Projektligji i qeverisë, 215 mijë punonjës përfitojnë 10 për qind rritje rroge

0
131

Ina Jano

berishaBerisha: Taksa progresive rrit numrin e të varfërve

 

10 për qind rritje rroge do të përfitojnë 215 mijë punonjës shqiptarë në sektorin privat dhe në administratën publike. Ky është projektligji më i fundit që është duke u përgatitur nga kabineti qeveritar, ku sigurisht peshën kryesore po e mban Ministria e Financave. Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë ditën e djeshme u shpreh se kjo është rritja më e madhe dhe më e ndjeshme që ka ndodhur ndonjëherë dhe në këtë kontekst vlerësoi se taksat e sheshtë është ajo që i nevojitet vendit. “Kryefjala e kësaj mbledhjeje është revolucioni ynë fiskal, i cili nuk ka të ndalur, por kësaj radhe konsiston me rritjen 10 për qind të rrogave të mbi 200 mijë punonjësve në sektorin privat, me rrogë nën 30 mijë lekë dhe përafërsisht të 15 mijë punonjësve të të gjitha sipërmarrjeve publike dhe sektorit publik qendror e lokal me rrogë nën 30 mijë lekë, të cilëve do t’u hiqet tatimi mbi të ardhurat personale prej 10 për qind. Kjo është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre, në këto sipërmarrje. Kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë. Nuk ka diskutim që taksa e sheshtë është taksa më optimale, por, gjithnjë, si çdo model, edhe modeli ynë ultraliberal ka nevojë për përmirësime, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm dhe ky është një reformim në frymën e tij”, – shtoi Berisha. Ai vijoi duke akuzuar edhe opozitën e cila është duke predikuar taksën progresive, duke thënë se ajo duhet që të lihet në arkivat e kohës së komunizmit pasi asaj periudhe i përket. Duke i konsideruar spekulative dhe mashtrime, deklarimet e opozitës lidhur me taksën e sheshtë, Kryeministri u shpreh se ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë pagat e të ardhurat nga njëra-tjetra.“Në thelbin e në të vërtetën e saj, ajo është taksë proporcionale, por, natyrisht, jo në urrejtjen ndaj të pasurve. Në mënyrën më të përsëritur, politika që kanë synuar të zgjidhin problemet e të varfërve, duke shkatërruar të pasurin, kanë falimentuar totalisht dhe kanë sjellë të kundërtën, kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve”, – u shpreh kreu i ekzekutivit.

Një tjetër aspekt pozitiv që pritet të vijë nga kjo reformë është edhe rritja e pagës me 10 për qind për punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë, si efekt i heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale, do të ngushtojë edhe më tej diferencën midis nivelit të pagave në vend. Si rezultat i politikës konstante të rritjes së pagave, theksoi Kryeministri, diferenca midis pagës së Kryeministrit dhe mësuesit, nga 1 me 9 që ishte shtatë vjet më parë, sot është në raportin 1 me 4.5 dhe ulët, ndërsa garantoi se qeveria është e vendosur ta ngushtojë më tej këtë diferencë. “Me rritjen 10 për qind të rrogave, ne ngushtojmë gjithashtu me 10 për qind më shumë diferencën e rrogave, të cilën e kemi gjetur çnjerëzore e të papranueshme. Ditën që jam ulur në këtë karrige, diferenca midis rrogës së Kryeministrit dhe rrogës së mësuesve të fëmijëve tanë ishte 1 me 9, ndërsa me rrogat e infermierëve të të sëmurëve tanë shkonte 1 me 13 a 14. Sot jemi në raportin 1 me 4.5 dhe rritja e rrogave të ulëta me 10 për qind e ngushton edhe më shumë diferencën në tërësi. Ky ka qenë e mbetet qëllimi ynë”, – tha Berisha në mbledhjen e përjavshme me kabinetin qeveritar.

Megjithatë duket se ekonomia do të jetë një nga pikat më të nxehta të fushatës zgjedhore që pritet të ashpërsohet edhe më shumë në muajt në vijim, kjo edhe për shkakun se eurozona është duke përjetuar një krizë. Pikërisht lidhur më këtë krizë, qeveria shprehet se sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare vendi nuk ka rënë në krizë ekonomike dhe kjo është një nga pikat më pozitive. Madje sipas të gjitha të dhënave dhe shifrave të publikuara edhe nga organizmat ndërkombëtarë në vend është ulur papunësia, janë rritur eksportet, por edhe reformat e ndërmarra nga qeveria kanë përballuar mjaftueshëm mirë të gjitha pasojat e krizës së monedhës euro. Disa muaj më parë, qeveria hoqi ligjin për TVSH-në e makinerive prodhuese, duke i dhënë kështu një hov tjetër ekonomisë në vend.

 

Berisha: Ne mbajmë premtimet tona

Përpara se Kryeministri ta bënte të ditur gjatë mbledhjes së qeverisë lajmin për rritjen me 10 për qind të rrogave për 2015 mijë punonjës në vend, ai më parë e zbuloi projektin për të gjithë miqtë e tij në Facebook. Që në mëngjes ai duke ju referuar të dhënave të sakta nga Ministria e Financave, kreu i qeverisë bëri të ditur numrin e personave që do të përfitonin, por edhe për të theksuar se PD-ja i mban premtimet. “Ministria e Financave më njoftoi sot se, me vendimin e ardhshëm të heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale prej 10%, dhe për rrjedhojë të rritjes së rrogës me 10% ose më shume se një rrogë shtesë në vit, përfitojnë 200 mijë punonjës vetëm nga sektori privat (dhe jo 120 mijë, nga sektori privat dhe publik, siç jam shprehur në statusin e pardjeshëm) si dhe së paku 15 mijë nga i gjithë sektori publik. Mendova të ndaja me ju këto të dhëna që janë më të sakta dhe e bëjnë lajmin edhe më të mirë. Ne mbajmë premtimet tona!”, – shkroi dje Berisha.

 

 

 

Nisma, Kryeministri: Të rishikohet qëndrimi për shqiptarët e penalizuar

Qindra shqiptarëve në këta 20 vjet u janë vënë vula apo u janë grisur pasaportat duke u ndaluar të hyjnë në shtete të caktuara. Duke folur për një nismë të posaçme, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Jashtëm dhe atij të Brendshëm, nisjen e diskutimeve me çdo shtet të veçantë, me qëllim që edhe ata persona të kenë mundësi të lëvizin lirshëm. “Do të ishte e nevojshme zoti ministër i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm se gjatë këtyre 20 vjetëve për arsye të vetëkuptueshme janë një numër shumë i madh qytetarësh shqiptarë që kanë marr vite më parë vula largimin se kanë shkelur rregullat. Por mirë është që të ketë një lloj sistemi parashkrimi, në kuptimin që një njeri që ka bërë një gabim po nuk është kap në asnjë lloj trafiku, sigurisht që ka një parashkrim. T’u kërkohet një nga një vendeve sepse nëse do të kishte qenë ky sistem asnjë prej tyre nuk do të kishte një vulë mos hyrje më në atë vend. Kjo duhet trajtuar me vend pas vendi dhe me të gjitha vendet e plota tu jepen listat”, – tha Berisha. Ky i fundit u shpreh se shumica e qytetarëve ndërtuan jetën dhe janë qytetarë të respektuar në ato vende dhe të tjerë janë kthyer për këto motive dhe për këtë arsye duhet që të shihen marrëdhëniet me vendet mike. Kryeministri Berisha trajtoi në mbledhjen e qeverisë edhe përfshirjen e pozicionit të teknologut ushqimor industrinë ushqimore, si standard i rëndësishëm i kësaj industrie, që rrit garancinë e sigurisë ushqimore, por edhe suksesin e sipërmarrjes.

 

Reagimi, Berisha: Krahasimi i shqiptarëve me terroristët, albanofobi

Kryeministri reagoi dje pas deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, për heqjen e përmendores së heronjve të Preshevës. Sipas Berishës, krahasimi i Daçiçit për shqiptarët me terroristët e Al Kaedës është një shprehje e radhës e albanofobisë pa të ardhme që dominon në Beograd. Reagimi është bërë në profilin e Kryeministrit në FB, ku Berisha thekson se ata ranë për lirinë e shqiptarëve të Luginës se Preshevës. “Pyetjes për arsyet e heqjes së përmendores së heronjve të Preshevës, Kryeministri i Serbisë iu përgjigj në Shkup se ata ishin terroristë dhe shtroi pyetjen retorike: “A do të lejonin SHBA-të të vendosej në Nju Jork një përmendore e terroristeve të Al Kaedës?” Luftëtaret e lirisë ranë për lirinë e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës që përjetonin shtypjen më të egër nga regjimi i Millosheviçit. Ata me luftën e tyre të drejtë imponuan një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar me autoritetet e Beogradit për më shume liri, të drejta dhe autonomi për shqiptaret e Luginës së Preshevës, si dhe shpejtuan fundin e regjimit të Millosheviçit dhe në një farë mënyrë edhe çlirimin e popullit serb nga regjimi i tij. Krahasimi i tyre me terroristët e Al Kaedës është një shprehje e radhës e albanofobisë pa të ardhme që dominon ne Beograd. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”, – shkroi Berisha në Facebook.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency