Tiranë e Prishtinë Çfarë letërsie bëmë për ta trashëguar?!

0
177

Begzad Baliu

davidShekulli i pavarësisë dhe i letërsisë, fjalë e mbajtur nga studiuesi Begzad Baliu në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, vështrim në kontekste kohore dhe ideologjike, pozicioni i shkrimtarit dhe letërsia e parë si shenjë e “pavarësisë” nga autoriteti politik midis Tiranës dhe Prishtinës

 

Ngjarjet e mëdha sjellin edhe vlerësime, të cilat nuk bëhen në të gjitha epokat dhe në të gjitha situatat. Prandaj 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë në jetën tonë ka sjellë kaq shumë vlerësime e rivlerësime, dokumente e kujtime, botime e krijime, të cilat nuk i kemi pasur për shumë dekada me radhë dhe të cilat sigurisht nuk do t’i kishim edhe shumë kohë, sikur të mos e shënonim një datë kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme. Shekulli i Pavarësisë shqiptare na ka bërë më të gjallë, më të përkushtuar, më energjikë dhe madje më të vëmendshëm, për fatet e popullit historik shqiptar, për fatin e popullit modern shqiptar, për fatet e kulturës e të gjuhës sonë.

Etërit tanë, historianë dhe studiues të letërsisë së shekullit XX, historinë e letërsisë dhe madje antologjitë e letërsisë shqipe, në të shumtën e rasteve i ndanin jo sipas periudhave letrare po sipas periudhave historike, sado sikur është vënë jo njëherë në dukje, këtyre periudhave, përkatësisht ndryshimeve historike, ndryshimeve historike dhe shoqërore e kulturore të popullit shqiptar, ju kanë prirë krijuesit, idealistët, përkatësisht njerëzit e letrave.

Deri në fund të shekullit XX, sintetistët e historisë së letërsisë shqipe nuk kanë pushuar së ndari atë në letërsi të Rilindjes dhe letërsi të Independencës, duke e marrë për kufi të tyre vitin 1912, sado njëra i takonte letërsisë së romantizmit dhe tjetra letërsisë së romantizmit që kishte shtrirë krijimtarinë e saj edhe pas shpalljes së pavarësisë, realizimit, simbolizmit, letërsisë sociale dhe madje letërsisë të një krahu të veçantë: letërsisë arbëreshe. Dhe, përtej tyre historinë e letërsisë shqipe e përkufizonin në letërsi të realizmit socialist apo në letërsi të diktaturës, në letërsi të Kosovës dhe në letërsi moderne, në letërsi të realizmit integral dhe në letërsi postmoderne, në letërsi të Qarkut të Prishtinës dhe në letërsi postkomuniste, e kështu me radhë.

Në të vërtetë ndarjet e tilla më shumë se e kanë bashkuar, kur e kur e kanë ndarë letërsinë shqipe në kufij historikë dhe madje në kufij politikë, e kanë mbajtur peng të shkollave letrare dhe koncepteve politike, e kanë përjashtuar për shkaqe politike dhe e kanë linçuar atë për shkaqe ideologjike. E megjithatë, kjo në asnjë mënyrë nuk ka bërë që letërsia shqipe të ketë periudhat historiko-letrare dhe ngjarjet e munguara të një letërsie kombëtare, veprat dhe krijuesit e shquar me ndikim në jetën kulturore shqiptare dhe veprat e krijuesve, që rrezatuan artin e tyre edhe në përmasa ndërkombëtare. Le të jetë prandaj kjo arsyeja pse edhe në këtë shekull të pavarësisë, nuk do të duhej të na mungonin vlerësimet për gjendjen, prirjet dhe rrjedhojat e saj, në jetën tonë shkencore dhe kulturore.

Gjatë këtij shekullit pavarësie e robërie njëkohësisht të letërsisë shqipe shkrimtarët shqiptarë i kanë jetuar disa shtete paralele: shtetin shqiptar të mbetur në kufijtë etnikë të gjysmës së saj, shtetin grek, shtetin italian dhe shtetin jugosllav e shtete të tjera evropiane. Brenda këtyre shteteve të shekullit të fundit, shkrimtarët shqiptarë përkatësisht letërsia shqipe është zhvilluar duke përkrahur a kundërshtuar koncepte të ndryshme politike, ideologjike dhe nacionale. Ajo është zhvilluar, kur si pjesë e strukturave institucionale, që ka përkrahur shteti shqiptar, e kur madje edhe përmes një ilegaliteti të plotë gjuhësor të shteteve fqinje në ish-Jugosllavi, e më në fund edhe si përpjekje e fundit për të mbijetuar kodin etnik të saj në Itali dhe Greqi.

Ndonëse pjesa më e madhe e letërsisë shqipe është zhvilluar kryesisht në dy shtetet fqinje, në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, shkrimtarët shqiptarë kanë mbijetuar sisteme politike përgjithësisht të afërta: monarkinë, pushtimin nazifashist, komunizmin dhe demokracinë, por edhe dy mentalitete krejtësisht të kundërta. Në të parin, pra shtetin shqiptar, monarkinë, përkatësisht mbretërinë feudale, ndërsa në të dytin, monarkinë fashiste; në të parin pushtimin fashist, ndërsa në të dytin pushtimin ‘çlirimtar’; në të parin, ideologjinë komuniste, ndërsa në të dytin nacionalizmin komunist; në të parin tranzicionin e përshtrirë demokratik e në të dytin, luftën për mbijetesë biologjike.

Brenda këtyre shteteve, brenda këtyre periudhave dhe sistemeve politike, si dhe brenda demokracisë evropiane, letërsinë shqipe e kanë shkruar dhe janë bërë pjesë e letërsisë gjithëkombëtare poetët: Gjergj Fishta, Fan Noli, Migjeni, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Esad Mekuli, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Dushko Vetmo, Azem Shkreli, Fatos Arapi, Vorea Ujko, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Zef Zorba, e të tjerë, prej pendës së të cilëve janë botuar veprat më të mira të shekullit XX: “Lahuta e Malcis”, “Kur qanë e qesh bilbili”, “Vargjet e lira”, “Juvenilia”, “Psallme murgu”, “Hanko Halla”, “Mall e brengë”, “Vallja e yjeve”, “Ylli i zemrës”, “Për ty”, “Pelegrin i vonuar”, “Dranja”, “Nga bibla e heshtjes”, “Bukuria e zezë”, “Etje”, “Lum Lumi”, “Buzë të ngrira në gas” etj. E megjithatë, ka pasur edhe poetë të tjerë dhe vepra letrare të tjera që më parë se sa jetën estetike e kanë bërë jetën reale: poema “Përse mendohen këto male” e Ismail Kadaresë, poema “Nënë Shqipëri” e Dritëro Agollit etj.

Brenda këtyre shteteve, brenda këtyre periudhave dhe sistemeve politike, letërsinë shqipe e kanë shkruar dhe janë bërë pjesë e letërsisë gjithëkombëtare prozatorët: Mihal Grameno, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Dhimitër S. Shuteriqi, Jakov Xoxa, Adem Demaçi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Sterio Spasse, Nazmi Rrahmani, Sabri Godo, Bilal Xhaferi, Martin Camaj, Anton Pashku, Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, Jusuf Buxhovi, Ridvan Dibra etj.; prej penës së të cilëve janë botuar novelat dhe romanet më të mira të shekullit XX: “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, “Novelat e qytetit të veriut”, “Ago Jakupi dhe tregimet e tjera”, “Tregtar flamujsh”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur”, “Hasta la vista”, “Kronikë në gur”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Kështjella”, “Ra Berati”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Zgjimi”, “Me valët e jetës”, “Ali Pashë Tepelena”, “Kulla”, “Udhëtimi arbdhetar”, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Stina e stinëve”, “Bijtë e askujt” etj. E megjithatë, ka tregimtarë, novelistë dhe romansierë që me veprat, më parë sesa me vlerat artistike të tyre, kanë bërë një jetë të tërë në letrat shqipe të shekullit XX, pikërisht përmes temave shoqërore dhe politike, me të cilat i janë imponuar publikut shqiptar: Fatmir Gjata “Këneta”, Sterio Spasse “Afërdita përsëri në fshat” dhe “Ata nuk ishin vetëm”, Azem Shkreli “Karvani i bardhë”, Sinan Hasani “Era dhe lisi” etj.

Brenda këtyre shteteve, dramaturgët përgjithësisht kanë munguar dhe për një kohë të gjatë më parë sesa për arritje të dramaturgjisë shqiptare, ndoshta me mirë do të ishte të flitej për përkthimin e dramave me përmasa botërore nga Fan Noli, Kristo Floqi e Skënder Luarasi dhe vetëm më pas për dramat e Kolë Jakovës, Sylejman Pitarkës, Rexhep Qoses, Ymer Shkrelit, Emin Kabashit etj., prej penës së të cilëve janë përkthyer dramat e Shekspirit, të Gëtes apo janë shkruar dramat “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Mitet e zhveshura”, “Anija e vjetër”, “Trilogjia ilire” etj.

Brenda kësaj periudhe më në fund janë formuar edhe historianët dhe kritikët e letërsisë: Faik Konica, Fan Noli, Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja, Mateo Mandala, Agim Vinca, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Bajram Krasniqi, Rexhep Murtez Shala etj., prej pendës së të cilëve janë botuar vepra të mendimit shkencor: “Historia e letërsisë shqipe”, “Romantizmi”, I-III, “Porosia e madhe”, “Lirika e Naim Frashërit”, “Vepra e Zef Skiroit”, “Poetika e romanit historik shqiptar” etj. E megjithatë, ka pasur në letrat shqipe studiues, e sidomos kritikë letrarë që kanë vendosur jo vetëm për fatet e letërsisë së kësaj periudhe po shumë herë edhe për fatin e krijuesit të kësaj epoke, si: Dalan Shapllo, Kudret Velça, Adriatik Kallulli, Razi Brahimi, Alfred Uçi etj.

Me letërsinë shqipe të pavarësisë 100-vjeçare, më në fund identifikohen edhe disa revista letrare dhe shkencore, pa të cilat nuk mund të shkruhet historia e letërsisë shqipe. Fjala është për revistat letrare dhe shkencore: “Albania”, “Hylli i Dritës”, “Korça”, “Leka”, “Bota e re”, “Kritika”, “Nëntori”, “Drita”, “Jeta e re”, “Fjala”, “Jehona” dhe “Shejzat”. Historia e letërsisë shqipe edhe mund të shkruhet duke mënjanuar për një arsye a një tjetër shumë nga shkrimtarët shqiptarë, po ajo nuk mund të shkruhet duke e mënjanuar kontributin e cilësdo prej këtyre revistave të cilat gjatë shekullit XX, për shumë dekada kanë bartur vlerat më të arrira të letërsisë së një periudhe a një kohe të caktuar.

I identifikuam gjithë këto vepra, autorë a revista letrare, për të shënuar majat letrare dhe estetike që janë arritur gjatë këtij shekulli, por me këtë rast në asnjë mënyrë nuk e kemi identifikuar krijimtarinë letrare, që për shkaqe artistike apo edhe jashtëletrare ka ndikuar në jetën kulturore, shpirtërore dhe etike të popullit shqiptar e ato janë vepra që gjatë janë shquar në kritikën letrare dhe historiko-letrare, në shtypin kulturor dhe në shtypin politik-propagandistik, në studimet shkencore dhe në tekstet shkollore etj.

Për shkak se disa prej formave stilistike të veprave letrare kanë vazhduar të paraqiten edhe pas periudhës së romantizmit, ndikimi i tyre është ndjerë pothuajse gjatë gjithë periudhës së parë të shekullit XX, ndërsa për shkak të komunikimit të vonuar a botimit të pjesshëm të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, letërsia e romantizmit të shekullit XIX dhe letërsia romantike e botuar me vonesë të konsiderueshme, e ka ushtruar ndikimin e saj pothuajse gjatë gjithë shekullit XX.

Në këtë rrjedhë duam që të kujtojmë gjithashtu faktin se brenda këtyre shteteve, brenda këtyre periudhave dhe sistemeve politike të këtij 100-vjetori të Pavarësisë, letërsinë shqipe nuk kanë arritur ta shkruajnë mjaftueshëm, dhe me jetën e veprën e tyre të bëhen pushtues të vlerave kombëtare dhe universale, edhe një numër shkrimtarësh, për arsye se sistemet e kohës në Shqipërinë e shekullit XX dhe në ish-Jugosllavinë e kësaj kohe, i burgosën, i vranë dhe madje i varën apo eliminuan në mënyra të ndryshme. Fjalën e kemi për ata krijues, si: Musine Kokalari, At Anton Harapi, Vinçens Prenushi, Fazli Grajçevci, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Kasëm Trebeshina, Havzi Nela, At Zef Pllumi, Ethem Haxhiademi, Bilal Xhaferi, Jusuf Gërvalla, të cilët si me jetën ashtu edhe me veprën e tyre u përpoqën të pushtojnë hapësirat e mbetura etnike, kufijtë etnikë të lirisë kombëtare dhe më në fund horizontin e ideologjive të tjera, për më tej, të demokracisë universale.

Duke bërë një përzgjedhje të rrudhur të shkrimtarëve dhe veprave më të shquara të shekullit XX, këtu nuk pretendojmë që të vendosim kufirin historik dhe estetik të perceptimit të gjinive, llojeve, autorëve dhe veprave më të mira të krijimtarisë së letërsisë shqipe dhe studimit të saj. Në këtë hapësirë kohe që më jepet mund të theksoj vetëm disa nga shenjat përgjithësuese të veprave dhe autorëve të saj. Përkundrazi me këtë sprovë ne duam të theksojmë vetëm faktin se ndarjet gjeografike, politike dhe historike në jetën tonë nuk na kanë bërë të paqenë.

Padrejtësitë historike, politike dhe ideologjike në letërsinë shqipe kanë bërë që krijuesit shqiptarë, përveç veprave të mbamendjes kombëtare dhe universit letrar, të shkruajnë edhe vepra letrare, me të cilat himnizonin epoka të caktuara historike dhe kultin e bartësve të tyre, pra tekste për epokën e antikitetit dhe kultin e Mbretëreshës Teutë, për periudhën e arbrit dhe kultin e Skënderbeut, për epokën e rilindjes dhe luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për periudhën e shpalljes së pavarësisë dhe idhujt e saj Ismail Qemalin e Isa Boletinin, për Mbretërinë Shqiptare dhe kultin e Mbretit Zog, për fashizmin dhe Duçen, për komunizmin dhe bardët e tij në Shqipëri e ish-Jugosllavi: Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin, Titon e Enver Hoxhën; për demokracinë dhe zgjimin e ndërdijes sonë evropiane e kështu me radhë.

Në të vërtetë, më shumë se për periudhat ideologjike dhe bartësit e tyre, krijuesit letrarë kanë shkruar poezi për Shqipërinë dhe për Kosovën. Për të parën, sigurisht në të gjitha periudhat e për të dytën, kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX. Për të parën (Shqipërinë) më shumë për shkak të dashurisë, e për të dytën (Kosovën), më shumë për shkak të dhembjes. Duke shkruar për Shqipërinë dhe për Kosovën, shkrimtarët shqiptarë, kanë shkruar për pasuritë e mëdha materiale dhe shpirtërore që e shquajnë të kaluarën dhe të sotmen shqiptare të tyre, por duke shkruar për Shqipërinë dhe për Kosovën, jo njëherë kanë klithur për dhembjet që jua ka shkaktuar atdheu i tyre, prandaj nuk është vështirë të gjenden edhe vargje proteste për atdheun që të vret, për shkak të dashurisë.

Letërsia e shekullit XX, e cila, sikur u tha deri këtu, është e pasur me periudha, shkolla letrare, krijues, vepra, ngjarje, vende, heronj, personazhe, karaktere, ide, koncepte dhe vlera të tjera historiko-letrare dhe estetike, ka edhe një përbërës të pazëvendësueshëm, kultin e gjuhës. Letërsia e kulteve, do të thoshin studiuesit e saj, është letërsi e përkohshme e mbijetesës jashtëletrare të atyre kulteve, por prej përvojës historik-letrare të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore nuk është vështirë të kuptohet se është pikërisht shenjtëria e gjuhës në letrat shqipe, ajo që e ka shquar pasurinë tonë mendore, kombëtare, kulturore, materiale dhe shpirtërore edhe në krijimtarinë letrare. Le të jetë kjo arsye e mjaftueshme që në këtë çast krenarie njëshekullore për pavarësinë e shtetit shqiptar, të ndjehemi gjithashtu krenarë për pasurinë e gjuhës shqipe, ruajtur brenda letërsisë popullore apo shkruar shekuj me radhë. Le të jetë kjo arsye e mjaftueshme që në këtë çast krenarie të ftojmë shkrimtarët që ta shquajnë shenjtërinë e saj, e kjo do të thotë, t’i zgjerojnë përbërësit semantikë të saj, pa frikën se kulti i saj do t’i vejë në dyshim ngjyresat estetizante të saj. Dëshmitare të kësaj thirrje kam pikërisht traditën historike të letërsisë shqipe. Cila do të ishte poezia e Ndre Mjedës, Martin Camajt apo Azem Shkrelit pa pasurinë leksikore që ofron poezia e tyre, si do të dukej struktura letrare – estetike e prozës së Ismail Kadaresë, Jakov Xoxës apo Mitrush Kutelit, pa sistemin sintaksor që ofron shqipja e tyre; çfarë do të ishte mendimi intelektual i Fan Nolit, Faik Konicës dhe Rexhep Qoses pa përbërësin intelektualizues të shqipes së tyre! A do të mundë të perceptohej epopeja kombëtare, “Lahuta e Malcis”, ashtu sikur është perceptuar gjatë gjithë shekullit XX, kryesisht për shkak të temave të mëdha të saj, pa pasurinë leksikore dhe sintaksore të trashëgimisë së eposit tonë legjendar.

Po e shquajmë gjuhën shqipe, këtë vlerë të shenjtë të nacionit tonë (Çabej) dhe po e shquaj vendin e saj në letërsinë shqipe të shekullit XX, kur kulti i saj dhe për të, konsiderohet i mbyllur në fund të shekullit XIX, për një arsye tjetër madhore: janë shkrimtarët përkatësisht letërsia shqipe, ajo që e ka ngritur panteonin modern të saj, janë disa nga veprat më të mira të letërsisë shqipe ato që na kanë bërë ta shquajmë mundësinë e gjuhës shqipe për të ndërtuar mendime të mëdha në jetën tonë, janë disa nga veprat e shquara të letërsisë shqipe ato që na kanë bërë krenarë me mundësitë që ofron gjuha shqipe për të lëruar pasurinë kuptimore dhe estetike të strukturave letrare.

Le ta bëjmë prandaj, gjuhën shqipe, trashëgiminë historike të saj dhe strukturën moderne të saj, identifikuese të vlerave të reja, bazë të kërkimeve të reja letrare, përbërëse jo vetëm gjuhësore po edhe estetike të letërsisë së shekullit XXI, shenjë dalluese të letërsisë së shekullit të ri: të Pavarësisë.

 

 

Një projekt për sigurinë e monumenteve parashikon vendosjen e kamerave në 35 kisha; priten fondet

Në vend të armëve, kamera!

 

Kur u dhunua deri në shkatërrim afresku i Onufrit në Kishën e Shën Premtes në Valsh të Elbasanit, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, doli konferencë për shtyp vetëm për t’iu përgjigjur akuzave të bëra nga trotuari i ministrisë deri në katin e saj të tretë. Kjo për situatën këtu, ku çdo kauzë kulturore përdoret nga krahët politikë dhe në këtë rast e devijon thelbin e përgjegjshmërinë së ministrit, duke u marrë me akuzat e politikës. Megjithatë, nxitur nga ngacmimi politik, Bumçi mblodhi gazetarët në një konferencë rrufe për shtyp, duke treguar investimet mbi kulturën, por duke treguar me vetëdije të plotë sa “zhveshur” janë monumentet e kulturës pas bastisjes së Kishës së Shën Premtes, rasti unikal kur kemi të bëjmë më monument të kategorisë së parë.

Në ironi, dilema s’kishte vend; të ruheshin monumentet me policë të pajisur me armë, apo me kishte sigurie modern. Pyetur nga “standard” nëse ka ndonjë projekt për “mbrojtjen” e monumenteve, Bumçi iu përgjigj pozitivisht, po thjesht ekzistonte si ide. Në fakt prej 20 vitesh që vendi bastiset rregullisht dhe monumentet dhunohen sistematikisht, asnjë palë politike nuk ka artikuluar ende ndonjë strategji mbrojtje, përjashto “justifikimin” e tanishëm të ministrisë se mbrojtja e vetme sot për sot është mirëmbajtja e tyre?! Megjithatë, nga konferenca e shtypit doli ideja se monumentet mund të mbroheshin edhe me duke u vënë nën survejimin e kamerave! Dhe pas pak javës, dje, drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe ka deklaruar për mediat se po hartojnë projektin për vendosjen e 35 kamerave të sigurisë në dhjetëra kisha që janë zona të thella malore dhe ku gjenden afreske të piktorëve më famë.

Zonat e përfshira janë Korça, Lushnja, Saranda, Elbasani ku ndodhen pikturat e Onufrit, Konstandin Shpatarakut etj. Në fakt, Baçe ka deklaruar se ndonëse nuk është “detyrë” e Institutit, dhe dihet e Ministrisë, si institucion po “ndihmon” në zgjidhje të situatës!

Sistemi se si funksionon ligji për mbrojtjen e trashëgimisë është diskutuar si mjaft I ngatërruar ku shpesh ngatërrohen ose lihen pas dore kompetencat apo përgjegjësit, si në raste të tilla. Sugjerimi në këtë rast vjen më modest para se të bëhet një rrëmujë e madhe për përmbysjen e funksionimit të kompetencave të trashëgimisë, duke hedhur për zgjidhje të shpejta në ruajtjen e monumenteve siç është vendosja e kamerave me sensorë, duke u konsideruar si parandaluese më efikase në mbrojtje të tyre nga shkatërrimi.

Por, kostoja e tyre, ashtu siç nuk ua ka mbajtur edhe ministrave të tjerë, është mjaft e lartë. Përmendet efikasiteti në Butrint, por shuma në këtë rast shkon 100 mijë dollarë, për të cilat Baçe ka deklaruar për mediat se do presin ndonjë VKM nga qeveria, apo do dalin të mbledhin nga ndonjë donator.

V. M.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency