Regjistrimi Për fëmijët e klandestinëve, kërkesa paraqitet dorazi

0
163

femijetSistemi online kërkon kodin fiskal të prindërve, kështu që përjashton ata pa leje qëndrimi. Ministria e Arsimit: Të paraqesin kërkesën e regjistrimit pranë shkollave

 

Nga mesi i janarit janë hapur regjistrimet e fëmijëve në të gjitha nivelet e shkollës së detyruar për vitin akademik 2013-2014, me një risi shumë të rëndësishme: gjithçka duhet bërë online. Prindërit duhet të lidhen me sajtin e Ministrisë së Arsimit “www.iscrizioni.istruzione.it”, të regjistrohen e më pas të përpilojnë dhe të nisin kërkesën telematikisht. Mund ta bëjnë në çdo orë të ditës, përfshirë të shtunë e të diel, mjaft të përmbyllin procedurën brenda 28 shkurtit. Në një vështrim të parë duket gjithçka më e thjeshtë.

Informacioni

Nuk është tamam kështu, sepse sistemi informatik i Ministrisë së Arsimit duket se nuk po e përballon dot fluksin e lartë të kërkesave, që në tri ditët e para kishte arritur në 130 mijë e herë funksionon e herë bllokohet. Por një problem më i madh ka lindur për fëmijët e emigrantëve me qëndrim të parregullt. Mes të dhënave të detyrueshme që duhen shkruar në kërkesë, është edhe kodi fiskal i prindërve, por kur këta nuk kanë leje qëndrimi, nuk kanë as kodin. Kështu që regjistrimi është i pamundur. Edhe pse ligji i emigracionit parashikon (me gjithë propozimin e legistëve që shkonte në drejtim të kundërt) që shkollimi i detyruar është e drejtë/detyrim për të gjithë të miturit, pavarësisht nëse prindërit e tyre kanë apo jo lejen e qëndrimit.

Situata

Më 23 janar edhe Rrjeti i Studentëve Medi paditi këtë situatë. “Është e papranueshme, – tha zëdhënësi kombëtar Daniele Lanni. – Regjistrimi duhet të jetë i mundur edhe për bijtë e emigrantëve pa leje qëndrimi, ashtu siç parashikon neni 38 i tekstit unik për emigracionin, e ministria duhet të marrë masat për modifikimin e formularit të kërkesës së regjistrimit sa më parë. Të njëjtën ditë ministria “mori masat”. Modifikoi sistemin informatik? Jo, por ftoi të gjithë të huajt e parregullt të marrin kartë e penë, të shkruajnë me dorë kërkesën e të vihen në radhë përpara shkollave për ta dorëzuar. “Siç dihet, – lexohet në një komunikatë të ministrisë, – regjistrimi duhet t’u garantohet të gjithë nxënësve që kanë të drejtën e detyrimin e shkollimit, edhe pse, në çastin e regjistrimit janë pa leje qëndrimi e për rrjedhojë pa kodin fiskal. Prindërit e këtyre nxënësve duhet të shkojnë pranë sekretarive të shkollave që e kanë për detyrë të pranojnë kërkesat e regjistrimit”.

 

Elvio Pasca/shqiptariiitalise.com

 

Inspektimet

Në ish-Bllok, harresë prej dy dekadash, Basha: Ndërhyrjet, në qendër dhe periferi

Pas një harrese prej dy dekadash kanë nisur dje punimet në rrugën “Pjetër Bogdani”, në njësinë bashkiake nr. 5. Rrugë, e cila shtrihet përgjatë zonës së njohur si ish-Blloku, në kryeqytet ishte kthyer në një shqetësim të madh për banorët, njësitë tregtare, por edhe për qytetarët e shumtë që e frekuentojnë këtë pjesë të Tiranës. Punimet në këtë rrugë parashikojnë ndërtimin e kanalizimeve, ujësjellësit, ndriçimin, gjelbërimin etj. Nisja e punimeve në rrugën “Pjetër Bogdani” dhe “Brigada VIII”, në zonën e ish-Bllokut apo bulevardin “Petro Nini Luarasi” dhe Rrugën e Dibrës hedhin poshtë pretendimet se vëmendja e bashkisë është përqendruar vetëm në periferi. “Ndërhyrjet shtrihen anembanë qytetit. Përshtypja se këto ndërhyrje shtrihen vetëm në periferi është e gabuar, sikundër përshtypja se qendra nuk ka nevojë për ndërhyrje të thella është e gabuar. Për këtë mjafton të pyesim qytetarët e rrugës “Pjetër Bogdani”, të cilët e dinë fare mirë se në këtë zonë nuk pasur asnjë ndërhyrje thelbësore në 20 vitet e fundit. Sot madje, gjatë takimit me qytetarët m’u vu në dukje se ka rrugë, pikërisht në këtë zonë, ku nuk është ndërhyrë që në vitet ‘70, gjë që do të thotë se sfidat tona janë të mëdha, por njëkohësisht është i madh edhe përkushtimi ynë, vendosmëria jonë dhe falë kapaciteteve e vullnetit të ri të kësaj administrate, edhe mundësia jonë për t’u dhënë banorëve të qytetit të Tiranës, në qendër apo periferi cilësinë e munguar të infrastrukturës, që është e pandarë nga cilësia e re e jetës në qytet, si angazhimi im primar si kryetar i bashkisë”, – u shpreh z. Basha. Punimet në këtë rrugë me gjatësi 540 metra do të zgjasin për një afat 6-mujor dhe po kryhen në segmente të ndara, për të minimizuar impaktin në lëvizje, duke qenë se është një nga zonat me fluks të lartë të qarkullimit të qytetarëve dhe mjeteve. Me një investim prej 40 milionë lekësh, nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, por edhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve të qeverisë shqiptare, rruga do të ketë një gjerësi 6 metra dhe trotuare nga 2 metra. “Përfundimi i punimeve, së bashku me disa prej arterieve kryesore të kësaj zone e cila njihet si ish-zona e Bllokut do t’u japë banorëve cilësinë e munguar të infrastrukturës, do të përmirësojë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së tyre të përditshme dhe do i japë kryeqytetit një arterie të standardit evropian, për sa i përket përshkueshmërisë dhe jo vetëm lagjes ku jep impaktin për banorët. Përkrah planit urbanistik dhe zhvillimeve që ai do të sjellë në hartën e qytetit të Tiranës, në periferi dhe qendër, ne nuk do të ndalim investimet. Nuk do të ndalim investimet edhe aty ku nuk është investuar prej shumë kohësh, sikundër poshtë asfaltit, në zonat kryesore të qendrës ndodhen “infrastruktura” të shkatërruara apo mungesa totale të infrastrukturës, ndaj edhe nevoja për të përparuar me investime publike anembanë qytetit është evidente. Për këtë arsye, sot ndodhemi këtu, për të përparuar me investime, në të njëjtën mënyrë siç bëjmë edhe në periferi, pasi përshtypja se vetëm periferia ka mbetur pa u ndërtuar është thellësisht e gabuar”, – theksoi kreu i bashkisë, Lulzim Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency