Standard.al

7 mijë raste të reja çdo vit, më të përhapurit kanceri i mushkërive dhe gjirit

Blerta Mrishaj

kanceriOBSH: Kanceret, përgjegjëse për 20% të vdekjeve në Evropë

Ligj të veçantë për të sëmurët në fazën e fundit të jetës

 

Çdo vit hetohen 6 mijë raste të reja me kancer, teksa vetëm në Tiranë 2500, prej të cilëve 1300 zbulohen në stade të avancuara. Nisur nga situata alarmante, kreu i shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka kërkuar vëmendjen e doktorëve për diagnostikim të hershëm të sëmundjes, teksa mjekët janë shprehur se dy ndër më të përhapurit janë kanceri i gjirit te femrat dhe ai i mushkërive të meshkujt. Kjo sëmundje zë vendin e dytë për sa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Sëmundshmëria

Në fjalën e tij kreu i shëndetësisë u shpreh se për një sërë kanceresh mund të ulet rreziku i prekjes nëse ndërhyhet përmes politikave parandaluese si vaksinimi, nëse ndryshohet stili i jetesës dhe konsiderohet më shumë edukimi. Duke u ndalur në kancerin e mitrës, ministri tha se “70% e kancereve të qafës së mitrës mund të parandalohen përmes vaksinimit ndaj Papilomavirusit Human (HPV), sikurse një pjesë e konsiderueshme e kancerit të mëlçisë është duke u parandaluar përmes vaksinimit ndaj Hepatitit B”, teksa vijoi më tej Tavo “më shumë se 30% e vdekjeve nga kanceri mund të parandalohen duke ndryshuar apo shmangur faktorët kryesorë të rrezikut, duke përfshirë: përdorimin e duhanit; të qenët mbipeshë apo obez; dietat jo të shëndetshme dhe konsumin e ulët me fruta dhe perime; mungesën e aktivitetit fizik; përdorimin abuziv te alkoolit; sjelljet seksuale te rrezikshme; ndotjen urbane të ajrit; tymin brenda shtëpisë nga përdorimi shtëpiak i lëndëve djegëse të ngurta, etj. Është fakt që depistimi i grave çdo 3-5 vjeç përmes metodës “Pap-test”, mund të pakësojë nivelin e hasjes së rasteve të reja dhe të vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës me 80%. Është gjithashtu fakt, që depistimi i rregullt i grave përmes vete-ekzaminimit të gjirit, ekzaminimit klinik të gjirit dhe më pas diagnozës së hershme përmes mamografisë, pakëson nivelin e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit me 25%”.

Diagnostikim

Në deklaratën e tij kreu i shëndetësisë vijoj më tej, duke deklaruar se stafi mjekësor është i trajnuar për trajtimin e rasteve “Onkologë, kirurgë, radiologë, anatomo-patologë dhe specialistë të kujdesit paliativ janë trajnuar në vitet e fundit në klinikat më të mira të Evropës. Dy akseleratorë linearë të teknologjisë bashkëkohore (rreth 4 milionë euro) për trajtimin e kancerit janë në proces instalimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Me ndihmën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, mjekësia nukleare është ringritur duke mundësuar edhe diagnozë dhe trajtim te kancerit te tiroides (600.000 USD)”.

OBSH

Në Bashkimin Evropian çdo vit 2 milionë vdekje, në shumicën e rasteve është e parandalueshme. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është përgjegjës për 20 për qind të vdekjeve që ndodhin në Evropë, teksa çdo vit janë 3 milionë raste të reja, ndërsa 1.7 milionë mbesin invalidë si shkak i sëmundjes. Të dhënat janë publikuar nga OBSH, sipas së cilës aktualisht është e mundur të parandalohen 1/3 e kancereve, thjesht duke ndërhyrë në mënyrën e jetesës.

 

Shkaqet e kancerit

•           Duhani

•           Stili i jetës

•           Dieta, obeziteti, mungesa e aktiviteteve fizike

•           Përdorimi i alkoolit

•           Faktorët gjenetike

•           Ekspozimi ndaj çdo lloj rrezatimi

•           Ekspozimi dhe puna në qendra të kontaminuara me lëndë të ndryshme kancerogjene

•           Mungesa e vaksinimit, etj

•           Kujdesi parësor, ka punuar për ndërgjegjësimin dhe edukimin e popullatës nëpërmjet, medias së shkruar dhe elektronike

•           Ka punuar nëpërmjet legjislacionit dhe politikave mbështetëse të MSH

•           Si dhe nëpërmjet programeve të posaçme siç kanë qenë programet për kryerjen e mamografisë për një numër të konsiderueshëm grash në Tiranë

•           Nëpërmjet programeve të rishikuara të vaksinimit HPV, vaksinimit kundër hepatit B

•           Programet në vazhdim, trajnimet, kualifikimet, e mjekut të familjes, dhe mjekut specialist. etj

•           Ligji dhe programet e kontrollit të duhanit janë një prioritet jo vetëm për kontrollin e kancerit, por dhe për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, vrasësi nr 1 në Shqipëri dhe i sëmundjeve respiratore

•           Ne kemi informuar publikun mbi dëmet që sjell përdorimi i duhanit, alkoolit, e kemi informuar ne lidhje me faktorët e mjedisit, aktiviteteve fizike, vaksinimit kundër hepatitit B dhe ndërgjegjësimit rreth stileve pozitive të jetesës, duke shmangur faktorët e njohur të riskut

•           ASHR vitet e fundit me ndihmën dhe të MSH ka bërë të mundur instalimin e disa kabineteve, pranë poliklinikës qendrore dhe 3 poliklinikave të tjera në Tiranë

•           Është instaluar aparati i mamografisë për ekzaminimin falas të gjirit

•           Është instaluar kabineti i sëmundjeve të lëkurës

•           Është instaluar kabineti i sëmundjeve obstetrik-gjinekologjike i cili është i pajisur me mjetet e nevojshme për të kryer pap-testin dhe personelin anatomo-patolog

•           Është instaluar kabineti i gastro-skopisë. Ku kryhen rreth 60 vizita (fibroskopi) në muaj dhe ka rezultuar (diagnostikuar) 2-4 raste/muaj me kancer të stomakut, kryesisht (kardio-ezofageal )

•           Së shpejti do të pajisim këtë poliklinikë dhe me një ro-grafi për të pasur një zbulim sa më të hershëm të kancerit të pulmonit

•           Si dhe po punojmë fort për zbatimin dhe riformatimin e ligjit antiduhan, parndalimin e duhanit si në ambientet publike dhe nëpërmjet ndërgjegjësimit të popullatës për dëmin që sjell duhanpirja ku rreth 80% e të sëmurëve me kancer pulmoni, vijnë nga duhanpirja

•           Do të instalojmë pranë kabinetit te gastro-skopisë, laboratorin për kryerjen e testit të “helikobakterit-pylor” si një ndër shkaqet, tashmë të njohura të kancerit të ventrikulit

 

Kujdesi paliativ:

 

•           Ne kemi pajisur këtë klinikë me eko portative

•           E kemi mbështetur me pajisje të tjera për infrastrukturën e klinikës

•           E kemi pajisur me aspiratorë, aparate oksigjeno-terapi

•           E kemi kompletuar me stafin e duhur mjek –infermier –punonjës social

•           Kemi dërguar mjekë për trajnime brenda dhe jashtë vendit

•           Do bëjmë të mundur rikonstruksionin e godinës

•           Do mundësojmë instalimin e një laboratori

•           Do e mbështesim me automjete

 

 

Kujdesi paliativ

Ligj të veçantë për të sëmurët në fund të jetës

“Është risi hartimi i një projektligji të posaçëm për kujdesin paliativ në Shqipëri. Ku si themel ka mbrojtjen e dinjitetit dhe autonomisë së pacientit pa asnjë paragjykim dhe diskriminim, mbrojtja dhe promovimi i cilësisë së jetës deri në fund të saj, sigurimi i një jetese pa dhimbje deri në fund të saj. Kujdesi paliativ parashikohet te ofrohet përmes shërbimit në kujdesin shëndetësor parësor, hospisit në banesë, hospisit ditor, hospisit me shtretër, shërbimeve në institucionet spitalore, shërbimeve vullnetare në nivel komunitar. Aksesi në banat analgjezike-opioide, mbrojtja nga shpenzimet e lidhura me kujdesin mjekësor, mbështetja sociale dhe ofrimi i shërbimeve këshilluese janë dimensione të tjera”, – tha ministri Tavo.

 

Comments are closed.