Një intervistë e dështuar

0
151

Çelo Hoxha

 

intervistaNjë vijë shumë e hollë e ndan një intervistë profesionale nga propaganda. Në bisedën e tij me një deputet grek, javën e kaluar, Artur Zheji ndenji gjithë kohës, i pavetëdijshëm për dallimin, në territorin e propagandës.

Deputeti i partisë ekstremiste greke Agimi i Artë, Kristo Papas, foli, tha ato që deshi dhe doli nga zyra e tij. Ndryshimi nga një ditë e zakonshme pune e tij ishte se kësaj here, ai foli në prani të Artur Zhejit, një shqiptari që i kishte thënë se ishte gazetar dhe në prani të një objekti në formë mikrofoni që ishte vërtet mikrofon.

Në atë zyrë nuk mungonte vetëm Artur Zheji që Artur Zheji mendon se është. Aty mungoi dhe politikani Kristo Papas që Artur Zheji dhe shumë të tjerë thonë se është.

Në atë intervistë Kristo Papas tregoi se nuk është politikan, ose jo i nivelit që një gazetar serioz e me ambicie të fluturojë deri në Athinë për t’i marrë intervistë, edhe sikur t’i jenë lutur, edhe sikur ta kishin paguar dyfishin e asaj që thuhet se e paguan.

Një politikan ka një vizion dhe një strategji për zbatimin e tij. Zoti Papas nuk kishte asnjërën. Ajo që ai kishte me shumicë ishte urrejtja për shqiptarët. Ai dhe gjithë partia e tij janë etiketuar si nazistë, bazuar në urrejtjen raciale që atë promovojnë, por mua ai më ngjau më shumë me një komunist. Urrejtja e nazistëve ishte e nxitur nga vetëdija e një race superiore, kurse urrejtja e anëtarëve të Agimit të Artë duket se buron nga injoranca, shovinizmi dhe një dozë e madhe inferioriteti, gjë që e afron atë më shumë me komunizmin. Le të quhet, një përzierje të këqijash.

Në reklamën e emisionit, disa ditë rresht, Kriston Papas u prezantua si ideolog i Agimit të Artë. Në intervistë ky njeri nuk u pa kurrkund. Një ideolog është një filozof, një njeri që artikulon ide, jo një lexues i librave pseudo historikë.

Zoti Zheji u tregua inferior para një njeriu që gjithë staturën e tij politike e ka të ngritur mbi inferioritetin e tij dhe të racës së tij. Zoti Zheji mund të punojë në media, mund të quhet dhe gazetar me që punon në një televizion, por ajo nuk e kalon dot në hije faktin që ka mbërritur aty vetëm pse është djali i një gjuhëtari të njohur dhe aktoreje që ka luajtur (filma) me rusët. Përballë Papasit, ai nuk dha shenjë se ishte gazetar.

Gazetari nuk është një person që i vë mikrofonin përpara një personi tjetër dhe e lë atë të flasë. Një intervistë nis me një kontekst të caktuar ngjarjesh, të cilat lindin një ide në kokën e gazetarit dhe pastaj ai e vë në veprim. Konteksti i intervistës me deputetin e Agimit të Artë ishte veprimtaria e kësaj force politike, dalja nga hiçi dhe hyrja në parlament brenda një kohe të shkurtër, deklaratat e saj provokuese në lidhje me emigrantët dhe fqinjët, sidomos shqiptarët, rrahjet publike që ajo organizon, përfshi dhe shpullat ndaj një gruaje në një emision televiziv, dhuna ndaj gazetarëve etj. Për të gjitha këto, Artur Zheji nuk bëri asnjë pyetje.

Artur Zheji nuk reagoi as kur zemërata e deputetit grek prodhoi një retorikë fyese të nivelit vulgar ndaj politikanëve shqiptarë më të rëndësishëm. Si servil i lindur ndaj pushtetit, zoti Zheji ka menduar se ka qenë në rregull, meqë fyerja për Edi Ramën ishte më e rëndë se për Sali Berishën, dhe nuk bëri as kundërshtimin më të vogël, në një rast që mund të kishte çuar dhe duhet të çonte, në ndërprerjen e intervistës. Në Shqipëri ka mijëra njerëz që i shajnë Berishën e Ramën me rob shtëpie, por askush nuk shkon t’u marrë intervistë. Shoqëria kështu është krijuar, opinionin shoqëror e bëjnë njerëzit me ide dhe etikë dhe ata janë aktorët kryesorë në diskursin publik. Vulgu është i lirë të thotë ç’të dojë, nuk e ndëshkon kush për ato që thotë, por as nuk e meritojnë të flasin në një platformë kombëtare dhe as ata vetë nuk e pretendojnë një gjë të tillë. Edi Rama është lideri i opozitës shqiptare, njeriu i dytë politik më i rëndësishëm në Shqipëri. Duam apo s’duam, ai përfaqëson autoritetin e Shqipërisë si shtet demokratik, për pjesën e opozitës. Nuk ka rëndësi sa ai vetë e luan me dinjitet rolin që ka, qytetarët shqiptarë duhet të respektojnë institucionin e liderit të opozitës. Në këtë pikë, kritika nuk vlen vetëm për zotin Zheji, por për gjithë politikën shqiptare që herë pas here e vulgarizon diskursin politik. Zoti Zheji është vulgar nga natyra në komunikimin e përditshëm, por duke dëgjuar banalitete dhe në televizor nga politikanët, ai mendon se gjithë bota është ndërtuar sipas imazhit të tij.

Zoti Zheji ishte aq i trembur përballë një injoranti sa iu desh të mbrohej duke thënë se ai nuk ishte politikan, por gazetar. Domethënë, sipas tij, fajtorët ishin politikanët. Zoti Zheji e braktisi menjëherë mandatin e tij në pritje, ai harroi që është ende në listën e deputetëve të Durrësit për LSI-në. Situata e tij politike është kjo: sikur Lefter Koka të lërë mandatin e tij të deputetit, në këta 3 muajt e fundit para zgjedhjeve, zoti Zheji hyn automatikisht në parlament.

Një profesionist me sedër do të kishte bërë gjërat ndryshe. Kur politikani grek foli për Vorio Epirin, zoti Zheji duhet të kishte ndërhyrë dhe t’i thoshte se, sipas Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, greqishtfolësit që janë vendosur në Dropull kanë ardhur Janina për të punuar tokat e bejlerëve shqiptarë, se nga 76 fshatra të Luginës së Gjirokastrës, 15 prej tyre janë pronë e një beu shqiptar të vetëm, ndërsa të gjitha pronat e fshatrave të tjera janë pronë e bejlerëve shqiptarë, dhe se vetëm në fshatin Pepel dhe Selo pronat i kanë ortodoksët. Pastaj të bënte pyetjen: “Cili është mendimi juaj zoti Papas?” Nëse zoti Zheji nuk e zotëron këtë informacion, mund ta kishte gjetur fare lehtë në një nga librat e Koço Danajt.

Për çështjen e kufijve të Greqisë, zoti Zheji mund ta kishte kujtuar deputetin grek me origjinë arvanitase, se, sipas Herodotit, kufijtë e Greqisë së Lashtë, pasardhës të së cilës pretendojnë se janë fqinjët jugorë të shqiptarëve, kanë qenë shumë më poshtë se Preveza, të cilën shqiptarët e konsiderojnë historikisht si skajin e kufirit të tyre në Jug. Nëse zoti Zheji nuk e dinte një gjë të tillë (dhe sigurisht nuk e di), duhet të kishte folur me historianët që i kanë trajtuar këto çështje. Sherif Delvina është më i spikaturi, për historinë e vjetër, por dhe akademik Beqir Meta është specialist në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Çështja e Greqisë si autore gjenocidi ndaj shqiptarëve nuk u prek fare, ose u prek siç interesonte arvanitasit të konvertuar në grek. E lëmë mënjanë gjenocidin ndaj çamëve, gjoja grekët e bënë me argumentin e bashkëpunimit. Le të bëjmë, për një çast, sikur se dimë që bashkëpunëtorë me gjermanët ishin grekët, vetë Napolon Zerva, dhe jo shqiptarët. Megjithatë, zoti Zheji mund ta pyeste zotin Papas për 60 mijë çifutët e Greqisë që u dërguan në kampet e përqendrimit në Gjermani dhe për çifutët e Shqipërisë që dolën nga lufta më të shumtë në numër nga ç’erdhën dhe jetuan për të rrëfyer një histori të mrekullueshme të humanizmit shqiptar. Libri që zoti Zheji duhet të kishte lexuar, me një autor grek, është botuar prej disa vitesh në shqip. Letërkëmbimi diplomatik i Mid’hat Frashërit do ta kishte ndihmuar zotin Zheji, nëse do ta kishte lexuar, të kuptonte që argumenti i bashkëpunimit me gjermanët kundër çamëve është një gënjeshtër, sepse ata janë spastruar në të njëjtën mënyrë dhe në kohën që Hitleri s’kishte ardhur ende në pushtet.

Zoti Zheji mund ta kishte pyetur zotin Papas, pse e ndërruan gjuhën e tyre grekët? A mos vallë për të bashkuar gjithë popullsitë e ndryshme që jetonin aty, të cilat i ndante identiteti i etnik, me element thelbësor gjuhën. Me gjuhën e re, të gjithë bënë lëshime, shqiptarët e sllavët u distancuan nga etniciteti i tyre, por ashtu u larguan dhe ata që pretendonin se ishin grek, nga lashtësia e tyre. Këtu, zoti Zheji mund të bënte krahasimin me Turqinë, e cila u distancua nga perandoria osmane duke hequr dorë nga osmanishtja. Dhe turqit nuk pretendojnë se janë osmanë, pavarësisht se jetojnë në një pjesë të relievit të perandorisë.

Me sa kam mundur ta vlerësoj reagimin e publikut, përmes kontakteve që kam, mund të them pa frikë se të gjithë ishin të irrituar me intervistën. Ata shanin deputetin grek, Greqinë helene e Greqinë arvanitase, gjithë ç’lidhej me atë popull e kulturë, duke e lënë, natyrshëm, jashtë vëmendjes, Artur Zhejin. Ata kanë të drejtë, nuk janë gazetarë dhe nuk e njohin mjeshtërinë. Por ajo që më ka bërë përshtypje është zemërimi i disa të njohurve të mi, të majtë, me faktin që deputeti grek flaku disa herë me përbuzje flamurin shqiptar. U kujdesa t’i kujtoja se ai nuk ishte flamuri shqiptar, ai ishte flamuri i Shqipërisë si pjesë e mbretërisë italiane. Ata këmbëngulnin, megjithatë, që ai flamur ishte shqiptar. Dhe kjo thotë shumë për një pikë tjetër të historisë, kur shumë shqiptarë bashkëpunuan me fashizmin italian, duke menduar se armiqtë më të rrezikshëm për Shqipërinë ishin fqinjët me kufi tokësor me të. Dhe koha vazhdon t’u japë dita-ditës të drejtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency