Ferri dhe muza e mëngjesit të hershëm!

0
299

rexhepiStudiuesi i arteve pamore, Gëzim Qendro, merr në një studim të thelluar njërin prej artistëve më të shquar modernistë shqiptare; Rexhep Ferri, konsideruar si përfaqësues i periudhës së artit modernist të Kosovës, shqyrtohet në botimin “Arkeologjia e mëngjesit”, “njëfarë tautologjie e metaforës” si kuptimësi e hapësirës dhe kohës në raport me paraardhësit; adaptimi i risive që transformuan rrënjësisht marrëdhëniet themelore të artit evropian: të artistit me realitetin, të hapësirës reale me atë piktorike etj..

 

Violeta Murati

Rexhep Ferri, njëri prej artistëve më të shquar modernistë shqiptarë, të kujton pikërisht një lloj arkeologjie të mëngjesit (një mëngjes që për ta kuptuar duhet të rrëmosh thellë nëpër terrin e kohërave) – ky prezantim na çon drejt përmbajtjes të një studimi të thelluar mbi veprën e Rexhep Ferrit, me të cilin studiuesi i gjuhës pamore Gëzim Qendro kërkon në labirintet që krijon ky medium, në kontekstin e kohës dhe hapësirës duke e konsideruar si përfaqësues i periudhës së artit modernist të Kosovës.

Megjithatë, Qendro ndalet për të kuptuar pse togfjalëshi “arkeologji e mëngjesit”, prej së cilës ndan titullin dhe tharmin vendoset si “njëfarë tautologjie e metaforës së Bernardit të Shartrës (… ne shohim më shumë dhe më larg se paraardhësit tanë, jo sepse kemi vështrim më të mprehtë, apo se jemi më truphedhur […], por sepse jemi ngjitur dhe qëndrojmë lart mbi shtatin e tyre vigan), sepse bart në vetvete tensionin e skajshëm semantik të paradigmës moderniste: ajo u shfaq si mëngjesi vezullues i një lloji të ri, pas shumë të tjerëve mbi të cilët kishte rënë muzgu e që tashmë ishin kyçur përgjithmonë në sarkofagun e historisë”.

Sado e brishtë t’i ngjajë qasja e gjuhës pamore kushteve reale përmes së cilës kalon ky medium në trojet shqiptare, Qendro vazhdon t’i rezistojë kaosit duke gjetur “rrugë të fshehta” hulumtimi (kurator ekspozitash, pedagog i lëndëve të gjuhës pamore, filozofi arti dhe histori arti, përkthyes) si kontribut në ndërtimin e një biblioteke moderne në të tilla shqyrtime kritike studimore. Prognoza që ndërton ky studiues e zhvesh punën e Ferrit nga tipizimi lokal duke e zhvendosur në një hapësirë më vizionare, në afrim të qartë me çfarë duhet identifikuar rasti përballë burimeve universale të gjuhës pamore. Prandaj shpesh në artikulimin, apo gërmimin e tij për zbulime përafruese na çojnë në të dhëna krahasuese me të njëjtin medium duke i takuar një territori më të gjerë. Në rastin konkret, piktori Rexhep Ferri kalon në hapësirën dhe kohën paralele të modernizmit përtej territoreve të këtushme.

“Në veprat e Rexhep Ferrit jo vetëm që nuk gjejmë huazime nga disiplina të tjera artistike, por përforcimi i zonës së kompetencës së pikturës së tij, shpeshherë, merr forma të skajshme, duke shtjelluar me zhdërvjelltësi teknike ato risi që transformuan rrënjësisht marrëdhëniet themelore të artit evropian: të artistit me realitetin, të hapësirës reale me atë piktorike, apo të kësaj të fundit me hapësirën kontekstuale, të imazhit me realitetin, të mediumit me teknikën dhe të plasticitetit modal me subjektin”, shkruan Qendro.

Përndryshe ky vështrim kritik i referohet simbiozës së modernizmit njësoj siç e trajtojnë dhe e njohin fenomenet paraardhëse në Evropë, si koncepte të njohura botërisht.

“Rastin për t’u ngjitur mbi “supe viganësh” e patën të parët artistët që jetonin në anën perëndimore të “vijës së re të Teodosit”, që do të ndante vertikalisht trojet shqiptare gjatë shekullit XX. Kjo sepse shteti shqiptar lehonë, pas një periudhe turbullirash shoqërore që pasuan shpalljen e pavarësisë, mundi gjithsesi të arrinte njëfarë zhvillimi ekonomik dhe kulturor, veçanërisht gjatë mbretërimit të Zogut I; nga gjysma e dytë e viteve ’20 deri në pushtimin italian më 1939. […] Tek e fundit, historia e artit është edhe njëfarë arkeologjie mëngjesesh, ku cilido brez shfrytëzon përvojën e atyre që jetuan përpara tij për t’i dhënë kuptim dhe substancë mëngjesit që sapo ka nisur për të, duke nxituar të lërë gjurmën e tij përpara perëndimit”, shkruan Qendro në lëndën hyrëse, të vëna në dispozicion nga shtëpia botuese “Dituria”, prej nga është mbështetur për botim kjo vepër.

 

 

Një shpërfillës i gjuhës pamore të artit tradicional!

 Gëzim Qendro

Vepra e Rexhep Ferrit, përveçse përputhet në rrafshin kohor me konceptin e sipërpërmendur të modernes, pra, qui nunc, nostro tempore est, novellus, përmban edhe thelbin e modernizmit, të cilin, me një formulim sa të qëlluar, aq edhe elegant, kritiku i shquar amerikan Klement Grinberg e përkufizon si “…përdorim i metodave karakteristike të një disipline për të kritikuar vetë disiplinën, jo për ta shkatërruar plotësisht, por për ta ngulitur më fort në zonën e saj të kompetencës”.

Ky formulim përkon plotësisht me thelbin e veprës së Rexhep Ferrit, si në rrafshin ikonografik, ashtu edhe në atë ikonologjik, sepse tablotë e tij dëshmojnë hapur se ai shpërfill vendosmërisht shumë elemente morfologjike e sintaksore të gjuhës pamore të artit tradicional, duke kryer njëkohësisht (siç do ta tregojmë më poshtë) vetëkritikën dhe përforcimin e zonës së kompetencës së disiplinës artistike që lëvron, pikturës. Në tablotë e veta Ferri shpërfaq vetëkritikën tipike për artin modernist, e cila zanafillon me periudhën iluministe, duke i vënë artet e asaj kohe përpara sfidës së hapur: ose të gjenin mënyrën si të përligjnin ekzistencën e tyre, ose të zhdukeshin krejt nga harta e kulturës. Shqetësimin e tij për dobishmërinë e kufijve dallues midis disiplinave artistike, Grinbergu e artikulon duke këmbëngulur se është detyrë e disiplinave të artit modernist që secila prej tyre ta ripërcaktojë veten sipas mediumit që përdor.

Përmes tablove Rexhep Ferri, si një artist i mirëfilltë modernist, arrin të na ofrojë përvoja që nuk mund të përftohen me anë të disiplinave të tjera artistike, duke përcaktuar qartë karakterin e sintaksës dhe të morfologjisë së gjuhës pamore që përdor, duke përzgjedhur mjete shprehëse dhe teknike tipike vetëm për artin e pikturës. Kjo, siç thotë me të drejtë Grinbergu, e ngushton zonën e kompetencës së piktorit (edhe të Ferrit në këtë rast), por, nga ana tjetër, i jep atij mundësinë të përcaktojë një zonë ku mund të përdorë i sigurt elementet karakteristike të disiplinës së tij, duke shmangur praktika të përdorura prej mediumeve të disiplinave të tjera.

Në veprat e Rexhep Ferrit jo vetëm që nuk gjejmë huazime nga disiplina të tjera artistike, por përforcimi i zonës së kompetencës së pikturës së tij, shpeshherë, merr forma të skajshme, duke shtjelluar me zhdërvjelltësi teknike ato risi që transformuan rrënjësisht marrëdhëniet themelore të artit evropian: të artistit me realitetin, të hapësirës reale me atë piktorike apo të kësaj të fundit me hapësirën kontekstuale, të imazhit me realitetin, të mediumit me teknikën dhe të plasticitetit modal me subjektin. Trajtimi që Ferri i bën mediumit të pikturës përputhet plotësisht me konstatimin e Grinbergut se:

“[…] arti realist dhe natyralist shpërbën mediumin duke përdorur artin për të fshehur artin; Modernizmi përdor artin për të tërhequr vëmendjen ndaj artit. Kufizimet që përbënin mediumin e pikturës – sipërfaqja e sheshtë, forma e rrafshit piktorik, cilësitë e pigmentit – trajtoheshin nga mjeshtrit e vjetër si faktorë negativë, të cilët duheshin treguar vetëm tërthorazi. Ndërsa piktorët modernistë i shohin të njëjtat kufizime si faktorë pozitivë dhe i pranojnë hapur ato”.

Mënyra e shfaqjes së një regjimi tjetër kohe imanent në veprën e artit pamor përcakton kushtet subjektive të shfaqjes së të dukshmes, karakterin e përvojës së brendshme që shoqëron procesin e vështrimit. Tensioni midis dimensionit kohor subjektiv të vështrimit (kohës që i duhet të përshkruajë itinerarin e përcaktuar nga autori mbi sipërfaqen e tablosë) dhe dimensionit kohor objektiv të rrafshit topologjik të tablove nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, sinergjia që krijojnë është një argument më shumë në dobi të karakterit modernist të tablove të Ferrit.

Prof. Rexhepi bën pikërisht këtë në veprat e tij: nuk fsheh, por i përdor hapur si faktorë pozitivë, duke shfrytëzuar gjithë potencialin e tyre artistik, ato elemente të mediumit të pikturës që dikur trajtoheshin si kufizime dhe mangësi të pandreqshme të kësaj disipline. Jo vetëm kaq, por Ferri i kthen në elemente themelore të marrëdhënies së plasticitetit modal me subjektin e tablove, duke i parë si tejet të dobishme për artin e tij.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency