Raportet e mira fqinjësore kusht për anëtarësim në BE

0
119

BEMaqedonia duhet të arrijë deri në pranverë rezultate konkrete në bisedimet për çështjen e emrit dhe të përmirësojë në mënyrë marrëdhëniet me fqinjët, nëse dëshiron të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Kushti për përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore nga Komisioni i BE-së, erdhi pas ankesave zyrtare të Bullgarisë në Bruksel, për politikën jokonsekuente të Maqedonisë ndaj Bullgarisë. Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, ka thënë se Bullgaria e mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë, por kjo përkrahje nuk është e pakushtëzuar dhe varet nga plotësimi i kritereve për anëtarësim, ndër këto kritere, prioritet kanë marrëdhëniet fqinjësore, nënvizoi Plevneliev. Që të arrihet përparim në marrëdhëniet e mira fqinjësore, Bullgaria i ka propozuar Maqedonisë, nënshkrimin e një marrëveshjeje për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, në bazë të parimeve të Deklaratës së vitit 1999. Sipas kësaj Deklarate, pala bullgare kërkon që të arrihet marrëveshje për kremtimin e datave të personaliteteve dhe ngjarjeve nga historia e përbashkët dhe të ndërpritet fushata antibullgare duke i shtrembëruar faktet historike. Gjithnjë sipas palës bullgare, fushata antibullgare që është e pranishme në disa media të Maqedonisë, nuk i shkon për shtat marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe nuk është në frymën e vlerave evropiane.

 

Ivanov: Kërkesat ndaj Maqedonisë janë absurde

Shkupi zyrtar, me indinjatë të thellë, e pranoi qëndrimin e Bullgarisë në Samitin e BE-së për mosdhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Presidenti i Maqedonisë, Gjeorge Ivanov, thotë se Maqedonisë i parashtrohen kërkesa absurde. Sipas tij, Maqedonia në asnjë moment nuk ka pretendime territoriale, kulturore apo historike ndaj fqinjëve të saj. Deklaratat që kohë pas kohe vijnë nga Sofja, nuk mund t’i prishin marrëdhëniet shekullore ndërfqinjësore të popujve, që jetojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, thotë Ivanov.

 

Raportet fqinjësore, prioritet i politikës së jashtme

Analisti Stevo Pendarovski konsideron se rekomandimet e Komisionit Evropian për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, duhen respektuar dhe se Maqedonia ka detyrim të tregojë në praktikë frymën e bashkëbisedimit dhe bashkëveprimit në nivel rajonal. “Ndërtimi i raporteve të mira ndërfqinjësore, veçanërisht me fqinjët me të cilët ka çështje të hapura, duhet të jetë prioritet i politikës së jashtme të Maqedonisë”, shprehet Stevo Pendarovski.

 

Favorizimi i njërit fqinj irriton fqinjin tjetër

Profesori Mersel Bilalli vlerëson se Maqedonia, përpos Greqisë, tani e tutje në rrugën e integrimeve evropiane do të ballafaqohet edhe me kushtëzimet nga Bullgaria. Nga Maqedonia, kohët e fundit, ka sinjale pozitive në ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore, por ato janë vetëm në aspektin deklarativ dhe mbeten të pazyrtarizuara. Opinioni kritik dhe analitik në Bullgari, i kundërvihet politikës së ngërçit, e cila, në afat të gjatë është kontraproduktive në Maqedoni. Maqedonia, sipas analistit Mersel Bilalli, anashkalon aspektin parimor të marrëdhënieve me fqinjët, në masë të konsiderueshme injoron aspektin apo elementin bullgar në Maqedoni, favorizon atë serb, ndërsa margjinalizon segmentin shqiptar. Këto janë elemente të cilat Bashkimi Evropian në mënyrë permanente i vëzhgon. “Maqedonia duhet të dërgojë sinjale pozitive në raport me të gjithë fqinjët, duke mbajtur një balancë serioze në aspektin pozitiv dhe jo restriktiv. Çdo favorizim i njërës palë, irriton palën tjetër dhe e gjithë kjo krijon një disbalancë politike në rajon”, – shprehet analisti Mersel Bilalli.

 

Pa çështje të hapura në familjen evropiane

Maqedonia, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ballafaqohet me zgjidhjen e dy çështjeve thelbësore, që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë për ardhmërinë evropiane të vendit – zgjidhja e çështjes së emrit dhe marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, thotë profesori i të drejtës ndërkombëtare, Denko Malevski. Kriza e brendshme politike, që po kalon Maqedonia, nuk mund të anashkalojë reflektimet edhe në raportet me fqinjët. Çështja e emrit, mosmarrëveshjet historike me Bullgarinë dhe çështja e mosnjohjes së kishës ortodokse të Maqedonisë nga ana e kishës ortodokse serbe, janë çështje të nxehta me të cilat ballafaqohen një sërë gjeneratash të politikanëve nga Maqedonia. Në familjen e bashkuar evropiane, nuk mund të hyet me çështje të hapura, thotë profesori Denko Malevski. “Maqedonisë në këtë periudhë, i nevojiten miq të sinqertë, lobues e në veçanti fqinjë, në të cilët ajo do të mund të mbështetet. Raportet e mira ndërfqinjësore, janë një prej kritereve kyç për antarësim në BE”, – vlerëson Malevski.

Sipas analistëve, Maqedonia në këtë periudhë duhet të tregojë më shumë iniciativa për bashkëpunim ndërfqinjësor përmes projekteve ndërkufitare, e në veçanti të atyre nga IPA fondet e BE-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency