir Thanza, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, anëtarë; me sekretare Elta Milori, dhe çështja në fjalë u mor në shqyrtim me dyer të hapura në datë 29.12.2012.

Vendimi

Pas një argumentimi të hollësishëm duke iu referuar vendimeve të mëparshme për pronat si dhe të të drejtave ndërkombëtare dhe Gjykatës Evropiane për çështje të ngjashme, gjykata vendosi në unanimitet: Në përfundim, Gjykata, bazuar në analizën në tërësi të pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se akti normativ (ligji) nuk bie në kundërshtim me kërkesat e neneve 15, 17, 18, 101 të Kushtetutës; të neneve 6 dhe 8 të KEDNJ-së dhe të nenit 1 të protokollit shtesë të KEDNJ-së; të neneve 2 dhe 11 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Për këto arsye, kërkesa e kërkuesit për shfuqizimin e aktit (ligjit) objekt shqyrtimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, është e pabazuar dhe, për rrjedhojë, duhet rrëzuar.
“Gjykata Kushtetuese në mbështetje të nenit 131/a të Kushtetutës dhe nenit 72 të Ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” njëzëri, vendosi rrëzimin e kërkesës”, – thuhet në vendimin e zbardhur të gjykatës.

Për aktin normativ

Gjata sqarimit të vendimin të saj, Gjykata argumenton se vendimi i qeverisë për ndërmarrjen e nismës për aktin normativ, ishte i drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën. “Nën dritën e vendimeve të GJEDNJ-së, të cilat mundësojnë një zgjidhje më të shpejtë dhe më efektive të situatës jofunksionale që cenon në vazhdimësi, për një periudhë gati 20-vjeçare, të drejtën e pronës, të të metave rregullatore dhe/ose sjelljeve administrative të autoriteteve përgjegjëse shqiptare për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, Gjykata i vlerëson si të nevojshme dhe proporcionale masat e përgjithshme, prioritare, të marra nga shteti shqiptar. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se parashikimet ligjore të aktit në shqyrtim synojnë jo vetëm të vendosin një baraspeshë të drejtë në realizimin e interesit social të grupimit shoqëror, atij të qiramarrësve, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, por mbi të gjitha, këto masa kanë efekt të drejtpërdrejtë në garantimin e të drejtës kushtetuese të pronës. Zgjidhja përfundimtare e këtij problemi, si çështje jo vetëm me interes publik, por, para së gjithash, me natyrë kushtetuese, përbën prioritet, pasi e drejta e pronës përbën një nga shtyllat kryesore ku mbështetet sistemi ekonomik dhe zhvillimi i vendit”, – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtuese.

Iniciativa e qeverisë

Këshilli i Ministrave disa muaj më parë nxori aktin normativ nr. 3, datë 1.8.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, akt i cili është miratuar nga Kuvendi me ligjin nr. 82/2012, datë 13.9.2012.
Akti normativ parashikonte lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qiramarrësit, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, detyrim i cili duhet të përmbushej brenda datës 1 nëntor 2012 kundrejt kreditimit të tyre me një kredi me afat deri 30 vjet, me interes vjetor 0 (zero)%, sipas programit social të trajtimit me kredi të lehtësuara nga shteti. Autoriteti shtetëror i ngarkuar për realizimin e këtij urdhërimi është Enti Kombëtar i Banesave, i cili duhet të dorëzonte Bankën Kombëtare Tregtare, deri më datën 5 shtator 2012, listën e qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, që kanë aplikuar ose jo në Entin Kombëtar të Banesave (EKB).

Akti normativ parashikon, gjithashtu, se, nëse lirimi dhe dorëzimi i banesës nuk ndodh brenda afatit të mësipërm (datës 1 nëntor 2012), EKB-ja, pasi ka marrë njoftimin përkatës nga pronari i pronës, brenda 2 ditëve pune nga marrja e njoftimit konfirmon, me shkrim, se pastrehë është në listën e botuar për trajtim me kredi sipas kushteve të mësipërme.

 

Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi për aktin normativ

“Qëllimi i nxjerrjes së aktit është përmbushja, në mënyrë të përshtatshme, si e detyrimeve për respektimin e të drejtës themelore të pronës, ashtu edhe e objektivit social të shtetit për të siguruar, brenda mjeteve që disponon, plotësimin e nevojave për strehim të qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, në kuptim të nenit 59 të Kushtetutës. Ky objektiv social, duke u kushtëzuar nga mjetet që disponon shteti, hyn plotësisht në tagrin e vlerësimit të ligjvënësit”, – thuhet në shpjegimin e qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ. Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë si palë e interesuar argumentoi se “akti normativ, i miratuar nga Kuvendi, plotëson kushtet e nevojës dhe të urgjencës, të parashikuara nga neni 101 i Kushtetutës. Elementi i nevojës është i dukshëm dhe i prekshëm dhe konsiston në arsyen e qenësishme të ndërhyrjes rregulluese për shkak të domosdoshmërisë për të garantuar të drejtën themelore të pronës”.

 

Ferdinand Poni: Pastrimi i listave nga dublimet do të përfundojë në 8 maj

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi se dyblikimet në listat ato do të pastrohen deri në javën e parë të muajit maj. “Ne identifikuam dhe dërguam në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile për të bërë verifikimet 7674 rekorde të dyshuara si të dubluara, diku tek 3800 shtetas. Nuk janë dublime 2575 rekorde, na kanë ngelur akoma 4800 rekorde të personave të dyshuar. Pastrimi i listave nga dublimet besoj se do të përfundojë në 8 maj”, – deklaroi Poni. Pas përpunimit të dytë të listave, sipas Ponit, rezulton se në 23 qershor kutive të votimit mund t’i drejtohen 3 288 797 shtetas me të drejtë vote. Ndër ta, 1057 janë mbi moshën 100 vjeç. Poni tërhoqi vëmendjen e vendorëve, të mos vonojnë afishimin e tyre. Dy auditët që monitorojnë pastrimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile nga dublikatet dhe hartimin e listave të zgjedhjeve, nuk bien dakord mbi një variant përfundimtar për t’i dorëzuar KQZ-së. Të zgjedhurit e PS-së dhe PD-së për këtë detyrë do i drejtohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 2 raporte të ndryshme mbi vërtetësinë e shifrave të Ministrisë së Brendshme.

 

Meta: Është faji i bllokimit që nuk morëm statusin

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se është faji i bllokimit të tri ligjeve nga ana e opozitës që nuk u bë e mundur marrja e statusit të vendit kandidat. “Është faji i konfliktit politik dhe i bllokimit që nuk kanë ndihmuar për të realizuar konsensusin e domosdoshëm prej 3/5 që duhet për miratimin e tyre. Sikurse edhe komisioneri për Zgjerim ka theksuar është kërkesa minimale që Shqipëria të miratojë këto tre akte por të pasur një raport pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky ka qenë edhe qëllimi i vizitës më të fundit të komisionerit Fyle në vendin tonë, përveç angazhimit për t’i ftuar palët për të mos dëmtuar standardin e zgjedhjeve që po vijnë”, – tha Meta në një komunikim në Facebook me qytetarët. Ndërkohë, pyetjes së bërë nga më shumë se 60 qytetarë se cili do të jetë koalicioni i ardhshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet të 23 qershorit përgjigja e Meta ishte se kjo do të vendoset nga Konventa Kombëtare e LSI-së. Po ashtu, Meta vlerësoi koalicionin aktual qeverisëse, duke pohuar: “Ky stabilitet dhe kjo qëndrueshmëri pa asnjë diskutim që është një sukses edhe i këtij koalicioni që LSI ka realizuar dhe ka kontribuar deri tani. Le të mos harrojmë që brenda vitit të parë ky koalicion arriti një sukses të jashtëzakonshëm që ishte realizimi në kohë, pra brenda vitit të parë të qeverisjes, për liberalizimin e vizave të të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency