Standard.al

Zbardhet strategjia e PD-së për 23 qershorin, Berisha: Do fitojmë me taktikën e 8 majit

Ina Jano

beerishaTakimi me dyer të mbyllura, zbardhen direktivat e Kryeministrit gjatë dy orëve mbledhje

Të pranishëm Imami, Olldashi, Patozi dhe deputetë të tjerë demokratë

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar dje një takim me përfaqësuesit e krerëve të grupeve të punës, të cilët janë caktuar për zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe përfaqësuesit vendorë dhe deputetë të tjerë demokratë. Ndër pjesëmarrësit në takim ishin edhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, por edhe anëtarë të tjerë të cilët mbajnë poste të larta brenda selisë blu. Në takimin e zhvilluar dje rreth orës 19:00 në selinë e Partisë Demokratike, mungonte nënkryetarja e kësaj force politike, e cila mësohet se ka njoftuar më parë për mungesën e saj në mbledhje, për shkak të axhendës së saj si Kryetare e Kuvendit, që po zhvillon një vizitë në Bullgari. Në mbledhjen e cila zgjati rreth 120 minuta, nga burime të besueshme mësohet se pjesën më të madhe të fjalës e ka mbajtur lideri Berisha, i cili ka dhënë direktivat për zgjedhjet e qershorit. Ai ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e përcaktimit saktësisht të një strategjie për zgjedhjet, e cila, sipas numrit një të qeverisë, duhet që të shembë murin e bllokimit të ngritur nga opozita në lidhje me integrimin e vendit. Në përfundim, Berisha bëri me dije se takimi kishte pasur diskutime në terma teknike dhe organizative, me anëtarët të cilët do të jenë në krye të grupeve të punës. Diskutimet kanë përfshirë jo vetëm kryeqytetin, i cili gjithmonë është një pikë kthese në zgjedhjet, pikërisht për shkak të numrit të mandateve që ka, por edhe qytetet e tjera, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe diskutimet për komunat e qeverisjes vendore. “Ishte e tëra, aspekt teknik organizimi. Kryekëput për Tiranën dhe për të gjitha degët e tjera. Natyrisht në epiqendër ishte programi i përdorur për fitoren e Tiranës në vitin 2011. Programi që përmbysi murin e bashkisë dhe që do të shembë dhe numrin e bllokimit”, – u shpreh Berisha në përfundim të mbledhjes, e cila ishte parashikuar që të mos ishte publike dhe nën vëzhgimin e medias, por nuk ia doli të mbetej e tillë, pasi në mbledhjen e grupit parlamentar që u zhvillua me dyer të mbyllura, kreu i qeverisë ka njoftuar deputetët demokratë për orarin e mbledhjes së pasdites, dhe ky lajm u zbulua nga gazetarët. Gjithashtu, mbrojtja e votës dhe rendja derë më derë për të biseduar me qytetarët do të jenë pika të cilat do të vijojnë të mbeten të rëndësishme për mazhorancës edhe në këtë fushatë. Ai ka porositur të gjitha forumet e Partisë Demokratike, si forumin rinor FRPD, atë të gruas por edhe anëtarët e degëve që të trokasin në çdo derë për të takuar dhe dëgjuar problemet dhe shqetësimet e çdo votuesi dhe qytetari. Kreu i qeverisë, Berisha ka kërkuar që deri në fund të këtij muaji, pra në shkurt të evidentohen të gjitha problemet apo mangësitë që mund të ketë në seksione dhe nënseksione të PD, për ti rikuperuar ato me qëllim që të jenë gati për fushatën elektorale. Një tjetër çështje e cila është prekur në mbledhje ka qenë edhe krijimi i qendrave të reja të votimit sidomos në Tiranë, e cila vjen për shkak të shtimit të numrit të votuesve. Duket se me mbledhjen e djeshme, partia më e madhe e së djathtës ka ndezur zyrtarisht motorët e fushatës elektorale. Për këtë vit ky është takimi i tretë që Kryeministri i vendit bën si kryetar i PD-së. Në ditët e para të janarit, ai mblodhi kryesinë demokrate për të diskutuar dhe për të hedhur disa piketa të përgjithshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vend. Ndërsa vetëm disa javë me vonë ai mblodhi edhe krerët e grup-seksioneve në vend dhe kryetarët e rretheve për të dhënë direktivat në lidhje me organizimin e fushatës zgjedhore, e cila pritet të zhvillohet edhe më e ashpër në muaj në vijim. Ekonomia do të jetë një nga pikat kyçe të debatit, ku do të përballen edhe programet përkatëse nga partitë apo koalicionet që janë në garë. Edhe më herët Kryeministri Berisha u ka kërkuar drejtuesve të Partisë Demokratike që ta fokusojnë fushatën në çdo derë për t’u njohur nga afër me problematikat e qytetarëve, në mënyrë që të bëhen pjesë e programit të PD-së për mandatin katërvjeçar. Takimi vjen fill pas takimit të Kryeministrit Berisha me komisionerin për Zgjerim në BE, Stefan Fyle, ku ky i fundit adresoi porosi të qarta për mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve dhe të pakontestueshme nga palët.

 

 

Meta: Integrimi të mos bllokohet nga politika

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka takuar dje ambasadorja Braathu. Bashkëbiseduesit diskutuan për ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe për zhvillimet e fundit në rajon. Meta i shprehu ambasadorit Braathu vlerësimin për vëmendjen e vazhdueshme që Norvegjia i kushton Shqipërisë dhe rajonit, duke theksuar nevojshmërinë për thellimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve. Në drejtim të zhvillimeve të brendshme, kreu i LSI-së theksoi se konflikti i vazhdueshëm politik në vend e ka bllokuar avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe nënvizoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë rolin e saj moderues dhe pozitiv. Gjithashtu, Meta u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në rajon kohët e fundit, veçanërisht në Luginën e Preshevës, Shqipëria do të vazhdojë linjën e saj konstruktive dhe politikën e fqinjësisë së mirë. Ambasadori Braathu, shprehu një vlerësim të veçantë për politikën e jashtme dhe rajonale të Shqipërisë, duke vënë në dukje se konstruktiviteti i Tiranës zyrtare ka pasur një efekt stabilizues në vite në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Berisha: Jemi të përgatitur për mandatin e ardhshëm, Rama për bojkotin e tretë

Kryeministri: Qeveria, e gatshme për të implementuar reformat më të mira në vend

Zgjedhjet, Berisha: Zhvillojmë zgjedhje të ndershme, me standarde. Pollet e nxjerrin Ramën përtokë

Ina Jano

Kryeministri Berisha ka hedhur dje akuza të forta drejt opozitës, të cilën e ka akuzuar se është duke përgatitur bllokimin e tretë të integrimit të Shqipërisë. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i ekzekutivit u shpreh se Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të përgatitur për të fituar mandatin e tretë dhe për të zbatuar të gjitha reformat pas fitores që ky koalicion do të arrijë në zgjedhjet e 23 qershorit. “Konferenca e 49-të e Sigurisë në Mynih dhe çështja e reformave që kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim në mënyrë të pandërprerë edhe gjatë muajve në vijim, para datës 23 qershor, në mënyrë që pas zgjedhjeve të mund të ekzistojë kuadri i një seri reformave të rëndësishme për t’u zbatuar. Ne përgatisim qeverisjen e mandatit të tretë, zotëria përgatit kuadrin e bojkotit të tretë. Por, në një vend të lirë, secili bën zgjidhjet e tij”, – tha lideri i mazhorancës. Kryeministri Berisha në kuadër të angazhimit të qeverisë së tij për reformat e kërkuara nga BE-së, të cilët do t’i hapnin rrugë integrimit të vendit të familjen e madhe Evropiane, premtoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Cila janë të dashur deputetë detyrat më kryesorë tonat gjatë këtyre muajve. Janë dy dhe vetëm dy. Së pari përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne kemi të gjitha kushtet. Infrastrukturën dhe vullnetin e hekurt për të zhvilluar zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ne si qeveri jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për këto zgjedhje. Natyrisht, konstatojmë se zoti Rama po përgatit justifikimin e humbjes së radhës. Dy muaj më parë u ra sirenave brenda dhe jashtë vendit. Shkroi me dhjetëra letra duke u thënë shqiptarëve dhe të huajve se Berisha po më merr mandatin, kërkoi komision hetimor parlamentar për KQZ si dhe për shkarkimin e zotit Noka. Mblodhi përfaqësuesit të grupit diplomatik. Pas dy muajve kur e sheh se deputetin e Beratit mund ta marrë LSI-ja dhe se tani duhet të akuzojë përsëri se thotë të kthehemi në variantin e parë. Ai po përgatit 23 qershorin. Pollet e nxjerrin përtokë dhe janë të bëra nga krahët e tyre. Për të dalë përpara shpalli se do marrë 72 deputetë, dhe hoqi Dash Pezën e mori Alfred Pezën. Keni parë ju. Të gjitha këto janë kaos i tij i vërtetë. Sidoqoftë ne zotëri deputetë do ecim për procesin e integrimit të vendosur dhe duhet të bëjmë gjithçka në funksion të këtij procesi. Duhet të vijojmë reformat”, – theksoi Berisha. Sipas numrit një të qeverisë, angazhimi i dytë i kabinetit qeveritar që ai drejton është vendosmëria në reformat ekonomike, luftën kudër korrupsionit dhe rendit. Berisha akuzoi Ramën se po sulmon policinë, në një kohë kur PS-ja, sipas tij, ka mbledhur rreth vetës efektivë të cilët vetë i ka burgosur. “Drejtimi ynë i dytë. Reformat ekonomike, të sigurisë dhe rendit dhe reformat në luftën kundër korrupsionit duhet të ndërmerren me vendosmëri të madhe. Zoti Rama është në panik total, ka gjithë këto ditë, i cili çdo ditë sulmon forcat e rendit, për fajin e vetëm të tyre se kanë njërin prej treguesve më të lartë në zbulimin e krimit. Kishte mbledhur të gjithë policët e përjashtuar nga vetë PS për trafiqe dhe të burgosur për vjedhje apo shpërdorim detyre gjatë qeverisjes së tyre dhe zotohej për rendin”, – tha lideri i kabinetit qeveritar përpara grupit kuvendor demokrat.
Vizita në Mynih

Gjithashtu, zoti Berisha bëri në ekspoze të shkurtër të vizitës së tij në Mynih, në konferencën ku merrte pjesë dhe tha se takimet e shkurtra ndonjëherë janë shumë produktive, duke iu referuar kështu takimit më zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden. “Pata rast të bisedoja shkurtimisht me zv.presidentin Biden, por dua t’ju them që ndonjëherë takimet e shkurtra kanë vlerë dhe produkt më shumë se po të rrish një ditë të tërë dhe të bisedosh. Zv.presidenti përdori superlativat më të mëdha që mund të ekzistojnë në vlerësim të Shqipërisë. Shqiptarët kanë një mik të madh, të shquar. Besoj se ju e mbani mend deklaratën e tij në vitin 2004 për Shqipërinë, kur kryesonte Komitetin e Politikës së Jashtme të Senatit Amerikan. Ajo ishte historike. E falënderova shumë për ato ndjenja, vlerësime dhe ato fjalë që tha për Shqipërinë. E ftova të vizitojë Shqipërinë dhe e pranoi ftesën me kënaqësi”, – u shpreh Kryeministri. Ky i fundit ndër të tjera informoi edhe për bisedimet në lidhje me gazsjellësin TAP, për të cilin ekziston një mundësi e madhe që të bëhet realitet. Po ashtu, lideri i mazhorancës foli edhe për qëndrimet në lidhje me krizën e Eurozonës dhe u shpreh i lumtur që Shqipëria, sipas të gjitha statistikave evropiane, nuk ka rënë në krizë, përkundrazi ka vijuar rritjen ekonomike. Berisha bëri me dije se gjatë konferencës së 49-të të sigurisë në Mynih, u shprehu vendeve pjesëmarrëse pozitën delikate të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit, ndërkohë që nënvizoi se albanofobia nuk po funksionon. “Albanofobia nuk po funksionin në Gadishullin e Ballkanit. Ndaj solla në tryezën e Mynihut problamatikën reale të Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët janë në pozitë më delikate pasi janë të ndarë në 5 shtete”, – tha Berisha. 

 

Comments are closed.