Haradinaj: Brenda javës dihet epilogu me PDK-në

0
1050

haradinajKryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se brenda kësaj jave do të dihet epilogu me PDK-në dhe në rast se nuk ka një marrëveshje për bashkëqeverisje, gjendja do të mbetet kështu siç është deri në kohën e zgjedhjeve.

Haradinaj ka thënë se për pak ditë do të shihet se a do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në apo jo, në të kundërtën, ai ka deklaruar se do të presin deri kur të vijnë zgjedhjen në vend. “Për pak ditë, nuk bëhet fjalë edhe për javë do t’i pajim epilog një mundësie të këtillë. Pra, vetvetiu po mbërrijmë te një epilog. Me vjen keq nëse kjo ka shkaktuar dilema ose çfarëdo qoftë tjetër, por me siguri se do të vijë deri te ky epilog”, – ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se nëse do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, atëherë menjëherë do të fillojnë të punojnë, në të kundërtën, Haradinaj ka deklaruar se do ta presin mundësinë deri që ta marrin qeverisjen në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vend.

 

Koalicion ose zgjedhje

 

Ramush Haradinaj do ta presë vetëm deri në muajin shkurt përgjigjen e Hashim Thaçit për çështjen e koalicionit. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se nëse nuk arrihet marrëveshja, partia e tij do të angazhohet për zgjedhje. Ndërsa, në PDK pohojnë se pengesë e re për marrëveshje mund të jenë zgjedhjet e brendshme në Aleancë.

Partia e Ramush Haradinajt ka vendosur të presë muajin shkurt për të hyrë në koalicion me PDK-së ose do të angazhohet që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.

Këto dy opsione i ka përmendur Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

Ai ka thënë se ende besojnë që kërkesa e tyre, që Ramush Haradinaj të bëhet Kryeministër, do të pranohet nga PDK-ja, ndërsa e përmend muajin shkurt si afatin përfundimtar për të bërë ose jo koalicionin. “Shkurti pritet të jetë muaji kur mund të vendoset për koalicionin”, – ka thënë Isufi për “Express” të martën. “Tjerat opsione janë të shkohet në zgjedhje, të cilat mundësojnë me reformën zgjedhore të jenë zgjedhje demokratike”, – ka shtuar ai. Ramush Haradinaj prej kthimit nga Haga në Kosovë, në fund të nëntorit 2012, vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, me kushtin që të jetë në krye të qeverisë.

Për të arritur këtë qëllim, AAK ka përkrahur shumicën e nismave të Qeverisë, ndërsa Nënkryetarin e Parë e ka deleguar si Koordinator në bisedimet Kosovë – Serbi.

Aktualisht votat e AAK në Kuvendin e Kosovës janë vendimtare për të kaluar vendimet e Qeverisë, pasi koalicioni PDK-AKR i ka më pak se gjysmën e votave të deputetëve.

Megjithëkëtë, udhëheqësit e PDK-së kanë premtuar se do t’i kthejnë AAK-së përgjigje pas procesit të brendshëm zgjedhor.

Konventa e PDK është mbajtur të shtunën dhe të dielën, ku vetëm Kryetari është rizgjedhur, ndërsa organet tjera udhëheqëse pritet të votohen gjatë ditëve në vazhdim.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adem Grabovci thotë se është ende herët të flitet për koalicionin me AAK-në. Ai pohon se nuk mund të përmendë datat se kur mund të ndodhin takimet mes udhëheqësve të dy partive.

“S’mund të përmendi data sepse procesi zgjedhor ende s’ka përfunduar në PDK. Kur të përfundon procesi zgjedhor, shohim. Kryetari ka marrë besimin e partisë, tash edhe Këshilli Drejtues shumë shpejt do të dihen emrat”, – ka shtuar ai. Ky zyrtar i PDK-së thotë se opsioni i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk i konvenon asnjë partie politike pa përfunduar reforma zgjedhore. “Nuk i konvenojnë askujt zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne së pari duhet t’i përfundojmë reformat”, – ka thënë ai. Veç kësaj, Grabovci thotë se problem mund të sjellin edhe zgjedhjet e brendshme në AAK, të cilat pritet të përfundojnë në mes të muajit prill.

“Herët është dhe Kryetarët merren vesh mes veti. Z. Thaçi dhe z. Haradinaj e kanë lënë pas zgjedhjeve. Por, tash edhe AAK është në proces zgjedhor dhe nuk e di se si i kanë planet. Por, me siguri se do të takohen dhe do të bisedojnë”, – ka thënë Grabovci.

Ahmet Isufi i AAK-së thotë se koalicioni me PDK-në nuk varet nga zgjedhjet e brendshme në Partinë e Haradinajt. “Konsiderojmë që çështja e koalicionit nuk është e lidhur tani me zgjedhjet e AAK-së, sepse ne e kemi paraqitur edhe afatin kur do të duhej të bëhej koalicionit. Prandaj, mendojmë se një gjë e tillë do të vendoset në muajin e ardhshëm”, – ka shtuar Isufi.

Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë shfaqur ambicie për të bashkëqeverisur me PDK-në, edhe pse prej vitit 2004 Haradinaj dhe Thaçi i patën ftohur raportet. Në atë kohë, Haradinaj ishte bërë Kryeministër në bashkëqeverisje me LDK-në. Akuzat më të rënda mes PDK-së dhe AAK-së ndodhën në vitin 2009. Haradinaj kishte bërë akuza për krim, korrupsion dhe dëmtim të shtetit nga PDK-ja. Përgjigjja e PDK-së për liderin e AAK-së pati qenë se Haradinaj është i përfshirë në raketimin e bizneseve, në haraç, në krim të organizuar me kriminelët në Veri.

Express

 

Kosovë

AAK s’do rrëzimin e qeverisë

Hyrja në koalicion e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) duket më afër se kurrë. Kështu thuhet nga zyrtarë të dyja subjekteve politike, të cilët deklarojnë se janë duke u zhvilluar negociatat dhe së shpejti mund të ketë një qartësim për këtë. Ndërkohë, rrëzimi me anë të mocionit të votëbesimit nga opozita nuk do të mund të ndodhë, pasi AAK nuk shpreh vullnet për të përkrahur një variant të tillë.

Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, nuk beson që AAK do të mund të përkrah një mocion për rrëzimin e Qeverisë, duke thënë se kanë bashkëpunim të mirë me këtë parti.

“Ne me AAK-në kemi bashkëpunim dhe në përgjithësi me skenën politike kemi bashkëpunim. Procesi po kalon nëpër periudhë tepër të ndjeshme dhe kemi përshëndetur AAK-në për bashkëpunimin”, – ka theksuar Grabovci.

Ndërkohë, qëndrimet e Shefit të GP të AAK-së, Ardian Gjini janë krejt ndryshe nga deklaratat e bashkëpartiakut të tij, Burim Ramadani, i cili ka thënë se 12 votat në Kuvend të AAK-së janë për rrëzimin e Qeverisë.

“Mund të ju them se nganjëherë njerëzit kur ekspozohen ndaj një pyetje e thonë një analizë e cila mundet me qenë e saktë. Mirëpo po ju them që nuk ka kurrfarë përçarje absolutisht zero në Aleancë. Kjo që ka thënë zotëri Ramadani është e saktë sa i përket numrave, mirëpo nuk shpreh vullnet. Ju thashë edhe njëherë shumë shpejt për gjitha temat do të jeni të njoftuar”, – ka deklaruar Gjini.

Po ashtu, ai ka komentuar edhe çështjen e koalicionit, duke thënë se shumë shpejt do të ketë një qartësim për opinionin publik.

“Ka të bëjë me atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi. Është e njëjta gjë. Ka ardhur koha që të ketë qartësi për mundësinë e udhëheqjes së qeverisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo qartësi me siguri që do të ndodh në fillim të këtij muaji që po hymë për pak ditë dhe pas qartësimit edhe opinioni publik edhe të gjithë do të dinë se cila do të jenë rrugët cilat do të ndiqen pastaj. Është i njëjti pozicion që e ka mbajt Aleanca goxha të gjatë”, – ka thënë Gjini.

Zyrtari i lartë i AAK-së ka deklaruar që procesi i brendshëm zgjedhor në AAK, nuk e pengon çështjen e hyrjes në koalicion apo jo.   /kosovapress/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency