Berisha takon zv.presidentin e SHBA-së: Konsideratë për Shqipërinë, do ta vizitoj me kënaqësi

0
135

Ina Jano

beroMynih, Kryeministri: Evropa dhe SHBA, partnerë të domosdoshëm për njëri-tjetrin

 

Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, u takua dje me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden gjatë konferencës për sigurinë që është duke u zhvilluar në Mynih të Gjermaninë. Gjatë takimit me të, pas ftesës së bërë nga Kryeministri Berisha, numri dy i qeverisë amerikane ka shprehur gatishmërinë dhe kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme. Ai i ka deklaruar liderit të mazhorancës se ka një konsideratë të thellë për vendin tonë dhe se do ta vizitojë Shqipërinë me kënaqësi.

Takimi

“Shqipëria është një vend që unë e dua me gjithë zemër, një vend për të cilin kam konsideratën dhe respektin më të madh”. Kështu u shpreh numri dy i Shtëpisë së Bardhë në takimin disaminutësh që pati me kreun e qeverisë shqiptare, Berisha. Kryetari i ekzekutivit e ftoi zotin Biden të vizitojë Shqipërinë dhe e falënderoi për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar në të gjitha këto dekada vendit tonë. Sipas burimeve zyrtare, Kryeministri Berisha uroi përzemërsisht z. Biden për rizgjedhjen për një mandat të dytë në postin e zëvendëspresidentit dhe e falënderoi për mbështetjen, që administrata e Presidentit Obama dhe ai personalisht i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pjesëmarrja e zëvendëspresidentit Biden tregon qartë rëndësinë që SHBA i jep kësaj konference kaq të rëndësishme për sigurinë në nivel botëror. Në ndërhyrjen e tij ai theksoi se për SHBA-në, Evropa është aleati kryesor dhe se SHBA dhe Evropa janë partnerë të domosdoshëm për njëri-tjetrin.

Deklarata

Kryeministri, në një prononcim në lidhje me pjesëmarrjen e tij në konferencën për sigurinë në Mynih, u shpreh se ky është një aktivitet i një niveli të lartë dhe Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, mundohet të japë ndihmën e saj modeste. Zoti Berisha bëri një ekspoze në lidhje me diskutimet e mbajtura në konferencë kur ndër të tjera veçoi fjalën e zotit Biden, i cili edhe para katër vitesh ka mbajtur fjalë në këtë lloj evenimenti. Jashtë fokusit nuk mbetën edhe problemet në Eurozonë dhe veçanërisht shteti grek. “U diskutua gjerësisht për marrëdhëniet, partneritetin me Rusinë, marrëdhëniet me Kinën. Fjala ishte shumë inkurajuese. Ndër të tjera zëvendës presidenti preku edhe çështjen e Greqisë ku ftoi Evropën të rishikojë qëndrimin ndaj atyre, që quhen standarde në mënyrë që të liberalizohet më tej tregtia midis dy anëve të atlantikut. Seancës iu adresua Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme e Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ministri i Jashtëm i Rusisë dhe mund të them se kjo përbënte edhe seancën kulmore të Konferencës së 49-të të Sigurisë në Mynih”, – u shpreh Kryeministri. Ky i fundit nënvizoi se gjatë qëndrimit dyditor në Gjermani, pati rastin të takonte dhe bisedonte me përfaqësues të vendeve të ndryshme. Gjatë deklaratës së tij numri një i qeverisë shqiptare vlerësoi rolin që SHBA jep në sigurinë e botës dhe nënvizoi se pikërisht fjala më e madhe i takon këtij vendi, si përgjegjësi kryesor për sigurinë në botë.

Konferenca

Kryeministri Berisha është duke marrë pjesë në punimet e Konferencës se 49-të të Sigurisë ne Mynih, një event ky i përvitshëm me rëndësi globale në fushën e politikës së sigurisë, e cila që nga viti 1962 angazhon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, të mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias në një diskutim të gjerë mbi çështjet kryesore të sigurisë të kohës sonë dhe sfidat potenciale në të ardhshmen. Konferenca u hap të premten nga ambasadori Wolfgang Ischinger, kryetar i KSM dhe në ditën e parë të punimeve, në disa panele të rëndësishëm, u diskutua mbi krizën në Zonën Euro dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian, mbi zbulimet e reja të naftës dhe gazit amerikan si dhe ndryshimin e gjeopolitikës së energjisë. Ndërsa dje, në ditën e dytë të saj në sesione të veçanta, u adresuan pikëpamje mbi të ardhmen e bashkëpunimit të komunitetit euro-atlantik të sigurisë, roli i fuqive në rritje për sigurinë ndërkombëtare, siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore dhe Kaukaz dhe çështje aktuale të sigurisë globale si kriza në Siri dhe Mali, energjia, siguria kibernetike. Në konferencë marrin pjesë personalitete të shteteve e qeverive nga e gjithë Bota si Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph Biden, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme e Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit William Burns, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Lamberto Zannier, si dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe mbi 70 delegacione qeveritare, si dhe drejtues të korporatave të mëdha dhe përfaqësues të medias. Presidenti serb, Tomislav Nikoliç vetëm pak ditë para takimit të 6 shkurtit në Bruksel me homologen e tij të Kosovës, ka refuzuar të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë në Munih, për shkak se në këtë merrte pjesë dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas burimeve të ditores serbe “Blic”, Nikoliç nuk do që kontakti i parë me kolegen kosovare të jetë në një mbledhje informale.

 

Kryeministri dënon sulmin ndaj Ambasadës Amerikane në Ankara

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, reagoi dje në lidhje me sulmin e ndodhur dy ditë më parë ndaj Ambasadës Amerikane në kryeqytetin turk, Ankara. Në njoftimin zyrtar të bërë publik në faqen e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë shqiptare thekson se dënon me forcë këtë sulm dhe gjithashtu shpreh besim në drejtësinë turke për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij akti. “Kryeministri Berisha dënon me forcë sulmin ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara, si një akt terrorist, që mori jetën rojës së ambasadës. Kryeministri shpreh bindjen se autoritetet turke do t’i japin përgjigjen më të rreptë ligjore, autorit të këtij akti të shëmtuar”, – theksohet në reagimin e liderit të mazhorancës.

 

Berisha: Shanse që ndërtimi i TAP të fillojë këtë vit

Në bazë të diskutimeve që u mbajtën në ditën e parë të konferencës së Mynihut, Berisha u shpreh se ndërtimi i gazsjellësit TAP është diçka shumë e rëndësishme dhe ka shanse reale që ndërtimi i tij të fillojë këtë vit. Këtë mendim ndau me të gjithë fansat e tij në rrjetin social “Facebook”, kur i përshëndeti ata me një status nga Mynihu, kreu i qeverisë shqiptare. “Nga panelistët, zyrtarë të niveleve më të larta për çështje të energjisë nga SHBA, BE, Rusia etj. u diskutua për rëndësinë e madhe të nxitjes së prodhimit të energjisë duke shfrytëzuar burimet ujore, erën, diellin si dhe domosdoshmërinë e sigurimit të burimeve të reja energjetike për Evropën, ndër të cilat edhe TAP, projekt që për ne është një fat i vërtetë. Nga debati, por dhe nga diskutimet më pjesëmarrës, rezulton se Shqipëria, me politikën tonë të shndërrimit të saj në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon dhe në një qendër të fuqishme të shpërndarjes së gazit të TAP-it në të ardhmen, do të ketë një rol nevralgjik për energjinë në rajon. Unë shfrytëzova rastin për të diskutuar për TAP-in me disa prej zyrtarëve të rëndësishëm të fushës dhe rezulton se është bindja e plotë se TAP-i është projekti më i leverdishëm dhe ka shanse reale që të fillojë ndërtimi i tij brenda këtij viti!”, – shkroi Kryeministri.

 

Panariti uron Sekretarin Jonh Kerry për detyrën

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka uruar John Kerry-n, Sekretarin e ri të Shtetit të SHBA-së për detyrën e tij. Në urimin e tij Panariti shpreh vendosmërinë e Shqipërisë për të zhvilluar bashkëpunimin e mëtejshëm. “Me lejoni t’ju siguroj për vendosmërinë dhe vullnetin e qeverisë shqiptare dhe timin personal, për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, stabilitetit dhe përparimit në botë. Po ashtu, gjej rastin të përmend vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë për të vazhduar kontributin në luftën globale kundër terrorizmit”, – shprehet Panariti. Gjithashtu, në mesazh shprehet bindja se nën drejtimin e Kerry-t, diplomacia amerikane do të avancojë agjendën e saj në drejtim përpjekjeve të pareshtura për respektimin dhe mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe zhvillimit kudo në botë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency