Standard.al

Kuratori italian jep këshillën: Vetëm nuk shkohet asgjëkund!

Intervistoi: Enkeleda Peti

danieleIntervistë me kuratorin e ekspozitës “Onufri”; çfarë ka identifikuar në proceset e zhvillimit të artit pamor bashkëkohor në Shqipëri

 

Daniele Capra, kuratori italian i “Onufrit 2012”, me titull “Ndoshta një ëndërr” është nga Venecia. Ai është një kurator dhe gazetar i pavarur. Ka kuruar mbi 60 shfaqje në Itali, Francë, Çeki, Kroaci, Gjermani, Izrael. Me gjithë impenjimet e shumta Daniele merr kohë për të qenë në Shqipëri, i ftuar si kurator në ekspozitën “Onufri”, dhe në këtë konkluzion artistik, si një realitet që i qaset zhvillimeve bashkëkohore ai flet për gazetën “standard”.

Ai thotë që edhe pse artistët shqiptarë janë mjaft të mirë, vuajnë ndonjëherë nga një formë izolimi për shkak të mos ardhjes së revistave të arteve dhe moshapjes në një cikël të vazhdueshëm siç ndodh në vendet e tjera. Ai flet gjithashtu për veprat e Onufrit, bashkëpunimin me Galerinë Kombëtare, galeritë private etj. Ai jep edhe një këshillë për artistët shqiptarë, në ironi duke na kujtuar edhe njëherë porosinë që la Skënderbeu para se të vdiste që duhet të jemi të bashkuar. “Kam qëndruar me artistë çdo ditë e kam parë që punojnë mirë, por mendoj se artistët duhet të njihen e të mbështeten më shumë ndërmjet tyre, duke ndarë studiot apo rrugët e ekspozuese”. “Vetëm nuk shkohet asgjëkund”, përfundon intervistën e tij artisti italian.

      

Pamë që munguat në dhënien e çmimit të “Onufrit” kishit ndonjë arsye…?

Roli im ishte ai i kuratorit të çmimit. Kam vepruar në autonomi të plotë në një seleksionim të artistëve dhe organizuar një ekspozitë me më shumë se një vepër për secilin finalist, në mënyrë që të mund të kuptohej më shumë për secilin artist. Kjo ishte puna ime. Ndërsa juria pati detyrën të jepte çmimin, e nuk mund veçse të ndaj të njëjtin mendim.

 

Si ishte për ju, kjo eksperiencë në Shqipëri ?

Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Kam njohur njerëz dhe artistë me vlera. Në Shqipëri ka një entuziazëm dhe një energji që nuk ka krahasim me vendet Perëndimore. Pastaj, kush merret me art duhet të përpiqet të bëjë gjithçka vetë duke qenë se nuk ka një sistem të vërtetë. Gjë që bën të përfshihet me më shumë forcë, zotësia e njerëzve.

 

Besoj se e keni krijuar tashmë një mendim mbi veprat e Onufrit?

Cilësia e veprave ishte shumë e mirë, përtej pritshmërive të mia. Nuk ishte e lehtë të përzgjidhje tetë artistët finalistë. Mendoj se niveli i artistëve të rinj shqiptarë është i mirë, edhe pse ndonjëherë vuajnë nga një formë e izolimit. Nuk arrijnë revistat e arteve, nuk ka hapje në një cikël të vazhdueshëm siç ndodh në vendet e tjera, sepse nuk ekziston një sistem i artit. Çdo artist në Shqipëri duhet të mësojë të beje mrekulli çdo ditë!

 

Për veprën fituese çfarë mund të thoni?

Imagjinoj që për jurinë do të ketë qenë vërtetë e vështirë për të përzgjedhur, duke qenë se se niveli ishte shumë i ngjashëm. Mendoj se puna e Alketa Ramaj është shumë interesante duke qenë se arsyeton në modelin skulpturor natyror dhe mbi tipologjinë e rritjes së pemëve. Fotografia e ekspozuar, në veçanti, vë në dritë kompleksitetin e zhvillimit të një peme, si dëshmi e mbështetjes metalike e rrënjëve të saj.

 

Ndonjë vepër tjetër që ju ka pëlqyer?

Më duhet të them se që të gjitha punët ishin shumë të mira dhe që është e vështirë të zgjedhësh. Edhe pse kemi një hapësirë nga piktura tek fotoja, nga vizatimi tek video. Është e pamundur të zgjedhësh…

 

Sa kohë jeni marrë me Onufrin?

Kam filluar të punoj me Galerinë Kombëtare në nëntor dhe nga mesi i dhjetorit janë seleksionuar finalistët. Kam kaluar edhe javën e fundit të vitit në Tiranë për të ngritur ekspozitën.

 

 

Titulli “Ndoshta të ëndërrosh”, duket më shumë si i lidhur me lirinë që perceptohet në vepra. Apo nuk është kështu?

Titulli i ekspozitës nuk i referohet lirisë. Më tepër tregon gjendjen e pasigurisë ndërmjet ëndrrës dhe realitetit të Hamletit. Ajo gjendje është e përbashkët me shumicën e artit bashkëkohor, si dhe me atë të artistëve të seleksionuar.

 

Mendoni se Onufri duhet të qëndrojë vetëm në kornizat e një ekspozite shqiptare apo do ishte më mirë nëse do të kishim punë nga vende të tjera?

 

Në vite ekspozita ka pasur forma çdo herë të ndryshme. Unë kam punuar duke seleksionuar artistët, me një kriter përzgjedhjeje për të seleksionuar artistët më interesantë e më të zotë. Mendoj se kjo është forma më e mirë, e që është e përshtatshme të ftojmë njerëz nga vende të tjera për të kuruar çmimin, në mënyrë që të bëhet e njohur puna e artistëve shqiptarë.

 

Mendoni se artet vizive duhet të kenë më shumë liri, e për pasojë më shumë angazhim publik? Pamë pak interes në këtë edicion.

Pyetja nuk ka kuptim. Artistët kanë të gjithë lirinë që duan.

 

Sa influencon në një artist realiteti në të cilin jeton? Ju e keni ndjerë këtë në veprat e paraqitura nga artistët ?

Arti mund të zgjedhë të tregojë për një kohë të veçantë ose të flasë jashtë kohës. Përmbajtjet që arti përpunon nuk janë kurrë fryt vetëm i realitetit në të cilin njoh. Për mendimin tim është e gabuar të kërkosh elementë shqiptarë në krijimtarinë e artistëve shqiptarë. Kjo është një ide idiote, fryt i nacionalizmit dhe e ideve akademike që mund të jenë në shkolla. Sot, fatmirësisht, arti është një proces global, që i shpëton kontrollit…

 

 

Mendoni se artet vizive duhet të kenë më shumë impenjim si për shembull në ndikimin e tyre mbi politikën?

Mendoj se arti duhet të merret me gjithçka, me politikë, me estetikë, me perceptim, me seks apo me fenë. Nëse arti nuk është i lirë, nuk është art por propagandë. Nuk mungojnë artistët shqiptarë që në të kaluarën apo tani kanë qenë të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve me natyrë politike. Në rastin e veprave pjesëmarrëse nuk kam gjetur asnjë artist që ka propozuar vepra me përmbajtje politike. Por dukshëm ka qenë një rastësi.

 

Si ka qenë bashkëpunimi juaj me Galerinë Kombëtare? Mendoni se ky institucion duhet të investojë më shumë në këto lloj ekspozitash?

Në javën që qëndrova në Tiranë, kam biseduar shpesh me drejtorin, dhe ai më ka treguar vështirësitë që ka ky institucion. Galeria Kombëtare është e detyruar të bëjë mrekullira me shumë pak buxhet. Ndërkohë që mund të bëhet më shumë në favor të artistëve tuaj bashkëkohorë. Si italian mendoj se Galeria Kombëtare duhet të ketë më shumë para dhe shpresoj që të vihet në gjendje për të ndihmuar artistët bashkëkohorë, të cilët janë nafta juaj.

 

Keni vizituar Tiranën, dhe keni parë galeritë private. Çfarë mendoni për këtë?

Kam qëndruar me artistë çdo ditë e kam parë që punojnë mirë, por mendoj se artistët duhet të njihen e të mbështeten më shumë ndërmjet tyre, duke ndarë studiot e rrugët e ekspozuese. Ndër të tjera duhet të përpiqen të kenë edhe mbështetjen e medias, nga ku mund të gjejnë njerëz që mund të ndihmojnë ekonomikisht të rinjtë. Vetëm nuk shkohet asgjëkund.

 

 

Comments are closed.