Kosovë/ Takimi i ardhshëm varet nga vlerësimi i BE-së Jahjaga: Takim konstruktiv me Presidentin serb!

0
972

jahajagaNë kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dje, rreth orës 18 e 30 ka përfunduar takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç. Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të dy shteteve dhe, në masë të madhe, është parë si hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Në prag të tij, Ashton ka takuar ndarazi Nikoliçin dhe më pas Jahjagën.

Pas takimit Jahjaga ka deklaruar shkurt se takimi me presidentin serb është zhvilluar në atmosferë konstruktive dhe respekt të ndërsjellë. Dje, gjithë vëmendja e medias së Kosovës ka qenë përqendruar në këtë takim, konsideruar historik.

 

***

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit të parë me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç e ka quajtur atë një takim konstruktiv, që synon normalizimin e raporteve mes dy vendeve. “Ishte takimi i parë në nivel presidentësh të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë si shtete te pavarura e sovrane, të pranuara si subjekte ndërkombëtare. Takimi u zhvillua në atmosferë konstruktive dhe i dhamë mbështetje të përgjithshme të normalizmit të marrëdhënieve me shtete e tona, që është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve tanë, në funksion të paqes dhe stabilizimit në rajon dhe rrugës drejt BE-së. I dhamë mbështetje procesit të dialogut të kryeministrave që ka për qëllim gjetjen e zgjidhjeve në funksion të normalizimit”, u shpreh Jahjaga në një intervistë për RTK-në. Presidentja Jahjaga ka thënë se takimi i kontribuon fqinjësisë së mirë. Ajo ka këmbëngulur sërish se për veriun e Kosovës nuk do të ketë asnjë status tjetër, pos atij që përcaktohet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Presidentja kosovare ka thënë se nuk ka alternativë tjetër, dhe se propozimi për ndonjë autonomi eventuale për veriun do të bënte që serbët nga pjesët tjera të Kosovës të shpërnguleshin për në veri. Jahjaga ka thënë se do të ketë vend edhe për takime të tjera me homologun e saj serb.

 

Ashton: Javët e ardhshme-kritike

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, që ka ndërmjetësuar takimin në mes të Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka thënë se në takim është trajtuar çështja e veriut të Kosovës dhe tha se “javët e ardhshme do të jenë kritike”.

“Që të dy, Presidenti Nikoliç dhe Presidentja Atifete Jahjaga më kanë siguruar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për dialogun dhe për agjendat respektive evropiane”, ka cituar DPA, Ashtonin. Këto komente thuhet se ajo i bëri në fund të negociatave tri orëshe.

Ajo ka takuar njëherë ndaras të dy presidentët dhe ne fund, ka zhvilluar një takim të përbashkët.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të të dyja shteteve dhe, në masë të madhe, është parë si hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Nikoliçit nuk i pëlqeu takimi me Jahjagën

 

Në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dje, rreth orës 18 e 30 ka përfunduar takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikoliç. Por, më sa duket në konferencën për gazetarë, Nikoliç nuk ka qenë edhe aq i disponuar për shkak se Jahjaga disa herë ja kishte përmendur atij pavarësinë e Kosovës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. “Në kuadër të dialogut të cilin e mbështes, unë para dy muajsh kam propozuar të takohemi me presidenten Jahjaga. Fatkeqësisht, zonja Jahjaga me histori librash ka folur për të drejtat e njeriut dhe ka insistuar në atë që dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë”, ka thënë presidenti serb pas takimit, transmeton B92.

“Unë i kam thënë asaj se nëse insiston në atë se Kosova është shtet i pavarur, dialogu nuk do të shkojë në drejtim të arritjes së marrëveshjes së përbashkët”, ka thënë Nikoliç.

Në prag të takimit Ashton ka takuar ndarazi Nikoliçin dhe më pas Jahjagën.

Presidentja e Kosovës para takimit ka thënë se takimi i saj me homologun serb paraqet “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre kah integrimi evropian”.

“Takimi si njoftim ka qenë i dobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, u shpreh Nikoliç.

Ai ka shtuar se takimi i sotëm nuk ka qenë i motivuar me dëshirën e Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por me dëshirën e Serbisë që të qetësohen gjakrat.

“Dëshira e Serbisë është paqja në Ballkan”, ka thënë Nikoliç. Sipas tij pa Serbinë nuk ka Kosovë të pavarur dhe as vend të Kosovës në OKB. “Gjëja e fundit në jetën time do të ishte që Kosova të niset rrugës së pavarësisë”, u shpreh ai. I pyetur nëse do të ketë takime të reja me Jahjagën, Nikoliç ka thënë se fillimisht duhet gjetur tema të përbashkëta.

“Nëse diçka duhet bërë në mënyrë operative, do të duhet të gjejmë tema të përbashkëta. Nëse duam të përsërisim qëndrimet, atëherë mund të ketë takime. Edhe Koreja Veriore dhe Jugore me vite të tëra janë takuar për të thënë ‘mirëdita’, por, kjo nuk është zgjidhje. Do ta humbasim kohën e çmuar, dhe bota normale nuk mund të na presë gjatë”, ka thënë Nikoliç për mediat serbe.

 

Përfundon takimi Jahjaga – Nikoliç

Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të të dyja shteteve dhe, në masë të madhe, është parë si hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Në prag të tij, Ashton ka takuar ndarazi Nikoliçin dhe më pas Jahjagën. Presidentja e Kosovës ka thënë se takimi i saj me homologun serb paraqet “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre kah integrimi evropian”. Në dallim nga Jahjaga, Nikoliç nuk u është drejtuar gazetarëve. Mediat, madje, nuk kanë arritur të shënojnë as arritjen e tij në ndërtesën e BE-së, ndërsa më herët është thënë se presidentët do të shfrytëzojnë dy hyrje të ndryshme. Përndryshe, i gjithë takimi tek Ashtoni është zhvilluar larg gazetarëve dhe kamerave. Mësohet se Jahjaga dhe Nikoliç do të flasin para mediave pas takimit, por, sipas të gjitha gjasave, nga ambasadat e tyre në Bruksel.

Diplomatë të BE-së kanë shfaqur bindjen se takimi i së mërkurës midis dy presidentëve, është mbështetje e rëndësishme për bisedimet që po zhvillohen ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Dy të fundit, deri më tash, janë takuar katër herë në Bruksel, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.

I gjithë procesi i dialogut ka evoluar nga ai për çështje teknike, i cili ka nisur në mars të vitit 2011 dhe është zhvilluar në disa raunde. Bartës të tij kanë qenë kryenegociatorët Edita Tahiri dhe Borsillav Stefanoviç. Bisedimet gëzojnë mbështetje të madhe nga diplomatët perëndimorë, ndërsa skena politike në Prishtinë mbetet e ndarë. Në mesin e partive opozitare është Lëvizja Vetëvendosje ajo që thotë se procesi u shërben vetëm interesave të Serbisë. Përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së, ndërkaq, kanë shfaqur mbështetje për të.

Po ashtu kujtojmë se Jahjaga, të mërkurën në Bruksel, ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, përfshirë presidentin e Komisionit Evropian, Herman van Rompuy.

Në takim me të, Jahjaga ka folur për situatën në Kosovë dhe procesin e integrimit të vendit. Presidentja ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe zëvendësndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker, të angazhuar për çështje të Evropës.

 

 

 

Procesi i dialogut

Nisja e takimit Jahjaga – Nikoliç

Zëdhënësja e Baroneshës Ashton ka konfirmuar se ka nisur takimi mes dy Presidentëve, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç. Takimi zgjati deri në orën 20 dhe më pas Zyra e Ashtonit lëshoi një komunikatë, ku tregoi për rezultatet e takimit trepalësh.

 

Takimi Jahjaha – Nikoliç, në orën 18:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, prezente në Bruksel takoi së pari, në orën 17:00 Baroneshën Catherine Ashton e më pas homologun e saj serb, Tomisllav Nikoliç.

Kjo është konfirmuar për Kosovapress nga këshilltari politik i presidentes, Ramush Tahiri, cili u konfirmoi mediave për deklaratën që presidentja dha pas takimit në Radio Televizionin e Kosovës. Ndryshe, presidentja në vazhdën e takimeve në Bruksel ka takuar edhe Presidentin e Këshillit Evropian, zotëri Herman van Rompuy dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen. Gjithashtu ajo është pritur edhe në Misionin e SHBA-së në BE, nga ambasadori i SHBA-së, William Kennard dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, ambasadori Philip Reeker.

 

Jahjaga takohet me Reeker

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit dje në Misionin e SHBA-së në BE, nga ambasadori i SHBA-së William Kennard dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, ambasadori Philip Reeker. Në bashkëbisedim me ambasadorët Kennard dhe Reeker, Presidentja Jahjaga shprehu falënderimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të vendit për ndihmën që SHBA-ja po i jep Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në agjendën e saj evropiane dhe është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për integrimet në BE.

Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës së integrimeve euro-atlantike dhe tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm si promovuese e fqinjësisë së mirë. Ajo theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i dha përkrahje dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet qeverive të të dyja vendeve me ndërmjetësim të BE-së dhe përkrahje të fuqishme të SHBA-së. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga theksoi se takimi me Presidentin e Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliç, është në funksion të relaksimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, sovrane dhe të pavarura dhe të përshpejtimit të agjendës evropiane për Kosovën.

Ambasadori Kennard dhe ambasadori Reeker theksuan se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Ambasadorët Kennard dhe Reeker e vlerësuan lidershipin e Presidentes Jahjaga dhe thanë se takimi ndërmjet Presidentëve do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ambasadorët Kennard dhe Reeker i dhanë përkrahje dialogut që po zhvillohet në Bruksel e që ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

 

 

Jahjaga u takua me Anders Fogh Rasmussen

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen.

“Presidentja Jahjaga dhe Sekretari i Përgjithshëm Rasmussen diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi, si dhe vlerësuan rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Evropës Juglindore. Presidentja Jahjaga falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe KFOR-it dhe rolin e tyre të rëndësishëm si garantues për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por dhe në të gjithë rajonin. Presidentja Jahjaga falënderoi për mbështetjen e ofruar ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi dhe asistence, duke e siguruar Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen që Forca e Sigurisë e Kosovës do të vazhdojë mandatin e saj në respektim të standardeve evropiane dhe në koordinim të plotë me NATO-n. Presidentja Jahjaga tha se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-në me mbështetje të fuqishme nga SHBA-të, që po zhvillohet nga kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasi që është e vetmja mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve që kanë një të kaluar të hidhur por që aspirojnë t’i bashkohen familjes së BE-së dhe NATO-s. Ajo vlerësoi marrëveshjet e arritura nga ky dialogu që kanë për qëllim të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve, duke u ofruar perspektivë të qartë evropiane, si dhe falënderoi KFOR-in për angazhimin dhe punën që ka bërë në lehtësimin e implementimit të këtyre marrëveshjeve dhe në ofrimin e lirisë së lëvizjes të gjithë qytetarëve kudo që ata ndodhen. Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve dhe shoqërisë së Republikës së Kosovës për t’u integruar në strukturat veriatlantike dhe në BE, duke nxitur inicimin e marrëdhënieve kontraktuale, sidomos Programin Partneriteti për Paqe, dhe duke siguruar përkushtim për përmbushjen e kritereve të nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese”, thuhet ne nje njoftim te Presidencës.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës. Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.

Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

 

Takim i rëndësishëm e simbolik

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, konsideroi si shumë të rëndësishëm takimin në mes të presidentes së Kosovës dhe atij të Serbisë.

Ajo iu ka bërë ftesë presidentes Atifete Jahjaga dhe homologut të saj serb, Tomisllav Nikoliç, derisa gjatë ditës së djeshme, Ashton zhvilloi njëherë takime të ndara me presidentwt mw pas takim të përbashkët. “Takimi ndodh në kontekst të përmirësimit të marrëdhënieve, kjo do jetë tema kryesore, për ne është i rëndësishëm takimi, sepse ka domethënie simbolike”, u shpreh zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiç.

 

Raundi i Atifetes

 

Atifete Jahjaga është nisur drejt Brukselit duke bërë vlerësime kontradiktore rreth takimit me Tomislav Nikoliç. Sipas saj, në ballafaqimin e parë me shefin e shtetit serb synohet të zgjidhen të gjitha çështjet, por nuk do të ketë dialog. Zyrtarët e BE-së thanë se takimi mes dy presidentëve ka për qëllim normalizimin e raporteve mes palëve. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka arritur t’i bindë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të ulen përballë njëri – tjetrit të mërkurën në Bruksel. Shefja e shtetit kosovar ka udhëtuar të martën drejt kryeqytetit evropian, ndërsa Nikoliç ka udhëtuar dje, për shkak se dy ditëve të fundit ka qëndruar për vizitë zyrtare në Turqi. Zyrtarët e BE-së nuk kanë treguar asgjë se çfarë pritet të bisedojnë dy palët, por kanë përsëritur se gjithçka është në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Madje Maja Kocijançiç ka thënë se kontaktet mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale. Pikërisht për këtë, ajo ka thënë se takimi ka rëndësi të madhe për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në ditën kur është nisur drejt Belgjikës, Jahjaga ka thënë se nuk po shkon atje për të dialoguar me palën serbe duke e cilësuar takimin si simbolik.

“Ky nuk është dialog, por është takim zyrtar i presidentëve të të dyja vendeve, të dy shteteve që janë të pavarura dhe fqinje… Është takim simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Presidenti i Republikës së Serbisë”, ka thënë Jahjaga, në një intervistë për REL. Jahjaga ka thënë se po shkon atje për t’i dhënë mbështetje dialogut që ka nisur në nëntor mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ajo.

Por Presidentja më pas ka dhënë edhe një vlerësim kontradiktor duke thënë se në takim do të synohet një zgjidhje për të gjitha çështjet, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se me Presidentin serb do të ketë edhe negociata. “Takimi ka për synim që në pajtim të plotë dhe duke respektuar normat dhe standardet evropiane, e gjithashtu edhe konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ka thënë ajo. Takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë po ndodh pas dialogut të zhvilluar mes dy kryeministrave – Thaçi e Daçiç, të cilët kanë arritur disa marrëveshje. Ditë më parë, Nikoliç anuloi vizitën në Gjermani për shkak të pjesëmarrjes së Jahjagës. Jahjaga ka komentuar edhe më tej duke thënë se me Nikoliçin do të bisedojë parimisht për përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Do të bisedohet parimisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë ajo. Jahjaga ka thënë se në takim do të bisedojë edhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë. “Do të bisedohet parimisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shtuar ajo.

Presidentja Jahjaga i ka dhënë mbështetje dialogut me Serbinë dhe ka thënë se deri më tash asnjë marrëveshje që është bërë mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiçit nuk e dëmton Kosovën. Madje, as Fondi i Veçantë për Veriun. “E keni parë se deri më tash nuk është bërë asnjë kompromis që dëmton interesat e vendit dhe qytetarëve tanë. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, në BE nuk kanë dashur japin detaje rreth takimit të dy presidentëve. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ka konfirmuar se takimi do të ndodhë mes dy presidentëve. Por, paraprakisht do të ketë takime të veçanta të Jahjagës dhe Nikoliçit me Ashtonin. “Takimi do të ndodhë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do t’i takojë ata ndaras dhe më pas edhe së bashku. Pas takimit do të lëshojmë një komunikatë”, ka thënë Kocijançiç për “Express”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency