Shkodra dhe Malësia e Madhe, së shpejti me autostradën e re

0
156

Ervin Kaduku

autostradfVizitë e ministrit Olldashi në qytetin verior: Më 15 mars përfundon pjesa jashtë qyteteve

 

Veriu do të ketë një tjetër infrastrukturë që do të bëjë të mundur qarkullimin e lirshëm të mijëra udhëtarëve. Bëhet fjalë për autostradën Shkodër – Malësi e Madhe, e cila shumë shpjet do të jetë rruga që do të ndihmojë të gjithë banorët e zonës.

Brenda datës 15 mars pritet të përfundoje pjesa jashtëqytetëse e autostradës Shkodër – Hani i Hotit. Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili ka inspektuar nga afër këtë segment të rëndësishëm për rajonin e Veriut. Sipas ministrit Olldashi, i gjithë investimi pritet të përfundojë në fund të muajit maj. “Brenda 15 marsit do të kryhen punimet e të gjithë aksit ekstraurban, ndërsa kemi biseduar me përfaqësuesit e CEZ-it për zhvendosjen e kabllove të tensionit të lartë në hyrje të qytetit të Shkodrës, gjë që do të ndikojë në shpejtimin e ritmeve të punës dhe në fund të muajit maj i gjithë investimi do të jetë gati”, – ka theksuar kreu i MPPT-së në qytetin verior dje.

 

Deklarata

 

I pyetur nga mediat, ministri Olldashi ka folur edhe në lidhje me ndërprerjen e punimeve në bypass-in e qytetit të Shkodrës. “Siç e dini, shkak i ndërprerjes së punimeve ka qenë reshjet e shiut gjithashtu edhe studimi i specifikës së vendosjes së pompave të ujit për evadimin e ujërave nga zona e populluar në drejtim të liqenit të Shkodrës që tashmë ka përfunduar. Por, përveç kësaj, edhe përmirësimi i kushteve atmosferike do të ndikojë pozitivisht në nisjen e punimeve për ndërtimin e kësaj vepre madhore për qytetin e Shkodrës”, – ka bërë të ditur Olldashi.

Ministri, përveç inspektimit në terren, ka zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës me supervizorët që janë duke punuar në këtë autostradë. Aksi Shkodër – Hani i Hotit ka qenë shpesh problematik që nga fillimi i punimeve, megjithatë duket se tashmë përfundimi është shumë pranë.

 

Investimi

 

Ky investim mjaft i rëndësishëm ka një gjatësi prej 43 km dhe po ndërtohet me financimin 40 milionë euro, bashkinvestim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Punimet nisën në qershor të vitit 2009. Mbarimi i kësaj vepre do të ndikojë pozitivisht në lëvizjen mes dy vendeve, sidomos në lëvizjen e automjeteve të mallrave, në aksin e vetëm mes Shqipërisë e Malit të Zi për këtë lloj transporti.

 

 

 

 

Tatimet fillojnë verifikimin e deklarimit të të ardhurave

Administrata tatimore ka nisur një seri verifikimesh për të gjithë ato subjekte që kanë si detyrim të vetëdeklarojnë të ardhurat mbi vlerën 2 milionë lekë në vit. Sipas të dhënave ky detyrim lindte për mbi 100.000 persona, por vetëm 4400 prej tyre kanë plotësuar deklaratën e pasurisë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ky numër nuk përkon me shifrën reale. Për këtë arsye një strukturë e veçantë do të kryejë verifikimet përkatëse. Sipas tatimeve do të bëhet një verifikim total i të gjithë personave që kanë bërë deklarimin dhe ndaj atyre që sigurojnë të ardhura më shumë se 2 milionë lekë, por që nuk i deklarojnë te tatimet. Hetimet do te fokusohen veçanërisht tek personat që ushtrojnë profesione të lira si mjekë, stomatologë, noterë, avokatë e përmbarues gjyqësorë. Nga hetimi i deritanishëm rezulton se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve fshehin të ardhurat tatimore, bëjnë kalim të të ardhurave me paga të vogla dhe të mesme dhe megjithëse nuk janë shoqëri depozitojnë fitime, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Në pjesën e parë të këtij viti kjo kategori do të vihet në fokusin e kontrollit tatimor. Deklarimi i te ardhurave personale do të mund të identifikojnë kategorinë e të pasurve në Shqipëri. Afati i deklarimit për 2012-ën përfundon më 30 prill.

 

 

Rritet pagesa me karta bankare

Volumi i pagesave direkte nëpërmjet kartave u rritën në vitin 2012 për të pestin vit radhazi, në dëshmi të shtimit të përdorimit të tyre nga qytetarët shqiptarë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për vitin 2012, vlera totale e pagesave të kryera me karta bankare arriti në 13.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej afro 23%.

Është e rëndësishme të thuhet se rritja ka ardhur kryesisht në përdorimin e kartave të kreditit, që janë një mjet më i avancuar pagese dhe, në shumicën e rasteve, janë një produkt i mirëfilltë kreditor, që klienti e merr nga banka pikërisht për të kryer pagesa automatike.

Pagesat me kartë krediti për vitin 2012 përbënin rreth 64% të totalit. Rritja e përdorimit të kartave bankare për pagesa është akoma më e lartë, e kuptuar si numër transaksionesh. Vitin e kaluar janë kryer 1.1 milionë pagesa me karta, 46% më shumë se në vitin 2011. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri total i kartave bankare aktive të emetuara nga bankat shqiptare arriti në fund të vitit 2012 në 769 mijë. Kjo tregon se një në çdo katër shqiptarë e zotëron një instrument të tillë pagese. Numri i pikave të shitjes automatike, përmes të cilave mund të kryhen pagesa me kartë ka arritur në 5.300 dhe është rritur me afro dy herë krahasuar me vitin 2008.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency