Standard.al

METE, historikut të koncesioneve të gabuara i shtohet edhe kromi

Ervin Kaduku

kromiNdonëse Shqipëria llogaritet ndër vendet e para në Evropë për sa u përket rezervave të kromit për frymë, shfrytëzimi i kësaj pasurie natyrore ka qenë një histori koncesionesh të pasuksesshme

 

 

Albanian Chrome (pjesa e grupit austriak Deco Metal) njoftoi zyrtarisht se ia shet të gjitha aksionet e saj një kompanie shqiptare. Kjo kompani hyri në tregun shqiptar më 2007, pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane Darfo. Kjo e fundit kishte fituar në vitin 2001 të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferrokromit në Elbasan, por dështoi në realizimin e investimeve të planifikuara si dhe në menaxhimin e kësaj pasurie natyrore.

Ndonëse Shqipëria llogaritet ndër vendet e para në Evropë për sa u përket rezervave të kromit për frymë, shfrytëzimi i kësaj pasurie natyrore ka qenë një histori koncesionesh të pasuksesshme, mungesë investimesh dhe kërkime të çorganizuara e të palicencuara, që kanë çuar shpesh në konflikte të ashpra në zonat krommbajtëse. Gjatë qeverisjeve socialiste, një gjë e tillë ishte bërë rrugë, por, me ikjen nga vendi edhe të një grupi tjetër investitorësh, që janë sërish nga Evropa Qendrore – ashtu si edhe kompania CEZ Group – nuk mund të mos ngarkojnë me barrë përgjegjësie drejtuesit aktualë të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

 

Historiku

 

Albanian Chrome ka qenë kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kromit, një pasuri e jashtëzakonshme natyrore, e cila, bashkë me hidrokarburet, përbëjnë “majën e diamantit” të një zhvillimi potencial të ekonomisë shqiptare, që mund të arrinte me lehtësi rritjen dyshifrore. Sipas statistikave nga Tatimet, ajo realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në vitin 2011 (ende nuk janë bërë publike rezultatet e vitit të kaluar, afati është deri në fund të marsit), sipas të dhënave nga Tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi fjala ishte për një vit të vështirë, me aksidente dhe greva të minatorëve, që çuan deri në mbylljen e minierës kryesore për disa muaj. ACR ka nxjerrë krom në Bulqizë, që, sipas specialistëve, konsiderohet si zona më e pasur me krom në Shqipëri. Këtë mineral, ajo e përdori për të prodhuar ferrokrom në fabrikat e shkrirjes në Elbasan dhe Burrel, duke patur kështu mundësinë që të eksportonte një mall të përpunuar dhe me çmim të konsiderueshëm.

Por, nga kompania së fundmi kishte njoftime kontradiktore: fillimisht për një investim prej 15 milionë dollarësh në hapjen e një pusi të ri dhe më pas drejtuesit e kompanisë kishin bërë të ditur se synonin që t’i shisnin papritmas të gjitha aksionet. Kreu i Albanian Chrome, ndryshe nga logjika ekonomike e këtij sektori, ka pohuar se “biznesi i kromit është shumë i shtrenjtë, pasi ka nevojë për investime të mëdha, ndërkohë që tregu aktualisht është i dobët”. Ai i ka vlerësuar rezultatet financiare të 2012-s paraprakisht si tepër negative, ndërkohë që kompania ka humbje dyshifrore në miliona dollarë.

Në rast se kromi do të ishte një mall që nuk preferohet në tregjet e huaja, a ka njeri të aftë të shpjegojë se përse në Bulqizë e zonat e tjera të pasura me mineralin e tij gëlojnë përditë një mizëri njerëzish, në kërkim të mineralit, që e grumbullojnë pastaj firma të ndryshme për ta shitur me shumicë? Por, problemi më i madh qëndron ndoshta pikërisht këtu. METE nuk ka bërë detyrën e duhur në formalizimin e punës së sektorit, duke u mjaftuar me dhënie licencash. Por puna e saj nuk përfundon me kaq. Specialistët e minierave theksojnë se prej shumë vitesh marrja e mineralit nga nëntoka vazhdon të kryhet në një mënyrë shumë barbare: në vend që të krijohet një galeri e thellë e më pas të vazhdohet me nxjerrjen e kromit, gati të gjitha firmat koncesionare, të pajisura me leje nga ministria e Ekonomisë, marrin kromin më të afërt, me shpenzimet më të ulëta dhe më pas ajo sasi që mbetet “varroset” një herë e përgjithmonë. Institucionet në vartësi të këtij dikasteri nuk mungojnë, por duket se nga paaftësia apo nga ndonjë tendencë tjetër antiligjore drejtuesit e ministrisë e bëjnë një sy qorr! Sikur të mos ishte fjala për një pasuri të paçmuar kombëtare, por për “mall belik”!

 

Fundi

 

Praktikisht, shitja për herë të dytë e koncesionit të rezervës më të madhe të kromit në vend vulos përfundimisht fundin e minierës së Bulqizës. Sipas të dhënave zyrtare, të bëra publike nga vetë ministria e Ekonomisë, ACR nuk ka realizuar 13 milionë euro nga plani i detyrueshëm i investimeve, që kryesisht kanë të bëjnë me hapjen e thellësisë së minierës për rritjen e jetëgjatësisë së saj. Por, në rast se kjo ka qenë një nga kushtet e kontratës, kush është fajtor për mosrealizimin e këtij kushti? Nuk ka njerëz në administratën e METE-s që mund dhe duhet të bëjnë kontrollo periodike lidhur me sasinë dhe cilësinë e investimeve?

Marrëveshja koncesionare përmbante edhe një plan të detyruar investimesh për rritjen e sigurisë në punë, përmirësimin e teknologjisë në minierë dhe zgjatjen e jetës së saj. Por plani i investimeve nuk u zbatua, si nga italianët e DARFO-s me parë, ashtu dhe nga ACR më vonë.

 

 

 Presidenti i BERZH-it për vizitë në Shqipëri

 

Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti, do të vizitojë Tiranën në datat 6-7 shkurt, ku do të pritet nga drejtues të lartë në vend. Kjo vizitë konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it për Shqipërinë, ndërsa presidenti i saj do të ketë mundësi që të diskutojë për përparësitë e investimeve. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është parashikuar që, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Chakrabarti do të zhvillojë takime me kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Financave Ridvan Bode, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, si edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha etj. Ai do të shikojë nga afër disa projekte ku BERZH ka kontribuar me financime.
Kjo bankë është një nga investitorët më të mëdhenj në sektorin privat në Shqipëri. Fushat kryesore që asistohen nga BERZH janë: sektori financiar, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastruktura, burimet natyrore etj. BERZH ka investuar në projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç është modernizimi i aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, terminali i pasagjerëve në Portin e Durrësit, por edhe në atë rrugore për zhvillimin e rrjetit të brendshëm të vendit.

 

 

Comments are closed.