Nofkat që kanë “tjetërsuar” Brazilin

0
185

Marrë nga “FIFA.com”

peleNë Brazil ashtu si në asnjë vend të botës, futbolli ka ndryshuar në çdo anë. Vendi amerikano-latin është një nga ato që i ka dhënë tjetër stil kësaj lojë që u shpik në Angli qindra vite më parë. Përveç teknikave apo skemave të ndryshe, brazilianët kanë dashur që të jenë origjinalë dhe kanë menduar që autorëve të veprave të artit t’u japin edhe emra arti apo nofka, siç njihen rëndom në jetën e përditshme. Në pjesën e parë të shkrimit do t’ju prezantojmë me prejardhjen e nofkave të legjendave si Pele e Garinça.

 

Në plazh, në shkollë, në rrugë apo edhe në stadium asnjë lojë futbolli nuk do të kishte kuptim, nëse disa prej protagonistëve nuk do të “fshiheshin” pas emrave të artit apo nofkat siç i njohim.

 

“inho” & “ão”

“O Formiga” (milingona), “o Carioca” (tregon përkatësi, djaloshi nga Rio) apo “o Mexerica” (mandarina) janë disa prej nofkave më të ndeshura në Brazil. Ndryshe nga këto krahasime kanë lindur edhe fjalë të tjera duke vënë prapashtesat e duhura. Për shembull “inho” u shkon futbollistëve të vegjël dhe atyre që janë të dobët në trup. Ky është edhe rasti i Robinjos (Robinsonit të vogël) që në të vërtetë quhet Robson de Souza. Ndërsa për ata që kanë staturë të madhe dhe janë të fortë “mendon” prapashtesa “ão” për t’i “rritur”. Prandaj edhe teknikun e Brazilit Felipe Skolari e quajnë Felipão ose Big Phil në anglisht që në shqip do të thotë Filli i Madh.

 

Askush si brazilianët

Këto nofka janë vetëm një mënyrë për të dalluar disa prej futbollistëve të një vendi që çmendet pas futbollit. Ashtu si beniaminët e tyre në fushë edhe ata që qëndrojnë jashtë kërkojnë t’i japin spektakël futbollit… dhe duke shpikur emra arti kanë gjetur një mënyrë krejt origjinale. Ndryshe nga vendet e tjera këto nofka janë bërë “zyrtare”. Kështu lojtarë si Franc Bekenbauer (që në gjermani njihet si “Der Kaiser”, perandori) dhe Diego Armando Maradona (në Argjentinë e kurorëzuan me nofkën “El Pibe de Oro”, këmba e artë) nuk kanë ndryshuar emrat e tyre kurrë me emrat e artit. Në jetën reale ata gjithmonë janë njohur si Franci dhe Diego. Ndryshe ndodh në Brazil ku nofkat janë formalizuar duke bërë që disa prej sportdashësve mos të njohin kurrë emrat “e parë” të zotëve të futbollit.

 

Shkurtimet

Një kategori futbollistësh që kanë historinë e “Seleção”-s janë identifikuar me disa nofka që kanë dalë nga forma e shkurtuar e emrit të tyre. Një shembull i mirë është edhe dy hera kampioni i Botës me Brazilin Valdir Pereira që njihet si “Didi” (në Botërorin e 1958 ishte edhe golashënuesi më i mirë i Botërorit). Në ato vite të arta pjesë e përfaqësues së Brazilit ishte edhe “Vava” që emrin e vërtetë e kishte Edvaldo Izidio Neto. Shembulli më i fundit është ai i lojtarit të vitet të 2007-ës, Rikardo Izekson dos Santos Leite që njihet si “Kaka”.

 

“Pele”? Rastësi 

Ndërsa nofka të tjera kanë ardhur nga disa rastësi të çuditshme. Nga këto lloj situatash janë “shpikur” nofkat më të famshme si “Pele” dhe “Garinça”. I pari emrin e vërtetë e ka Edson Arantes do Nashimento. Në vogëli ai u njoh si “Dico” nga familja e vet. Ndërkohë që në vitin 1956 pasi shkoi tek skuadra e “orkave” (“O Peixe” njihet Santosi në Brazil) Edson Arantes do Nashimento u thirr me nofkën “Gasolina” nga mbrojtësi Uilson. Për të gjetur origjinën e nofkës më ta famshme “Pele” duhet që të shkojmë shumë kohë prapa. Gjithçka i shkon portierit të famshëm brazilian Bile, që mbrojti portën e Vasko de Sao Lourenco (në jug të shtetit të Minas Gerais). Ndërsa babai i Pelesë, Ser “Dondinho” luante me Bilen te Vasko, i riu Edson do të shijonte aftësinë e portierit të talentuar në stërvitje, përpara se të provonte hedhjet spektakolare të tij, duke luajtur me shokët në rrugicat e Brazilit. Ata që e shikonin thërrisnin “Bile”, ndërsa kjo fjalë tingëllonte si “Pele”. Kështu “u pagëzua” edhe i madhi Edson Arantes do Nashimento.

 

“Zogu i vogël” dehës

“Garrincha” nga ana tjetër lindi si Manoel dos Santos. Djaloshi që lindi me një këmbë më të shkurtër plot 6 centimetra se tjetra mori këtë nofkë nga një zog që rritej në vendlindjen e tij, Pau Grande. Për herë të parë atë e thërriti kështu motra e tij. Kësaj të fundit kurrë nuk do t’i shkonte në mendje se krijoi një nofkë që më vonë do të identifikonte një super-lojtar që me ikjet dehëse që bënte në fushat e blerta do të “poshtëronte” shumë rivalë.

 

Sa një monedhë

Një tjetër shok i skuadrës të Pelesë në triumfin e Meksikë 1970 ishte Eduardo Gonçalves de Andrade. Ky i fundit ashtu si Garinça ishte shumë i vogël në trup dhe prej këtij detaji mori edhe nofkën. Duke luajtur me bashkëmoshatarët e tij ai menjëherë tregoi se kishte vlera që jo të gjithë i gëzonin në fushat e shtetit të Minas Geraisit. Ikjet e tij ishin fantastike kështu si të gjitha legjendat e tjera meritonte një emër arti. Shokët e tij menduar që ta thërrisnin “Tostao” (ishte një monedhë e vogël që nuk vlente shumë).

 

Kapiteni “i përgjumur”

Mos u habisni që në SHBA 1994 të mos keni dëgjuar për Karlos Kaetano Bledorn Verri. Edhe pse ishte kapiteni i formacionit fitues asnjëherë nuk u dëgjua emri i tij, pasi nofka qe më e gjetur. Flasim për “Dunga”-n që në portugalisht do të thotë “I Përgjumur”. Tifozët u inspiruan nga njëri nga shatë xhuxhët e borëbardhës për t’i dhënë emrin e artit kapitenit të madh.

 

“Djaj” dhe “Vampirë”

Më të ashpër ishin shokët e klasës të mesfushorit që u shpall kampion botë në 2002 me Brazilin. Flasim për Markos Andre Batista Santos që në Japoni e Kore njihej si “o Capeta” (djalli). Për të riun e keqja do të vinte më pas, pasi humbi edhe dy dhëmbët e para kështu iu ndërrua nofka dhe u “etiketua” si “o Vampiro” (vampiri). Më pas kur tifozët kombinuan dy nofkat “e pagëzuan” si Vampeta. Këtë emër ai e mbajti edhe kur luajti në Evropë për PSV Eindhovenin, Interin dhe Paris Sent-Zhermenin.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency