Bankat evropiane, “OK” për by-pass-in e Fierit, brenda shkurtit kontrata

0
148

Ervin Kaduku

 

fierMinistria e Punëve Publike dhe Transportit njoftoi zyrtarisht dje se ka ardhur miratimi përfundimtar i bankave evropiane për procedurat e by-pass-it të Fierit. Brenda 28 ditëve, sipas burimeve nga ky dikaster, do të lidhet kontrata dhe menjëherë do të fillojë puna. Ndërtimin do ta bëjë kompania italiane “Serenissima”, e cila fitoi me ofertën më të mirë, prej 39 milionë eurosh, nga 60 milionë që kishte caktuar qeveria shqiptare si fond limit.

Me 127 vota të mazhorancës dhe të opozitës, Parlamenti ka miratuar në shkurt të vitit të kaluar dy marrëveshje të qeverisë me BERZH për ndërtimin e by-pass-eve të Fierit e të Vlorës si dhe Fondin për Zhvillim të Abu Dabit për financimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Ministri Bode theksoi se projektet për dy by-pass-et janë në rrugë të mbarë duke nënvizuar se by-pass-i i Fierit do të lidhë hyrjen e qytetit të Fierit me autostradën Levan – Vlorë dhe do të kushtojë 150 milionë euro. “Për by-pass-in e Fierit dhe të Vlorës është investuar 10% e shumës së aksit Veri-Jug, për të cilin janë investuar 1.5 miliardë euro dhe kushtet e kredisë për by-pass-et janë të buta”, tha Bode, duke nënvizuar se by pass-i i Fierit ka një gjatësi 22 km dhe kushton 60 milionë euro. Kryefinancieri Bode tha se kjo është një marrëveshje që pasqyron strategjinë e qeverisë për të zhvendosur projektet e mëdha jo me fonde të kushtueshme, por me periudha afatgjata e me fonde zhvillimi.

Për ndërtimin e by passit të Fierit, u paraqitën 23 kompani që kaluan fazën e parë, por vetëm 11 prej tyre kanë paraqitur oferta ekonomike për ndërtimin e tij. Në muajin prill 2012, BERZH njoftoi në faqen e saj hapjen e tenderit, ku shprehën interes 31 kompani që paraqitën dokumentacionin e tyre tekniko-ligjor për miratim. Fondi për ndërtimin e by-pass-it të Fierit është 75 milionë euro, përfshirë TVSH-në, dhe do të financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga Banka Evropiane e Investimeve. By-pass-i do të jetë i gjatë 22 kilometra, me katër korsi dhe punimet për ndërtimin e tij parashikohen të zgjasin plot 2 vjet.

Ofertat

Ofertat e paraqitura nga kompanitë para komisionit të vlerësimit rezultuan në shifra ekstremisht të kundërta, duke filluar nga niveli 39.6 milionë euro, që ishte oferta më e ulët për të ndërtuar by-pass-in e Fierit, në 118 milionë euro, që ishte oferta më e lartë, madje më e lartë se sa vlerësohet të jetë fondi limit. Përgjithësisht kompanitë që kanë bërë oferta janë të njohura për Shqipërinë, pasi kanë zbatuar edhe projekte të tjera në vendin tonë. Bie në sy “Aktor”, kompania që përfundoi tunelin në rrugën Tiranë-Elbasan, që mbetet ofertuesi me çmimin më të lartë brenda fondit të parashikuar, me një ofertë 69 milionë euro. Të tjera kompani janë “Copti”, “Shtrabag”, “Todini”, të cilat të gjitha kanë marrë pjesë më herët në tenderë të ndryshëm për projekte në vendin tonë.

Përzgjedhja

Pas kalimit të dy fazave të para, që ishin paraqitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe tashmë hapja e ofertave, përzgjedhja është një procedurë që duket se do të zgjasë. Nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave, sikurse bën me dije Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, po hartohet një raport që do t’u paraqitet bankave financuese për aprovimin final. Në momentin që këto banka do të japin miratimin për raportin, atëherë do të procedohet edhe me zgjedhjen. Ministria e Transporteve, në një njoftim të sajin për mediat, vlerëson se by-pass-i Fierit është një projekt shumë i rëndësishëm, pasi lidh dy autostradat e ndërtuara gjatë viteve të fundit, autostradën Lushnjë – Fier dhe Levan – Vlorë, si dhe aksin jugor Levan – Tepelenë. Tenderi për by-pass-in e Fierit po u nënshtrohet rregullave të prokurimit të BERZH-it, të cilat janë vendosur në maj të vitit 2009.

 

Kompanitë dhe ofertat

Serenisima 39 milionë e 698 mijë euro
Copri 48 milionë e 452 mijë euro
Impresa 48 milionë e 706 mijë euro
Todini 49 milionë e 065 mijë euro
Grandilavori 49 milionë e 434 mijë euro
Societa Italiana 52 milionë e 939 mijë euro
Mapa 58 milionë e 930 mijë euro
Eko 60 milionë e 681 mijë euro
Shtrabag 66 milionë e 644 mijë euro
Actor 69 milionë e 743 mijë euro
Onur 118 milionë e 571 mijë euro

 

Sokol Olldashi

“Nuk ka pasur dështim të projektit, por problem teknik për të cilin është informuar. Ka pasur shtrirje të hartës së Apolonisë dhe nuk mund të kalonim përmes Parkut Arkeologjik. Ka pasur një problem për Levan – Vlorë dhe e vetmja mënyrë për të zgjedhur ishte devijimi pasi autostrada prekte pjesën arkeologjike të qytetit të Apolonisë”.

 

Skeda

Kohët e fundit, rritja e trafikut në Shqipëri ka

qenë përgjithësisht e fortë. Parashikimi i trafikut

për skemën e by-pass-it Fier – Levan është:

 

2.647 makina/ditë në 2009,

 

3.570 makina/ditë në 2014,

 

6.515 makina/ditë në 2023.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency