Eduart Prodani bëhet “i kuq”

0
153

Altin Vorpsi

eduardQë nga dita e djeshme ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit do të jetë drejtori i përgjithshëm i skuadrës së Partizanit

 

“Dua të them se me largimin nga pozicioni i sekretarit të përgjithshëm nuk do të thotë që largohem nga FSHF-ja dhe nga futbolli. Unë kam shpenzuar kohë dhe energji për të njohur futbollin, ndërkohë FSHF ka investuar për përgatitjen time”. Në njërën prej deklaratave që dha pasi u dorëhoq nga posti që mbante në Federatën Shqiptare të Futbollit, Prodani tregoi qartë se tashmë ishte në një “valle” prej së cilës nuk kërkonte të dilte.

 

Oferta që s’mund të refuzohet

Oferta ishte një nga ato që nuk mund të refuzoheshin. Partizani që prej ditësh ka nisur të hedhë themelet e një ekipi solid, ka menduar që të afrojë edhe Prodanin. Që nga dita e djeshme ai do të jetë drejtori i përgjithshëm i kësaj skuadre që shumë herë ka “qarë” hallet në zyrat e tij. Duhet thënë se Prodani gjatë kohës që ishte pjesë e FSHF-së ka qenë një nga të paktët persona që ka ndihmuar ekipin në fjalë. Gjithashtu, ai njihet edhe për marrëdhënien shumë të mirë që ka pasur me tifozët “e kuq”.

 

I dyti

Eduart Prodani u fut në “botën” e futbollit më maj 2009, kur nisi punën si sekretar i përgjithshëm i FSHF-së. Për vite me radhë (la postin në nëntor të 2012-ës) ai u përball me disa prej “sëmundjeve” që kanë prekur futbollin në Shqipëri. Ndërkohë, tani e presin krejt të tjera sfida. Tani ai është pjesë e një skuadre e cila zotërohet nga dy persona, Gazmend Demi dhe Lulëzim Sallaku, që kanë respektivisht nga 50% të aksioneve të klubit. Si për ironi të fatit, ai nuk është i vetmi që ka bërë një kalim të tillë. Kohë më parë edhe Roland Mici, pasi la pozicionin e tij në FSHF(ishte sekretar i përgjithshëm) mori të njëjtin rol që ka sot Prodani tek Partizani.

 

 

Merkato

Samir Ujkani kalon te Kievo

Samir Ujkani nuk ka vonuar shumë për të gjetur skuadrën e tij të re, duke mbetur sërish pjesë e Serisë A. Duke ndjekur edhe këshillat e trajnerit të kombëtares kuqezi, De Biazi, ai ka vendosur të bëhet “gardiani” i Kievos, njoftonin mediat italiane, që shtuan se akordi pritet të zyrtarizohet sot. Forma e transferimit është huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit. Pasi ka provuar të luajë me Novarën dhe Palermon në elitën e futbollit italian, Ujkani duhet të kalojë një eksperiencë të re në Verona, në kërkim të rifitimit të pozicionit të titullarit, të humbur në ndeshjet e fundit, edhe në kombëtaren shqiptare. Ishte vetë lojtari, që një ditë më parë tha se po largohej nga Palermoja. I lënë jashtë skuadre për ndeshjen ndaj Kaljarit, portieri i kombëtares shqiptare theksoi se largimi i tij tashmë ishte i vulosur, kjo edhe sepse ia kishin kërkuar vetë drejtuesit e klubit. “Po, nuk jam grumbulluar për ndeshjen e radhës ndaj Kaljarit dhe kuptohet që jam thuajse i larguar nga Palermo. Kam folur me drejtuesit e klubit dhe më kanë thënë se tani mund të vihem në kërkim të një ekipi tjetër, kështu që duke filluar nga dita e hënë do shikoja se te cila skuadër do vazhdoja karrierën time futbollistike”, – ka pohuar Ujkani dy ditë më parë. Portieri ishte kërkuar nga disa klube në Serinë A, por duhet thënë se vetëm Kievo mund t’i siguronte një vend titullari, ndaj edhe ka bërë këtë zgjedhje. Ishte pikërisht klubi veronez ai që komplikoi situatën e Ujkanit te Palermo, pasi largoi te sicilianët portierin titullar Stefano Sorrentino. Portieri i Kombëtares shqiptare ishte kërkuar edhe nga Interi si zëvendësuesi i Handanoviçit (duke qenë se Kastelaci është i dëmtuar), si dhe Lacio e Fiorentina, gjithnjë në rolin e portierit të dytë (te Lacio titullar është Marketi, ndërsa te Fiorentina është Viviano). Sakaq, Ujkani është kërkuar edhe nga Torino, por kjo gjë do realizohej, sipas presidentit Kajro, vetëm nëse do kishte ndonjë ndëshkim për portierin e tyre titullar Zhan-Fransua Zhillet për shkak të skandalit të basteve me ish-lojtarët e Barit (ka qenë kapiten i Barit në 2010-2011, në kohën e skandalit të ndeshjeve).

 

Nisma

Bumçi dhe homologu i tij azer firmosin program bashkëpunimi për sportin

Shqipëria dhe Azerbajxhani “ngjajnë” shumë në fushën e sportit. Disa prej tyre madje kanë arritur që t’i bëjnë të famshme dy vendet. Kjo ishte një prej disa arsyeve që ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, priti dje homologun e tij azer, Azad Rahimov. Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i programit të bashkëpunimit në fushën e rinisë dhe sporteve midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Azerbajxhanit për vitet 2013-2015. Nënshkrimi i këtij programi vjen pas nënshkrimit në 29 nëntor 2012 të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit gjatë vizitës zyrtare të ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Abulfas Garayev, në Tiranë. Të dyja këto marrëveshje nënshkruhen për herë të parë mes dy vendeve. Të dy ministrat u shprehën se kjo marrëveshje e përbashkët për rininë dhe sportet, do t’i forcojë akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve në këto fusha. Rahimov ofroi mbështetje dhe bashkëpunim edhe në fushën e mjekësisë sportive, duke nxitur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis akademisë së mjekësisë sportive të Azerbajxhanit dhe Qendrës së Mjekësisë Sportive në Shqipëri. Në kuadrin e zhvillimit të Lojërave Olimpike Evropiane në 2015 ministri Rahimov ftoi Shqipërinë për të marrë pjesë në këto lojëra, duke ofruar dhe asistencë të plotë për ekipet olimpike shqiptare. Nënshkrimi i këtij programi do t’i hapë rrugën bashkëpunimeve të ndryshme në këto dy fusha, duke qenë se sporti në Republikën e Azerbajxhanit është një fushë e cila është e zhvilluar dhe Ministria e Rinisë dhe Sporteve është e fokusuar në mbështetjen e tij.

 

Tiranë

Kukësi përgatitet për sfidat e para  

Skuadra e Kukësit zhvilloi në Tiranë seancën e parë stërvitore pas përfundimit të minifazës përgatitore 10-ditore në Tivar të Malit të Zi, ku verilindorët zhvilluan tri ndeshje miqësore me kundërshtarë malazezë. Trajneri Armando Cungu u shpreh i kënaqur me ecurinë e përgatitjeve, që sipas tij janë vlerësuar me shumë seriozitet nga të gjithë futbollistët. “Përshtypjet janë të mira, pasi të gjithë lojtarët janë stërvitur me seriozitet maksimal dhe njëkohësisht i kanë përballuar me sukses seancat stërvitore. Na gëzon edhe një fakt tjetër, që me gjithë këto ngarkesa stërvitore absolutisht nuk kemi patur asnjë problem shëndetësor ose të ndonjë dëmtimi. I gjithë grupi është “i shëndoshë”, për të përballuar me sukses pjesën e mbetur të sezonit”, – thotë fillimisht numri 1 i stolit të debutuesve të Kategorisë Superiore. Në Tivar tekniku shkodran ka pasur mundësi të vëzhgojë nga afër shumë elementë të rinj, por e pranon se për arritjen e objektivave do të bazohet te grupi që mbylli pjesën e parë të sezonit, teksa shprehet: “Nuk kanë qenë të paktë lojtarët që janë afruar për t’u provuar nga disa vende të ndryshme të Ballkanit, apo edhe më gjerë, nga Evropa. Ne kemi afruar 2-3 futbollistë, të cilët ndoshta mund të jenë pjesë e ekipit në vazhdim. Megjithatë do të shohim se sa do të jenë të aftë për të ndihmuar skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit. Por mund të them se ekipi e ka bazën, e ka boshtin e vet se ku të mbështetet, të cilët janë ata që falë mundit dhe djersës së tyre e kanë përballuar me sukses fazën e parë”. Cungu parashikon një fazë të dytë mjaft të ashpër, ku nuk luhet vetëm në fushë, megjithatë beson se me shumë sakrifica skuadra e tij do t’i arrijë objektivat. “Që ditën e parë që kam ardhur në këtë klub kam kërkuar që çdo gjë të bazohet mbi djersën dhe sakrificën e këtyre djemve, duke mos u bazuar askurrkund tjetër, pavarësisht se kampionati ka problematikat e veta. Megjithatë jam i bindur se nëse do të vazhdojmë të kemi seriozitetin e fazës së parë ekipi i Kukësit me forcat e veta në fund të sezonit do të dalë me sukses. Nuk pres asgjë tjetër përveçse djersës dhe mund tonë”, përfundoi prononcimin e tij trajneri i kuksianeve, Armando Cungu. Impenjimi i parë zyrtar i Kukësit për vitin 2013 do të jetë përballja në transfertë me Shkumbinin më 3 shkurt për Kupën e Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency