Puna vullnetare, propaganda dhe Dritëro Agolli

0

Çelo Hoxha

Loading...

driteroiShkrimtarët luajtën një rol të rëndësishëm për shfrytëzimin për mobilizimin e rinisë në punë vullnetare, e cila ishte një nga krimet e diktaturës

 

1.

Sipas teorisë kineze, revolucioni kulturor ishte faza e dytë (ose një fazë e re) e revolucionit socialist. Faza e parë e këtij revolucioni kishte qenë shkatërrimi (propaganda e diktaturës përdoret termin transformim) i marrëdhënieve të pronës dhe mjeteve të prodhimit, elementëve të djathtë borgjezë në shoqëri dhe një grushti përfaqësuesish të borgjezisë – gjithmonë duke iu referuar artikujve kinezë të botuar në shtypin shqiptar të vitit 1967 – që gjendeshin në gjirin e partisë komuniste.

Me kolektivizimit e fundit, në këtë periudhë mori fund dhe në Shqipëri faza e parë e të ashtuquajturit revolucion socialist. Pra, përfundoi shkatërrimi i marrëdhënieve tradicionale të pronës dhe mjeteve të prodhimit dhe ishin krijuar kushtet për t’u marrë me diçka tjetër: shkatërrimin e kulturës tradicionale. Këtë iniciativë politike propaganda e diktaturës e maskoi si luftë kundër zakoneve prapanike, burokratizmit, dembelizmit dhe për emancipimin e gruas.

Në krye të kësaj veprimtarie u vendos rinia, brezi lehtësisht i manipulueshëm i shoqërisë, e cila u mobilizua si në gjendje lufte.

Qëllimi i këtij aksioni ishte shkatërrimi i traditës së shoqërisë, e cila bëhej pengesë për depërtimin e ideve komuniste. Duke u sjellë sipas traditave, qytetarët ruanin identitetin e tyre tradicional, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me identitetin komunist që do të formonte kupola drejtuese e diktaturës. Brezi i vjetër i qytetarëve, pavarësisht se ishin nënshtruar, ata rezistonin në heshtje, pikërisht duke e respektuar traditën e tyre sikur nuk kishte ndodhur asgjë në jetën e tyre. Duke e kuptuar këtë, regjimi u përpoq ta shkëpuste rininë nga gjiri i familjes dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishin aksionet në fronte të ndryshme punës, mundësisht larg familjes.

Viti ‘67 ishte më i frytshmi në realizmin e këtij krimi kombëtar. Enver Hoxha ishte i angazhuar personalisht, duke komunikuar thuajse përditë me letra të hapura drejtuar personave ose grupeve të ndryshme. Në fakt, letrat e tij, në të shumtën e rasteve, ishin përgjigje. Rregulli i pashkruar ishte që të parët shkruanin individët ose grupet, të cilët i shprehnin atij gatishmërinë për punë etj.

Në vitin 1967 filloi të flitej për punën vullnetare dhe aksionet me një ritëm marramendës. Të gjitha faqet e gazetave u kushtoheshin aksioneve dhe punës vullnetare, me artikuj, letra, kujtime, poezi, tregime. Vetëm në faqet e fundit të tyre kishte ndonjë shënim të shkurtër për luftën në Vietnam ose ndonjë gjë negative nga e ashtuquajtura botë kapitaliste.

Puna vullnetare ishte përdorur dhe më herët në Shqipëri, sidomos në vitet e para pas luftës, por kësaj here propaganda ishte latuar disi. Në vitet e para, për shembull, jepeshin lajme të tilla që kaq vullnetarë nga Gjirokastra bënë kaq orë punë vullnetare dhe i kursyen pushtetit x lekë. Kursimi rridhte prej faktit që ata nuk ishin paguar. Në vitet gjashtëdhjetë kjo aritmetikë nuk përdorej në lajmet nga puna vullnetare.

Nga gazeta “Zëri i rinisë”, për shembull, të krijohet përshtypje sikur të rinjtë shqiptarë rrinin në radhë të gjata e me ditë të tëra për të firmosur për të shkuar vullnetarë. Në 4 janar, titulli kryesor i “Zërit të rinisë” ishte: “Fletorja ku shkruhen emrat kalon dorë më dorë”. Firmosja paraqitej si një veprim i vullnetshëm i të rinjve, por nuk ishte kështu. Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, vegël e PPSH-së, kishte lëshuar një thirrje për të rinjtë që të merrnin pjesë në aksione. Thirrja, në fakt, ishte urdhër. As që bëhej fjalë e të kundërshtohej, sidomos në mënyrë publike. Pra, regjistrimi vullnetar nuk ishte aq vullnetar sa paraqitej nga propaganda.

Deri në 4 janar, sipas burimeve zyrtare, ishin regjistruar 60.143 vullnetarë për në hekurudhën Rrogozhinë-Fier.

Në 7 janar, “Zëri i rinisë” kishte botuar një artikull me titull: “Dorë më dorë”. Loni Papës, autorit të tij, ose atij që ia kishte sugjeruar idenë, i kishte shkuar mendja të joshte vullnetarët me mënyra të tjera. Në atë reportazh flitej për përfitimet nga aksioni: mbrëmje vallëzimi, tituj sulmues dhe fletë lavdërimi. Vallëzimi në atë periudhë kishte fuqinë dehëse të drogës, sepse kontakti aq i afërt me femrën nuk ishte diçka që kishte ndodhur shpesh në shoqërinë shqiptare të deri atëhershme.

KQ i BRPSH kishte shpallur dhe një konkurs për “Tekste kënge për rininë”. Çmimin e parë e mori Aleks Çaçi me këngën “Fluturon kënga jonë”. Çmimin e dytë e mori Vehbi Skënderi me këngën “Kënga për rininë”. Çmimin e tretë e mori kënga e Andon Marës “Ky vrulli ynë luftarak”. Kishte edhe këngë të tjera, që qarkullonin gojë më gojë, ose që autorët e reportazheve i kanë shpikur gjatë kohës së shkrimit të artikullit, si kjo: “O shokë dhe shoqe përpara/ Partia Enveri me ne/ Në punë me norma me gara/ Që treni të ecë rrufe”.

Numri i vullnetarëve rritej nga ditë në ditë. Sipas shtypit, në 13 janar ishin regjistruar 100.000 vetë për hekurudhën Rrogozhinë-Fier. Puna s’kishte filluar ende.

Aq masiv ishte bërë regjistrimi, saqë organizata e rinisë së vaporit “Liria”, i cili ndodhej në udhëtim jashtë shtetit, e dërgoi me radiogram vendimin e saj për të dalë “vullnetarisht, unanimisht, e gatshme të shkojë në aksion, në hekurudhën Rrogozhinë-Fier”.

Në 26 janar 1967, radion Tirana transmetoi për herë të parë katër këngët e reja që do të këndoheshin nga vullnetarët gjatë muajit shkurt. Këngët i kushtoheshin hekurudhës, që ende s’kishte nisur, Rrogozhinë-Fier. Gazeta u bënte thirrje lexuesve që t’i dëgjonin dhe t’i mësonin këngët përmendësh. Nga katër këngët, ajo me tekst të Robert Shvarcit dhe muzikë të Nikolla Zoraqit ishte botuar në gazetë me tekst dhe partiturë. Ilidien Spase, botoi në të njëjtën kohë, dramën me dy akte “Përshëndetje nga aksioni”. Koçi Petriti shkroi poezinë: “O kohë e akioneve të mëdha”. Veprat letrare me këtë frymë, të botuara në shtyp, janë të shumta.

 

 2.

Në kujtesën e qytetarëve shqiptarë dhe në tekstet e letërsisë disa autorë vazhdojnë të respektohen si “shkrimtarë të mëdhenj”, pa ua njohur mirë historinë e udhëtimit të tyre drejt lavdisë. Ajo është e shkruar me kufoma.

Ata që ndryshe thirren dhe si shkrimtarët që u shfaqën në letërsinë shqiptare në vitet ‘60 të shekullit të kaluar duhet t’i nënshtrohen një ekzaminimi më të hollësishëm për të zbuluar të vërtetën. Dhe e vërteta do na çlirojë të gjithëve.

Ata shkrimtarë u prodhuan nga revolucioni kulturor, një iniciativë politike e organizuar nga PPSH, e huazuar nga Kina, në gjysmën e dytë të viteve ‘60, kur ajo ishte kthyer në aleaten e vetme të jashtme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në Kinë revolucioni kulturor kishte filluar në fillim të asaj dekade.

Në këtë periudhë u prodhuan heronj me shumicë dhe shkrimtarë “të shquar” me bollëk. Heronjtë ishin viktima të kushteve të vështira në punë, ose të pakujdesisë së tyre në respektimin e kushteve teknike. Shkrimtarët ishin viktima të egos së tyre për të bërë emër me çdo kusht e me çdo çmim, duke mos kursyer asnjë shërbim, qoftë dhe kriminal.

Të gjitha gazetat, të cilat dilnin nën kontrollin e PPSH, vepronin si vegla të një orkestre për të propaganduar politikat e saj.

Viti 1967 filloi me propagandën e madhe të aksioneve vullnetare për ndërtimin e hekurudhave, hapjes së tokave të reja, etj, në përgjigje të parullës së Enver Hoxhës: “T’u qepemi maleve dhe kodrave dhe t’i bëjmë pjellore si dhe fushat.

Dritëro Agolli, për shembull, ishte pena e preferuar e partisë për t’i ngarkuar detyra “të mëdha”. Ai ishte penë ekskluzive e gazetës zyrtare të PPSH, i cili shkruante për aksionet vullnetare, luftën kundër burokratizimit, luftën kundër zakoneve prapanike, luftën kundër fesë, në thelb, luftën kundër asaj që në ato vite mund të konsiderohej kulturë shqiptare.

Në fillim të vitit 1967, 1 janar, Dritëro Agolli botoi artikullin “Një vit me bashkëkohësin tim”. Gjatë vitit 1966, personazhi imagjinar i Dritëroit, bashkëkohësi, kishte zmbrapsur “shkëmbinjtë e Gramozit e Kulmakut, Kurveleshit e Vrithit, Bizës e Fushë-Studenit, që të kalonin drithi e patatja”. Sipas tij, imagjinata e bashkëkohësit ishte kthyer në imagjinatë lope. “Kurrë ndonjëherë bashkëkohësi im nuk ka menduar kaq shumë për drithin se sa këtë vit”, shkruante Dritëroi. Artikulli mbyllej kështu: “Bashkëkohësi im hyn në vitin 1967. Horizonte të tjera dalin para syve të tij, horizonte të ndritura të jetës sonë. Frymën revolucionare të 1966-ës, ai ka për ta çuar më lart, më përpara”.

Dhe vërtetë 1967-a filloi me frymën e aksioneve të mëdha. Dy artikuj të tij që po i botojmë të plotë ndihmuan në mobilizimin e njerëzve për të shkuar në aksione. Qëllimi i artikujve duket që në tituj: “Rini e 1967-ës” dhe “Nisen ata, nisen”.

Këto dy artikuj, për nga forma, janë në nivel vulgar. Gazetarët e kuptojnë më mirë se kushdo se me një artikull të tillë sot nuk të merr kush në punë. Jo për përmbajtjen, por formën, stilin. Përmbajtja, pastaj, bën të qartë diçka: autori i këtyre artikujve është thjesht një zgjatim i diktaturës. Emrin si shkrimtar e gazetar e fitoi për shërbimin që i bëri regjimit dhe jo cilësinë profesionale që ka ofruar në fushën e letërsisë dhe gazetarisë shqiptare. Vizualisht, ajo çfarë Dritëro Agolli përfaqëson në letërsinë dhe gazetarinë shqiptare mund ilustrohet me partizanin Meke te filmi “Krevati i Perandorit”, me skenar të vetë Dritëroit: një injorant, veshur me zhele e llangosur në baltë, i cili hyn në një godinë luksoze gjithë arrogancën dhe provincializëm. Por të dy, edhe Meke, edhe Dritëroi, kanë një instrument shumë të fuqishëm, që i rreshtonte në anën e “të drejtës”: i pari kishte pushkën, i dyti penën. Dy instrumente dhune.

Në artikullin “Nisen ata, nisen…”, Agolli përmend si akt heroik të Mara Tarazhit vajtjen vullnetare në hekurudhë dhe e anashkalon faktin që ajo braktisi foshnjën në gji. Ai himnizon gruan që ka braktisur rolin e nënës.

Dritëroi në këtë periudhë ka shkruar dhe një reportazh për kolektivizimin në Hot, Shkodër, me titull: “Brazdat pa sinor”. Ai shkruan: “Malësorët hyjnë në kooperativë bujqësore, bashkojnë tokën e mjetet e prodhimit, edhe atje ku arat janë të pakta. Kjo është një veti e kohës së sotme, veti e viteve të gjashtëdhjetë të shekullit tonë. Ata kanë për të lulëzuar malet ashtu siç tha kongresi i 5-të i Partisë së Punës. Flaka e zjarreve që djeg ferrat, gjembat dhe gjerdhet e ledheve kanë ndarë “imja” dhe “jotja” shekuj me radhë në malësi, ndrit shtigjet malësore..”. Për ironi, njeriu që mori lejen për kioskën e parë në Tiranë, në fillim të viteve ‘90, sipas një interviste të kryebashkiakut të kohës, ishte armiku i pronorëve “imja” dhe “jotja”, Dritëro Agolli.

 

3.

Angazhimi i qindra mijëra njerëzve, për vite me radhë, në punë vullnetare ende nuk është parë me sy kritik dhe të vlerësohet për atë që ishte: punë skllavëruese. Filozofia është e qartë: puna vullnetare është punë pa pagesë, puna pa pagesë është skllavëri. Nuk ka ndonjë sekret të madh për të arritur në këtë konkluzion dhe për ta trajtuar punën vullnetare (që në prapaskenë ishte e detyruar) si një manipulim i regjimit, për të cilin shqetësimi i njeriut nuk ishte jeta e njeriut dhe mirëqenia e tij, por veprat propagandistike. Hekurudha dhe shumë vepra të tjera të asaj periudhe ishin thjesht vepra propagandiste, të një logjike ekonomike të dështuar. Kjo duket qartë sot që hekurudhat kanë dalë jashtë funksionit. Asnjëherë nuk është folur seriozisht për viktimat e punës vullnetare. Të flitet realisht si viktima dhe të bëhet një bilanc i plotë i tyre. Disa që u bënë publike në kohën e aksidenteve nuk u trajtuan si viktima, por si heronj. Askush nuk mbajti përgjegjësi për vdekjen e tyre. Madje, vdekja tyre u bë publike pasi u dekoruan ose pasi prindërit e tyre i shkruan Enver Hoxhës se ia kishin falur gjakun e tyre, se nuk kishin qarë për ta, e kësi marrëzish. Ata njerëz meritojnë të respektohen dhe njerëzit që i manipuluan të shkonin në ato aksione skllavëruese.

Tani kemi dhe një model që na i lehtëson mundësinë për të kuptuar situatën. Në dekadën e fundit në Shqipëri janë hapur me mijëra kilometra rrugë, një pjesë në terrene të vështira. Rruga e kombit ka një tunel me kilometra të gjatë, një tjetër tunel po hapet në rrugën Tiranë-Elbasan, por s’ka pasur asnjë viktimë dhe askush nuk ka punuar për pushtetin. As nuk është angazhuar gjithë rinia në punë “vullnetare”. Ata që kanë punuar janë shpërblyer. Kjo duhet të kishte ndodhur dhe gjatë dekadave të diktaturës, sikur pushtetin mos ta kishin marrë komunistët: njerëzit të punonin, të shpërbleheshin, të bënin një jetë normale.

 

 

Rini e 1967-ës

Dritëro Agolli

 

Atdheu im është i lashtë dhe rudhat i ka të lashta, por buzëqeshja e tij është rinore, dhe e bukur. Është rinore, ndofta, sepse në të është derdhur dhe koncentruar gjithë buzëqeshja e gjeneratave të rinisë, e gjeneratave të bijve dhe bijave të tij. Dhe kështu ka për të qënë ai në shekuj: i lashtë dhe i ri, i lashtë dhe i ri! Rudhat e tij fisnike dhe të urta, gjeneratat e reja i kanë njomur me gjak të ri e me djersë të re. Kanë shpërthyer në këto rudha mijëra xhevahirë të ndritur… Nuk e di se në ç’libër, nuk e di se në ç’kapitull një shkrimtar e mendimtar i madh ka shkruar këto radhë për rininë: Ti je gëzimi, aroma, shpresa e jetës; në ty janë të gjitha mundësitë që janë edhe në një gonxhe që shpërthen. Ti je shëndeti, ti je bukuria, ti je lumtëria. Ti je fillimi i një libri, e para faqe e mrekullueshme e tij, që e lexojmë pa u lodhur; ti je agimi i ditës, kur zemra rreh me gëzim; ti je frymëzim krijimtarie që të mahnit e të duket i pashtershëm..”. Janë fjalë e ndjenja të bukura nga thellësia e shpirtit. Ne u japim të drejtë këtyre ndjenjave duke parë rininë tonë të bukur, rininë e 1967-ës, që po e pasuron përmbajtjen revolucionare të kohës shqiptare. Nuk ka mal e kodër ku të mos rrahë një kazmë, ku të mos ndritë një mendim, ku të mos ndjehet një buzëqeshje rinore. I shikon njeriu malet e kodrat nga larg të rënduara nga dëbora dhe i duken sikur janë hijerëndë e të zhytura në qetësinë antike. U afrohet njeriu këtyre maleve e kodrave dhe fillon të ndjejë rrahjen e jetës: janë të rinjtë që punojnë për t’u dhënë atyre gjallëri. Dhe në çdo zemër të re është një besim: “Malet do të shtrojnë sofrën, sofrën e ngarkuar me bukë!” Të duket sikur asnjë herë nuk patur në male kaq besim, kaq ëndërra, kaq këngë. Male të vjetra, rini e re! Një aleancë e mahnitshme, një shënjë nga më të shkëlqyerat të kohës pas Kongresit të 5-të të PPSH.

Ditët e para, atëherë kur 1967-ta nisi udhën nëpër Shqipëri, kam qenë pranë maleve të ftohta të Veleçikut, kam kaluar në gërxhet e Reçit, Dedajve, Hotit; kam parë se si djemtë e rinj e vajzat e reja të fushave e rafshirave të Dobraçit dhe Koplikut kishin shkuar për të nguluar kazmat në malësi. Mua më dukej sikur ata, me duar e me dhëmbë, mundoheshin për ta shtrirë qëllimin e fushës gjer mbi këmbët e maleve. Malet nuk i linin që ky qilim të shtrihej deri atje, sepse nxirrnin përpara gurë, shkëmbinj e lisa të rrëzuar nga rrufetë. Por ata i spastronin me shpatullat e tyre dhe qilimi i fushës tërhiqej e shtrihej më tutje, më tutje, sepse në këtë qilim gatitet për t’u shtruar sofra me bukë…

–          Këtu do ta shtrojmë këtu! – thoshin ata duke treguar me kokë gërxhet.

Përbuzës të sentimentalizmave, revolucionarë të rinj, me armët e ideve të partisë në gjoks, bëjnë pluhur meskinitetet e skepticizmat. Nuk ka guxim të thotë kush:

–          Bah! Lerini ore, të qetë malet! Nemelazëm!

–          Poshtë qetësia! – u përgjigjen ata, siç thoshim ne më 1947, njëzet vjet më parë, kur çponim malet me një qysqi, me një vare e me një sëndyqkë me dinamit për të kaluar treni.

Kur shkova në Dedaj të malësisë së Shkodrës u ndava nga udha dhe hyra në një kasolle, nga çatia e së cilës delte një tym i madh, sikur të kishte rënë zjarri. Ishte kohë dreke dhe kisha uri. Para meje qëndronin dyzet të rinj. Tetëdhjetë sy u drejtuan nga dera. Tymi mbulonte atë hajat përdhes. Në formën e një U-je të madhe ishte krevati i tyre. Era frynte nga hatullat, nga të çarat e murit, nga dera. Ata qeshnin, bënin shaka, këndonin. Ishin vullnetarët e rinj revolucionarë, të ardhur nga fusha e Koplikut. Më dhanë mua një copë bukë me djathë dhe hëngra me ta. Ishte e shijshme ajo bukë. Pastaj u dëgjuan zëra:

–          Kompania e parë, pas meje!

–          Kompania e dytë!…

Duallën në gërxhet. I pashë si ndiheshin me shkrepat dhe rrënjët e trasha të trungjeve shekullorë. Më shëmbëllente sikur nga fundi i atyre gërxheve gjëmonte zëri i bukës: “Këtu jam o bij, këtu!”. Dhe nga muskujt e tyre shkëputeshin margaritarë dhe binin, duke shkrirë dëborën që qimtonte. Ishte djersa e tyre.

Kalova në malet me gështenja të Reçit. Si harqet e një amfiteatri antik unë pashë muret e taracave të ndërtuara nga të rinjtë e të rejat e fushave të Dobraçit.

–          E kena gjithë fushën deri atje, – tha vajza Felek Rama.

–          E kena mbështetë dheun me mure, që buka mos rrëzohet nëprrue, – tha një i ri.

–          E merr kokrrën e grurit në pllambë. E lehtë asht! E lehtë, po këtu duhet mbajtë me mure si të Rozafës, – tha një tjetër.

Feleku është 16 vjeç. Në moshën 16 vjeç, njëzet e katër vjetë më parë, i ati i saj, Shuaip Rama, këtu në këto gërxhe ka luftuar në luftën e dëgjuar të Reçit. Po, po, këtu ku ngulet kjo kazmë ai ka parë se si ka rrjedhur gjaku i shokut të tij në rrënjët e një luleje mali. Dhe u përkul lulja në fytyrën e tij të zbehtë, sikur të thoshte: “Fli pak, vëlla, fli!” Ai burrë i ashpër është kujdestar i vullnetarëve. Edhe ai ka ardhur me ta. E duan këtë burrë të rinjtë, kanë dëshirë ta shohin kur ngul kazmën, kur bën çakëllin e taracave.

– Gjashtëmbëdhejtë vjet isha atëherë. Jam sot dyzet vjet. Ende në rrëmba rreh rinia! Rreh! – u thotë ai vullnetarëve. Dhe kazma gjëmon, dhe ëndërrat joshin në kaltërsi mahnitëse…

Rini e 1967-ës! Derdhi margaritarët e tu në rudhat e Atdheut tënd të lashtë dhe të ri, të bukur dhe të fortë!

 

(Zëri i popullit, 18 janar 1967)

 

 

Nisen ata, nisen…

DRITËRO AGOLLI

 

1.

Ata janë si dasmorët e parë. Mblidhen në një shkollë të vogël, në një vatër kulture të vogël, në një komitet rinie të vogël. Kuvëndojnë se kur do të nisen, ku do të zënë vend, ku do të hedhin kazmën e parë. Dhe synojnë ata, siç synojnë ujrat e Devollit dhe Osumit, Semanit dhe Shkumbinit, drejt Myzeqesë… Myzeqeja e gjelbër dhe e kaltër i pret, i pret e larë nga shirat e dimrit dhe e rrahur nga valët e detit. Të parët kanë shkuar dasmorët lajmëtarë. Kanë ngritur ata barakat dhe fjetoret dhe vatrat nuk i kanë lënë pa zjarr. «Vinë! Më një shkurt vinë» – thonë lajmëtarët. Vinë e sjellin në Myzeqe erën e dëborave të Kukësit e Tropojës, Dibrës e Matit, Korçës e Kolonjës; vinë e sjellin erën e portokajve të Sarandës e Delvinës, Himarës e Vlorës; vinë e sjellin erën e furtunave të Skraparit e Mokrës, Pukës e Mirditës – sjellin të gjitha këngët shqiptare…

E neve, që parmenda e kohës na ka lëruar ballin e ka hapur brazda të thella e flokët na i ka mbuluar me brymë, na pushton një mail dhe dëshirojmë të jemi në ato baraka të mbushura me këngë. Pothuajse një çerek shekulli të shkuar, ende pa i hequr nga brezi vezmet me fishekë, ende pa çvarur nga supi pushkën, ne erdhëm në hekurudhën Durrës-Peqin. Ja, kështu ishim ne – të rinj e të bukur. Edhe ne dërguam të parët lajmëtarë – dasmorë. Por lajmëtarët tanë nuk ndërtonin vetëm baraka për të na pritur ne; ata pastronin rrugën, ku do të hidhnim kazmat e para, e pastronin nga minat që kish ngulur fashizmi, prishnin me qysqi e dinamit bunkerët e mbetur, strofkat e mitralierëve nazistë. O! atëhere njeri nga lajmëtarët tanë, me një këngë të bukur në gojë, tek ulte e ngrinte kazmën, goditi një minë… Dhe mina ja këputi për gjysmë këngën e bukur. E para vjershë që shkrojta unë, gjashtëmbëdhjetvjeçari i asaj kohe, tregonte për këngën e djaloshit, për këngën e lënë për gjysmë…

Në të gjelbrën e në të kaltërtën Myzeqe, ku do të zgjatet udha e hekurt, nuk mbetet kënga për gjysmë. Ajo del nga gjokset e tingëllon prej saj shina e hekurt, si teli i një kontrabasi të madh, dhe dridhen prej saj fleta e grurit dhe dega e hardhisë. Nuk humb ajo as në ujin e fjetur të Tërbufit, por shkon nëpër hapësirë, gjer ku puqet horizonti…

2.

Me shokët e mij, veteranë të hekurudhave të para dhe aksioneve të para, pardje isha edhe unë kur mblidheshin të rinjtë për të kuvenduar në një komitet rinie. Ndodhi kjo në Tiranë. Atëhere ne i ramë me bërryl njeri-tjetrit: «Kush tha se ne u mplakëm?» Na godiste në deje gjaku i ri, ai gjak që kishte goditur njëzet vjet më parë, kur mblidheshim në ndonjë kasolle nën tingujt e gajdeve, fyejve dhe gëmetave e thoshim: «Kur do të nisemi?» Kështu thonë edhe ata njëqind djem e vajza të Tiranës që nisen në shkurt për në hekurudhën Rogozhinë-Fier. Nga mesi i të njëqindve ngrihet një endëse e re. Është Ervehe Fejzua.

-Janë si legjenda të vërteta ato që tregojnë ndërtuesit e hekurudhave të para. Ne shpesh kemi thënë me vete: «Si nuk ishim atëhere në këtë moshë për t’ua lehtësuar atyre mundin, për t’u përleshur me shkëmbinjtë bashkë me ta, që edhe në të tregonim, të tregonim për atë kohë! Por ja që heroizmi vazhdon. Edhe ne, mespërmes Myzeqesë së bukur, do t» shtrojmë udhën e hekurt. Dhe kur të kalojmë me tren ndonjëherë do të themi: “Këtë udhë e ngritëm ne!»

Eh, vajzë e re! Sa ti ishte në kohën e hekurudhës së pare edhe shoqja jonë, mirditorja Marte Tarazhi. Ajo kishta një fëmijë të vogël në gji. E la atë dhe hyri në vullnetarët. Si fener ajo lëvizi në Mirditën me mjergull, ku përgjonin fanatikët dhe bandat armike. Dhe një ditë e zunë. Pranë një çinari të madh ja qethën flokët dhe i ngulën dy thika në zemër. Po feneri nuk u shua, ai lëvizi e lëvizi në Mirditën me mjergull. Na erdhi neve lajmi në hekurudhë për Martën. Nxorrëm festet tona, festet e bardha në shenjë nderimi… Thamë ne atëhere: «Paçka, ajo e la vullnetaren e saj të vogël në djep! Do të braktisë djepin e vogla e diku do të ngulë kazmën e do të vazhdojë. të ndërtojë udhën e nënës së saj!» Ti, Ervehe, ke për ta takuar atë me siguri në Rogozhinë-Fier. Kërkoje atë! Emri i saj është Pashkë Tarazhi, nxënëse e shkollës pedagogjike «Shejnaze Juka në Shkodër. Unë shtërngoj në duar një letër të saj, që shkruan: «Jam e bija e Martës. Kur dora e gjakosur ja nguli në zemër thikën nënës sime, unë isha në djep. Atë ditë unë mbeta pa qumështin e ngrohtë të nënës. Po në zemër unë kisha gjakun e nënës sime. Kur u rrita më treguan për nënën. E gjithënjë rritej nëna ime para syve të mij. Rritej e bëhej e madhe sa Mirdita Unë shkoj në hekurudhë që të shtroj shinat e hekurta që la nëna pa shtruar…».

 

3.

E cilin nuk e ka tronditur e nuk ja ka shtuar besimin në të ardhmen e Shqipërisë kjo vazhdimësi e furishme e traditës, e burrërisë, e trimërisë nga gjenerata në gjeneratë? Nisen vullnetarët e rinj në hekurudhë, nisen me emrin e partisë në gji, e në ta janë mbledhur virtutet e larta e të bukura shqiptare, virtutet e gjyshërve, baballarëve e nënave, vëllezërve e motrave. Ndonjeri që kërkon të gjejë burimin e forcës dhe optimizmit të tyre, le ta kërkojë më parë në librin e madh të historisë së gjeneratave tona, le ta kërkojë në vullnetarët e Skënderbeut e në vullnetarët partizanë, në vullnetarët e aksioneve të para të rinisë e në vullnetarët e ndërtimit të socializmit. Është vazhdimësia shekullore e papërkulur, që me furinë e saj fshin armiq, që me djellin e saj pjek grurë, që me fuqinë e saj u vë shpatulla betoni lumenjve, që me qumështin e saj rrit fëmijë, ndërtues të tjerë të jetës së re. Dhe përkulet kushdo para kësaj vazhdimësie…

 

(Zëri i popullit, 29 janar 1967)

 

Loading...