Alibeaj: Rama s’di matematikë, kërkon t’i heqë një mandat LSI-së në Berat, meqë s’bën koalicion parazgjedhor

0
133

Florenc Drizari

a;libeajPaloka: Kuvendi ka detyrimin ndaj shqiptarëve dhe detyrimin sipas ligjit të bëjë caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore

 

Miratimi i projektvendimit për ndarjen e mandateve sipas skemës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në seancën e djeshme plenare.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e quajti qëndrimin e Partisë Socialiste për këtë çështje një sjellje politike banale që nuk synon në vetvete barazinë e votës, por interesin partiak. Sipas tij, lidershipi i opozitës nuk i bëri llogaritë mirë kur kërkonte që Qarkut të Beratit të mos i hiqej një mandat nga 8 të bëhej në 7, dhe kërkoi hetime të mëtejshme për lëvizjen e popullsisë në disa zona të vendit. Por Enkelejd Alibeaj tha më tej se për shkak të mungesës së mundshme të një koalicioni parazgjedhor mes PS-së dhe LSI-së, tashmë opozita kërkon t’ia heqë një deputet këtij qarku, duke e lënë me 7 përfaqësues në legjislativin shqiptar.

Enkelejd Alibeaj

“Ju keni një arsye fare të thjeshtë teknike dhe banale. Para dy muajsh donit që Beratin ta mbanit me 8 mandate. Pse? Sepse besonit, nëpërmjet përllogaritjeve tuaja matematikore, që ndoshta lideri juaj ka bërë, që siç duket s’i ka punët mirë me matematikën, pretendonte të merrte një mandat më tepër. Sot ju kërkoni që Berati të mbahet me 7 mandate. Pse? Thjesht dhe vetëm sepse ju mendoni po me të njëjtat përllogaritje matematikore që bën po i njëjti i marrë politik, atë të fundit mandat, t’ia hiqni LSI-së. Sepse mendoni tashmë që ju nuk mund të arrini një aleancë politike parazgjedhore me LSI-në. Pra, shihni se sa banale është e gjithë sjellja dhe qasja juaj politike në këtë proces”, – tha deputeti Alibeaj. Deklarata e deputetit të Partisë Demokratike kaloi në heshtje si nga deputetët e Partisë Socialiste, ashtu edhe nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët diskutuan për disa orë rresht lidhur me ndarjen e mandateve nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkaq, më herët, deputeti Edi Paloka, njëkohësisht edhe relatori i çështjes së ndarjes së mandateve nga Komisioni i Ligjeve, i rekomandoi Kuvendit të Shqipërisë ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve të shkuara parlamentare të 2009-ës. Sipas deputetit Paloka, KQZ nuk arriti të merrte vendim për ndarjen e mandateve, “pasi në Komision u shpreh qartë vullneti për të bllokuar nga anëtarët e propozuar nga PS-ja. “Në ushtrimin e kompetencës për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për pasojë rruga e vetme mbetet miratimi i vendimit të caktimit të mandateve, duke u bazuar në caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore të bërë nga Kuvendi për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009”, – tha Paloka. Por qëndrimi i deputetit demokrat u kundërshtua nga homologët socialistë, të cilët vunë theksin tek shkelja e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor, si dhe të drejtës për barazinë e votës. “Po ndani mandate në kundërshtim me barazinë e votës, po ndani mandate ku qytetarë të Durrësit dhe Tiranës, 60 mijë qytetarë janë të papërfshirë politikisht dhe po e bëni këtë me një pazar të poshtër politik. Në çfarë vendi të botës është bërë kjo? Gjithmonë ndarja e mandateve është bërë me konsensus”, – deklaroi sekretari për çështjet zgjedhore në PS, deputeti Damian Gjiknuri.
Kundër ndarjes së mandateve sipas formulës së zgjedhjeve të 2009-ës u shpreh edhe deputeti tjetër socialist, Ben Blushi. Sipas tij, Kuvendi i Shqipërisë është ende në kohë për të vënë drejtësi për barazinë e votës dhe për këtë kërkoi gjetjen e një konsensusi mes palëve. Blushi tha se ky vendim është shumë i rëndësishëm dhe për këtë palët duhet ta nisin betejën zgjedhore, duke qenë të barabartë mes tyre. “Keni vendosur të mos merrni lëvizjet e popullsinë në këta katër vjet, aq më shumë në 20 vjet. Ne nuk themi detyrimisht që ta ktheni në KQZ këtë ndarje. Nëse mendoni se KQZ e ka konsumuar afatin e vet, ndajeni në Kuvendin e Shqipërisë, por nuk mund ta ndani vetë. Ky është një vendim i njëanshëm që nuk ju çon asgjëkund. Në rast se vendosni sot që ta ndani Shqipërinë si të doni, ky do të quhet një deportim popullsie. Po e ndani Shqipërinë jo në banorë, por në votues”, – deklaroi Ben Blushi.

 

Ndarja e mandateve në 12 qarqet e vendit sipas 2009-ës

1. Zona zgjedhore qarku Berat – 8 mandate
2. Zona zgjedhore qarku Dibër – 6 mandate
3. Zona zgjedhore qarku Durrës – 13 mandate
4. Zona zgjedhore qarku Elbasan – 14 mandate
5. Zona zgjedhore qarku Fier – 16 mandate
6. Zona zgjedhore qarku Gjirokastër – 5 mandate
7. Zona zgjedhore qarku Korçë – 12 mandate
8. Zona zgjedhore qarku Kukës – 4 mandate
9. Zona zgjedhore qarku Lezhë – 7 mandate
10. Zona zgjedhore qarku Shkodër – 11 mandate
11. Zona zgjedhore qarku Tiranë – 32 mandate
12. Zona zgjedhore qarku Vlorë – 12 mandate

 

 

Topalli, opozitës: Të votojmë tri ligjet e integrimit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u bëri sërish thirrje deputetëve të opozitës të votojnë tri ligjet e integrimit si një kusht i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Por ftesa e Kryetares së Kuvendit mbeti thjesht një thirrje publike vetëm në sytë e opinionit publik, për faktin se deputetët e opozitës pas votimit të një sërë marrëveshjesh me Republikën e Kosovës, u larguan nga seanca plenare, duke ua lënë vendin debateve të lira në sallë. Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu miratoi me konsensus një sërë marrëveshjesh, si: projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për transferimin e personave të dënuar”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ekstradimin”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale” dhe projektligjin “Për heqjen nga fondi pyjor kombëtar të sipërfaqes në ngastrat e ekonomive pyjore, që pritet të përmbyten nga liqeni i HEC-VE të Banjës, Koklit dhe Moglicës, të cilët do të ndërtohen në kaskadën e lumit Devoll”.

 

Peticion i të rinjve “Vepro Tani” drejtuar opozitës: Votoni tri ligjet

Lëvizja “Voto Tani – Vepro Tani” organizoi një protestë paqësore para Kuvendit të Shqipërisë, duke u kërkuar deputetëve të opozitës votimin e tri ligjeve të integrimit. Peticioni i të rinjve u drejtohet deputetëve të Kuvendit, ambasadës së BE-së, OSBE-ODIHR-it si dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. “Ne e shikojmë të pakuptimte vetëdënimin apo margjinalizimin e interesave të vendit dhe qytetarëve shqiptarë, për arsye të paefektshme politike”, – tha aktivistja Anxhela Vrioni. Ndërkaq, në peticion thuhet se sipas parlamentarëve evropianë, Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat dhe klasa politike në vend nuk duhet të bëhet pengesë për integrimin. “Edhe sot, po u drejtohemi deputetëve të PS-së, të cilët duhet të votojnë tri ligjet e kërkuara nga BE-ja: Me qëllimin e tyre bllokues këta deputetë po e lënë Shqipërinë, vendin e vetëm në Ballkan, që nuk do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Ky është qëndrimi haptazi kundër interesave dhe zhvillimit të vendit. Turpi nuk mund t’i adresohet Shqipërisë, turpi nuk i drejtohet popullit shqiptar, turpi nuk u drejtohet intelektualëve, nuk i drejtohet rinisë shqiptare”, – thuhet në peticionin e të rinjve të lëvizjes “Voto Tani – Vepro Tani”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency