Pse “Rilindja” do të “lindë e dekun”

0
160

Nga Kastriot Islami

rilindjaQëndrimi i PS-së për çështjen e mandateve është ose mediokër profesionalisht, ose politikisht i gabuar. Ose, të dyja bashkë. Secili që shqetësohet në PS, duhet të zgjedhë ose njërin cilësim, ose tjetrin, ose të dyja bashkë. Dhe nëse është paksa inteligjent, ka vetëm një opsion, të heshtë pa u vënë në rreshtin e bylmezëve. PS mori si shpërblim gjithçka gatoi politikisht në mënyrë të pasaktë e të gabuar, por edhe me një paaftësi profesionale ekstreme e qasje krejtësisht të gabuar. Nuk mund të fitohen zgjedhjet duke bllokuar zgjedhjet, duke ndërkombëtarizuar “hallin e Ramës për t’u bërë Kryeministër”, me të majtë të përçarë dhe aleatë të hallakatur. Nuk po komentoj ende një program që nuk ekziston sepse për momentin është një bashkësi dëshirash/sloganesh që nuk ka asgjë të përbashkët me një program qeverisjeje.

Në këtë mënyrë edhe kjo Rilindje po ashtu Politika e Re do të “lindë e dekun”, sepse ka në themel radikalizimin, bllokimin dhe frikën nga humbja. Shtrohen disa pyetje lidhur me qëndrimet e PS-së për çështjen e mandateve?

1) Përse PS, bazuar në dyshimet e saj për informacionin e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, nuk e çoi çështjen në prokurori për falsifikim të dhënash?

2) Përse PS preferoi të urdhëronte komisionerët e saj në KQZ të mos votonin opsionin e shpërndarjes së mandateve ku Berati kishte 7 mandate, Korça 11, Tirana 33 dhe Durrësi 14, por e bllokoi atë?

3) Përse PS mashtroi ndërkombëtarët, duke u dhënë argumente false se me këtë opsion Berisha fiton 3 mandate në tavolinë? A mban përgjegjësi dikush në PS që mashtruan ndërkombëtarët, ndërkohë që tani e kërkojnë me insistim këtë opsion, duke i thënë se Berisha nuk e do më këtë opsion se humbet katër mandate në tavolinë? A nuk është ky një qëndrim që dëmton seriozitetin e PS-së përballë ndërkombëtarëve?

4) Përse PS pasi u njoh me faktin që KQZ nuk arriti të merrte vendim ashtu siç gjykonte PS për mandatet nuk e çoi çështjen në Kolegjin Zgjedhor, por u sorollat me argumente false në takimet më ndërkombëtarët, duke akuzuar politikisht dhe duke mos vepruar juridikisht?

5) Përse PS nuk e çoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit për të mos pranuar komisionin hetimor për vërtetësinë e shifrave të popullsisë?

6) Përse PS ndryshoi mendim duke pranuar që shifrat e DPGJC janë të sakta ndërkohë që kishte bllokuar vendimin e KQZ-së? Kush mban përgjegjësi që zëvendëskryetari i KQZ-së deklaroi se pas auditimit të informacionit të sjellë nga DPGJ Civile “shifrat e popullsisë janë të sakta ligjërisht, por jo moralisht” dhe se komisionerët socialistë ishin gati ta votonin atë opsion që Rama me të tjerë e kishin damkosur të ndërkombëtarët si manipulim të rezultatit në tavolinë me tri mandate në favor të Berishës.

7) Përse PS, duke e konsideruar antikushtetues vendimin e Kuvendit për të lënë shpërndarjen e mandateve të vitit 2009 si të vetmen mënyrë për të zhbllokuar procesin zgjedhor pasi e kishte bllokuar atë në të gjithë hapat ku ajo kishte mundësi ta bllokonte, nuk e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese?

8) Përse PS, përmes një strategjie radikale e bllokimi Rama preferon të kryejë “ndërkombëtarizimin e zhurmës” ndërkohë që “mbush thesin e alibive të humbjes” dhe nuk i drejtohet institucioneve të drejtësisë (prokurorisë, Kolegjit Zgjedhor apo Gjykatës Kushtetuese) për të realizuar zgjidhjen që parashikon Kushtetuta apo Kodi Zgjedhor?

9) Përse PS pasi ka ezauruar të gjithë mundësitë e bllokimit të procesit për shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve nuk kryen asnjë veprim institucional por i drejtohet me letra e me takime vetëm ndërkombëtarëve për t’i thënë se kjo ndarje nuk është “e drejtë”, sepse po t’i thotë është antiligjore apo antikushtetuese ata do t’i s’gjerojnë në shkojnë në Kolegjin Zgjedhor ose në Gjykatën Kushtetuese?

10) Përse PS mërzitet kur, bazuar në shumë kritere matematikore e të tjera, rezulton se shpërndarja e mandateve e miratuar nga Kuvendi është më “e drejtë” se ato që kërkon PS apo sepse kishin menduar të mashtronin përsëri ndërkombëtarët me shpjegime e letra se kjo shpërndarje është në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë së votës?!!

PS e ka të humbur për këtë çështje betejën në planin ligjor, sepse minimalisht duhet të kishte ndjekur rrugën institucionale të ankimimit te gjyqësori. Në planin politik, beteja është më shumë se e humbur, sepse jo vetëm nuk arriti ta tërhiqte LSI-në me çështjen e mandateve, por tani e kërcënon për t’i hequr një mandat në Berat. Kurse, po t’i referohemi aspektit të “drejtësisë” së zgjidhjes që i dha Kuvendi kësaj çështjeje in ekstremis për të zhbllokuar situatën dhe mos bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve, kriteri matematik tregon se shpërndarja e 2009-ës është më e drejtë sesa të gjitha opsionet e tjera. Kurse në planin ndërkombëtar, PS është diskretituar, sepse qëndrimi i saj nuk ka qenë as koherent, as profesional dhe ka rezultuar spekulativ.

*Titulli i komentit, redaksional

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency