Tri nënat që lindën njeriun e ri

0

 Çelo Hoxha

Loading...

enveriNjë grua nga Dukagjini, një nga Lezha dhe një nga Korça mund të konsiderohen si nënat e njeriut të ri shqiptar ose propaganda e vitit 1967 i paraqiti ato si të tilla

 

Tri letrat janë botuar fillimisht në gazetën zyrtare të diktaturës, në 1967. Ne i ribotojmë, ndoshta për herë të parë, për t’i analizuar nga një këndvështrim i ndryshëm nga ai i diktaturës.

Letrat kanë disa gjëra të përbashkëta. Ato janë shkruar nga tri nëna që kanë humbur fëmijët në shërbim të diktaturës, të tria janë (ose pretendojnë se janë) plot dashuri për partinë dhe diktatorin, të tria deklarojnë me krenari se nuk kanë qarë për fëmijën e vdekur, sepse të tria ushqejnë një dashuri më të madhe e më të thellë se ajo për fëmijën.

Një letër i drejtohet një gruaje tjetër që vajza i është vrarë në luftë, dy gratë e tjera i shkruajnë direkt Enver Hoxhës.

Nuk ka asnjë dyshim që letrat nuk janë shkruar prej tyre personalisht. Një nënë, sado e indoktrinuar të jetë, e ka të vështirë të mohojë fëmijën e vet për hir të diçkaje tjetër.

Lidhja klasike nënë-fëmijë është trajtuar me mjeshtëri në një poezi franceze. Përmbajtja e saj, me pak fjalë, është: një djalë ka rënë në dashuri me një vajzë. Vajza është mosbesuese për dashurinë e tij dhe për ta vënë provë i kërkon që ai t’i sjellë si dhuratë zemrën e nënës së tij. Djali niset, e vret nënën, me zemrën e nënës në dorë kthehet revan te e dashura. Gjatë rrugës, djali rrëzohet, dhe ndërsa është i shkrirë për tokë, zemra e nënës, që e ka në dorë, e pyet: U vrave, bir!

Për ironi, këtë poezi e kam lexuar në një antologji me poezi franceze të botuar në gjuhën shqipe në periudhën e diktaturës, ndoshta dekadën e fundit.

Totalitarizmi pikërisht këtë lidhje deshi të shkatërronte, ky ishte shkaku i luftës kundër traditës, ajo që quhej “zakone prapanike”. Gjurmët e para të kësaj lufte gjenden në “Manifestin” komunist, ku Marksi dhe Engelsi sulmuan familjen si një strukturë borgjeze.

Në 1949, Xhorxh Oruelli, shkrimtari i shquar britanik, e paralajmëroi në romanin e tij “1984”, fatin e shoqërive që do të synonin (ose që kishin filluar) të krijonin njeriun e ri. Ky roman nuk u përkthye në shqip deri në fund të diktaturës, as shumë kohë pas saj (vetëm në 2005-ën, ky roman u botua në Shqipëri, me përkthimin tim. Një botim i Kosovës, i viteve ‘80, nuk kaloi kurrë në anën e poshtme të kufirit të saj.)

Në roman, një ditë futet në burg një person i quajtur Parsons. Arsyeja: kishte bërtitur, në gjumë, “Poshtë Vëllai i Madh” (Si të thoshe në Shqipëri “Poshtë Enver Hoxha”, kur ai ishte në pushtet). Vajza e kishte dëgjuar dhe e kishte denoncuar. Dhe Parsons i mburret shokut të burgut: “Dëgjonte te vrima e çelësit. Dëgjoi çfarë thosha dhe e përcolli tek patrullat qysh të nesërmen. Jo keq për një fëmijë shtatë vjeç, ë? As që jam prekur nga veprimi i saj. Madje, jam krenar, kjo tregon që e kam rritur ashtu siç duhet”.

Bazuar në letrat që u janë atribuuar atyre, tri nënshkrueset janë të ngjashme në shumë pika me figurën qesharake që ka portretizuar me mjeshtëri Oruelli. Fëmijët e këtyre nënave kanë bërë diçka, në shërbim të pushtetit, për të cilën ato ndihen krenare. Aq emocionues ka qenë veprimi i fëmijëve të tyre, sa ato nuk janë nxitur të qajnë për humbjen e jetës së fëmijëve. Njëra është nëna e Shkurte Pal Vatës, minorenes që vdiq duke punuar në hekurudhë. Tjetra është nëna e Dilës, e cila u vra, siç thuhet në letër, pas prishjes së martesës së saj të rregulluar me mblesëri që në moshë të njomë. Dhe e treta është nëna e një vullnetari që vdiq, aksidentalisht, duke punuar në zonën e Dibrës dhe Librazhdit.

Nëna e Shkurte Pal Vatës shkruan: “Shkurta… më erdhi mue ma e rritun, ma e pjekun, ma burrneshë”. Ky përshkrim, i përdorur dhe nga bashkëshorti i saj në letrën e tij për Enver Hoxhën, të cilën ne e cituam të shtunën e kaluar, bën fjalë për çastin që vajza u kthye nga aksioni e vdekur. Nuk ka asnjë mundësi, që një nënë të shikojë vajzën e vdekur dhe nga ajo pamje e parë t’i ketë bërë përshtypje shtati i saj më i rritur, kurse arkivoli i të bijës ose fakti që e bija ishte në arkivol, të mos i linte asnjë gjurmë. Cilësimet e tjera që ajo i vesh Shkurtës, “e pjekun” dhe “burrneshë”, janë të vështira të identifikohen te një i vdekur.

Letra duket se është shkruar vetëm për një qëllim politik: që vdekja e Shkurtës të mos krijojë përçarje Jug-Veri. Nëna e Zonja Çurres, një vajze të vrarë në luftë, ishte nga Vlora. Të frikësuar nga vdekjet në aksione, komunistët donin të tregonin se edhe vdekja po ndihmonte për të forcuar unitetin kombëtar.

Letrën e dytë e ka shkruar një plakë “qorre nga të dy sytë”. Vajza e saj ishte vrarë në 1950, për të ishte bërë edhe një dramë, “Cuca e Maleve”. Kjo letër është shkruar 20 vjet me vonesë, për të motivuar të rinjtë të shkojnë në aksion dhe për t’i parapërgatitur prindërit të mos lëndohen shpirtërisht, nëse fëmijët e tyre s’ktheheshin nga aksioni.

Letra e tretë duket se ka pasur qëllim t’u kujtonte një pjese të shqiptarëve faktin që partia i kishte “çliruar”, i kishte “nxjerrë” nga varfëria, i kishte transformuar nga barinj në oficerë, prandaj ata nuk duhet ta shikonin si humbje të madhe vdekjen e të dashurve në punë vullnetare (pa pagesë). Në rastin e vdekjes së personit të tretë thika e mizorisë së pushtetit ngulet thellë: e veja e Tosunit, burrit të vdekur në aksion, shkon, së bashku me 16 të afërm të tjerë, në aksion për të zëvendësuar të shoqin. Partia ishte e shqetësuar për punën, jo për fatin e fëmijëve të viktimës, të cilët, me vdekjen e babait dhe largimin e nënës në aksion, mbeteshin praktikisht jetimë.

Ky sulm frontal ndaj familjes shqiptare i kishte rrënjët te “Manifesti” komunist, ku Marksi dhe Engelsi e konsiderojnë familjen si një strukturë borgjeze. Në këtë rast, marksizmi erdhi në Shqipëri si mall importi nga Kina. Aty kishte shpërthyer i ashtuquajturi revolucion kulturor.

 

 

Letra 1

Drejtuar: Hane Çurres, Tragjas, Vlorë

 

E dashur nanë e heroinës Zonja Çurre, po ju shkruej unë, nji grue e thjeshtë malësore, nana e Shkurte Pal Vatës. Në qoftë se do të mendojmë për të kaluemen e të flasim për vuajtjet tona të përbashkëta, s’do të mbaronim kurrë. A do të ishte e mundun aso kohe që dy nana të moshave tona nga skajet e ndryshme të Atdheut të njifeshin e të lidheshin me nji miqësi kaq të madhe si kjo e jona? Ja pra, erdhi kjo ditë. Ne jemi vllazën e motra, ne kemi të njëjtën nanë që i falim gjakun, djersën dhe jetën tonë, PARTINË. Kur shokët e partisë më dhanë lajmin e vdekjes së Shkurtes, unë nuk derdha lotë. Dikur, ishte ende nxanëse Shkurta, më fliste për heroinën Zonja Çurre, më fliste për jetën, luftën dhe vdekjen e saj heroike përkrah shokëve. Edhe unë çuditesha si mund të jetojë nji çikë me djelm pa i pasë as gjini as fis. Dhe ja, pra, edhe Shkurta ime dha jetën në duert e shokëve e shoqeve të saj dhe më erdhi mue ma e rritun, ma e pjekun, ma burrneshë. Unë jam nji nanë e thjeshtë, mbi të gjitha për mue ka rëndësi nji gja, fëmijët e mi janë bijt e PARTISË, Shkurta ime asht bija e PARTISË, ajo për mue s’ka vdekë, ajo asht kthye nga aksioni bashkë me shokët dhe shoqet e saj. Unë dhe ti, motër e shtrenjtë, krenohemi me bijat tona që na nxorrën faqebardhë para PARTISË. Ty bija të ra në luftë, mue më ra në punë. Bija jote erdhi nga jugu në malet e veriut për të çlirue Shqipninë, bija ime shkoi nga veriu dhe ra në Myzeqe për të ndërtue hekurudhën, për të lulëzue Shqipninë. Zonja ash e bija e Pecajve dhe e Tragjasit, Shkurta ash bija e Tragjasit dhe e Pecajve. Ne na bahet zemra mal kur shofim se veprën e bijave tona e vazhdojnë motrat e tyre.

Të rrojë për ne sa malet e Dukagjinit dhe të Labërisë PARTIA dhe shoku ENVER! Të uroj shëndet dhe jetë të gjatë.

 

Zoja Vata

Katundi Pecaj-Dukagjin

(Zëri i popullit, 8 dhjetor 1967)

 

Letra 2

Drejtuar: Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH

 

Fort i Dashtuni shoku Enver!

Këtë letër po ta çon një nanë malcore nga katundi Fregen i lokalitetit Kashnjet të rrethit të Lezhës.

Sot zemra m’u çue peshë, shpirti m’u përtri e fytyra m’u çel gëzimit kur mora vesh se ke ditëlindjen. Të paçim me jetë, bir-o, rrnofsh e kjofsh me gjith miq e shokë sa këto malet tona, që kryet e mbajtën gjithmonë nalt!

Paske kenë e mbara e Atdheut dhe e popullit. Askush s’ia dijti hallet fukarasë e malcorit që u lind e u rrit në shkrep sa ti, o bir i Shqipnisë sonë.

Unë jam plakë qorre nga të dy sytë, por shof e ndjej me sytë e zemrës se sa mbarë e mirë po shkojnë punët nëpër malci.

E bash sot në ditëlindjen tande po due me të tregue se kurr ma të gëzueme se kam ndie veten, megjithëse e kam nji plagë në zemër.

Kam pas nji vajzë të vetme. Dile i thojshin, por rinia e thërriste Dilicë. Nuk ish mbushë as tri vjet që ishte çlirue Shqipnia e disa banda kriminelsh silleshin këtyre anëve. Dilica e eme u çue e shkoi e para vullnetare në hekurudhën e parë të rinisë. Ajo ia kishte falë zemrën partisë dhe u ba ushtare e saj. Simbas kanunit, – atij i humbtë fara, – Dilicën e kishim fejue qysh në djep, por kur ajo u kthye nga hekurudha, më tha: “Loke, unë atë burrë që më keni fejue qysh fëmi nuk e marr, se jo vetëm që nuk e due, por ai asht edhe kulak e kulakët janë armiq”. Sokolesha e nanës nuk u tremb, por u çoi fjalë “miqve” se fejesa asht prishë. Na kërcënuen krushqia, na shau prifti e pat edhe asi fshatarësh që ma quejtën Dilicën të pandershme. Ime bijë nuk u ndal, por me shokët e terrenit vazhdoi punën ma me guxim për me luftue zakonet, me ua hapë syt e mendt jo vetëm cucave, por edhe burrave, se ajo në kuvend shumë herë ua kalonte edhe disa burrave. Mue të shkretës më dridhej zemra, por Dilica më jepte guxim tue më thanë: “Nanë, mos u tut, kena partinë të fortë e ajo asht në rrugë të drejtë.” Por anmiqt e popullit, si Gjon Marka Gjoni e shokë, që dojshin me na lanë gjithmonë në terr e me mbajtë gjithmonë të shtypun e nën kambë gruan shqiptare, e dënuen Dilicën se “ka prish kanunin.” Ishte natë e vitit 1950. unë isha vtëm në shtëpi me Dilicën teme. Pa pritë e pa kujtue, ma çanë derën e shtëpisë e dy kriminelë të armatosun më morën vajzën, dritën e syve, e pak metra larg konakut ma vranë. Më lanë pa vajzë, por partia ia mori hakun.

Sot jam tue ndigjue se kudo po prishen fejesa të padrejta, po luftohen zakonet e mbrapshta, po vehet në vend nderi i femnës, që ishte marrë nëpër kambë, e këtë punë po e ban partia jonë, po e bani ju, shoku Enver.

Gjaku i Dilicës të kjoftë hallall! Kanë kalue 17 vjet e më duket sikur e kam gjallë vajzën teme, “Cucën e maleve”, si e thërrasin. Ajo ta ka ndigjue fjalën e për çlirimin e grues dha jetën pa u tutë aspak.

Unë, nana e saj, edhe nji herë po të uroj shëndet e rrofsh gjatë, o bir, që me partinë na çlirove e shpëtove Shqipninë.

Për kujtim po ju dërgoj fotografinë e Dilicës seme të paharrueshme.

 

Me nderime: Gjela Marku.

(Zëri i popullit, 20 tetor 1967)

 

 

Letra 3

Drejtuar: Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH

 

I dashur Shoku Enver,

Unë, nëna e Tosunit, Shaqe Shahinasi, duke shprehur ndjenjat e bashkëshortes së tij, Anifes, dhe djemve të tjerë, falënderoj patinë dhe pushtetin tonë popullor, ju personalisht, për nderin jashtëzakonisht të madh që i bëtë birit tonë Tosun Shahinasit, i cili dha jetën duke punuar në ndihmë të vëllezërve dhe motrave që u dëmtuan nga tërmeti në Lunik të Librazhdit. I dashuri udhëheqësi ynë shoku Enver Hoxha, unë tani jam plakë, por në këto vjetët e fundit të jetës sime po kuptoj ç’është jeta. Familja jonë ka qenë e varfër, por patriote, babai im dhe gjyshi i Tosunit, Lilo Mujollari, duke luftuar kundër andartëve grekë më 1914, u masakrua barbarisht prej tyre dhe u hodh në pus. Ne kemi jetuar në të kaluarën në shtypje, shfrytëzim dhe varfëri, burri dhe unë, me njëmijë të zeza, rritëm fëmijët tanë dhe, për të siguruar kafshatën e gojës, burri im ishte i detyruar që mbi 10 muaj në vit t’i kalonte si murator, duke punuar në të katër anët e Shqipërisë. Me fillimin e lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga partia dhe ju. Tosuni qe i pari që iu përgjigj thirrjes së partisë duke marrë pjesë në njësitet e para; pas tij dërgova partizanë dy djem të tjerë, të cilët luftuan me armë në dorë deri në çlirimin e Atdheut. Pas çlirimit, familja jonë përfitoi nga reforma agrare dhe filloi të bëjë një jetë më të mirë. Dy djemtë partia m’i bëri oficerë. Në këtë mënyrë, në sajë të kujdesit të partisë, jeta jonë ndryshoi rrënjësisht, prandaj familja jonë i është mirënjohëse partisë dhe u është përgjigjur të gjitha thirrjeve të saj dhe të pushtetit popullor. Pas fatkeqësive që shkaktoi tërmeti i 30 nëntorit në rrethin e Dibrës dhe të Librazhdit, si gjithë qytetarët e tjerë të Republikës Popullore të Shqipërisë, që iu përgjigjën thirrjes së partisë duke u shkuar në ndihmë për ndërtimin e shtëpive që shkatërroi tërmeti, edhe biri im, Tosuni, shprehu menjëherë gatishmërinë dhe shkoi vullnetarisht për të punuar atje ku e thirri partia. Në punë e sipër ai dha jetën për të çuar deri në fund fjalën e partisë. Tosuni nuk bëri asgjë më tepër nga ajo që i takon çdo qytetari të Republikës sonë Popullore. Djali im dha jetën, por unë nuk vajtova, sepse ra në krye të detyrës. Unë kam edhe katër të tjerë, ju kam juve, kam gjithë partinë. Ne kemi qënë, jemi dhe do të jemi gjithnjë gati për t’u shërbyer interesave të partisë, popullit dhe atdheut, si sot në ndërtimin e plotë socializmit, po ashtu edhe për mbrojtjen e Atdheut tonë të shtrenjtë nga cilido që do të kërkojë të prekë sado pak kufijtë e tij, duke mos kursyer as gjakun as jetën tonë, dhe të fëmijëve tanë për çështjen e lartë të partisë sonë të lavdishme.

Për të zëvendësuar Tosunin, që fatkeqësisht nuk e plotësoi punën deri në fund, po tridhjetfishojmë punën e tij duke shkuar atje ku punonte ai, Anifeja, gruaja e tij, vëllezërit e tij, Feti dhe Dylberi dhe 27 kuhsërinj të afërm e miq tanë, të cilët janë Jaçe Shahinasi, Bashkim Shahinasi, Sefedin Shahinasi, Gani Shahinasi, Mehmet Shahinasi, Afet Shahinasi, Xhevdet Shahinasi, Zana Shahinasi, Delnik Mujollari, Sanije Mbroci, Liri Mbroci, Behije Mbroci, Fatos Mbroci, Asqeri Mbroci, Xhevdet Mbroci, Resime Ismailaj, Sanie Mbroci, Hekuran Shukulli, Agim Shahinasi, Ylli Ziçishti, Alqi Dode.

 

Të rroni sa malet, partia dhe ju, i dashuri shoku Enver!

 

Nëna e Tosunit, Shaqe Shahinasi.

Loading...