Rrëfimi tronditës: Dhuna barabare e tim biri ndaj meje ditën e ngjarjes

0
212

Sonja Caka

babaiGjykata lë në burg Ëngjëll Ucaj, babanë-vrasës për krimin e dyfishtë. Prokuroria, autori dhe e shoqja, versione të ndryshme për shkakun e sherreve në familje

 

I moshuar, me flokët e bardha që e tregonin dukshëm moshën e thyer, me hematomë të dukshme në sy, me shpatull dhe këmbë të dëmtuara prej dhunës dhe tepër i tronditur për krimin e rëndë që kishte kryer. Djali ngrinte dorë vazhdimisht ndaj tij dhe të shoqes, edhe ajo e moshuar dhe prej kohës vuante nga diabeti. Ai, ditë pas dite nën ushtrim të vazhdueshëm dhune fizike dhe psikologjike, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do t’i drejtonte armën djalit të tij, aq më pak nuses së këtij të fundit. Me këto dëmtime të theksuara në pamje dhe trup, dje Engjell Ucaj është paraqitur para gjykatës dhe për afro 20 minuta ka rrëfyer momentet para dhe gjatë krimit. Madje, nuk hezitoi të akuzonte haptazi policinë, si shkaktare për lirimin e djalit nga ambientet e saj, duke mos bërë të mundur parandalimin e këtij krimi. Herë pas here, Ucaj demonstronte me veprime para gjykatës edhe vendin ku ndodhej kur erdhi i biri, sa herë e kishte përplasur ky i fundit, uljen dhe ngritjen nga divani apo dyshemeja pasi i biri e qëllonte pa pushim me grushte apo shkelma. Më pas tregon se arriti të rrëmbente armën dhe në momentin që i biri u ul për t’ia marrë, ai e qëlloi dhe më pas qëlloi për vdekje edhe italianen 24-vjeçare.

Seanca

Engjell Ucaj, 65 vjeç është paraqitur dje para gjykatës, ku është njohur me akuzën për vrasjen e djalit të tij të vetëm Sokolit, dhe nuses së tij shtatzanë, Xhulias, si dhe me dinamikën e ngjarjes sipas organit të akuzës. Gjatë seancës së djeshme, ndërsa është njohur me masën e sigurisë, 67-vjeçari ka fajësuar edhe njëherë policinë për lirimin e të birit, gjë që sipas tij solli edhe ngjarjen tragjike. Ai ka rrëfyer se si dhunohej nga i biri, madje edhe ngjarja e 30 janarit e kishte pikënisjen aty, pasi teksa dhunohej është drejtuar drejt kallashnikovit, për ta shkrehur më pas mbi të birin dhe nusen italiane. Prokurori i çështjes Alfred Shehu, pasi ka lexuar dosjen e hetimit në ngarkim të 67-vjeçarit ka kërkuar gjyqtares së gatshme caktimin e masës “arrest me burg” për veprat penale “vrasje në rrethana cilësuese prej më shumë se dy vetash”, si edhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq gjykatësja e çështjes, Daniela Shirka i ka dhënë fjalën avokatit kryesisht i caktuar nga gjykata, pasi familja e autorit nuk ka pasur mundësi të paguajë avokat privat, i cili ka kërkuar për klientin e tij një masë më të butë, përkatësisht  “arrest shtëpie” pasi sipas avokatit Bajram Stafa, duhen marrë parasysh edhe gjendja psiqike e të pandehurit në momentin e krimit. Këtë propozim avokati e ka dhënë pasi ka dëgjuar dëshminë e dhënë nga autori i vrasjes së dyfishtë rreth rrethanave që e çuan në vrasjen e djalit të tij. Pasi dëgjo të dy palët dhe dëshminë e të akuzuarit Ucaj, gjykata caktoi masën “arrest me burg” për 67-vjeçarin. Ajo që të binte në sy gjatë zhvillimit të kësaj mase, ishte mungesa e të afërmve apo familjarëve të Ëngjëll Ucajt.

Ngjarja, sipas akuzës

Dy versione të ndryshme për motivin e ngjarjes, autori thotë se e vrau të birin për shkak të dhunës së vazhdueshme, ndërsa bashkëshortja e tij deklaron se i shoqi e vrau djalin për shkak të debateve të vazhdueshme për një konflikt prone. Sipas prokurorit Alfred Shehu, “në datën 30 janar ka ndodhur një vepër penale ku në banesën e tij pas një grindje të çastit ka vrarë djalin dhe të dashurën e tij,i pandehuri Engjëll Ucaj. Nga aktet e para hetimore rezulton se që prej dy vjetësh mes të pandehurit dhe viktimës ka pasur grindje të vazhdueshme familjare për probleme të ndryshme. Në datën 30 janar, Engjëlli ka parë në hyrjen e banesës së tij gruan e cila duke qarë i ka thënë se është rrahur nga djali i saj. Të dy burrë e grua e kanë denoncuar në polici djalin. Më pas, policia ka shoqëruar në komisariat Sokol Ucaj dhe e ka liruar atë një orë më pas, pasi ky i fundit ka nënshkruar një deklaratë ku edhe pohonte se nuk do të kërkonte pjesë në shtëpi, dhe se do të shmangte konfliktet mes prindërve. Kur është kthyer në shtëpi, Sokoli ka nisur të godasë babanë e tij, ndërsa nëna ka dalë nga banesa për të kërkuar ndihmë nga Policia. Në momentet kur policia ka mbërritur në derën e banesës, ka dëgjuar të shtëna breshërie automatike. I ka rënë derës dhe atë e ka hapur Engjëll Ucaj i cili ka dorëzuar armën automatike, e më pas është arrestuar në flagrancë për vrasjen e dy të rinjve. Nga hetimet e para u konstatua se Sokoli është vrarë në sallonin brenda banesës, ndërsa e dashura e tij në dhomën e gjumit, ku edhe qëndronte gjatë të gjithë pjesës më të madhe. Ende nuk kanë përfunduar hetimet e ekspertizës rreth armës të tipit kallashnikov, ndërsa dëshmia e dhënë nga autori i krimit bie ndesh me atë të bashkëshortes së tij, e cila ka deklaruar se sherri në familje ka nisur për shkak të pronës, dhe jo dhunës së ushtruar nga ana e djalit.

Rrëfimi tronditës i 67-vjeçarit: Arsyet që më çuan në vrasjen e tim biri

Ëngjëll Ucaj rrëfeu para gjyqtares së gatshme me detaje ditën e ngjarjes, para se ajo të ndodhte dhe momentin e ndodhjes së krimit të dyfishtë, nga i cili humbi jetën djali i tij 27-vjeçar dhe nusja e këtij të fundit, shtatëzanë. “Sokoli ka dy vjet që ka ardhur nga Italia, dhe atje mësuam me vonesë se kishte kryer 6-7 vjet burg bashkë me një grup shqiptar, pasi akuzohej për shpërndarje droge. Erdhi në Elbasan në mesin e muajit gusht të vitit 2008, e solli policia me avion, pasi atje ishte i padëshirueshëm. Ne nuk dinim gjë se çfarë kishte bërë në Itali, e mësuam vetëm mbas dy tre muajsh. Ditën e ngjarjes, dola në mëngjes për të marrë ilaçet pasi jam sëmurë, kam kaluar një paralizë, si pasojë e trompozës në këmbë, dhe tashmë që po flas me ju jam shumë i sëmurë. Kur u ktheva në shtëpi rreth orës 12 të drekës e gjej plakën përjashta në oborrin e pallatit duke qarë. E pyeta se çfarë kishte dhe ajo më tha se kishte frikë të hynte në shtëpi, pasi Sokoli i kishte kërkuar lekë dhe unë nuk kam se çfarë t’i jap. Më në fund, menduam të dy burrë e grua që të shkonim ta denonconim në Polici, sepse kjo situatë nuk po durohej më, dhe se nuk do të kishim më turp nga bota. Kështu bëmë. Në orën 14.30 të drekës shkuam tek i plotfuqishmi i zonës, e mbaj mend edhe emrin. Raportuam në Polici se ne nuk ikim dot në shtëpi, sepse dhunohemi nga djali ynë. Policisë i thamë që të vijë ta shoqërojë djalin në errësirë, sepse jemi njerëz të ndershëm, dhe na vinte turp nga fqinjët që të merrnin vesh që Policia ka ardhur në shtëpinë tonë. Nuk e kam parë asnjëherë në jetën time derën e Policisë edhe gjykatës. I bëra zile policit, sepse kështu e lamë, që djali ishte në shtëpi. Erdhën policët dhe unë i rashë derës së dhomës ku ai qëndronte me italianen dhe i thashë që të kërkojnë dy shokë. Policët e luajtën mirë rolin, që të mos dukej se e kishim denoncuar ne djalin, pasi kështu e kishim lënë, sepse e dinim që ai do të na dhunonte po të mësonte se ne e kishim denoncuar. E morën me vete, dhe nuk e mbajtën as një gjysëm ore. Ne i kishim thënë që ta mbajnë në polici, pasi ai egërsohet, deri sa ne të kishim ikur te djali ynë tjetër që kemi në Itali. Këtu është edhe zanafilla e vrasjes. Nëse policia do ta kishte mbajtur atë natë, krimi nuk do të ndodhte. Nëse ai do të vinte në shtëpi ne nuk do të qëndronim aty, plaka do të shkonte tek njerëzit e vet ashtu edhe unë, por ne menduam se polica do ta mbante. Ai erdhi në shtëpi, hyri brenda në dhomë te italiania, dhe pastaj hyri në dhomën ku ishim ne me plakën. Erdhi dhe më goditi pas veshit e më pas në kokë. Në atë moment nuk e prisja sepse isha duke parë televizor. Nisi të më godiste si kafshë, nuk po them grusht por hekur. Sa çohesha në këmbë ai më godiste sërish. Në këtë moment theu edhe telefonat, dhe bërtiste, pse më çove në polici, i vdekur do të shkoj në burg. Doli plaka e shkretë poshtë pallatit, se është edhe me diabet nuk e di se ku ka shkuar dhe ka marrë në telefon, poshtë tek dyqanet, dhe ka lajmëruar Policinë. Ai vazhdonte të më godiste, ecja këmba doraz, sepse nuk mundesha dot, pasi sa nisja të ngrihesha në këmbë ai më godiste përsëri” rrëfeu 67-vjeçari. Më pas, i moshuari dha detaje edhe mbi gjetjen e armës së krimit. “Para një jave, duke hapur divanin, sepse aty mbajmë batanijet, se çfarë kërciti brenda. Pashë se aty ishte një armë automatike. Më shkoi në mend se djali na e ka sjellë në shtëpi. Fishekët bashkë me karrikatorin i kisha hequr veç dhe i fsheha sepse ai nxehej shumë keq, sepse pinte drogë, kush e di se çfarë bënte… Mora automatikun për të mos rënë në dorë të atij dhe e çova mbas derës së dhomës sime, shumë pranë sallonit të shtëpisë, me qëllim që t’ia dorëzoja policisë kur të vinte. Pastaj doli nga dhoma më i nevrikosur se sa ishte herën e parë duke më thënë: “Pse më çove në Polici?” …Se çfarë i tha italiania dhe ai sërish më godiste. Më hodhi në çimento, më vuri këmbën në kokë se isha i shtirë në sallon, ikte te dera e dhomës së tij, merrte vrull dhe kthehej sërish duke më goditur. Mbaj mend që shkova tek dera e dhomës sime dhe mora automatikun. Ai e pa dhe më tha: Më paske marrë armën maskara! Mbaj mend se u turr për të më marrë automatikun dhe në këtë moment kam qëlluar, dhe nuk mbaj mend, por në këtë moment kam qëlluar edhe në dhomën në drejtim të italianes duke e vrarë edhe atë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency