Akti i ri nënligjor, kur dhe si jepen me qira tokat e pandara bujqësore

0
157

Ervin Kaduku

toka“Me këtë akt garantohet që asnjë pëllëmbë tokë pjellore në vend të mos mbetet pa u punuar”

 

Me një urdhër, nr. 13, datë 15.1.2013, “Për miratimin e përmbajtjes dhe formës së kontratës tip për dhënien me qira të tokave bujqësore, të pandara”, të ministrit të Bujqësisë, është hapur rruga për një proces, me anë të të cilit, sikurse ka theksuar më se një herë Kryeministri Berisha, duhet të garantojë që asnjë pëllëmbë tokë pjellore në vendin tonë të mos mbetet pa u punuar.

 

Objekti i kontratës

Objekt i kontratës është marrja me qira e pasurisë nga ana e qiramarrësit. Kontrata hyn në fuqi në datën e nënshkrimit të saj nga palët dhe ka një afat disavjeçar, që përcaktohet shprehimisht në dokumentin në fjalë.

Palët duhet të bien dakord që vlera e shpërblimit vjetor për marrjen me qira të pasurisë të jetë X lekë/ha, sipas ofertës fituese të procedurës konkurruese dhe të përcaktuar me vendim nga autoriteti qiradhënës. Vlera e shpërblimit vjetor për marrjen me qira të pasurisë do të përcaktohet në X lekë. Pagesa e qirasë për vitin e parë të qiramarrjes kryhet në momentin e lidhjes së kontratës, ndërsa për periudhën vijuese pas çdo 12 muajsh.

Pagesa kryhet në llogarinë bankare të komunës ose bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet pasuria sipas përcaktimeve të dhëna prej tyre.

 

Detyrimet e qiramarrësit

Qiramarrësi ka për detyrim që:

Të shlyejë me kohë dhe në mënyrë korrekte çmimin e qirasë

Në rastin kur palë në këtë kontratë në cilësinë e qiradhënësit është Drejtoria Bujqësore rajonale, çmimi i pagesës vjetore të qirasë do t’i paguhet komunës/bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, sipas mënyrës së përcaktuar midis qiramarrësit, DRB-së dhe komunës ose bashkisë përfituese të çmimit të qirasë. Qiramarrësi është i detyruar të dorëzojë pranë DRB-së kopje të dokumentit bankar që vërteton pagesën e çmimit të qirasë për llogari të komunës/bashkisë.

Të përdorë pasurinë sipas kritereve të mëposhtme:

I) toka do të përdoret vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale;

II) do të ruajë funksionet natyrore që përmbush toka bujqësore si kategori resursi;

III) do të zbatojë një praktikë të mirë bujqësore

IV) toka do të shfrytëzohet mbi të drejtën e përcaktuar në nenin 17 të ligjit nr. 9244, datë 17.6.2004 “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”;

V) do të sigurojë të gjithë bazën materiale dhe infrastrukturën për kryerjen e veprimtarisë bujqësore e blegtorale mbi tokën bujqësore në përputhje me të gjitha elementet dhe kriteret e përmbajtura në kërkesën e paraqitur nga qiramarrësi pranë autoritetit qiradhënës për marrjen me qira të pasurisë;

VI) mosdhënien me nënqira të tokës bujqësore, pa marrë pëlqimin me shkrim të qiradhënësit.

Në sipërfaqen e pasurisë të realizojë mbjelljen e kulturave bujqësore, të paraqitura në kërkesën për qiramarrje, sipas një kalendari të përcaktuar paraprakisht

Të mos pengojë qiradhënësin ose persona të autorizuar të tij që në çdo kohë të ushtrojnë kontroll në lidhje me pasurinë për të përcaktuar nëse qiramarrësi respekton detyrimet dhe kushtet ligjore të legjislacionit mbi tokën bujqësore, ato të kontratës, si dhe kriteret dhe elementet e përcaktuara në kërkesën e paraqitur prej tij pranë autoritetit qiradhënës për marrjen me qira të pasurisë.

Të depozitojë dhe të regjistrojë kontratën pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Të përballojë shpenzimet e lidhura me regjistrimin si dhe shpenzimet e tjera në lidhje me kontratën.

 

Detyrimet e qiradhënësit

Qiradhënësi ka për detyrë që:

t’i dorëzojë qiramarrësit pasurinë, objekt i kontratës. Kontratës i bashkëngjitet planimetria përkatëse e pasurisë;

të mos kërkojë nga qiramarrësi pagimin e taksës vendore mbi tokën bujqësore, për të gjithë kohën që kontrata është në fuqi;

të ushtrojë kontrolle periodike mbi pasurinë, për të verifikuar nëse qiramarrësi respekton detyrimet dhe kushtet ligjore të legjislacionit mbi tokën bujqësore, ato të kontratës, si dhe kriteret dhe elementet e përcaktuara në kërkesën e paraqitur prej tij pranë autoritetit qiradhënës për marrjen me qira të pasurisë;

në çdo rast, kur konstaton se qiramarrësi e ka dhënë tokën me nënqira pa pëlqimin e tij, ka të drejtë të kërkojë prishjen e kontratës.

 

Detyrimet e përbashkëta

Kur kontrata ka një afat mbi 10 vjet, atëherë palët mund t’i kërkojnë njëra-tjetrës rinegocimin e çmimit për ha të qirasë vjetore të pasurisë në përshtatje me dispozitat e legjislacionit që rregullojnë qiradhënien e tokave bujqësore të pandara, të kohës kur bëhet negocimi. Në rast se sipas legjislacionit për qiranë e tokave bujqësore të pandara të kohës së negocimit, çmimi minimal për ha i qirasë vjetore, të përcaktuar sipas këtij legjislacioni, është më i madh se sa çmimi për ha i qirasë vjetore, të përcaktuar në kontratë atëherë, së paku çmimi i qirasë i rinegociuar duhet ta kalojë vlerën çmimin minimal.

Pretendimet e njërës palë, për ndryshim të kushteve të kontratës, i paraqiten palës tjetër 180 ditë para se të kërkohet zbatimi i veprimit të kërkuar.

Kalimi i pjesshëm ose i plotë i tokës bujqësore të dhënë me qira në tokë urbane, sipas miratimit të organeve kompetente për planifikimin e territorit, bëhet sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi.

 

Zgjidhja e kontratës

Kontrata përfundon në momentin e përfundimit të afatit të saj

Në rastin kur qiramarrësi nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, qiradhënësi i kërkon me shkrim qiramarrësit përmbushjen e këtij detyrimi brenda 3 muajve nga data e marrjes së njoftimit. Në rast se qiramarrësi nuk e përmbush detyrimin brenda këtij afati, atëherë qiradhënësi njofton qiramarrësin për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.

Në rastin kur qiramarrësi nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, qiradhënësi i njofton qiramarrësit zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.

Në rastin kur qiramarrësi nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, atëherë:

kur nuk respekton afatin e mbjelljes së kulturave, qiradhënësi i kërkon me shkrim qiramarrësit përmbushjen e këtij detyrimi brenda vitit bujqësor pasardhës. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi brenda afatit të njoftuar nga qiradhënësi, atëherë ky i fundit e njofton me shkrim qiramarrësin për zgjidhjen e kontratës pas një afati prej 6 muajsh nga marrja e njoftimit;

kur nuk respekton mbjelljen e llojit të kulturave të përcaktuara në kërkesën për qiramarrje, si dhe sipërfaqen përkatëse të përcaktuar në këtë kërkesë, atëherë qiradhënësi e njofton me shkrim qiramarrësin për zgjidhjen e kontratës pas një afati prej 6 muajsh nga marrja e njoftimit.

Në rastin e zgjidhjes së parakohshme të kontratës, qiramarrësi nuk do të kërkojë asnjë kompensim të investimeve të trupëzuara në tokën bujqësore, si p.sh.: kulturat bujqësore shumëvjeçare, si dhe vepra kulluese e ujitëse.

 

Sanksione

Qiradhënësi paguan gjobë 1% të çmimit të qiradhënies për çdo ditë vonesë në dorëzimin e tokës, duke filluar nga data e përcaktuar në procesverbal për dorëzimin e tokës dhe të shënuar në këtë kontratë.

Qiramarrësi paguan gjobë 1% të detyrimit për çdo ditë vonesë në pagesën e qirasë, duke filluar nga data e përcaktuar në këtë kontratë.

 

 

Abuzime të zbuluara te pensionet, rritje moshe me … 22 vjet!

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh dy shkelje flagrante

 

Gjatë punës së bërë nga organet përkatëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, qëllon që të zbulohen falsifikime të qytetarëve të ndryshëm lidhur me moshën e tyre, për të përfituar në mënyrë të padrejtë pensione, kur nuk kanë plotësuar kontributet e parashikuara për to nga ligji shqiptar. Ndër to, kohët e fundit, raporton ISSH, është zbuluar edhe një rast flagrant, ku një shtetase nga Tirana ka deklaruar sikur kishte lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por në fakt i përkiste një brezi krejt tjetër, duke qenë se datëlindja e saj reale ishte 1965-a. Gjatë kontrollit të dokumenteve, është zbuluar një fakt i tillë skandaloz, për të cilin qytetarja në fjalë duhet të përballet tanimë me Prokurorinë për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Sa më poshtë, janë dy shkeljet më të fundit të zbuluara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

 

1. Falsifikim moshe

Qytetares A. B., me dosje pensioni nr. 114431, vendlindja Tiranë, i është lidhur pension për punë të kategorisë III, me 27 vjet e 4 muaj vjetërsi në punë. Masa fillestare e pensionit: 4.500 lekë/muaj.

Nga verifikimi i dosjes së pensionit u arrit në konkluzionin se qytetarja në fjalë, për të përfituar pension, ka falsifikuar datëlindjen e saj me 22 vjet, pra ka dorëzuar një certifikatë lindjeje, në momentin e aplikimit, me datë lindjeje 12.8.1943, ndërsa në realitet ajo i përkiste datëlindjes 12.3.1965.

Abuzimi: 22 vjet falsifikim moshe.

 

2. Falsifikim moshe

Qytetares D. C., me dosje pensioni nr. 115277, vendlindja Skrapar, i është lidhur pension për punë të kategorisë III, me 29 vjet e 6 muaj vjetërsi në punë. Masa fillestare e pensionit: 4.000 lekë/muaj.

Nga verifikimi i dosjes së pensionit u arrit në konkluzionin se qytetarja në fjalë, për të përfituar pension, ka falsifikuar datëlindjen e saj me 6 vjet, pra ka dorëzuar një certifikatë lindjeje, në momentin e aplikimit, me datë lindjeje 17.10.1943, ndërsa në realitet ajo i përkiste datëlindjes 17.1.1949.

Abuzimi: 6 vjet falsifikim moshe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency