Baloteli tek Milani 20 milionë euro i shkojnë Sitit, ndërsa Berluskonit… 400 mijë vota

0
148

Përgatiti Altin Vorpsi

 

baloteliSipas politologëve italianë, blerja e Mario Balotelit nga ana e Milanit do t’i japë shumë pikë figurës së Berluskonit, i cili muajin tjetër pretendon që të marrë sërish në dorë fatet e Italisë. Mendohet se ardhja e sulmuesit me origjinë ganeze do t’i shtojë plot 400 mijë vota partisë së djathtë, Populli i Lirisë. Nëse kjo shifër do të ishte e saktë, atëherë për çdo votë Berluskoni ka shpenzuar 50 euro. Një fakt i tillë nuk ka kaluar pa u nënvizuar edhe nga rivali i tij. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Bersani, tha: “Unë takoj njerëz, ndërsa ai blen lojtarë”.

 

 

Për të gjitha ata që mendojnë se sporti dhe politika janë larg, e kanë gabim. Gjithmonë shkallët e stadiumeve janë përdorur për të kontestuar sjellje apo vendime të partive në pushtet. Ndërkohë edhe politikanët nga ana tjetër gjithmonë kanë shfrytëzuar sportin për të qenë sa më popullorë apo për t’iu afruar një pjese të elektoratin që gjykon “me këmbë”.

 

Makinë votash

Kështu, edhe kalimi i Balotelit tek Milani nuk shihet thjesht si “një përforcim më shumë për ekipin e Alegrit”. Në këmbim të 20 milionë eurove (nëse Milani korr suksese vitet e ardhshme, shifra mund të shkojë deri në 23) sulmuesi me origjinë ganeze la Sitin për të shkuar tek Milani i Silvio Berliskonit. “Djajtë” e kavaljerit do të kenë mundësi që deri në 2017 t’i besojnë sulmin njërit prej atyre lojtarëve që cilësohet si nga më të mirët në rolin e vet. Por për politologët kjo lëvizje nuk është bërë vetëm në funksion të lojës së katërkëndëshit të gjelbër. Sipas analistëve italianë, Baloteli është një makineri votash. Ai është një “as” më shumë nën mëngën e Berluskonit që kërkon të rimarrë pushtetin që e la vetëm pak muaj më parë. Super-Mario mund t’i sjellë partisë së djathtë, Populli i Lirisë, rreth 400 mijë vota në zgjedhjet që do të mbahen në 25 shkurt. Në shkallë kombëtarë kjo shifër përkthehet me 1% të votave, jo pak për një sulmues që deri më tani ka qenë i famshëm për “prapësitë” që bënte jashtë fushave. Sipas politologëve italianë, Baloteli do të ndihmonte shumë Berluskonin në Lombardi. Mbi të gjitha, mund të sjellë mbi 80 mijë vota në këtë regjion, ku për senatin luhet ndoshta ndeshja më delikate.

 

Ironia

Ashtu siç thoshte edhe Xhorxh Oruelli (fantashkenca ka për detyrë që të parashikojë realitetin) edhe Pier Luixhi Bersani, sekretari i Partisë Demokratike (rivali kryesor i Berluskonit në zgjedhjet e ardhshme), provoi që para pak ditësh të parashikonte atë për të cilën sot të tërë janë të sigurt. Nëpërmjet rrjetit social “Twitter”, Bersani ironizoi kavaljerin: “Gjithkush bën fushatë si mendon më mirë. Sot unë u takova me elektoratin në Padova dhe Mestre, ndërkohë që Berluskoni ka biseduar për të sjellë Balotelin tek Milani”. Këto fjalë të Bersanit mund të kenë qenë një batutë paksa pikante, por nga ana tjetër tregojnë se gjithçka është e vërtetë. Goditja në merkato e Milanit mund të sjellë më shumë vota për Berluskonin.

 

Tradita

Vetë Berluskoni tregoi gjatë një interviste në programin e njohur të “Rai 1”, “Porta a Porta”, se Milani ndikon shumë në politikë. Emisioni u zhvillua në pranverën e 2011-ës, kur Milani i Alegrit kishte fituar kampionatin. Aty kavaljeri pranoi se në zgjedhjet lokale ky triumf do të ndikonte disi, pasi fitoret spostonin shumë vota. Për të gjithë ata që nuk dëgjuan këtë frazë, mendoi Milan Club që të shpërndante sërish mesazhin e Berluskonit. Me pretekstin për të parë një Milan edhe më të madh, ata të Milan Club ftuan ndjekësit e tyre që të votonin kavaljerin. Por më pas, në Milano gjithçka shkoi keq pasi Pisapia mundi Moratin (Letician, gruaja e vëllait të presidentit të Interit, Masimo). Ky triumf i kandidatit të majtë ishte përjashtim, pasi historia tregon se lidhja mes politikës dhe sportit është e fortë. Shumë vite më parë, Italia fitoi dy tituj kampion bote (1934 dhe1938) falë regjimit fashist. Ndërkohë, edhe fitorja e Brazilit në 1970 bëri bujë, pasi përveç fushës, u luajtën edhe të tjera ndeshje jashtë saj prej Gjeneral Mediçit. Në historinë e botërorëve, më i turpshmi ishte ai i Argjentinës në 1978, kur fatet e eventit u ndanë prej juntës ushtarake që kishte zaptuar pushtetin.

 

Binomi

Binomi i suksesshëm Berluskoni – Milan zbriti në fusha (të politikës dhe futbollit) në vitin 1994. Suksesi i Milanit të Kapelos në Serinë A dhe Ligën e Kampioneve ndihmuan jo pak kavaljerin. Ky i fundit shihej si njeriu i duhur që përveçse çoi Milanin në shumë triumfe, do të mund të bënte të njëjtën gjë edhe më Italinë. Jo më kot forca e tij politike u quajt Forza Italia dhe jo më kot sfondi i saj ishte i kaltër, ashtu si ngjyra e përfaqësues së futbollit të vendit fqinj. Gjithashtu, askush nuk duhet të habitet me faktin se Milani i Sakit, Kapelos apo edhe i Tabarezit ndikoi për keq në karrierën e Berluskonit që në ato vite e pa vetën në opozitë. Ndërkohë, në 2001 mendoi Rui Kosta dhe Filipo Inzagi për të rikthyer në pushtet kavaljerin. Ky i fundit, para fushatës elektorale të 2001-shit, shpenzoi 80 miliardë lira për portugezin dhe 75 miliardë lira për sulmuesin italian. Po e njëjta histori u përsërit edhe në 2008, kur Berluskoni “bekoi” triumfin në zgjedhje, pasi bleu Ronaldinjon nga Barcelona (e shiti fantazistin për 25 milionë euro).

 

Humbje dhe shitje

Pasi humbi duelin me Romano Prodin në 2006, Berluskoni mund t’i lejonte vetes që të shiste idhullin e tifozëve të Milanit, Andrij Shevçenko. Ukrainasi la Milanin për t’u transferuar në Londër, aty ku Çelsi e priste me krahë hapur, pasi kishte shpenzuar plot 45 milionë euro. Në vitin 2009 i edhi radha një tjetër ylli që të largohej: Rikardo Kaka në merkaton e janarit në atë vit, u kërkua me ngulm nga Mançester Siti, por Berluskoni nuk e shiti, pasi këshilltarët e tij politikë nuk ia këshilluan një lëvizje të tillë në merkato, pasi pas pak muajsh vinin zgjedhjet lokale. Kështu, kalimi i brazilianit tek Siti u ndal në orët e fundit. Por Milani që kishte bilancet jo si duhet, nuk kishte luksin të mbante për gjatë një lojtar si Kaka. Kështu, në verë, braziliani la Milanon për të shkuar tek Reali i Madridit që dha në këmbim plot 64,5 milionë euro. Ky operacion i kushtoi shumë Berluskonit. Vetë kavaljeri pohoi se ky operacion i kushtoi të paktën 2% të elektoratit të tij në zgjedhjet që u mbajtën për Parlamentin Evropian. Sërish në opozitë, Berluskoni gjatë verës së 2012-ës i lejoi vetës që të shiste dy yjet e vetëm. Flasim për Zllatan Ibrahimoviçin dhe Tiago Silvën që lanë Milanon për Parisin. Me largimin e tyre, Milani fitoi 65 milionë euro nga shitja e kartonit dhe plot 108 milionë euro që do t’u shkonin lojtarëve si rrogë. Përveç tyre u larguan edhe “senatorët” si Gatuzo, Sidorf dhe Nesta.

 

50 euro një votë

Nga ana tjetër, ishte një tjetër senator, profesor Monti, që në pamje të parë dukej sikur kishte larguar njëherë e mirë Berluskonin nga politika. Por pasi profesorin e rrëzuan, kavaljeri mendoi që të rikthehej sërish. Në fillim ai bisedoi me Realin për të rimarrë Kakanë por madrilenët kurrë nuk do t’ia kthejnë me kushtet që pretendon Milani (e shitën për 65 milionë euro, tani e duan me kosto zero). Kështu, nisi edhe flirti i ri me Balotelin, që po vetë nga Berluskoni u cilësua si “molllë e kalbur”. Por siç dihet, fjalët në politikë dhe futboll i merr era. Dhe sot është Mario (Baloteli) arma perfekte që mund të mposhtë Marion (Monti) tjetër. Panem et circenses. Kështu, Mançeser Sitit i shkojnë rreth 20 milionë euro, ndërsa Berluskonit rreth 400 mijë vota. Me një llogaritje të thjeshtë, çdo votë do t’i kushtonte kavaljerit vetëm 50 euro.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency