Komisioneri evropian Stefan Füle: Koha po kalon, nëse doni integrimin, miratoni sa më parë 3 ligjet

0
138

Florenc Drizari

fylePeter Stano: Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti do të jetë një test kyç për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit

 

Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Stefan Füle, i bëri sërish thirrje klasës politike shqiptare të miratojë tri ligjet e integrimit si kushtin themelor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Pas konferencës për Ballkanin Perëndimor që u zhvillua një ditë më parë në Parlamentin Evropian, komisioneri Füle tha se është personalisht i interesuar të bisedojë nga afër me krerët e politikës shqiptare lidhur me përmbushjen e reformave dhe për këtë, ai do të zhvilloi një vizitë zyrtare të hënën e ardhshme në Tiranë. Sipas tij, nëse palët duan vërtet integrimin e vendit, atëherë duhen miratuar sa më parë tri ligjet të vëna kusht nga Brukseli. “Unë jam shumë i interesuar që së shpejti të mund të diskutoj vete me politikanët në Shqipëri, sepse koha po kalon. Nëse duam një raport pozitiv nga Komisioni Evropian për vendet anëtare, atëherë nevojitet miratimi i tre kushteve dhe kjo duhet bërë sa me shpejt”, – tha Stefan Füle. Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian përmes rrjetit social Twitter, ka theksuar rëndësinë që kanë zgjedhjet, por ka vënë theksin edhe tek domosdoshmëria e kompromisit në politikën shqiptare. “Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk do të zgjidhin çështjet kritike: mungesën e kulturës së kompromisit dhe të përfshirjes”, – ka shkruar ai. Aktualisht me nisjen e sesionit të ri parlamentar, klasa politike shqiptare i është rikthyer sërish debatit për miratimin e tri ligjeve, draftin për nëpunësin civil, projektligjin për Gjykatën e Lartë dhe rregulloren e parlamentit. Nga ana e tyre krerët e mazhorancës i bëjnë thirrje deputetëve të opozitës si dhe kreut të PS-së, Edi Rama, të votojnë tri ligjet e mbetura pezull në parlament, ndërkohë që përfaqësuesit e Partisë Socialiste thonë se draftet ligjore nuk janë ende gati për tu votuar dhe se vendi nuk vuan nga mungesa e tri ligjet, por nga mosrespektimi dhe zbatimi i tyre.

Peter Stano

Zëdhënësi i kabinetit të komisionerit Stefan Füle, Peter Stano në një deklaratë për mediat tha se një tjetër hap shumë i rëndësishëm për arritjen e standardeve në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri janë edhe zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Sipas tij, ky proces po monitorohet nga Bashkimi Evropian dhe nga vende të tjera të BE-së. “Sigurisht që është shumë i rëndësishëm dhe ne e theksojmë çdo ditë se nuk bëhet fjalë vetëm marrëveshje mbi ligjet dhe procedurat, por bëhet gjithashtu fjalë për zbatimin. E në të vërtetë nuk po vëzhgon vetëm Komisioni Evropian se si po bëhet kjo gjë por edhe vendet anëtare. Shembulli i fundit janë konkluzionet e Këshillit në dhjetorin e kaluar ku vendet anëtare kanë deklaruar, e mendoj se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj pyetjes tuaj se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, do të jetë një test kyç për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit”, – tha Peter Stano. Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 pritet të jenë në fokusin e monitorimit nga institucioneve e BE-së si dhe nga vende të tjera të unionit, ndërkohë që një vëzhgim i procesit parazgjedhor ka nisur nga përfaqësues ndërkombëtar të akredituar në vendin tonë.

 

 

Statusi, Elmar Brok: Socialistët të mos përdorin rrugën e bllokimit

Eurodeputeti Elmar Brok ka deklaruar se nëse partitë politike në Shqipëri nuk bien dakord për përmbushjen e tri kushteve të integrimit, atëherë sipas tij le të vendosë populli. Lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit, Elmar Brok thekson se nëse opozita humbet zgjedhjet, ajo duhet të njohë rezultatin. “Shpresoj që opozita të mësojë se si humben zgjedhjet. Të mësosh të fitosh apo të humbësh dhe të pranosh që ke humbur, kjo është një çështje shumë e rëndësishme në demokraci. Është një nga parimet themelore të saj. Ndaj shpresoj, që socialistët do të pranojnë humbjen, nëse ata do të humbin sërish”, – thotë Brok në një intervistë për “ABC News”. Lidhur me vizitën e komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Füle, Brok shprehet: Të gjitha partitë duhet të bashkëpunojnë. Socialistët të mos përdorin rrugën e gabuar, por të gjejnë mënyrën për kompromis. Shpresoj që të arrihet një marrëveshje dhe të lihen luftërat e brendshme për interesin kombëtar.

 

Fier, Meta: Füle deri të hënën kërkon miratimin e tri ligjeve

Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke iu referuar deklaratave të komisionerit për Zgjerimin Stefan Füle, i bëri thirrje opozitës të miratoi tri ligjet e integrimit. Sipas tij, “Füle vjen të hënën për të parë pikërisht këtë. Ai kërkon miratimin e tre ligjeve”, – tha Meta. Gjithashtu Ilir Meta deklaroi nga qyteti i Fierit se “LSI iu thotë jo politikave konfliktuale, po bashkëpunimit. Votimi i tre reformave është në radhë të parë përgjegjësi para vendit, jo vetëm para BE-së”, – tha Meta. Kreu i LSI-së tha: “Kjo parti është patri e reformave dhe e barazisë gjinore. LSI jep garanci për qytetarët në rrugën e progresit”, – tha ai. Më herët Lëvizja Socialistë për Integrim ka bërë thirrje që klasa politike në Shqipëri të votojë tri ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, duke vënë theksin se miratimi i tyre është një domosdoshmëri për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency