Banda e grabitësve në Vlorë, qëlloi mbi policinë, 6 persona të pandehur

0
209

Elton Qyno

bandaZbardhet skema e grabitjeve të bizneseve në Vlorë. Goditja me plumba mbi patrullën e policisë

Grupi tmerr i Vlorës kishte në vëmendje gjithmonë pikat e karburantit. Grabitën nëntë biznese

 

Gjashtë persona të një grupi kriminal në Vlorë janë vënë nën akuzë nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi kanë kryer një sërë grabitjesh të pikave të karburanteve si dhe kanë tentuar të vrasin me armë zjarri dy efektiva të policisë së Vlorës. Gjashtë personat Nardi Idrizi, Joni Idrizi, Armando Likaj, Marjo Metaj, Mili Veliko, Eljaz Hasani, janë autorë të nëntë grabitjeve në Vlorë, ku në shumicën e rasteve banda ka grabitur shuma të konsiderueshme parash në pikat e karburantit, si Alpet, Kastrati, Flobers Oil etj. Nëpërmjet dëshmive të personave në vendin e krimit dhe gjurmëve të gishtave të fiksuara në objektet e grabitura, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur të zbardhë krimet e bandës prej gjashtë anëtarësh dhe të bëjë arrestimin e tyre. Gjatë hetimeve kanë qenë edhe dy persona të tjerë si të dyshuar në këto vjedhje, por më pas akuza ka vendosur të mbyllë çështjen në ngarkim të Rexhino Aliut dhe Elidon Velikos. Aktualisht dosja në ngarkim të gjashtë të pandehurve është dërguar në gjykatë nga prokurori i çështjes Ardian Nezha dhe se pritet që në ditët në vijim të fillojë procedimi penal ndaj tyre.

Goditja e policisë

Më 23 gusht 2012 rreth orës 03:25 nga ana e Policisë së Qarkut Vlorë është marrë njoftim se dy persona të armatosur kanë kryer vjedhje në pikën e shpërndarjes së naftës së firmës “Alpet” në rrugën Transballkanike të qytetit të Vlorës. Në këto kushte nga ana e Policisë është vajtur menjëherë në vendin e ngjarjes me mjetin “Policia” dhe pasi i janë afruar karburantit,një person i armatosur i cili rezulton të ketë qenë njëri prej grabitësve të karburantit ka qëlluar me armë drejt forcave të policisë që ndodheshin në autoveturën me mbishkrimin “Policia” duke tentuar t’i vrasë dy punonjësit e policisë që ndodheshin në autoveturë e duke u rrezikuar jetën e tyre. Plumbat kanë përshkruar xhamin e parë të automjetit sipër tek koka e shoferit si dhe kanë dëmtuar derën e parë dhe të pasme të krahut të djathtë të pasagjerit. Pas këtij veprimi autorët që kanë kryer grabitjen si dhe kanë qëlluar drejt forcave policore janë larguar në drejtim të lagjes “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, duke shfrytëzuar rrugicat ku kanë kaluar para portës së sigurimeve Shoqërore. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes njëri prej autorëve, i cili nga hetimi rezulton te ketë qenë shtetasi Nardi Idrizi me armën automatike që ka kryer vjedhjen dhe që ka qëlluar drejt policisë ja ka drejtuar armën një personi tjetër të quajtur Viktor Gjoleka, ku ky i fundit ishte në biçiklete dhe po shkonte tek tregu i fruta perimeve me qëllim që të merrte furnizimin për ditën e nesërme. Këtë veprim shtetasi Nardi Idrizi e ka kryer me qëllim marrjen me dhunë të biçikletës pasi ajo i është nevojitur Nardi Idrizit që të largohej menjëherë nga vend i ngjarjes. Pasi i ka marrë biçikletën Viktorit nën kërcënimin e armës, Nardi Idrizi është larguar drejt lagjes 24 Maj, të qytetit të Vlorës ku dhe banon.

Grabitja e “Flobers Oil”

Rreth orës 03:45 minuta nga ana e policisë është marrë njoftim se në lagjen “Isa Boletini” aktualisht lagjja “29 Nëntori” në vendin që njihet si Rruga Transballkanike në qytetin e Vlorës është vjedhur me dhunë pika e karburant “Flabens Oil”. Hetimet e kryera në funksion të këtij procedimi penal kanë provuar se në orën 03:45 minuta të datës 1 korrik 2012 dy persona të maskuar me maska dhe doreza si dhe të armatosur me një armë pistoletë kanë vjedhur me dhunë punonjësin pa vënë në përdorim armën. Konkretisht, dy personat e maskuar pasi janë afruar ambienteve të karburantit nën kërcënimin e një arme pistolete kanë vjedhur me dhunë punonjësin e këtij karburanti shtetasin Andrea Todhri duke i vjedhur atij parat e xhiros në shumën 30.000 lekë si dhe telefonin e tij celularë. Ngjarja ka ndodhur në një hark kohor rreth 3 minuta dhe personat pasi kanë vjedhur paratë e xhiros i kanë marrë shtetasit Andrea Todhri dhe telefonin e tij celular me qëllim që ti hiqnin mundësinë që ky shtetas të mos komunikonte me asnjë person tjetër për t’i ardhur në ndihmë atij.

 

Prokuroria identifikoi Marjo Metajn, por jo bashkëpunëtorin

Vjedhja e 1.2 milionë lekëve nga pika e naftës

Tregtari: Autorët, nga e folura, ishin vlonjatë

Prokuroria ka zbuluar se në datën 21 mars 2012 rreth orës 22:30 minuta,nga ana e Policisë është marrë njoftim se në lagjen “Isa Boletini” të rrethit Vlorë në vendin që njihet Bishti i Kalldrëmit është vjedhur me armë pika e karburantit “Elda”. Në lidhje me këtë ngjarje nga ana e organit procedues janë kryer veprimet hetimore në vendngjarje ku gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një fishek i pa plasur i goditur në kapsollën e tij. Njëkohësisht në funksion të këtij procedimi është pyetur në cilësinë e deklaruesit shtetasi Rigelk Shehu, shitës në këtë karburant i cili ka deklaruar se është vjedhur me armë nga dy persona të moshës së re me origjinë dhe gjuhë të folur nga Vlora, të cilët e kanë kërcënuar me armë për të dhënë atyre paratë e xhiros ditore. Në deklarimin e dhënë nga i dëmtuari thuhet se nga akti kriminal i vjedhjes me armë atë natë atij i janë vjedhur me armë një shumë prej 1.200.000 lekë të vjetra të cilat kanë qenë parat e xhiros gjatë 24 orëve. Në funksion të këtij procedimi penal janë pyetur në cilësinë e deklaruesve shtetasit Manol Zanaj, Tauland Hazizi dhe Erlinda Hoxhaj. Pas goditjes së bërë autorëve të ngjarjes dhe pas intervistimit të personave të proceduar është konkluduar se autor të kësaj ngjarje kanë qenë dy persona e konkretisht i pandehuri Marjo Metaj dhe një lidhje e tij shoqërore me emrin Amarildo person i cili nuk është arritur të zbulohet nga organi i procedurës, pasi nga i bashkëpandehuri Marjo Metaj nuk janë dhënë të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e tij. Nga tërësia e provave duke u nisur nga veprimet e kryera në ngjarje mjetet e përdorura organi i procedurës ka akuzuar për këtë ngjarje për veprën penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim dhe mbajtje pa lejë të armës luftarake” shtetasin Marjo Metaj, i cili ka bashkëpunuar në këtë ngjarje me personin e pa identifikuar me emrin Amarildo, i cili nuk është arritur të identifikohet si person në këtë procedim penal.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency