Statusi, Berisha propozon referendum popullor për votimin e tri ligjeve

0
129

Florenc Drizari

berishaKryeministri: Pas zgjedhjeve të qershorit 2013, është tashmë e sigurt se z. Rama për mbijetesë politike do të përsërisë Ramën e vjeshtës 2009

 

Kryeministri Sali Berisha propozoi mbajtjen e një referendumi popullor për votimin e tri ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvendin e Shqipërisë. Mosgjetja e një konsensusi politik me opozitën për votimin e reformave integruese të vendit, duket se është arsyeja kryesore që kreu i mazhorancës kërkon mendimin e qytetarëve para se të ndërmarrë një nismë për mbajtjen e referendumit. Një ditë më parë nga profili i tij në internet, Kryeministri Berisha kritikoi ashpër qëndrimin e lidershipit të majtë lidhur me mosdhënien e votës për tri ligjet, draftin për Gjykatën e Lartë, nëpunësin civil dhe rregulloren e Parlamentit.

“Sot po ju drejtohem për të kërkuar mendimin tuaj për një vendim jetik për çdonjërin prej nesh, fëmijët tanë, të sotmen dhe të ardhmen tonë evropiane. Ky vendim është miratimi me referendum i tri ligjeve që kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarë të BE-së nga Shqipëria. Në terë historinë e integrimit evropian të vendeve ish-komuniste, klikat e përmbysura apo pinjollët e tyre, nuk kanë bllokuar në Parlament ligjet dhe reformat e kërkuara për integrimin e vendeve të tyre në BE siç ka bllokuar, pa asnjë shkak ligjor apo argument logjik, por thjesht për interesa personale, z. Edi Rama votimin e tri ligjeve në Parlamentin tonë”, – shkruan Kryeministri Berisha.

Duke përmendur disa nga avantazhet që mund të përfitojnë shqiptarët nga marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, kreu i ekzekutivit shprehu bindjen e tij se ngërçi i krijuar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë mund të zgjidhet me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve pas procesit zgjedhor. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehet i sigurt për fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 23 qershorit kur thotë se kreu i PS-së, Edi Rama, mund të rikthejë skemën e bllokimit si në vitin 2009. “Duke zhbllokuar me votën e qytetareve statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, në sigurojmë qindra e qindra milionë euro investime direkte nga Komisioni Evropian dhe sektori privat i BE si dhe dhjetëra mijëra vende të reja pune për të papunët tanë, mijëra e mijëra bursa dhe të drejta studimi në vendet anëtare të BE për të rinjtë tanë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2013, është tashmë e sigurt se z. Rama për mbijetesë politike do përsërisë Ramën e vjeshtës 2009. Prandaj mendoj se për statusin e vendit kandidat duhet të flasin me votën e tyre në një referendum qytetarët shqiptarë. Unë do vlerësoja shumë mendimin tuaj për këtë çështje. Për mua ju jeni të parët!”, – shkruan në profilin e tij në Facebook kreu i mazhorancës.
Ndërkohë, më herët, kryesocialisti Edi Rama shkroi në profilin e tij në internet, në Twitter, se zgjedhjet në Shqipëri do të fitohen nga e majta dhe për këtë mori si shembull zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Çeki. “Edhe në Ceki fiton e majta në zgjedhjet presidenciale. Era vijon të fryje majtas. Së shpejti Italia dhe pastaj në qershor Shqipëria”, – shkruan Rama në Twitter.

“Referendumi” për imunitetet

Deklarata e Kryeministrit Berisha për mbajtjen e një referendumi popullor për shkak të mosgjetjes së konsensusit politik me opozitën, lidhur me votimin e disa nismave të rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë, është e dyta në harkun kohor të 6 muajve të fundit. Në seancën parlamentare të 6 gushtit të vitit të shkuar, kreu i qeverisë pas ngërçit të krijuar për heqjen e imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe deputetët, deklaroi nisjen e procedurave për mbajtjen e referendumit. Nga foltorja e Parlamentit Kryeministri Berisha tha në atë kohë se shqiptarët do ta vendosin me votë heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, ndërkohë që opozita kundërshtoi nismën, duke e cilësuar të panevojshme dhe kërkoi kohë për konsultime të mëtejshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje brenda kornizave të Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse ishte kohë pushimesh për legjislativin shqiptar, debatet mes mazhorancës dhe opozitës vazhduan deri në muajin shtator, ku pas nisjes së sesionit parlamentar të radhës palët gjetën dhe votuan pro heqjes së imunitetit.

 

Topalli: Rama u ka hequr shqiptarëve qindra milionë euro, 23 qershori është fundi i bllokimit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi sërish disa ditë më parë kryesocialistin Rama për bllokimin e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, duke vënë theksin tek mosvotimi i tri ligjeve në Parlament. Zonja Topalli u shpreh e rebeluar nga qëndrimi që mban lidershipi i majtë në lidhje me këtë çështje. Sipas saj, shqiptarët humbin miliona euro në vit përfitime nga fondet e BE-së. “Për mua është e papranueshme, e pakuptimtë, e pafalshme që dikush të bllokojë votimin e 3 ligjeve për të bllokuar statusin e Shqipërisë. Shpesh rebelohem për këtë. Duke bllokuar statusin z. Rama u ka hequr shqiptarëve qindra miliona euro, ka hequr mundësinë e shumë investimeve të reja në Shqipëri, ka hequr shansin e krijimit të vendeve të reja pune. U ka hequr studentëve shqiptarë mundësinë e financimit nga fondet e BE-së për të studiuar në vendet e Evropës dhe të botës. Më kujtohen përpjekjet e tij për të bllokuar NATO-n e vizat. Këto u kryen, se nuk vareshin nga vota e tyre. Në 23 qershor është fundi i bllokimit”, – ka thënë Kryeparlamentarja Topalli.

 

Zgjedhjet e 23 qershorit, PR zbret në Fushë-Krujë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me anëtarët e kësaj force politike në qytetin e Fushë-Krujës. Zoti Mediu vlerësoi mbështetjen e dhënë nga qytetarët e kësaj zone, të cilët, sipas tij, kanë përqafuar zhvillimin e vendit dhe politikat e djathta. Gjatë fjalës së tij, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, u ndal tek rëndësia e lëvizjes së lirë, e cila, sipas tij, u arrit falë angazhimit të qeverisë shqiptare. Takimi u përshëndet nga kryetari i Partisë Republikanë për Fushë-Krujën, Kastriot Rada, i cili prezantoi angazhimet aktuale të kësaj partie për zgjedhjet e këtij viti. Aktualisht me afrimin e ditës së zgjedhjeve, klasa politike në vend duket se po intensifikon takimet me qytetarët dhe elektoratin e saj, duke bërë prezantime programesh dhe premtuar zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre. Krerët e partive të mëdha, por edhe ata të partive të vogla, parlamentare dhe joparlamentare, edhe pse jo zyrtarisht, kanë filluar fushatën elektorale pothuajse në gjithë vendin.

 

Rikthehet në Komisionin e Ligjeve drafti për nëpunësin civil

Projektligji “Për nëpunësin civil” pritet të rikthejë debatet mes mazhorancës dhe opozitës, ndërkohë që më herët drafti është diskutuar në Komisionin e Ligjeve që në fillim të sesionit të shkuar parlamentare. Kuvendin i Shqipërisë futi në axhendën e punimeve draftin për nëpunësin civil që në muajin shtator dhe pas shqyrtimit të disa neneve të para, deputetët kërkuan rishikimin e disa prej tyre. ndërkohë nga ana e saj, opozita ka bojkotuar seancat e Komisionit të Ligjeve në të cilat është diskutuar për pr/ligji për nëpunësin civil, duke e quajtur këtë ligj të paplotë dhe që nuk duhej miratuar pa u gjetur më parë konsensusi për çështjen e këshilltarëve në Qarkun e Fierit. Debatet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me projektligjin për nëpunësin civil si dhe dy nismat e tjera, draftin për Gjykatën e Lartë dhe rregulloren e parlamentit, kanë qenë pjesa kryesore e axhendës politike gjatë sesionit të shkuar. Me rikthimin e projektligjit në Komisionin e Ligjeve debatet priten të ndizen sërish, po të kujtojmë që në fillim të javës së shkuar dy krerët e këtij komisionit Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj, shkëmbyen batuta duke ironizuar edhe qëndrimin e mbajtur në lidhje me këtë çështje. Fillimisht nënkryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj deklaroi se mazhoranca ka gënjyer kur ka thënë se i ka gati për votim tri ligjet e integrimit, ndërsa kreu i komisionit Ilir Rusmali iu përgjigj se ligjet janë gati dhe mjaftojnë vetëm konsensusi i opozitës për ti votuar ato. Më herët drafti në fjalë është kritikuar edhe nga deputete të mazhorancës të cilët kanë thënë se varianti i ardhur nga qeveria shkel Kushtetutën kur ndalon nëpunësit civilë që të jenë anëtarë të partive politike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency