Kupa e Shqipërisë, Laçi ul me këmbë në tokë Flamurtarin

0
161

kupaSfida e parë e këtij viti u ndoq nga afër prej presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dhe komisarit teknik të përfaqësueses sonë, Xhani de Biazi.

 

Viti i ri futbollistik ka nisur në mënyrën më të mirë për ekipin e Laçit. Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica, arriti që të mposhtte Flamurtarin në sfidën e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë të grupit B. Diferencën e ka bërë goli i Buljanit në minutën e 76-të, duke shtuar tri pikë tepër të çmuara në llogarinë e të tijve dhe u barazuar me vlonjatët.

 

Taktikë

Në minutat e para të lojës qe Flamurtari “zot” i fushës. Muzaka dhe Veliu i hapën jo pak probleme prapavijës së Laçit që iu desh të bënte një punë të mirë për të ndaluar vlonjatët. Ndërkohë, një dorë vendasve ia dhanë edhe mesfushorët që në pjesën më të madhe të kohës administruan lojën. Vucaj merr përsipër shumë te vendësit, duke dirigjuar jo vetëm lojën e mesfushës, përballë Zeqirit e Telushit, që s’i ndahen këmba-këmbës, por asiston me pasime të përpikta sulmuesin Emurllai. Ky i fundit arrin ta mbajë në tërësi në sulm skuadrën e vet, ashtu sikurse vë në presion prapavijën bregdetare. Emurllai, i gjendur te pika e penalltisë, humbet një rast ideal për të prishur bardhësinë e shifrave. Kronometri i gjyqtarit shënon minutën e 41-të, kur Nica bën edhe zëvendësimin e pare: sakrifikon një mbrojtës, Milenkoviç, për një sulmues më shumë në lojë, Marashin. Aty u duq qartë se vendasit kërkonin golin. Nga ana tjetër trajneri Gjoka reagoi, duke hedhur mesfushorin Lena në fund të pjesës së parë, në vend të Idrizit. Tashmë ofensiva kuqezi bazohet te mesfusha, që sulmon në ballë të gjerë dhe mundohet të çajë prapavijën vendëse. Bregdetarët duhet të mendojnë më shumë tashmë edhe për barazimin, sepse është një rezultat që u hyn shumë në punë dhe i mban ata tri pikë para kurbinasve.

 

Goli

Fraksioni i dytë nis me një goditje të bukur të Lenës, që pritet me një planzhon të bukur të portierit Vashaku. Në vijim të këtij aksioni shënoi skuadra vlonjate, por gjithçka u kthye si më parë për pozicion jashtë loje. Loja nis e ashpërsohet disi me kalimin e minutave, sidomos në dyluftimet që u zhvilluan në mesfushë. Në minutën e 72-të, Bratiç kishte në këmbët e tij rastin e artë për të shënuar, teksa dalja e gabuar e portierit Vashaku e vuri kroatin kuqezi përballë portës së boshatisur, por goditja është për t’u harruar. Tenton nga distanca edhe Zeqiri, duke testuar reflekset e portierit kurbinas, që pret bukur. Ndërkohë që për vendasit u kundërpërgjigj Emurllai, që lëshoi një predhë nga distanca që përfundoi jashtë kuadratit të Koliqit. Shqiptaro-maqedonasi “gatoi” golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 76-të, teksa fut një pasë të zgjuar në zonën para Koliqit, ku Buljan godet saktë me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë. Shpërblehet më në fund këmbëngulja e bardhezinjve të Nicës, që kanë bërë tri zëvendësime për ta përforcuar sa më shumë sulmin e tyre, ndërsa minutat e mbetura nuk mjaftojnë që bregdetarët të rikthejnë në fuqi ekuilibrat rezultativë. Mbrohen heroikisht të besuarit e Nicës, që në fund dalin fitimtarë me mjaft vështirësi, por ama marrin tri pikë të arta, që i mbajnë në lojë për të qenë ata në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

 

 

Sfida e dytë

Takimet e vlefshme për grupin B do të vazhdojnë nesër në Durrës. Teuta, që ka marrë tri humbje deri më tani, është e dorëzuar në Kupë dhe do të presë “e dorëzuar” skuadrën e Bylisit që udhëheq me nëntë pikë. Gjithsesi, për ballshiotët nuk pritet një sfidë e lehtë, pasi në bankinën e durrsakëve është ulur Gugash Magani që mund të japë impulse të tjera te bregdetarët. Sa u përket miqve ato do të ishin të kënaqur edhe me një barazim në këtë transfertë, duke qenë në rregull e në përmbushje të misionit, kalimit në gjysmëfinale. Teuta, nga ana e vet, ka tashmë në dorë vetëm për t’u prishur punë në këtë grup të tria skuadrave, me të cilat do të ndeshet edhe nga një herë prej kësaj të hëne e deri në fund të këtij raundi të Kupës së Shqipërisë.

 

 

Çerekfinalet, Kupa e Shqipërisë

2.2.2013

LAÇI-FLAMURTARI  1-0

Sot

SHKUMBINI-KUKËSI

 

4.2.2013, ora 14:00

SKËNDERBEU-KASTRIOTI

TEUTA-BYLISI

 

Çudia

Mangulu, lojtari kongolez me 4 ditëlindje

FIFA ka nisur hetimet për një futbollist që luan me Republikën Demokratike të Kongos, pasi ai ka katër ditëlindje. Vendimi nga institucioni numër një i futbollit botëror nisi pasi Çancel Mbemba Mangulu ishte regjistruar nga dy klubet e tij të para kongoleze me datëlindjen në vitin 1988, ndërkohë që për Kupën e Afrikës të mbajtur në vitin 2011 në qershor, dokumentacioni i depozituar për të tregonte se ishte lindur më 30 nëntor 1991. Më pas, ditëlindja e tij nga klubi i radhës belg i Anderlehtit u regjistrua më datë 8 gusht 1994. Vetë lojtari është shprehur se ai mendon se ka lindur në vitin 1990. “Ne jemi momentalisht duke analizuar të gjitha dokumentet që kemi në dispozicion dhe hetimet ndaj lojtarit janë duke vazhduar. Nisur nga kjo nuk mund të bëjmë asnjë koment më tepër”, – njoftoi FIFA.

 

Takimi

Shaqiri bën “bavareze” Jahjagën

Xherdan Shaqiri, kosovari i Bajernit të Mynihut në Bundesligë, është takuar të premten me Presidenten e Kosovës. Kjo e fundit ishte atje në Konferencën e 49-të për Sigurinë. Ylli i kombëtares zvicerane i ka bërë me këtë rast dhuratë Presidentes Jahjaga një fanellë të tij me skuadrën bavareze. Gjithçka është zhvilluar në Mynih, aty ku luan talenti kosovar, i vendosur me familjen prej vitesh në Zvicër. Presidentja Jahjaga e përgëzoi Shaqirin për lojën dhe shpirtin sportiv që po tregon në fushën e futbollit. Ajo tha se të rinjtë nga Kosova kanë treguar vlerat e tyre kudo në botë, në të gjitha fushat, ndërsa po e dëshmojnë gjithë talentin e tyre edhe në sport. Futbollisti në këtë takim ishte së bashku me familjarë të tij. Ai e falënderoi Presidenten për pritjen dhe për mbështetjen që po i jep sportit dhe të rinjve në përgjithësi në punën e tyre.

 

Prezantimi

Tek Partizani njihen me drejtuesit e rinj

Së bashku me presidentin Sallaku, i pranishëm në stërvitjen e dy ditëve më parë, ishte edhe drejtori i ri administrativ, Eduard Prodani. Ky i fundit, pasi u prezantua nga Sallaku para lojtarëve, foli shkurtimisht. “Është kënaqësi që jam në këtë post, ndërsa së bashku duhet të zbatojmë projektet që kanë drejtuesit për ta ngjitur sa më parë këtë ekip në Superiore. Gjithçka është në rrugën e duhur, duke filluar nga kompleksi i ri dhe deri tek organizimi”, – u ka thënë Prodani drejtuesve. Ndërkohë, mësohet se gjatë këtyre ditëve futbollistët e kuq do të marrin edhe pagat mujore. Ata janë duke hapur llogaritë e tyre bankare në një prej bankave të nivelit të dytë, pasi të gjitha pagesat do të bëhen në rrugë zyrtare. Dy ortakët që zotërojnë Partizanin, Sallaku dhe Demi, janë shprehur qartë se në kampin e kuq nuk do të ketë më asnjë problem financiar dhe se lojtarët në këtë drejtim duhet të jenë të qetë. Ndërkohë, burime brenda klubit bëjnë me dije se pagat do t’u kalojnë lojtarëve në llogaritë e tyre personale nga data 1-5 të çdo muaji.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency