Standard.al

Berisha-Fyles: Garantojmë zgjedhje me standarde

Florenc Drizari

bfylessEurokomisioneri: Statusi kandidat për Shqipërinë, në dorë të politikanëve

 

Komisioneri për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, përfundoi vizitën e tij zyrtare në Tiranë, duke lënë mesazhe të forta për bashkëpunim mes klasës politike shqiptare. Sipas tij, integrimi i Shqipërisë është i mundshëm dhe varet drejtpërdrejt nga qëndrimet që do të mbajnë liderët politik në vend. Komisioneri për Zgjerimin në BE takoi një ditë më parë përfaqësuesit e trupit diplomatik në vend si dhe krerët e shtetit duke përfshirë edhe kryetarin e opozitës. Takimet mes komisionerit Fyle dhe krerëve të institucioneve u zhvilluan me dyer të mbyllura për median dhe nuk pati deklarata publike nga palët. Detajet e takimeve u publikun në linja të përgjithshme nga institucionet përkatëse dhe nga vetë komisioneri në faqen e tij zyrtare në internet. Në profilin e tij në Twitter, Stefan Fyle shpjegoi qëllimin e vizitës së tij duke thënë: “Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”, – ka thënë ai.
Ndërkaq, Komisioni Evropian, pas përfundimit te takimeve te Fyles shpërndau edhe një deklaratë, ku ndër te tjera thuhet se “statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm dhe është në dorë të politikanëve shqiptarë. Zgjedhjet në Shqipëri janë test vendimtar për institucionet demokratike në vend”.
Takimi Fyle – Berisha

Axhenda e komisionerit Fyle në Tiranë nisi me takimet e mëngjesit të djeshëm pranë hotelin “Sheraton” me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, kreun e prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, me ambasadorin e SHBA-së, Alexander Arvizu, si dhe me ambasadorët e tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë. Më pas axhenda vijoi me takimet me drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare, ku rreth orës 10:45 Fyle u takua me Kryeministrin Sali Berisha. Takimi mes tij dhe kreut të qeverisë zgjati për rreth një orë dhe në qendër të bisedimeve ishin proceset integruese të vendit thuhet në një njoftim të kryeministrisë.

“Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen komisionerit Fyle dhe shprehu kënaqësinë për këtë takim, në të cilin u diskua për çështje të bashkëpunimit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat e nevojshëm për avancimin e reformave të axhendës evropiane. Në takim u diskutua, gjithashtu, për përgatitjet e procesit zgjedhor për zgjedhjet e datës 23 qershor, si dhe çështje në lidhje me zhvillimet në rajon. Kryeministri e siguroi zotin Fyle për angazhimin e plotë të mazhorancës për çuarjen përpara të procesit të integrimit dhe garantimin e një procesi zgjedhor sipas të gjitha standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës”, – thuhet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.

Takimi me Nishanin

Ndryshe nga takimet e tjera të zhvilluara me përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë dhe krerët e dy partive të mëdha, komisioneri Stefan Fyle gjatë takimit që zhvilloi me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, pati edhe një drekë pune. Edhe në këtë takim munguan deklaratat për median, por në faqen zyrtare të presidencës u njoftua se në qendër të bisedimeve ishin axhenda evropiane e Shqipërisë dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Mësohet se komisioneri Fyle shprehu besimin për një rol aktiv të Presidentit të Republikës në kapërcimin e ngërçit politik përmes promovimit të një ambienti dhe platforme të përqasjes pozitive të procesit të integrimit evropian, brenda agjendës së përbashkët të Shqipërisë dhe Delegacionit Evropian.

“Presidenti Nishani rinënvizoi edhe njëherë rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë procesi i integrimit evropian si një nga prioritetet kryesore të shoqërisë shqiptare. Gjatë takimit, Presidenti Nishani nënvizoi rolin kontribuues të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu i Shtetit shprehu bindjen e tij se ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Presidenti i Republikës diskutoi me komisionerin për Zgjerimin çështje që lidhen me reformën në drejtësi, për të cilat gjeti mirëkuptimin e komisionerit Fyle”, – thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga Presidenca.

 

Takimi me ambasadorët, Wollfarth: Liderët politikë duhet të punojnë si ekip

Axhenda e vizitave në Tiranë për komisionerin e Zgjerimit në BE, Stefan Fyle, nisi me përfaqësitë e trupit diplomatik të akredituar në vend. Fillimisht, ai u takua mëngjesin e djeshëm me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, dhe të OSBE-së, Eugen Wollfarth. Gjithashtu, pjesë e axhendës së tij të takimeve ishte edhe pritja me ambasadorin e SHBA-së, Alexander Arvizu, dhe përfaqësues të tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë. Eurodeputetit Fyle në takime ishte i shoqëruar edhe nga Vasilis Maragos, drejtor për Shqipërinë në Komisionin Evropian. Edhe me takimet me ambasadorët munguan deklaratat për median nga ana e komisionerit Fyle. Pas takimit me Fylen, ambasadori holandez Martin de la Beij bëri të ditur për mediat se çështja e zgjedhjeve dhe statusi i vendit kandidat për në BE janë dy pika ku Fyle është fokusuar në takimin me ambasadorët. “Pavarësisht diskutimeve për zgjedhjet, axhenda për bashkimin evropian është shumë e rëndësishme dhe pjesë e diskutimit”. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Wollfarth deklaroi: “Kam një mesazh të thjeshtë, liderët politik duhet të punojnë si ekip, dhe si një ekip duhet të ecin përpara në drejtim të integrimit të vendit”.

 

Topalli në Bullgari, kërkon mbështetje për statusin e vendit kandidat

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Bullgarisë, Cecka Caçeva. Zonja Jozefina Topalli do të pritet në takime të veçanta edhe nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosin Plevneliev, si dhe nga Kryeministri Bojko Borisov. Vizita e Kryetares së Kuvendit do të kulmojë me një fjalim në sallën e seancave parlamentare përpara deputetëve të Bullgarisë, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian. Kjo është vizita e dytë zyrtare e Kryetares së Kuvendit në Bullgari. 5 vite më parë zonja Jozefina Topalli së bashku me Kryetarët e Parlamenteve të Kroacisë dhe Maqedonisë u ftuan në seancën plenare ku u ratifikua protokolli i anëtarësimit në NATO. Në këto 5 vite Shqipëria ka pasur zhvillime dinamike; është anëtare e NATO-s, ka liberalizuar vizat me BE-në, ka një zhvillim pozitiv ekonomik, që e bën ndër të paktat vende që nuk ka kaluar në recesion, pavarësisht se e rrethuar nga vende me krizë të thellë ekonomike. Në takimet me krerët më të lartë të shtetit bullgar, Jozefina Topalli do të kërkojë mbështetje për statusin e vendit kandidat si dhe do bisedojë për një shtysë të re të bashkëpunimit ekonomik në energji, hidrokarbure, miniera por edhe përmes projekteve të mëdha infrastrukturore siç është Korridori tetë.

 

KQZ ndan fondet për partitë dhe shqyrton modelin e fletës së votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet mesditën e së martës për të diskutuar projektvendimin e shpërndarjes së fondeve për partitë politike dhe miratimin e modelit të fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Gjithashtu, KQZ pritet të shqyrtojë edhe strategjinë për informimin e zgjedhësve në fushatë. “Projektvendim “Për miratimin e modelit dhe specifikimeve teknike të fletës së votimit për zgjedhjet për kuvendin të vitit 2013”. Projektvendim “Për miratimin e strategjisë së edukimit të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.6.2013”. Projektvendim “Për një ndryshim në Vendimin nr. 15, datë 15.1.2013 “Për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike, për vitin 2013”, – thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mbledhja e KQZ-së pritet të mbahet rreth orës 12:30 dhe gjatë shqyrtimit të tri projektvendimeve priten edhe debate mes palëve.

 

 

Comments are closed.