Paralelizmat

0
116

Drilon Hyseni

 

Serbia-e-vitit 1833-Pakicat kombëtare, në Ballkan, nuk janë vetëm problem në Serbi, ato janë një “gur” i mullirit i varur në qafën e shteteve “demokratike”, të cilat trumbetojnë me plot gojën se ofrojnë kushte të mira për joshqiptarët, joserbët, jomaqedonasit, jogrekët e jo… e jo… të tjerë, që nuk ndihen rehat në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.

Harta e Serbisë i përngjanë lëkurës së leopardit me laramaninë e pakicave kombëtare. Ky shtet, në vend se të krenohet për begatinë e pakicave, ajo jo rrallë ngryset e shqetësuar për kërkesat e pakicave për më shumë të drejta në fushën e arsimit, kulturës, gjuhës, simboleve kombëtare e vetëqeverisjes lokale.

Beogradi, për dallim nga kryeqendrat e tjera ballkanike, çalon në përmbushjen e standardeve evropiane për pakicat kombëtare. Në familjen e vendeve evropiane, minoritetet kanë të drejta të barabarta. Po, a i gëzojnë të drejtat e barabarta shqiptarët, në krahasim me joserbët e tjerë në Serbi? Jo!

Ato të drejta që i gëzojnë hungarezët, rumunët, sllovakët, sanxhaklinjët, romët etj. nuk i gëzojnë edhe shqiptarët, të cilët radhiten në qytetarë të rendit të dytë a të tretë pas romëve.

Serbia ndjenjën e albanofobisë e ushqen prej shekujsh. Shqiptarët e Luginës, ndonëse i ka të integruar në jetën politike dhe ekonomike të vendit, ajo i mbanë për “kusuritje” me serbët e veriut të Kosovës.

Lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, xhandarmëria serbe e hoqi nga Sheshi i Dëshmorëve, në qendër të Preshevës.

Të kota ishin lutjet e shqiptarëve në Beograd, Prishtinë e Tiranë, që mos ta prekin pllakën e përkujtimit për më të dashurit e tyre, të cilët e dhanë jetën për lirinë e vendit.

Pushteti aktual i Beogradit, nuk veproi ngjashëm edhe me Pllakën e Haqif Efendiut në Novi Pazar, të cilën e kishte vendosur Këshilli Nacional i Sanxhakut, në gusht të vitit të kaluar.

Nënkryetari i Serbisë, Vuçiq, e kryeministri Daçiq, dërguan porosi të qarta për sanxhaklinjët, të hiqet pllaka dhe të gjendet një zgjidhje nga organet kompetente të Ministrisë së Drejtësisë, në frymën e ligjit dhe Kushtetutës serbe.

A do të pësojë Pllaka e Haqif Efendiut në Novi Pazar, fatin e Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevës, mbetet të shihet në vijim. Një është e ditur, se atë demonstrim të forcës, të cilën Beogradi e tregoi në Luginë, nuk do ta provonte kurrë në Sanxhak. Pse? Jo, pse sanxhaklinjët janë më patriotë e atdhedashës se shqiptarët e Luginës, por pse udhëheqja e tyre politike është më pragmatike, më vizionare.

Lidershipi i Luginës është i ndarë dhe i përçarë pa fund. Atyre u mungon një strumbullarë rreth të cilit do të silleshin të gjithë. Ata kanë shumë parti politike, një Këshill Nacional dhe një deputet republikan. Të ndarë në pozitë e opozitë, ata herë thërrasin në ndihmë kryesinë e këshilltarëve shqiptarë, herë Grupin e Unitetit, herë kuvendet komunale veç e veç. Bashkëpunimi mes tyre është jo i sinqertë dhe shpesh cinik. Mungesa e një bashkëpunimi të ndërsjellë, shpesh i ka sjellë ata jo seriozë si ndaj Beogradit, edhe ndaj Prishtinës. Ata, mjerisht, as sot nuk kanë ndonjë vizion të qartë se çka dëshirojnë për Luginën: autonomi në kuadër të Serbisë, Bashkim me Kosovën, status special, etj.

Për shumë iniciativa spektri politik i Luginë, gjatë takimeve me institucionet në Prishtinë dhe Tiranë, ka marrë këshillimet që ata vetë të vendosin sipas rrethanave ekzistuese. Në disa momente kjo u ka sjell edhe huti. Mirëpo, rasti i Lapidarit dhe porosia e faktorit politik në Kosovë dhe Shqipëri, që të mbrohet nga shqiptarët e Luginës, nuk dha rezultate të pritura.

Grupi i Unitet shqiptar në Luginë doli i befasuar dhe i tradhtuar siç thonë ata, nga Beogradi, ngase ishin të gatshëm ta lëkundin Lapidarin me marrëveshje. Sa qesharake! Zhvendosjen e Lapidarit si opsion ata e kanë pasur shumë më herët, mirëpo ushqeheshin me iluzione se Beogradi nuk guxon ta destabilizoj Luginën. Manovrat politike të Grupit të Unitet, që i tradhtoi Serbia në prag të marrëveshjes, i përngjajnë shumë përrallës së Kësulëkuqes.

Lugina e Preshevës dhe veriu i Kosovës, sa do që në zhargonin politik të Kosovës dhe Serbisë, merren si dy çështje të ndara, ato dalëngadalë po hyjnë në një pako, pak më ndryshe se ajo e Ahtisarit.

Opsioni i shkëmbimit të territoreve është një ide e kamotshme, në fillim e pakapshme, tabu, madje edhe iluzore. Por, me kalimin e kohës, gjërat po ecin në drejtim të një zgjidhjeje të kënaqshme deri diku për të dy palët negociatore, për të dy shtete shqiptaro-serbe.

Në një intervistë për javoren politike “Zëri”, më 1993 dr. Ibrahim Rugova pat thënë se nuk ka ndarje të Kosovës, por nuk përjashtohet mundësia e këmbimit të territoreve (veriu i Kosovës: Leposaviq, Shtërpc, Zubin Potok – Luginë e Preshevës: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).

Ngjashëm mendojnë edhe intelektualë të kalibrit të dr. Rexhep Qosjes, dr. Mark Krasniqit, Adem Demaçit etj. Po edhe në Serbi ka zëra që e propagandojnë një ide të tillë, si një zgjidhje e mundshme për t’i ulur pasionet, ëndrrat, iluzionet.

Perëndimorët vetë e kanë thënë se shqiptarët dhe serbët po deshën mund të merren vesh edhe pa praninë e tyre. Ata vetë vendosin për rregullimin e demarkacionit të kufijve shtetëror, pavarësisht Kushtetutave dhe ligjeve ekzistuese, të cilat nuk janë as Kuran e as Bibël që të mos ndryshohen.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency