Tirana prezanton “të ardhurit” e rinj

0
106

Altin Vorpsi

gilmanGilman Lika: Unë ndihem si në shtëpinë time tek Tirana dhe vendosa që të vazhdoj të luaj për këtë klub duke u qëndruar besnik edhe shokëve

 

Tirana ka prezantuar blerjet e reja në këtë merkato dimri. Herbi Fortunat, Dario Xhuti, Fatmir Hysenbelliu dhe Eleandro Pema do të mbajnë veshur fanellën bardheblu këtë edicion. Ndërkohë që më shumë bujë ka bërë zyrtarizimi i akordit dhe firmosja e kontratës së rinovimit me Gilman Likën. Në prani të administratorit të klubit bardheblu, 24 herë kampion i vendit, Salih Tagani, por edhe të trajnerit Alban Tafaj, janë prezantuar ardhjet e reja te 24 herë kampionët e vendit.

 

I shumëkërkuari

Gilman Lika, i shumëkërkuar nga skuadrat në kampionatin shqiptar, ka vlerësuar gatishmërinë e drejtuesve bardheblu për ta mbajtur në gjirin e tyre, ashtu sikurse ka shprehur kënaqësinë që do të vazhdojë të kontribuojë për 24 herë kampionët e Shqipërisë. “Unë ndihem si në shtëpinë time tek Tirana dhe vendosa që të vazhdoj të luaj për këtë klub duke i qëndruar besnik edhe shokëve, drejtuesve të klubit dhe tifozëve që më kanë respektuar”, – u shpreh mesfushori shkodran.

 

Fortunat

Herbi Fortunat, që do të mbajë numrin 14 te kryeqytetasit, është dukur i lumtur për rikthimin në Shqipëri, kësaj here jo me Besën, por me Tiranën. “Premtoj gola për Tiranën. Falënderoj drejtuesit që më besuan dhe nënshkruan kontratën me mua. Tirana është ekipi më i madh në Shqipëri dhe këtë e tregojnë trofetë që ka fituar. Sa i takon këtij sezoni, ndoshta vendi i parë është i vështirë për t’u arritur, po të kemi parasysh diferencën në pikë me Skënderbeun, por vendin e dytë nuk duhet ta diskutojmë”, – ka pohuar sulmuesi nga Haiti.

 

Ish-i i trofeve

Eleandro Pema është një tjetër afrim i merkatos së dimrit te bardheblutë, por për të bëhet fjalë për një rikthim në këtë skuadër. “E vesh për herë të tretë fanellën bardheblu, peshën e së cilës e njohin të gjithë. Në dy herët e tjera jam shpallur kampion me bardheblutë, ndaj shpresoj të jem i suksesshëm edhe këtë herë. Ndoshta titulli është paksa i vështirë për t’u fituar, por në vendin e dytë i kemi të gjitha mundësitë të renditemi në fund të kampionatit”, – tha Pema.

 

Situata

Tirana renditet në vend të tretë në kampionat me 22 pikë, një më pak se Teuta e vendit të dytë. Sipas Taganit, objektiv i klubit pas merkatos mbetet pjesëmarrja në Kupat e Evropës, çka nënkupton arritjen e vendit të dytë në fund të sezonit. Tirana mund të luajë në Ligën e Evropës, edhe nëse renditet e treta, mjaft që trofeu i kupës të fitohet nga njëra mes dy skuadrave që renditen në dy vendet e para: Skënderbeu ose Teuta. “Djemtë e detit” janë thuajse të eliminuar, ndaj shanset reale i ka vetëm skuadra korçare. Sidoqoftë, për të qenë më se të sigurt, te Tirana duan patjetër vendin e dytë në renditje.

 

Salih Tagani

Administratori Tagani ka vlerësuar merkaton e bërë në janar, ndërsa ka konfirmuar objektivin e të tijve: “Vendi i dytë në Superiore, që do të thotë edhe pjesëmarrje në Kupat e Evropës”. Kjo është e domosdoshme, duke ditur se bardheblutë e shohin veten jashtë Kupës së Shqipërisë që në raundin e dytë të saj, kur u eliminua nga Kukësi debutues në Superiore. Një tjetër pikë “e nxehtë” e prekur nga ai ishte edhe ajo e financave. Tagani nënvizoi faktin se Tirana asnjëherë nuk ka pasur të tilla probleme. Administratori nënvizoi faktin se në skuadrën bardheblu të tërë futbollistët kanë marrë pagat e tyre.

 

Alban Tafaj

Afrimet e fundit në skuadër do ta shndërrojnë Tiranën në një skuadër sulmuese në fazën e dytë. Trajneri Tafaj deklaron se synimi kryesor është ruajtja e vendit të dytë. “Kemi 13 ndeshje për të luajtur dhe do të kërkohet maksimumi. Besoj se faza e dytë do të jetë e suksesshme. Duam të mbajmë vendin e dytë dhe të luajmë mundësitë tona për trofeun”, – deklaroi tekniku i bardhebluve.

 

Prezantimi

Ujkani: Do të jap maksimumin për Kievon

Ashtu siç e kishin paralajmëruar që një ditë më parë, ndodhi. Saimir Ujkani, që vetëm 24 orë më parë kishte firmosur për Kievon, u prezantua dje nga presidenti i klubit, Luka Kampedeli. Së bashku me Ujkanin në sallën e shtypit të “Parc Hotel” të Peskierës ishte edhe një tjetër blerje e re e Kievos, Nikolaos Spiropoulos (mbrojtës grek). “Jam shumë i lumtur që jam këtu sot”, – këto ishin fjalët e para të Ujkanit. Portieri shqiptar menjëherë u pyet edhe sa u përket objektivave që i kishte vënë vetes. “Dua të bëj më të mirën. Dua të jap më të mirën, me qëllim që skuadra të ecë para. Sa i përket vendit të titullarit mendoj se do të jetë trajneri ai që do të vendosë gjithçka”, – pohoi Ujkani. Më tej gjatë fjalës së vet numri një i portës së përfaqësues sonë shpjegoi edhe disa prej faktorëve që e kishin çuan në Verona. “Erion Bogdani, që është një mik imi shumë i ngushtë, më ka folur shumë mirë për këtë shoqëri dhe për qytetin e Veronës. Ai më tha se Kievo është një mundësi e madhe për mua. Këtu mund të rritem nga ana njerëzore dhe profesionale. Ja ku jam”, – përfundoi Ujkani. Fjalë të mira për të kishte edhe numri një i “gomerëve fluturues”, Kampedeli, që e prezantoi portierin në mënyrën më të mirë të mundshme: “Ujkani ka një detyrë shumë të vështirë, pasi do të zëvendësojë një portier si Ujkani. I urojmë shumë fat dhe shpresojmë që të na ndihmojë në objektivin tonë që është shpëtimi nga rënia nga kategoria”.

 

Shkodër

Çela është zyrtarisht president i Vllaznisë

Sikurse njofton faqja zyrtare në internet e Vllaznisë, Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar të mërkurën kalimin në bashkadministrim të KF Vllaznia sh.a. Unanimisht, këshilltarët, pa asnjë dallim partiak apo politik, kanë miratuar draft-marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes administratorit Fatos Gjyrezi dhe biznesmenit Agron Çela, i cili do të mbajë edhe titullin si president i Vllaznisë. Draft-marrëveshja parasheh ndarjen e kontributeve financiare për një vit kalendarik në masën 60% Çela dhe 40% Bashkia Shkodër, e përkthyer në shifra: 30 milionë biznesmeni dhe 20 milionë bashkia. Ndërkohë, administrimi do të jetë i përbashkët, me dy firma të barasvlershme të Çelës dhe Gjyrezit. Në rast se shoqëria aksionare do të rezultojë me fitim, 100% e tij do të shkojë në favor të KF Vllaznia sh.a. Ndërkohë, biznesmeni Çela duhet të derdhë 15 milionë lekë deri në qershor 2013, teksa pjesën e saj 10 milionë bashkia tashmë e ka kaluar. Po kështu, Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe një fond 10 milionë lekësh për shlyerjen e borxheve të prapambetura të akumuluara nga KF Vllaznia sh.a. deri më 1 shkurt 2013, ditë kur zyrtarisht do të nisë bashkadministrimi biznes-bashki.

 

FSHF

Asambleja kërkon “fakte” për tre titujt kampionë

Federata Shqiptare e Futbollit, në mbledhjen e saj të radhës së Komitetit Ekzekutiv, e cila u zhvillua dje, mori në shqyrtim faktet e evidentuara nga komisioni i kryesuar nga zv.presidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi, për tri kampionatet e luftës. Kjo pikë me shumicë votash do të jetë në rendin e ditës se Asamblesë së Federatës Shqiptare të Futbollit që do të mbahet më 28 shkurt. Sa i përket kësaj pike në mbledhjen e djeshme u diskutua “në parim raporti i Komisionit të Rishqyrtimit të Titujve Kampion për vitet 1939-1942 dhe u la detyrë që deri në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv te FSHF-së (brenda muajit shkurt 2013) të paraqitet dokumentacioni përkatës i cili vërteton njohjen apo mosnjohjen e tyre. Aprovimi përfundimtar i kësaj çështjeje do të jetë votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së”. Një tjetër temë e rëndësishme e Komitetit Ekzekutiv ishte edhe ajo e stadiumit të ri. Dje “u paraqit një informacion i detajuar për ecurinë e punës rreth projektit për stadiumin e ri Kombëtar si edhe u aprovua një fond 200.000 euro për vazhdimin e procedurave te përbashkëta me Kompaninë supervizore nga Franca nëpërmjet të cilës do të përzgjidhet Kompania fituese”. Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të pranojë më të bëhet pjesë e shantazheve të futbollistëve të ndryshëm që shfrytëzojnë interesimin e kombëtares kuqezi për të përfituar ftesa nga kombëtaret e tjera evropiane në vendet ku luajnë. Situata të tilla janë përsëritur shpesh në vitet e kaluara, edhe me futbollistë që kanë veshur apo veshin fanellën kuqezi dhe tashmë është vendosur që fenomene të tilla të mos lejohen më. Në mbledhjen e parë të vitit 2013, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka vendosur me votim unanim që të miratohet një rregull i veçantë për futbollistët që thirren në ekipet kombëtare. “Nëse një futbollist nuk i përgjigjet pa asnjë arsye ftesës për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare, nuk do ta ketë më këtë mundësi në të ardhmen”, shkruhet në vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Ky fenomen ndeshet shumë shpesh në kombëtaret e moshave, me futbollistët që luajnë jashtë territorit shqiptar, të cilët kanë refuzuar pa asnjë arsye konkrete ftesat e ardhura nga përfaqësueset. Në kombëtaret e moshave kjo gjë bëhet në mënyrë që lojtarët e rinj të përfitojnë ftesa nga kombëtaret e një moshe më të madhe për të rritur prestigjin e tyre dhe normalisht për të bërë emër në klubet që militojnë. Të tjerë lojtarë i përdorin refuzimet për të negociuar me kombëtaret e vendeve ku luajnë, ngjarje të cilat kanë ndodhur me rregullsi sidomos në Greqi e Zvicër. Por një gjë e tillë ka ndodhur në të kaluarën edhe në kombëtaren e madhe. Dy rastet më të njohura janë ato të Besart Berishës dhe Mergim Mavrajt, të cilët refuzuan disa herë ftesën e kombëtares shqiptare dhe e pranuan atë vetëm pasi nuk arritën të siguronin një ftesë nga kombëtarja gjermane e futbollit, duke lënë për një kohë të gjatë në pritje Federatën Shqiptare të Futbollit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency