Bojkoti i opozitës ndaj tri ligjeve, Stefan Füle takon sot Berishën, Ramën dhe Nishanin

0
139

Florenc Drizari

fyleStefan Füle: Nëse doni integrimin, miratoni sa më parë 3 ligjet

 

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle, pritet të takojë paraditen e së hënës krerët e politikës shqiptare. Ngërçi politik mes mazhorancës dhe opozitës, i cili vazhdon edhe pas rekomandimit të Komisionit Evropian për votimin e tri ligjeve me shumicë të cilësuar, duket se është motivi kryesor i vizitës së zyrtarit të lartë të BE-së, i cili pritet të zhvilloi takime të ndara me liderët kryesor politik në vend. Vizita e komisionerit Stefan Füle në Tiranë duket se është tentativa e fundit që vjen nga Brukselit para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, për të bindur krerët e politikës në vend në gjetjen e një konsensusi për miratimin e reformave. Komisioneri Füle tri ditë më parë lëshoi një mesazh të qartë për vizitën e tij në Tiranë, duke thënë se koha për miratimin e kushteve po kalon dhe nëse politikanët në Shqipëri e duan vërtetë integrimin, atëherë nevojitet miratimi i tyre. Por ngërçi mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e tri ligjeve, draftin për nëpunësin civil, projektligjin për Gjykatën e Lartë dhe rregulloren e Parlamentit, vazhdon që pas 12 tetorit të vitit të ardhshëm, datë në të cilën Komisioni Evropian rekomandoi marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nëse votoheshin reformat në Kuvend. Konsensusi për miratimin e tyre mes dy partive të mëdha PD dhe PS nuk u arrit dhe në datën 21 nëntor skaduan edhe afatet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për miratimin e ligjeve. Kjo bëri që më datën 10 dhjetor, Këshilli i Ministrave në BE të mos i jepte Shqipërisë statusin e vendit kandidat duke i shtyrë afatet kohore deri në gjetjen e një konsensusi mes tyre.

Zbardhja e axhendës

Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, komisioneri për Zgjerimin pritet të zhvillojë takime me krerët e politikës shqiptare si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në vend. Fillimisht Füle do të takohet me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe ambasadorin e OSBE-së Eugen Wollfarth. Më pas takimi do të vijojë rreth orës 10:45 me Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa në orën 12:05 pritet të takohet me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Axhenda e komisionerit Füle në Tiranë përmban edhe një takim me kreun e shtetit Bujar Nishanin. Aktualisht, nuk dihet nëse ai do t’ju paraqesë palëve një formulë kompromisi apo thjesht do të përpiqet që të ushtrojë trysni në emër të interesit që vendi të përparojë në rrugën e integrimit. Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës, një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende. Thirrjet e ndërkombëtarëve drejtuar klasës politike shqiptare për miratimin e reformave të kërkuara nga Brukseli kanë qenë të vazhdueshme dhe në fokus kanë pasur edhe votimin e tri ligjeve, por përpos këtyre konsensusi politike mes dy partive të mëdha ka munguar. Mes palëve politike shqiptare janë në lojë edhe llogaritë elektorale, të cilat e kanë rritur më tej tensionin e brendshëm, duke bërë që gjetja e një konsensusi parazgjedhor të bëhet edhe më e vështirë.

 

 

 

 

Rama: 3 ligjet mund të votohen, nëse opozita dëgjohet se pse nuk i voton

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në konferencën e tij të fundjavës në rrjetin social Twitter, shprehu qëndrimin e opozitës lidhur me miratimin e tri ligjeve, duke vënë theksin tek zbatueshmëria e ligjit, zhvillimi i zgjedhjeve të lira në vend. Sipas tij, ardhja e komisionerit për Zgjerimin në BE është e mirëpritur dhe partneriteti me Bashkimin Evropian nuk funksionon me detyrime. Kryesocialisti Rama thotë se më parë duhet të dëgjohet zëri i opozitës se përse nuk i voton tri ligjet. “Presim si gjithnjë një aleat të shqiptarëve në përpjekjet për demokratizim, zgjedhje të lira e drejtësi në dobi të integrimit. S’funksionon me detyrim partneriteti BE e me komisionerin! 3 ligjet mund të votohen nëse opozita dëgjohet se pse nuk i voton”, – shkruan kryetari i PS-së, Edi Rama. Ndërkaq, mesditën e së hënës rreth orës 12:05 është parashikuar edhe një takim mes tij dhe komisionerit për Zgjerimin ën Bashkimin Evropian, Stefan Füle. Në qendër të bisedimeve mes drejtuesit të PS-së Rama dhe komisionerit Füle pritet të jetë gjetja e një konsensusi të mundshëm për votimin e tri ligjeve nga opozita, në mënyrë që vendit të hapen mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor të këtij viti.

 

Komisioni i Integrimit shqyrton statistikat zyrtare

Komisioni për Integrimin Evropian pritet të diskutojë të hënën projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit Opsional të Konventës për të drejtat e fëmijës “Për procedurën e komunikimit”, si dhe projektprogrami i statistikave zyrtare. Ky i fundit është kundërshtuar më parë nga opozita në Komisionin e Ligjeve dhe ka kaluar vetëm më votat e mazhorancës. Ndërkaq, gjatë diskutimit të dy vendimeve në komision priten debate mes deputetëve të pozitës dhe opozitës lidhur me çështjet e integrimit, ku siç është bërë e njohur, në orët e paradites komisioneri për Zgjerimin Stefan Füle do të takohet me Kryeministrin e vendit, kreun e PS-së si dhe Presidentin e Republikës. Shpeshherë deputetët e Komisionit të Integrimit kanë debatuar në lidhje me qëndrimet e mbajtura nga disa prej zyrtarëve të lartë të BE-së në vendin tonë, si dhe për çështje që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, edhe pse çështjet nuk kanë qenë në rendin e ditës.

 

 

 

Gjiknuri kritikon Islamin për mandatet: Të shpjegojë barazinë e votës

Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, kritikoi qëndrimin e deputetit Kastriot Islami të mbajtur në një të përditshme shqiptare për ndarjen e mandateve, i cili, nga ana e tij, i jep të drejtë Kuvendit në vendimmarrjen e disa ditëve më parë. Deputeti Gjiknuri thotë se mbi 55 mijë qytetarë të Tiranës dhe Durrësit janë të papërfaqësuar në vonë me vendimin e marrë në Kuvendin e Shqipërisë. “Z. Islami së bashku me të tjerë zgjodhën, mes shumë kriteresh, kriterin e mbetjes më të madhe për shpërndarjen e mandateve në qarqet që nuk përfitojnë mandate, duke përcaktuar kritere të thjeshta e te qarta në ligj, për të shmangur interpretimet matematikore me shumë variabla që s’thonë asgjë për ligjvënësin dhe janë vulnerabël ndaj orekseve politike. Standardet ndërkombëtare në përcaktimin e formulës së ndarjes se mandateve kërkojnë që ligjet zgjedhore të përcaktojnë kritere të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Kodi Zgjedhor i ka këto kritere, ku dhe z. Islami ka kontributin e tij. Logjikshëm lind pyetja a i respektoi Kuvendi kriteret e ndarjes që janë përcaktuar nga zoti Islami dhe të tjerë në ligj? Nëse po, mbi 55 mijë qytetarë të Tiranës dhe Durrësit meritojnë një përgjigje se përse ata duhet të jenë të papërfaqësuar me deputet megjithëse ligji i vendit ua garantonte këtë të drejtë?! Islami i vitit 2013 duhet t’u japë një shpjegim”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency