Standard.al

Gjykata pranon gjykimin e shkurtuar për policin-bashkëpunëtor të Dajtit

Sonja Caka

mariglenKërkesa në Gjykatën e Durrësit. I pandehuri Mariglen Muçaj pranon të gjykohet në gjendjen që janë aktet, por jo fajësinë

 

Nuk pranon fajësinë, duke insistuar se është i pafajshëm, por kërkon të gjykohet në gjendjen që janë aktet, duke kërkuar aplikim të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e Durrësit e ka pranuar kërkesën e bashkëpunëtorit të Dritan Dajtit, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e katërfishtë të efektivëve të policisë në zonën e plazhit. Për të pandehurin Mariglen Muçaj, ashtu sikundër edhe për kunatin e Dajtit, Ergest Xhoxhin u veçua gjykimi nga i akuzuari për vrasjen e katërfishtë, duke i kaluar gjykatës së zakonshme në qytetin bregdetar të Durrësit. Gjykimi për ish-policin Muçaj ka nisur dje dhe prokurori ka kërkuar dy ditë kohë nga gjykata për të përgatitur konkluzionet, duke u lënë seanca e radhës për më 6 shkurt. Ish-polici Muçaj akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa dyshohet se është personi që i siguroi Dajtit sende policore dhe një mjet identifikimi policor. Gjithçka është zbuluar nga tabulatet e bisedave telefonike të Dajtit me oficerin e policisë.

Vendimi

Tetë vjet e gjashtë muaj burg. Kjo ka qenë masa e dënimit dhënë nga gjykata për kunatin e Dritan Dajtit, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e katërfishtë në Durrës ku mbetën të vrarë katër policë. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës vendosi afro një javë më parë dënimin me 8 vjet e 6 muaj heqje lirie për Ergest Xhoxhin, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit të ndodhur më 7 gusht të vitit 2009, në plazhin “Iliria”, në qytetin bregdetar. Pas këtij vendimi, kryetari i Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, tha se sipas dispozitave që parashikon ligji, Ergest Xhoxhi mori dënimin maksimal. “Ergest Xhoxhi akuzohet për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, në bashkëpunim dhe dënimi përfundimtar i tij në shkallën e parë është 8 vjet e 6 muaj” shpalli vendimin kryegjyqtari i Durrësit Metalla, ndërsa bëri me dije se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Tiranë, veçoi disa muaj më parë nga dosja penale e Dritan Dajtit çështjen në ngarkim të të pandehurit Ergest Xhoxhi, me kërkesën e këtij të fundit, ndërkohë në Tiranë vazhdon gjykimi i autorit të krimit Dritan Dajti.

Ngjarja

Në 7 gusht të vitit 2009, Dritan Dajti vrau në plazhin “Iliria” në Durrës, katër oficerët e Policisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ku Ergest Xhoxhi, njëkohësisht edhe kunati i Dajtit, ndodhej në automjetin e autorit të krimit. Ndërkohë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijon procesi i shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancës gjyqësore në ngarkim të Dritan Dajtit, i akuzuari kryesor për vrasjen e katër efektivëve në Durrës. Po shkojnë afro 200 seanca dhe ende i pandehuri Dajti “bojkotohet” nga të gjithë avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata për mbrojtjen e tij.

 

 

Gërdeci

Gjykata kërkon kohë, shtyn vendim për më 13 shkurt

Kompleksiteti i çështjes ka detyruar Gjykatën e Apelit ta shtyjë edhe për afro 10 ditë vendimin për 29 të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit. Kryetari i trupës gjyqësore tha para të pranishmëve se për shkak të kompleksitetit të çështjes, trupa nuk ka arritur në një vendim dhe ka caktuar datën 13 shkurt për një vendim përfundimtar. Gjatë seancës së djeshme është vënë re mungesa e të pandehurve, ndërsa nuk mungonin familjarët e viktimave të tragjedisë. Ndryshe nga kolegët e Shkallës së Parë, gjyqtarët e Apelit e mbyllën në kohë rekord procesin gjyqësor, për shkak se në disa seanca u është lënë fjala vetëm kërkesave të prokurorëve dhe fjalës së fundit të mbrojtjes. Trupit gjykues të Shkallës së Parë u është dashur që për disa vite të administrojnë një numër të konsiderueshëm provash, dëshmish, apo dhe të durojnë mungesat pa shkak të avokatëve. Dy prokurorët kërkuan që katër të pandehurit kryesorë, përkatësisht Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, të dënohen për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, ndërsa nuk është shprehur mbi vendimin ndaj ushtarakë dhe civilëve të tjerë të këtij procesi. Gjykata e Tiranes shpalli dhjetë pafajësi dhe dha 99 vite burg në total, si dhe 40 milionë gjobë për të pandehurit e këtij procesi gjyqësor.

 

Tiranë

Përfundon hetimi, Stresi në gjykatë për armëmbajtje pa leje

Vetëm një muaj pasi dosja mbërriti në gjykatë për gjykim, më 7 shkurt pritet që të nisë seanca e parë gjyqësore në ngarkim të Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi. Këngëtari i njohur akuzohet për veprën penale “Mbajtje pa leje te armeve dhe municionit luftarak” dhe do të gjykohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Hoxha. Këngëtari, tashmë i pandehur për herë të dytë në gjykatë, fillimisht është lënë me masën “arrest me burg” nga gjykata, por kjo masë iu ndryshua më pas nga Gjykata e Apelit në “detyrim paraqitje”. Arrestimi i “Stresit” u bë pikërisht në natën e festimit të “Hallouinit”. Me armë në brez “Stresi” ka shkuar në një lokal në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë, duke iu bashkuar miqve të tij. Një informacion ka mbërritur në polici, përkatësisht në komisariatin e policisë nr. 1, duke treguar se individë të veçantë mbajnë armë në vende publike. Një patrullë policie është drejtuar vendit ku u raportua se kishte armë. Policët parkuan automjetin dhe kërkuan informacione tek dera e lokalit, kur befas pikasën një person me armë në brez. I kërkuan që të ndalonte, por personi në fjalë shpejtoi hapat dhe po lëvizte me shpejtësi për t’iu shmangur arrestimit. Policët nxorën armët e zjarrit dhe i bënë thirrje “Ndal policia!” Në një moment, ata kanë qëlluar, teksa dëshmitarët okularë tregojnë se “ka pasur krisma”. Pas verifikimeve të para rezultoi se ai ishte Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit “Stresi”, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Për shkak të të shtënave më armë, njëri nga policët ka plagosur aksidentalisht shokun e tij.

 

Vendim

U kap me 9 pistoleta, dënohet 6 vjet burg Pjetër Vokrri

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 6 vjet burg të pandehurin Pjetër Vokrri, i akuzuar për veprën penale të trafikut të armëve dhe municioneve. Sipas burimeve nga gjykata, Vokrri u kap me 9 pistoleta, në tentativë për t’i trafikuar nga Kosova drejt vendit tonë. Sipas akuzës, i pandehuri u kap në flagrancë në pikën kufitare Morinë të Kukësit teksa po tentonte të trafikonte nga Kosova në Shqipëri 9 armë zjarri dhe municion për këto pistoleta. Ky arrestim është arritur pas një hetimi intensiv të kryer nga policia e shtetit me krimet e rënda, në vijim të operacionit “Mbikalimi”, ku u vu në pranga shtetasi Nexhmedin Aliu në tentativë për të transportuar 3300 fishekëve nga Shqipëria në Kosovë. Sipas akuzës, këtij të pandehuri gjatë kontrollit ushtruar në banesë iu gjet edhe një armë zjarri. I pandehuri u dënua me 9 vite burg nga gjykata, për veprat penale të “Trafikimit të armëve dhe municionit”, në formën e importimit; “Mbajtjes pa leje të armëve” dhe “Mbajtjes pa leje të municionit”. Por, në zbatim të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht në 6 vite burg. Gjykata vendosi që të konfiskohen 9 pistoletat, 1 automatik dhe fishekët e sekuestruar, si dhe automjeti me të cilin po bënte transportin e tyre.

 

Vendimi

Gjykata rrëzon kërkesën e Aldo Hoxhës për përjashtim të kreut të trupit gjykues

Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Aldo Hoxhës për përjashtim të kreut të trupës gjyqësore që po e gjykon në Gjykatën e Tiranës. I akuzuari për vrasjen e Fatbardha Tafës për një varëse floriri akuzonte gjyqtarin për vendim të njëanshëm, ndërsa gjykata ka argumentuar se vendimi ka qenë kolegjial nga të tre gjyqtarët. Sipas gjykatës, kërkuesi Aldo Hoxha i është drejtuar kësaj Gjykate, nëpërmjet mbrojëtsit të tij av. Arben Qeleshi,me një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Z.Albet Meça i cili është duke gjykuar me cilësinë e kryetarit te trupit gjykues , me anëtar Ibrahim Hoxha dhe Sokol Tona çështjen penale në ngarkim të pandehurit. I pandehuri akuzohet per kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Sipas gjyqtares Alkelina Gazidede, vendimi i ndërmjetëm i pezullimit të afateve të paraburgimit është një vendim i ankimueshëm në bazë të nenit 265 të Kodit të Procedurës Penale dhe nëse të drejtat proceduriale të garantuara me ligj janë shkelur nga një trup gjykues ato i nënshtrohen kontrollit nga një gjykatë më e lartë mbi kërkesën e palës. Për rrjedhojë, gjykata çmon se pretendimet e paraqitura nga mbrojtësi i kërkuesit Aldo Hoxha nuk janë ndër ato shkaqe përjashtimi të parashikuara nga nenet  17/ë e 18/a  të Kodit të Procedurës Penale, ndaj dhe vendosi rrëzimin e kërkesës.

 

 

 

Comments are closed.