Tirana me pesë yje, sot zyrtarizohen blerjet e reja

0
158

Altin Vorpsi

tiranaHerbi Fortunat dhe Gilman Lika janë dy prej “diamanteve” më të çmuar që sot Tirana do ti nxjerrë në publik. Ekipi më i titulluar në Shqipëri mendon që t’i bëjë gjërat mirë në fazën e dytë të kampionatit. Gjatë kësaj kohe bardheblutë kanë punuar shumë në merkato për të forcuar si duhet grupin.

 

Pesë

Sot në orën 10:00 mësohet se në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” skuadra e Tiranës do të zyrtarizojë lojtarë si Gilman Lika, Herbi Fortunat, Eleandro Pema, Dario Xhuti dhe Fatmir Hynsenbelliu.

“Kemi mbyllur gjithçka me këta lojtarë dhe po mendojmë që nesër (sot) të dalim në një konferencë për shtyp jo vetëm për t’i prezantuar edhe para mediave, por edhe për t’i dhënë një lloj kuptimi merkatos që bëmë gjatë këtij muaji”, – është shprehur për mediat administratori i Tiranës, Salih Tagani.

 

Të larguarit

Por në këtë merkato janari Tirana nuk ka bërë merkato vetëm “në hyrje”. Prej skuadrës janë larguar disa elementë që janë aktivizuar më pak gjatë fazës së parë. Kujtojmë që nga skuadra bardheblu u larguan duke prishur konsensualisht kontratat mesfushori Fabio Hoxha, si dhe mbrojtësi malazez Miodrag Zec. Ndërkohë që drejtuesit tentuan që të jepnin në huazim te Partizani në Kategori të Parë edhe të paktën dy futbollistë: sulmuesin Arbër Abilaliaj dhe mbrojtësin Renaldo Kalari, por këta të fundit refuzuan të largoheshin.

 

Pjesa e parë

Aktualisht Tirana renditet në vend të tretë në kampionat me 22 pikë, një më pak se Teuta e vendit të dytë. Sipas drejtuesve bardheblu, objektiv i klubit pas merkatos mbetet pjesëmarrja në Kupat e Evropës, çka nënkupton arritjen e vendit të dytë në fund të sezonit. Tirana mund të luajë në Ligën e Evropës edhe nëse renditet e treta, mjaft që trofeu i kupës të fitohet nga njëra mes dy skuadrave që renditen në dy vendet e para: Skënderbeu ose Teuta. “Djemtë e detit” janë thuajse të eliminuat, ndaj shanset reale i ka vetëm skuadra korçare. Sidoqoftë, për të qenë më se të sigurt, te Tirana duan me patjetër vendin e dytë në renditje.

 

 

IFFHS, Tirana ekipi simbol i Shqipërisë

Tirana është skuadra simbol e Shqipërisë për shekullin e 21-të. Pavarësisht se nuk fiton titullin kampion në tre sezonet e fundit, bardheblutë janë lokomotiva e kampionatit shqiptar. Sipas IFFHS, Instituti i Historisë dhe Statistikave në Futboll, 24 herë kampionët janë skuadra më e mirë shqiptare për shekullin e 21 e ndjekur nga Vllaznia dhe Dinamo, vlerësim që vjen në bazë të rezultateve të arritura. Në renditjen e përvitshme të nxjerrë nga ky institut, Tirana renditet në vendin e 172 në klasifikimin botëror për shekullin e 21 me 716 pikë, duke lënë pas skuadra si Dinamo e Moskës, Real Societad apo dhe Uest Ham. 89 pozicione më poshtë renditet Vllaznia me 549.5 pikë. Shkodranët renditen në vendin e 261 duke lënë pas Goteborg, Rijekën dhe Sienën e serisë A. Edhe pse militon në kategorinë e parë Dinamo konsiderohet si skuadra e tretë më e mirë shqiptare për shekullin e 21. E renditur në vendin e 313 në botë, blutë kanë lënë pas skuadra si Rexhina apo Bohum. Pas Dinamos në këtë renditje vijojnë Teuta dhe Shkumbini, që ndiqen nga Besa dhe Flamurtari respektivisht në vendin e 6 dhe të shtatë. Nëse në Shqipëri emri i Partizanit është i nënvlerësuar, nuk ndodh kështu nga IFFHS, që i klasifikon demat e kuq në vendin e tetë në renditjen e skuadrave më të mira shqiptare për shekullin e 21. Pas Partizanit me diferencë të madhe pikësh vijnë Elbasani dhe Skënderbeu që mbyll 10 e parë në këtë klasifikim. Në krye të renditjes botërore për klube, për sa i përket shekullit të 21 qëndron Barcelona me 3.224 pikë i ndjekur nga Mançester Junajtidit dhe Real Madrid.

 

 

Zyrtare

Ujkani kalon tek Kievo

Samir Ujkani që nga dita e djeshme është një lojtarë i Kievos. Skuadra e dytë e Veronës, prej vitesh në Serinë A, mori dje shërbimet e shqiptarit me formulën e huasë dhe në fund të këtij edicioni do të ketë të drejtën e blerjes. “Gomerët fluturues” që pikërisht tek Palermo shitën Stefano Sorrentinon kanë besim tek 23-vjeçari që tani do të nisë një aventurë të re. Në fakt sfidën e vërtetë Ujkani e nisi që kur ishte 6-vjeçar kur së bashku me familjen emigroi në Belgjikë. Atje ai hodhi hapat e parë tek skuadra e Anderlehtit. Në 2007 ai firmosi një kontratë pesë vjeçare me Palermon. Në qershor të 2009 përfundoi tek Novara me formulën e huazimit. Pikërisht tek klubi piemontez Ujkani fillon që të ndihet i rëndësishëm pasi kthehet në një pikë referimi për ekipin në fjalë që për dy vite kalon nga Seria C në Serinë A. Si për ironi të fatit, takimi i parë historik në Serinë A për Ujkanin ishte sfida mes Novarës dhe Kievos. Bëhet fjalë për sfidën e parë të edicionit 2011-2012 të kampionatit italian, takim ky që u mbyll me rezultatin e barabartë, 2-2. Qershorin që kaloi Ujkani u rikthye tek Palermo pasi shoqëria rozë e zi besonte se do të bënte mirë. ndërkohë që vetëm këtë edicion ai luajti me vazhdimësi por nuk bindi. Ai koleksionoi 19 prezenca dhe pësoi shumë gola prej disa gafave që bëri. Tërë këto faktorë shtynë Palermon që të afronte Sorrentinon që është një portier me shumë eksperiencë. Kjo e fundit ndryshoi edhe hierarkitë tek Palermo. Sa i përket prezantimit, sipas ekipit të Kievos do të bëhet sot në orën 13:30 në ambientet e “Parc Hotel” të Peskierës.

 

Spanjë

E fejuara e Kasijasit: Tek Reali askush nuk komunikon me Mou-në  

Tashmë është fakt që mes gazetares sportive dhe të fejuarës së Iker Kasijasit, Sara Karbonero, dhe trajnerit të Realit, Zhoze Murinjo, gjërat nuk shkojnë fjollë. Gjatë një programi televiziv gazetarja bukuroshe ka konfirmuar situatën e acaruar në dhomat e zhveshjes së madrilenëve. Gjatë programit meksikan “La Jugada” ajo ka zbuluar se Murinjo nuk flet më me lojtarët e tij, ndërsa këta të fundit janë bërë bashkë dhe e kanë braktisur portugezin. Sipas saj ultimatumi i lojtarëve për shkarkimin e tij është më se i vërtetë, pavarësisht se ai u mohua nga vetë presidenti Florentino Perez. “Klima në dhomat e zhveshjes nuk është aspak e mirë. Lojtarët nuk janë aspak dakord me punën e trajnerit të tyre dhe ata nuk komunikojnë më. Ekziston një përçarje dhe pritet vetëm fundi i sezonit për të kuptuar fundin e kësaj historie”, – u shpreh e fejuara e kapitenit të Realit. “President, në qershor ose Murinjo ose ne”, – ishte titulli i madh me të cilin ishte hapur madrilenia “Marca” të enjten e shkuar. Një frazë e cituar nga goja e dy kapitenëve të Realit të Madridit, Iker Kasijas dhe Serxho Ramos. Ata ishin takuar me presidentin dhe drejtorin e përgjithshëm, Hoze Angel Sançez, për të diskutuar premiot e fundsezonit. Por veç shpërblimeve, në atë takim portieri dhe mbrojtësi i kishin kërkuar presidentit se në dhomat e zhveshjes ishte një situatë e nderë për faj të teknikut portugez. “Është e pavërtetë, e gjitha një gënjeshtër. Nuk ka shanse që kjo të ndodhë. Mu desh të thyej heshtjen time për të përgënjeshtruar informacionin e publikuar mëngjesin e sotëm në të përditshmen ‘Marca’, – ishin fjalët e shefit të klubit. Por drejtori i gazetës, Oskar Kampijo, për të bindur tifozët për vërtetësinë e lajmit të saj 24 orë më vonë, botoi të pacensuruara mesazhet e lojtarëve drejt redaksisë, duke u ruajtur anonimatin. Por të gjithë e dinë që në atë takim ishin dy kapitenët e skuadrës, Kasijas dhe Ramos.

 

Merkato

Baloteli “ndez” Milanon, bëhet “djall”

Mario Baloteli është futbollisti i ri i Milanit, pasi Mançester Siti pranoi ofertën e kuqezinjve prej 20 milionë eurosh (me këste), plus tre milionë bonus mbi titujt e fituar. Lajmi qarkulloi që dje në mëngjes, por u zyrtarizua në orën 18:00 në një edicion të posaçëm informativ në “Milan Channel”, kanali zyrtar i Milanit. Sulmuesi italian ka pranuar të ulë rrogën e tij vetëm e vetëm që të kthehet të luajë në Itali. Do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, ndërsa tek Siti paguhej 5 milionë euro. Mendohet se Baloteli do të nënshkruajë një kontratë prej 4 vitesh e gjysmë me kuqezinjtë e Milanos. Futbollisti do te prezantohet sot në mesditë, pasi të kalojë testimet zyrtare dhe të hedhë firmën në kontratën e tij të re. Një tifoz i deklaruar i Milanit, Baloteli shkroi në rrjetin social “Twitter” se “për të, kalimi tek Milani është një ëndërr e shndërruar në realitet”. Kujtojmë se Baloteli para se të kalonte tek Siti ishte pjesë e Interit.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency