Standard.al

Baza e parave të falsifikuara pranga 6 personave në Rinas

Elton Qyno

falsifikuaraAgjenti i infiltruar zbuloi punishten pranë aeoroportit “Nënë Tereza”, brenda një pike të basteve sportive

 

Gjashtë persona janë arrestuar dhe një punishte e falsifikimit të parave është sekuestruar gjatë mbrëmjes së djeshme nga ana e policisë së Tiranës. Agjentët e krimit ekonomik, kishin zbuluar një bazë falsifikimi në afërsi të Rinasit, prej nga janë hedhur më pas në treg një sasi e madhe lekësh, të cilat kanë qenë të prerjes 1-mijëlekëshe. Nisur nga kjo situatë, prokuroria dhe policia e Tiranës kanë organizuar operacionin e koduar “Aeroporti”, gjatë të cilit janë arrestuar Ervin Ziri, Klodian Ziri, Fatjon Ziri, Emanuel Ziri, Ermal Kurti dhe Ervis Vulka. Sipas burimeve të uniformave blu, operacioni është kryer gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, ku agjentë të policisë janë infiltruar duke arritur të marrin një shumë parash. Pasi kanë mësuar se kartëmonedhat ishin të falsifikuara, atëherë policia është hedhur në veprim duke bërë arrestimin e pesë personave dhe shpalljes në kërkim të personit të gjashtë. Në punishten që ishte vendosur në ambientet e një pike lotosh sportive,është bërë e mundur sekuestrimi i printerëve të një cilësi të lartë, me të cilat mundësohej falsifikimi i parave.

Agjenti i infiltruar

Ka qenë një nga agjentët e infiltruar ai që ka futur në kurth, personat të cilët bënin falsifikimin e kartëmonedhave. Pikërisht agjenti është vënë në dijeni se persona të ndryshëm pranë një pike bastesh që ndodhet në Rinas, merreshin me aktivitet kriminal, duke bërë falsifikimin e parave. Persona të ndryshëm paraqiteshin në këtë pikë, duke bërë tërheqjen e shumave të konsiderueshme, dhe më pas i shpërndanin në treg, duke blerë sende të ndryshme. Nëpërmjet këtij veprimi, shumat financiare të prerjes 1 mijë lekëshe, futeshin në sistemin financiar vendas duke u përdorur edhe nga persona të tjerë. Nisur nga kjo situatë, një nga agjentët civilë të policisë, i cili është vënë në dijeni të aktivitetit kriminal,ka mundur të tërheqë disa kartëmonedha nga njëri prej të arrestuarve. Pas kësaj, kartëmonedhat i janë nënshtruar një ekspertize të mirëfilltë në laboratorin shkencor të policisë, ku ka rezultuar se ato janë të falsifikuara. Më tej policia ka autorizuar edhe disa veprime të tjera në teren duke bërë që të sigurohen provat e nevojshme.

Arrestimet

Pas administrimit të provave materiale, është urdhëruar arrestimi i personave që kryenin këtë aktivitet kriminal. Arrestimi i disa prej tyre është bërë në ambientet e lotos, ndërsa disa të tjerëve është bërë ndalimi në ambientet e shtëpisë. Në cilësinë e provës materiale, është arritur të sekuestrohen dy printerë të një niveli shumë të lartë, për sa i takon printimit të letrës, disa kompjutera ku bëhej dizenjimi i kartëmonedhave 1-mijëlekëshe dhe një automatik kallashnikov. Pas arrestimit të pesë personave, gjatë mbrëmjes së djeshme policia ka bërë kontrollimin e disa banesave, ku dhe është arrestuar personi i gjashtë Ervin Vulka.

 

I dehuri ndalon

eskortën e Berishës

Një makinë që lëvizte kundërvajtje në rrugën pranë Kishës Ortodokse në Tiranë, ka shkaktuar një incident me eskortën e Kryeministrit Berisha, pas përfundimit të mbledhjes me krerët PD-së në rrethe, që u zhvillua në mbrëmje në selinë e Partisë Demokratike. Burime nga policia bëjnë të ditur se makina e drejtuar nga shtetasi Ervis Hoxha, ka rrezikuar eskortën e Kryeministrit Berisha, pjesë e së cilës ishte edhe makina e ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Policia ka arrestuar drejtuesin e makinës, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur dhe kishte hyrë gabimisht në drejtimin e kundërt të lëvizjes.

 

I theu xhamin e makinës, polici plagos Qyrën

Një sherr mes një gardiani burgu dhe një shtetasi, ku shkak ka qenë thyeja e një xhami makine ka sjellë plagosjen e Leonard Qyrës, i cili është qëlluar me armë zjarri nga gardiani i burgut Ferdinand Shuaipi. Gjatë ditës së djeshme 43-vjeçari është arrestuar nga ana e policisë së Tiranës, për akuzën e “Vrasjes me dashje”. Arrestimi i tij u krye sepse më datë 3 shkurt 2013, rreth orës 18:20, dyshohet se shtetasi i mësipërm ka shkuar në banesën e shtetasit Leonard Qyra në rrugën “Aleksandër Moisiu” Tiranë dhe pas një konflikti për thyerjen e një xhami makine ka qëlluar në drejtim të tij, disa herë me armën e shërbimit, tip pistoletë dhe pasojë shtetasi Leonard Qyra, ka marrë vetëm një dëmtim të lehtë, i cili ndodhet në SQU, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë tip “TT”, model 54, e kalibrit 7.62 mm, me numër të stampuar me thellim në trupin e saj 16010238-66.

 

Mashtrimi me kredi,pranga ish-drejtorit të bankës

Arrestohet Elton Gega, ish-nëndrejtori i një filiali banke në qytetin e Cërrikut. Burime policore bëjnë me dije se Gega akuzohet për shpërdorim detyre, vjedhje dhe mashtrim. Nga hetimet paraprake mësohet se ish-nëndrejtori falsifikonte dokumente me qëllim të marrjes së kredisë në emër të personave të ndryshëm. Precedenti ka ndodhur në vitin 2008, ku Elton Gega, mbante postin e nëndrejtorit në një filial banke në qytetin e Cërrikut. Ka bënë një verifikim i bankës, e cila pas një auditi të brendshëm ka arritur në konkluzionin se Gega, kishte mashtruar nëpërmjet të dhënave duke arritur të masë shuma të konsiderueshme parash, në formën e kredive. Pas këtij konstatimi, është bërë kallëzim penal në prokurori dhe më pas ka bënë organi i akuzës së Elbasanit, ai që ka lëshuar urdhrin për arrestimin e Elton Gegës.

 

Plagoset polici, pas gjobitjes së drejtuesit të mjetit

Një punonjës i policisë së Peshkopisë është plagosur me mjete të forta, pasditen e djeshme në lagjen “Gjok Doçi” në Peshkopi. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes policëve dhe 3 personave që ndodheshin në një automjet,që kishte shkelur rregullat rrugore. Mësohet se polici Halil Selishta i ka vendosur një gjobë drejtuesit të mjetit dhe ky i fundit, bashkë me dy persona të tjerë që ndodheshin në makinë, kanë kundërshtuar duke e goditur efektivin me sende të forta. Policët e tjerë kanë qëlluar me armë në ajër për të qetësuar situatën. Ndërkaq, 45-vjeçari i plagosur është dërguar me urgjencë në spitalin e Peshkopisë, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar në komisariat autorët e plagosjes, Kudri Qenda, 39 vjeç, Shuri Qenda, 37 vjeç, dhe Shaban Qenga, 40 vjeç.

 

Dy të arrestuar për vrasjen e studentit,

u tradhtuan nga telefoni, e vunë në përdorim

Erald Elmazi dhe Andrea Rrapaj, autorë të vrasjes

Dy personat e shpallur në kërkim nga policia e Fierit, të dyshuar si autorë të vrasjes së studentit të juridikut Andi Prifti, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë. Të ndaluarit janë tradhtuar nga aparati celular që i kishin vjedhur viktimës dhe pas disa ditësh ata e kanë vënë në përdorim vetjak. Duke bërë verifikimin nëpërmjet antenave të celularit, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve, i cili më pas ka treguar dhe vendndodhjen e bashkëpuntorit tjetër. Andrea Rrapaj, 18 vjeç, dhe Erald Elmazi, 25 vjeç, akuzohen se në bashkëpunim i kanë grabitur rreth 60 mijë lekë që i kishte fituar në loto dhe më pas masakruar me thikë të riun Prifti, djalë i një biznesmeni të njohur fierak. Dy të rinjve u është gjetur telefoni celular i viktimës, të cilin e kishin në përdorim. Pas arrestimit ata kanë pohuar se shokun e tyre e kishin vrarë në vendin e quajtur Ura e Semanit, në rrugën Fier – Seman dhe më pas e kishin hedhur në një kanal pranë vendit të quajtur Kulla e Ujit në të njëjtin aks rrugor. “U bë i mundur dokumentimi ligjor dhe ndalimi i dy autorëve të dyshuar për vjedhje me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Prifti, që janë shtetasit Andrea Rrapaj dhe Erald Elmazi. Është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular të cilën autorët ia kanë marrë shtetasit Andi Prifti. Autorët dyshohen edhe për kryerjen e disa veprave të tjera penale”, – tha Enkelejda Allkanjari, zëdhënëse e policisë, Fier. Personi i parë që u prangos për vrasjen tronditëse ishte 24-vjeçari Gentian Shahinaj, shoku i ngushtë i viktimës. Pas mbledhjes së dëshmive edhe nga dy të rinjtë e tjerë të arrestuar, policisë i rezulton se Shahinaj ka qenë bashkëpunëtor në vrasje, ndërsa autorët e dyshuar të saj janë Rrapaj dhe Elmazi.

Comments are closed.