Merkato Tirana dhe Teuta, ndër më aktivet, Skënderbeu nuk zëvendëson Plakun

0
155

Altin Vorpsi

 

plakuNjë gjë është e sigurt. Faza e dytë premton më shumë spektakël. Skënderbeu mund të privohet nga njëri prej lojtarëve që bëjnë diferencën në kampionatin tonë, Sebino Plaku, ndërkohë që rivalet e tij më të mëdha, Tirana dhe Teuta, kanë afruar lojtarë që i vlejnë shumë projektit të tyre. Por gjatë kësaj merkatoje dimërore ka pasur edhe nga ato ekipe që nuk kanë ndryshuar nga pamundësia ekonomike. Një fat e tillë e pati Vllaznia që mund të “mburret” vetëm me ndryshimet në presidencë.

 

 

Merkatoja e janarit më shumë ka varfëruar se ka shtuar vlerat e skuadrave të Kategorisë Superiore. Edhe ato pak lëvizje që u bënë në 14 skuadrat e Superiores, në njëfarë mënyre konfirmuan “idenë kryesore” që qe krijuar shumë kohë më parë. Shqiptarët nuk hedhin më para. Disa prej tyre nuk e kanë pasur të nevojshme të bëjnë shpenzime të tepërta, këtu i referohemi Skënderbeut, ndërsa disa të tjera nuk kanë pasur fonde. Kjo kategori e fundit skuadrash “kryesohet” nga Vllaznia.

 

Kampionët

Kampionët në fuqi tërë janarin kanë treguar se do të limitojnë dëmet. Pra nëse disa prej lojtarëve kryesorë do të largoheshin ata do të ishin gati që t’i zëvendësonin. Por asgjë nuk ka ndodhur. Nuredin Orelesi duket se ka shtyrë ikjen e tij për në verë. Ndërkohë që Sebino Plaku është edhe më afër kampionatit rus. Ky i fundit mendohet se nëse largohet, nuk do të zëvendësohet nga askush.

 

Rivalet

Me largimin e Plakut, Skënderbeu bëhet edhe “më njerëzor”. Ekipi kampion në fuqi, që ka mbyllur fazën e parë me plot 10 pikë avantazh ndaj rivales më të afërt që është Teuta, beson se edhe pas lamtumirës së fierakut diferencat nuk do të ngushtohen shumë. Mirëpo e këtij mendimi nuk është skuadra e presidentit Hasanbelliu që ka bërë një merkato mjaft të mirë. Ky i fundit riktheu mbrojtësin Osmani, por edhe vendësit Stafa e Hodo, duke kompletuar skuadrën. Gjithashtu u afrua Murriqi, një sulmues cilësor nga Kosova. Teuta e ka larguar katër lojtarë, por bëhet fjalë për ata që kishin pak hapësirë në fazën e parë. Një tjetër rivale e fortë e Skënderbeut është edhe Tirana që ndodhet në vendin e tretë vetëm një pikë pas Teutës. Gjatë kësaj merkatoje dimërore bardheblutë janë ndër ekipet më aktive në merkato. Pas rinovimit të Gilman Likës, për Tiranën firmosi edhe sulmuesi Herbi Fortunat që mund të thuhet se është një nga afrimet më cilësore të kampionatit tonë. 24 herë kampionët e Shqipërisë kanë shtuar radhët duke firmosur edhe më lojtarë si Hasanbelliu, Xhuti dhe Pema.

 

Në vendnumëro

Merkatoja e janarit ishte një nga më të dështuarat për Vllazninë. Skuadra në fjalë pati vetëm ndryshime në presidencë, por ekipi mbeti i njëjti. Ikën Osmani e Hysa dhe erdhi Marku me nigerianin Oladele. Një merkato e varfër dhe që nuk jep garanci për një Vllazni në Evropë. Një situatë të tillë kaloi edhe Besa. Skuadra e Dajës, që gjatë sezonit të parë shfaqi një futboll të mirë, ka vuajtur problemet financiare, teksa kanë afruar vetëm sulmuesin Eminhazer. Ndërkohë që në dalje kanë qenë emra si Aziri, Pocuca e Maliniç. Në klub janë të ndërgjegjshëm se ekipi është dobësuar.

 

Miqësorja, Plaku shënon gol për Spartak Nalçikun

Sebino Plaku ka bërë dje një paraqitje shumë të mirë me fanellën e Spartak Nalçikut. Në miqësoren që skuadra ruse luajti me Inter Zapresiçin, fieraku la gjurmë duke shënuar një gol që i hapi rrugë ekipit rus për të rikuperuar dizavantazhin e dy golave. Sulmuesi që fazën e parë ishte pjesë e Skënderbeut ka bindur me lojën e tij ekipin rus që e aktivizoi vetëm për 45 minuta. Një fraksion loje mund ti mjaftojnë drejtuesve të Spartak Nalçikut që të bëjnë të tyrin Palkun.

 

 

Australi

Berisha shënon dy gola për Brisbanin

Besart Berisha i jep një sinjal mjaft pozitiv për Xhani de Biazin vetëm pak ditë para miqësores me Gjeorgjinë. Sulmuesi 27-vjeçar me origjinë nga Kosova realizoi dy golat e Brisban Roar në barazimin 2-2 me kryesuesit e Sentral Koast, në kuadër të javës së 19-të të kampionatit Australian, ku skuadra e Shqiptarit nuk po zhvillon një sezon të mirë. Brisban u gjend në dizavantazh që në minutën e 8 pas finalizimit të saktë të Mekglinçit, por në fillim të fraksionit të dytë Berisha vuri gjithçka në baraspeshë me një goditje të saktë me kokë. Në minutën e 69-të sulmuesi shqiptar tregon se nuk ka humbur instiktiet e golashënuesit, pasi devijon në rrjetë një krosim nga e majta, pas një kundërsulmi të shpejtë të Brisbanit. Festa e vendasve prishet disi nga goli i Mek Brin 10 minuta para fundit. Edhe pse kampionët në fuqi të Australisë bënë gjithçka për ta fituar këtë takim, Sentral Kost arriti të merrte një pikë me mjaft vlerë në fushën e Brisban. Këtë sezon skuadra ku aktivizohet Berisha nuk është shfaqur në formën më të mirë, çka tregohet edhe me vendin e 7 në renditjes e përgjithshme. Besart Berisha është në vëmendjen e trajnerit të kombëtares Xhani de Biazi, edhe u la jashtë kombëtares në eliminatoret e Evropianit 2012 nga Josip Kuzhe. Transferimi në Australi në verë të 2011 hapi një epokë të re në karrierën e Berishës, i cili në sezonin e dytë me Brisbanin arriti shifrën e 31 golave në 44 ndeshje.

 

Rrëfimi

Pas Armstrongut, Rasmusen: Jam dopuar për 12 vite

Bota e çiklizmit ka marrë një tjetër goditje shumë të rëndë pas asaj që i dha Lens Armstrong. Çiklisti i njohur danez, Mikael Rasmusen, ka pranuar dje në një konferencë për shtyp se “ka përdorur prodhime dhe metodologji dopuese nga viti 1998 deri në vitin 2010, duke bërë të ditur se ka filluar bashkëpunimin me agjencitë antidoping. Çiklisti ka treguar se për 12 vite radhazi ka përdorur rregullisht EPO, hormone rritje, testosteron, insulinë, kortizon dhe transfuzione gjaku. 39-vjeçari, përfundoi në faqet e para të gazetave në korrikun e vitit 2007, kur ishte në drejtimin e Turit të Francës, por u detyrua të tërhiqej nga skuadra e tij, “Rabobank”, e cila kishte ndeshur disa parregullsi në lidhje me praktikat e mundshme të përdorimit të dopingut nga çiklisti danez. Pas asaj ngjarje, Federata Ndërkombëtare e dënoi me 2 vite pezullim. Danezi ka pranuar përdorimin e substancave të palejuara, por ka refuzuar për momentin të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve, duke bërë të ditur se braktiste përfundimisht çiklizmin dhe se kishte filluar bashkëpunimin për “të pastruar ambientin”. Ai sqaroi se kishte gjetur një marrëveshje me autoritetet antidoping daneze, holandeze, amerikane dhe WADA për të dhënë një dëshmi të plotë dhe për të treguar emrat e çiklistëve të tjerë të përfshirë, por nuk i lejohej që të tregonte këto detaje për shtypin. “Kam gënjyer e mashtruar, ndaj tani ndjehem i lehtësuar që nuk do ta bëj më një gjë të tillë. Jam i gatshëm të pranoj çdo sanksion të mundshëm”, – tha Rasmusen. Në turin e Francës të vitit 2006 Rasmusen shkëlqeu pasi u shpall mbret i maleve ai përfundoi “buqetën e madhe” me fanellën “pua” (i shkon ngjitësit më të mirë) veshur.

 

Dëshmia

Kajehon: Mesi ofendoi rëndë Karankën  

Gjatë ndeshjes, nuk pati mundësi që të tërhiqte vëmendjen e publikut, pasi nuk bëri shumë. Ndërsa në sallën e konferencës ia arriti më së miri këtij qëllimi. Flasim për Hoze Kajehonin që konfirmoi dje se Lionel Mesi pas ndeshjes në Kupën e Mbretit mes Real Madridit dhe Barcelonës ka ofenduar Karankën. “Atë të Aitorit e pashë vetë, pasi isha menjëherë pas tij. Por në disa raste është normale që brenda fushë jemi të gjithë të nxehur dhe themi gjëra për të cilat më pas pendohemi. Por pas ndeshjes, të presësh një kundërshtar që largohet përkrah gruas shtatzënë, kjo nuk është e mirë. Të mirët nuk qenkan aq të mirë sa duken dhe të ligjtë nuk qenkan kaq të ligj”, – ishte komenti i Kajehonit, duke iu referuar rastit tjetër që ka bërë bujë, atij ku Mesi ka pritur Arbeloan në parkingun e stadiumit për ta fyer (“Pleshti” e cilësoi si idiot Arbeloan pasi ky i fundit në një moment të ndeshjes tentoi t’i vinte stërkëmbëshin). “Fyerjen ‘kukull e Murinjos’ ai e ka thënë. Janë gjëra që ndodhin. Në fushën e lojës, kur je i nxehur, mund të thuhen gjëra, por ato mbeten aty. Por jo me gjakftohtësi”, – vazhdoi futbollisti i Realit i cili më pas hodhi poshtë idenë se incidenti ishte i ngjashëm me atë të Zhoze Murinjos në parkingun e “Kamp Nou” ku fyeu gjyqtarët e ndeshjes. “Situata e trajnerit ishte krejtësisht ndryshe. Ai priti para autobusit dhe nuk i tha gjë askujt”, – u shpreh Kajehon. Debati për Lionel Mesin ka ndarë mediat sportive, ku ata të Madridit synojnë me çdo kusht të nxjerrin që argjentinasi ka fyer Arbeloan, ndërsa ato katalanase sugjerojnë se kjo është thjesht një shpikje që është bërë për të njollosur figurën e fituesit të “Topit të Artë”.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency