I rikthyer nga SHBA-ja, dëmshpërblehet me 5.7 milionë për burg të padrejtë

0
165

Elton Qyno

burguFatjon Sterkaj, i dënuar me 10 vite burg për “Grabitje me armë”, fiton dëmshpërblimin në gjykatë.

Gjykata e Tiranës paguan me 10 mijë lekë në ditë për periudhën e qëndrimit në burgun e Shën Kollit në Lezhë

 

 

Fatjon Sterkaj, i riu që iu shkatërrua jeta, për shkak të deportimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, pas dënimit të tij me 7 vite burg, tashmë ka dalë i pafajshëm dhe ka fituar plot 5.7 milionë lekë të vjetra, si dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg. Historia e Fatjon Sterkajt bën fjalë që në vitin 1999, kohë kjo kur prokuroria e ka akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes me armë”. Mirëpo për shkak të largimit të Sterkajt në SHBA, arrestimi i tij nuk është arritur të bëhet në Shqipëri, por në SHBA, duke mundësuar dhe deportimin e tij nga ky shtet në vendin tonë. Para se të mbërrinte në Shqipëri, Fatjon Sterkaj ishte dënuar në mungesë me 10 vite burg dhe se menjëherë sa ka ardhur në aeroportin e Rinasit, ndaj tij është marrë masa e “Arrestit në burg”, duke u mbyllur në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Mirëpo për shkak se Sterkaj s’e ka pranuar asnjëherë akuzën, nëpërmjet avokatit të tij, ai e ka dërguar vendimin e ankimimit të tij, deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka vendosur prishjen e dënimit dhe rikthimin e çështjes për gjykim në gjykatën e Apelit. Telenovela e proceseve gjyqësore ka vijuar deri në gjykatën e Apelit, ku në vitin 2009, Sterkaj ka marrë pafajësi, vendim ky që më pas është miratuar edhe nga Gjykata e Lartë. Nisur nga kjo situatë, për 575 ditët e qëndrimit në burg, Sterkaj ka kërkuar dëmshpërblim, duke arritur të fitojë pas disa seancash gjyqësore shumën prej 5.7 milionë lekë të vjetra.

Vendimi i gjykatës

Nga parashtrimi i fakteve sa më lart, paditësi Fatjon Sterkaj, rezulton që të ketë vuajtur padrejtësisht 575 ditë burgim të padrejtë nga data 4.6.2008 deri në datën 30.12.2009, datë në të cilën është realizuar lirimi i tij, sipas vendimeve gjyqësore. Në referim të parashikimeve të neneve 268 e 269 të Kodit të Procedurës Penale, paditësi i është drejtuar gjykatës, duke u legjitimuar në këtë mënyrë në kërkimin e tij për kompensimin për burgim të padrejtë. Në referim të bazës ligjore të padisë, provave të shqyrtuara gjatë hetimit gjyqësor, gjykata çmon se, në çështjen objekt gjykimi, plotësohen kriteret, në bazë të të cilave paditësit i njihet e drejta të përfitojë kompensimin për burgim të padrejtë, pasi në përfundim të gjithë fazave të gjykimit, ai në cilësinë e të pandehurit, është deklaruar i pafajshëm. Po kështu, i pandehuri Fatjon Sterkaj, në asnjë moment me qëndrimin e tij, nuk ka çuar gjykatën në marrjen e një vendimi penal fajësie të gabuar në ngarkim të tij. Për sa i përket masës së kompensimit dhe mënyrës së përllogaritjes së tij, dispozita referuese parashikon se ato caktohen me ligj të veçantë. Gjykata çmon se në rastin e paditësit, për sa i përket masës së shpërblimit, duhet të zbatohen kërkesat e ligjit nr. 9381 datë 28.4.2005, si ligji në fuqi në momentin e deklarimit të pafajshëm të tij në cilësinë e të pandehurit. Në nenin 5 të këtij ligji, përcaktohen dhe kriteret që duhet të mbahen parasysh nga gjykata në caktimin e masës së kompensimit për burgim të padrejtë. Po kështu, pika 2 e këtij neni përcakton limitet e masës së kompensimit rast pas rasti, duke përcaktuar si masë maksimale për një ditë burgim shumën deri në 2.000 lekë në ditë.

Vërtetimi nga Amerika

Nga pala paditëse në këtë gjykim, në drejtim të caktimit të masës së kompensimit, nuk u paraqit asnjë provë e cila mund ta mbështeste këtë kërkim. Nga vërtetimi i datës 20.12.2012, i lëshuar nga presidenti i firmës “G&F Express” c.o, Amerikë, rezulton që paditësi të ketë qenë i punësuar pranë kësaj shoqërie për periudhën 2003-2008 (momenti i ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”). Në analizë të anës formale të këtij vërtetimi, Gjykata vlerëson se ky vërtetim, nuk mund ta merret me cilësinë e provës së plotë, për aq kohë sa nuk plotëson kriteret e dokumenteve të lëshuara në një shtet të huaj, sipas përcaktimeve të Konventës së Hagës dhe akteve nënligjore në fuqi. Nuk rezulton që nënshkrimi i lëshuesit të vërtetimit të jetë vërtetuar nga një noter, i cili më pas do të apostilohej nga institucionet përgjegjëse në SHBA. Nisur nga kjo situatë, gjykata s’ka pranuar që të japë dëmshpërblimin 20 mijë lekë të vjetra për një ditë, por vetëm për 10 mijë lekë të vjetra. Gjykata vlerëson që masa e kompensimit të paditësit për burgim të padrejtë, duhet të përllogaritet me masën 1.000 lekë për çdo ditë, në total 575 ditë x 1.000 lekë = 575.000 lekë.

 

Krimi në Zall-Herr, teksa dy kushërinjtë ishin për gjah

Vrau djalin e xhaxhait me çifte,

dosja e Naim Danit shkon në gjykatë

 

Përfundojnë hetimet për shtetasin Naim Dani, i cili disa muaj më parë ekzekutoi në mënyrë aksidentale me çifte djalin e xhaxhait të tij Bedri Dani, 23 vjeç. Nga hetimet e kryera prokurorët e Tiranës, kanë arritur në përfundimin se vrasja ka ndodhur nga pakujdesia, pasi viktima dhe autori i krimit kanë dalë për gjah në një pyll që ndodhet në zonën e Zall-Herrit. Aktualisht çështja me nr. 604 është regjistruar në gjykatë dhe se pritet që shumë shpejt gjyqtari Arben Micko, të fillojë procesin gjyqësor. Në kërkesën për gjykim, prokuroria sqaron se krimi i rëndë ka ndodhur në mesditën e 19 nëntorit, ku dy kushërinjtë kanë marrë armët e gjahut dhe kanë dalë për gjah. Teksa ishin duke ecur, të pandehurit Naim Dani i është shkrepur aksidentalisht çiftja dhe për pasojë, saçmat i kanë hyrë në trup shtetasit 23-vjeçar Bedri Dani, i cili ndodhej shumë afër me kushëririn e tij. Pas kësaj vrasjeje nga pakujdesia, i pandehuri e ka transportuar me shpejtësi kushëririn e tij në drejtim të Spitalit Ushtarak, por ai ka humbur jetën si rezultat i plagëve të marra. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur specialistë të policisë, të cilët kanë bërë administrimin e provave materiale, ndërsa i pandehuri është arrestuar në ambientet e Spitalit Ushtarak. Gjatë kryerjes së hetimeve, Naim Dani ka pranuar autorësinë e krimit të ndodhur në kushte aksidentale.

 

Vendimi në Apel

Tragjedia e Gërdecit, familjarët: Riparoni traumën!

Familjarët e viktimave të Gërdecit nëpërmjet një deklarate për mediat i bëjnë thirrje Gjykatës së Apelit të dënojë me maksimumin e dënimit fajtorët e kësaj tragjedie, duke respektuar kështu ligjin, sipas tyre. “Në datën 4 shkurt 2013 Gjykata e Apelit ka mundësi të riparojë traumën që shkaktoi vendimi i zhgënjyes i shkallës së parë. Sa për histori, ju kujtojmë se me vendimin në fjalë ra akuza e vrasjes në rrethana të cilësuara. Thjesht vdekja e 26 personave u riklasifikuan si pasoja anësore të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Diferenca kryesore mes klasifikimit të bërë nga gjykata në krahasim me atë që pretendoi prokuroria ndikoi tek masa e dënimit. Gjykata e Apelit duhet ta marrë në konsideratë ndjeshmërinë sociale lidhur me këtë tragjedi, që përbën dhe një nga funksionet e drejtësivënies e të respektimit të ligjit.

 

Ngjarja në Durrës

Bllokohen në port 56 kg drogë, arrestohet shoferi

Vazhdojnë ngarkesat e drogës drejt kufijve të Shqipërisë, ku vetëm ditën e djeshme është bllokuar në portin e Durrësit 56 kg kanabis me destinacion Italinë. Burime nga policia bëjnë me dije se droga është gjetur e fshehur në automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa AA 316 DD, ndërsa është ndaluar edhe drejtuesi i mjetit. Sipas policisë, droga ishte e fshehur në bagazhin e automjetit, e paketuar në 186 pako dhe kishte si denstinacion Italinë. Gjatë marrjes në pyetje, drejtuesi i mjetit s’ka pranuar të flasë rreth personave të tjerë që janë implikuar në këtë rrjet trafiku. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se drejtuesi i kamionit ka qenë në rolin e korrierit, ndërsa persona të tjerë kanë bërë të mundur blerjen e mallit dhe paketimin e drogës, duke e fshehur në kamion.

 

Tek “Dollari”

Akuza bllokon mbi 30 celularë të vjedhur

Prokuroria e Tiranës ka bllokuar mbi 30 celularë “Smart phone” të markave të ndryshme kjo pas denoncimeve si të vjedhur nga qytetarët. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se shumë qytetarë kanë blerë celularë madje dhe produkte të tjera si, laptopë apo Ipad pranë tregut të zi të njohur si “Dollari” në kryeqytet, ndërsa shumica e tyre janë të vjedhur dhe më pas tregtohen si të përdorur. Vetëm 3 muajt e fundit pranë Prokurorisë kanë mbërritur me dhjetëra denoncime për vjedhje të produkteve të ndryshme ndërsa organi i akuzës ka arritur të zbulojë shumicën prej tyre. Burime pranë saj bëjnë me dije, se, markat e reja të celularëve mund të gjurmohen nëpërmjet numrit serial ose që njihet ndryshe, si Imei.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency