Ekspertiza rrëzon provën e akuzës, lirohet në sallën e gjyqit Edison Kodralli

0
219

Sonja Caka

lirohetEkspertët: Njollat në bluzën e të pandehurit, jo blozë baruti. Gjykata urdhëron lirimin, Prokuroria kërkon t’i përgjigjet me detyrim paraqitje

 

Përfundimet e ekspertizës e kanë lënë sërish pa autor dhe të pazbardhur vrasjen e Et’hem Hënës në Volçisht të Korçës, pasi gjykata urdhëroi dje lirimin nga salla e gjyqit të të akuzuarit të vetëm për këtë krim, Edison Kodralli. Dosja rikthehet sërish në polici për hetime të mëtejshme deri në zbulimin e autorit të krimit të rëndë. Para gjykatës është paraqitur procesi i riekspertimit të bluzës së autorit dhe dyshimit që njollat në të ishin të barutit të armës që shkaktoi vdekjen e Et’hem Hënës në tetor të vitit të kaluar. Në të konkludohej se njollat nuk kishin lidhje me vrasjen dhe se ato nuk ishin mbetje baruti. Ky përfundim solli edhe rrëzimin e provës më të fortë që kishte në duart e saj akuza dhe më të cilën provonte autorësinë e krimit, ndërsa në të njëjtën kohë solli edhe përjashtimin nga akuza të të akuzuarit. Pas dëgjimit të këtij përfundimi, gjykata urdhëroi lirimin nga paraburgimi të 35-vjeçarit Edison Kodralli.  i cili akuzohet për vrasjen e Ethem Hënës ne nëntor te vitit te shkuar. Pas vendimit të gjykatës, prokurori i çështjes kërkoi caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Kodrallin dhe gjykata pranoi kërkesën duke e lënë të lirë në sallë të arrestuarin.

Arrestimi

Pas vrasjes, policia e Korçës ndaloi si të dyshuar kryesor 35-vjeçarin Edison Kodralli, duke ngritur dyshimin se krimi kishte si motiv konfliktin për borxhet e bixhozit. Por, i akuzuari i ka hedhur poshtë qysh në momentet e para akuzat ndaj tij, duke theksuar se e kishte shok të ngushtë djalin e viktimës dhe nuk ishte ai personi që e kishte vrarë atë. Sipas policisë, autori dhe viktima ishin nga i njëjti fshat dhe disa borxhe bixhozi kishin prishur marrëdhëniet mes tyre. Madje, ka qenë vetë kreu i policisë së Korçës i cili deklaroi se personi që ekzekutoi në orët e vona të natës në lokalin e tij 58-vjeçarin Et’hem Hëna ishte 35-vjeçari Edison Kodralli. Sipas grupit hetimor, 35-vjeçari e ka qëlluar me kallashnikov të njohurin e tij, me të cilin ka pasur një konflikt të momentit. Pas vrasjes, i dyshuari mendohet se ka tentuar të fshijë të gjitha gjurmët në vendin e ngjarjes, por që nuk ia ka dalë mbanë, duke lënë disa prova, që janë vërtetuar shkencërisht nga grupi hetimor. Madje, policia deklaroi se qysh prej natës së vrasjes së Hënës më 27 tetor dhe deri në momentin e ndalimit të Kodrallit, ky i fundit ishte shoqëruar disa herë dhe marrë në pyetje nga uniformat blu.

Dyshimet

Familjarët e viktimës kanë qenë ata që kanë hedhur dyshime se vrasja ka ndodhur për shkak të borxheve që mjaft bashkëfshatarë kishin ndaj tyre, por edhe konflikte pronësie. Sipas të dhënave të policisë, shoqërimet janë bërë në bazë të dyshimeve që kishte familja e të ndjerit, e cila dyshonte kryesisht te disa fqinj të saj, për shkak të konflikteve të pronësisë, që kishin pasur me ta. Gjithashtu, policia tha se veç të dyshuarve të familjes, të dyshuar për krimin kanë qenë edhe personat që i kishin para borxh familjes Hëna, sidomos djalit të viktimës, në lokalin e të cilit frekuentonin lotari sportive, lojëra fati, por edhe lloje të tjera bixhozi. Pikërisht nga bixhozi, disa prej banorëve kishin mbetur borxh te familja e viktimës dhe policia i ka futur në sitën e të dyshuarve. Një prej personave për të cilët policia pati më tepër dyshime ishte Kodralli, i cili kishte gati 1 milionë e gjysëm lekë borxh, ndërkohë që edhe njollat e gjetura në bluzën e tij u interpretuan si gjurmë bloze të barutit. Kjo provë u konsiderua mjaft e rëndësishme nga policia dhe akuza, ndërsa dje u rrëzua dhe solli lirimin e të akuzuarit.

Dëshmia

Edison Kodralli ka mohuar qysh në momentet e para të ketë qenë autor i vrasjes së 58-vjeçarit Hëna. “Natën e vrasjes kam qenë në shtëpi, nuk jam unë autor i vrasjes së Et’hemit. Unë e kam shok të ngushtë djalin e tij. Jemi fqinj dhe kemi shtëpitë afër njëri-tjetrit” ka dëshmuar ai për policinë dhe akuzën, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga dy organet hetimore të kësaj çështje. Madje, edhe familjarët e Kodrallit kanë deklaruar se 35-vjeçari ka qenë në shtëpi ditën e ngjarjes dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen. Bashkëshortja e tij Albana Kodralli ka deklaruar se burri i saj është i pafajshëm dhe se policia duhet të punojë për të gjetur autorin e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

 

Vendimi

Trafiku i drogës, dënohen me 9 vjet burg Dulla e Shehaj

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë dhe dënoi me 9 vjet burg dy të akuzuar për trafik droge drejt Italisë përmes Greqisë. Sipas gjykatës, dy të rinjtë tentuan të kalojnë 4 kg lëndë narkotike nga pika kufitare e Kakaviëjs për në Greqi dhe më pas me destinacion përfundimtar Italinë. Sipas akuzës, Sabjol Dulla, 27 vjeç, lindur dhe banues ne Fier emigrant në Itali dhe Edmond Shehaj, i 35-vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë ishin duke udhëtuar me një automjet tip Audi me targa Italiane EJ 329 TV, ku nga kontrolli rezultoi se në pjesën e mbrapakolpit ishin fshehur 9 pako në formë paralelopipedi, të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike, me pesha të ndryshme, gjithësej 4 kilogramë. I pandehuri Sabjol Dulla jetonte përkohësisht në Itali dhe në automjet udhëtonte së bashku me të fejuarën e tij, një shtetase italiane, si dhe me kushëririn e tij, të pandehurin tjetër Edmond Shehaj. Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se e fejuara e Dullës nuk kishte dijeni për trafikun  e lëndës narkotike dhe për këtë arsye u la e lirë. Sipas akuzës, Sabjol Dulla dhe Edmond Shehaj, lëndën narkotike e kishin blerë në Vlorë dhe do ta trafikonin jashtë shtetit, me destinacion përfundimtar Italinë.

 

Pretenca

Vjedhja e biznesmenit gjerman, 24 vjet burg për 3 transeksualët

Vjedhja me dhunë e një biznesmeni gjerman rrezikon t’u kushtojë 24 vjet burg tre transeksualëve. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, prokurori i çështjes ka kërkuar dënimin me nga 9 vjet burg për të pandehurit Ismail Matrakulli dhe Fatjon Hoxha, si dhe masën e dënimit me 6 vjet burg për Marije Kalthin. Prokurori Granit Shahu e ka argumentuar kërkesën e tij para gjykatës me faktin se tre të pandehurit e kanë vjedhur me dhunë turistin gjerman dhe për këtë arsye duhet të ndëshkohen me masat e dënimit nga 6 deri në 9 vjet burg. Pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të prokurorit, gjyqtarja Ariana Caco u ka lënë kohë tre avokatëve të caktuar kryesisht nga gjykata që të përgatisin konkluzionet përfundimtare për klientët e tyre. Sipas akuzës, çifti i homoseksualëve Ismail Matrakulli dhe Fation Hoxha kanë përdorur si karrem për vjedhjen e të dëmtuarit, një shtetas gjerman, prostitutën Marijë Kalthi. Ngjarja ka ndodhur pas Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku shtetasi gjerman është mashtruar e më pas është grabitur duke i marrë 500 euro dhe telefonin iPhone. Sipas akuzës, mësohet se personi i dëmtuar ka qenë pronar i një kompanie që prodhon stilolapsa në Tiranë, i cili ishte duke u kthyer për në shtëpi në momentin që është sulmuar nga tre personat. Ata e kanë goditur biznesmenin gjerman me gurë, grushte e shkelma për t’i marrë sendet dhe paratë. Biznesmeni gjerman, Ëolfgan Kraiser, ka pësuar disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe pas mjekimit ka bërë kallëzimin për grabitje ku ka shpjeguar në polici se e kanë sulmuar dy djem dhe një grua kur po kthehej në shtëpi dhe i kanë vjedhur 500 euro dhe një iPhone.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency