Si do të ndryshojë shpërndarja e noterëve. Hapet konkurrimi, vendet vakante në çdo zonë

0
136

 Ervin Kaduku

noterPas transaksionit të pronave, tani edhe dëshmia e trashëgimisë tek noteri. Rishpërndarja duhet të udhëhiqet nga kriteret e vendosura nga ligji, si dhe nga parimet e eficencës dhe shpejtësisë së shërbimit, mbulimit me shërbim noterial të të gjitha njësive administrative vendore, ngarkesës së noterëve, si dhe numrit të veprimeve noteriale për çdo banor

 

Pas reformave të bëra për lehtësimin e transaksioneve financiare e ligjore për qytetarët, qeveria shqiptare është duke hartuar edhe një projektligj tjetër, i cili do të bëjë të mundur që edhe dëshmia e trashëgimisë tani e tutje të kalojë si proces te noteri. Pas dhënies së të drejtës për marrjen e vërtetimeve për pasuritë e paluajtshme, noterëve do t’u jepet një tjetër e drejtë, që, pas përfundimit të hartimit do të kalojë për miratim në parlament. Deri tani, kjo dëshmi jepej vetëm nga gjykatat.

Noterët thonë se me këto ndryshime ky proces do të jetë i sigurt dhe shumë i thjeshtë për qytetarët. Kohët e fundit, ka hyrë në fuqi edhe një udhëzim tjetër i përbashkët i ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave, që përcakton rregullat e reja lidhur me pagesën tek noterët kur kryhet një transaksion shitblerjeje për prona të paluajtshme, për të cilën gazeta “Standard” ka informuar lexuesit e saj në një nga numrat e mëparshëm, në mënyrë ekskluzive.

Në përputhje me këto rregulla të trashëgimisë, përcaktohet që noteri duhet të ketë llogari rrjedhëse pranë një banke, të dedikuar për kryerjen e transaksioneve të tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme. Kjo llogari duhet të jetë e ndryshme nga llogaria bankare që noteri përdor si person fizik ose si individ dhe nuk duhet të gjenerojë interesa.

Me miratimin e ndryshimeve, ul ndjeshëm periudha 90-ditore që duhet të pritet për një dëshmi trashëgimie. Kryeja e pagesës te noteri ul ndjeshëm edhe koston e këtij shërbimi sepse ndërsa qytetarët paguajnë për paraqitjen e kërkesës në gjykatë humbasin ditët e punës. Ka edhe nga ata që marrin avokat për të ndjekur këto procedura, por me futjen në “lojë” të figurës së noterit të gjithë këto eliminohen.

 

Rishpërndarja

 

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar një ndryshim në shpërndarjen e noterëve.

Sipas studimit të kryer nga ky dikaster, numri i përgjithshëm i noterëve është 378. Në vijim të urdhrit nr. 213, datë 18.5.2012 të Ministrit të Drejtësisë, në datë 2-3.6.2012, u zhvillua konkursi për vendet e shpallura vakante. Nga ky konkurrim rezultuan fitues 25 kandidatë, të cilët plotësuan 23 vende vakante. Dy nga kandidatët e shpallur fitues, në përputhje me ligjin nr. 7829/1994, plotësuan vendin vakant të lënë nga prindi i tyre. Më pas me urdhrin nr. 275, datë 13.6.2012 të Ministrit të Drejtësisë, u rishpallën vakante 63 vendet e mbetura, sipas së njëjtës shpërndarje në njësitë e qeverisjes vendore të përcaktuar më parë. Nga konkursi i zhvilluar më datë 30.6.2012 rezultuan fitues 13 kandidatë, të cilët plotësuan 13 vende vakante.

Bazuar në një studim të kryer në shtator 2012, me urdhrin nr. 195/2, datë 3.10.2012 të ministrit të Drejtësisë “Për rishpërndarjen sipas njësive vendore të numrit të përgjithshëm të noterëve të caktuar në vitin 2011 dhe shpalljen e vendeve vakante”, u ripërcaktua numri i noterëve për çdo njësi vendore, si dhe u shpallën vendet vakante të mbetura të paplotësuara nga procedurat e mëparshme të konkurrimit. Mbi bazën e këtij urdhri, u zhvilluan dy procedura konkurrimi, më datë 8.12.2012 dhe 12.1.2013, nga ku mbetën përsëri 19 vende vakante.

Pas zhvillimit të katër procedurave konkurruese, rezulton se në Republikën e Shqipërisë ushtrojnë aktualisht veprimtarinë 359 noterë. Në këtë kuadër, mbeten 19 vende vakante.

Neni 16 i ligjit nr. 7829/1994, përcakton që vendimmarrja për shpërndarjen e numrit të noterëve të mbajë në konsideratë dy kritere themelore:

a) numrin e popullsisë së bashkisë së bashku me komunat rreth saj;

b) vëllimin e punës së veprimtarisë noteriale.

Në këtë kuadër, duke vlerësuar edhe mungesën e kërkesave gjatë katër procedurave të para të konkurrimit, për shumë nga vendet vakante të shpallura për njësitë e ndryshme vendore, vlerësohet si domosdoshmëri, rishpërndarja e vendeve vakante, pikërisht bazuar në dy kriteret ligjore të specifikuara në ligjin nr. 7829/1994. Rishpërndarja duhet të udhëhiqet nga kriteret e vendosura nga ligji, si dhe nga parimet e eficencës dhe shpejtësisë së shërbimit, mbulimit me shërbim noterial të të gjitha njësive administrative vendore, ngarkesës së noterëve, si dhe numrit të veprimeve noteriale për çdo banor.

Referuar studimit të muajit janar 2013, rishpërndarja e re e numrit të përgjithshëm të noterëve është bërë sipas standardeve ndërkombëtare, duke u bazuar në dy kritere:

1. Numri i popullsisë në njësitë vendore të caktuara;

2. Numri i transaksioneve.

Në këtë studim është sugjeruar që pa ndryshuar numrin e përgjithshëm të noterëve, pozicionet e vendeve vakante duhen rishpërndarë, duke u bazuar kryesisht te vëllimi i veprimtarisë noteriale dhe ngarkesa në punë e noterëve, si dhe numri i kërkesave për konkurrim.

Në përputhje me këtë studim, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar që rishpërndarja sipas njësive vendore të numrit të përgjithshëm të noterëve, do të jetë sipas listës nr. 1 dhe shpalljen e vendeve vakante për njësitë vendore, sipas listës 2.

 

 

 

Si përfitohen pensionet e posaçme shtetërore

 

Përveç pensioneve që njihen tashmë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore përgatit çdo vit dhe pensionet e veçanta shtetërore. Këto pensione janë të veçanta dhe u jepen vetëm atyre që kanë kontribuar për shtetin shqiptar.

Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta. Kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës. Kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist.

Përfitimi
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore. Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës.  Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”  me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal.

 

Pension për merita të veçanta

 

Pensioni për merita të veçanta është pensioni i caktuar sipas nenit 33, të ligjit nr. 4171, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe vazhdon të paguhet nga organet e sigurimeve shoqërore, deri sa përfituesi vdes. Sot pensioni për merita të veçanta nuk llogaritet. Ky lloj  përfitimi po vjen drejt mbylljes së tij.

 

Dokumentacioni:

a) Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga:
– Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
– Organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
– Titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës;
– Kryeministri;
– Kryetari i Kuvendit;
– Presidenti i Republikës.
b) Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet, si vijojnë:
– Fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile;
– Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit;
– Vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë;
– Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat etj;
– Kopjen e noterizuar të statusit të të përndjekurit politik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency