Udhëtoi në Zvicër me pasaportë biometrike shqiptare, dënohet kosovari

0
366

Sonja Caka

PASAPORTDëshmia para akuzës: Si e sigurova një pasaportë shqiptare për 4800 euro, personat që ma shitën

 

Një 24-vjeçar nga Kosova është dënuar nga drejtësia shqiptare pasi ka përdorur një pasaportë biometrike shqiptare për të udhëtuar drejt Zvicrës, të nxjerrë përmes rrugëve të jashtëligjshme. I riu Shqiprim Vogliqi është dënuar vetëm me 3 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, ndërsa ka rrëfyer para akuzës edhe mbi rrugën e ndjekur për sigurimin e pasaportës shqiptare, personat që e ndihmuan, dhe pagesa që ka bërë për ta poseduar. 24-vjeçari është arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi kishte tejkaluar kohën e qëndrimit të përcaktuar me vendim të BE-së, pra 3 muaj, duke e riatdhesuar përmes aeroportit të Rinasit. Me mbërritjen në aeroport dhe kontrollimin e të dhënave në pikën tonë kufitare të aeroportit, është zbuluar se i riu ishte një shtetas shqiptar i Kosovës dhe jo i Shqipërisë dhe dispononte një pasaportë me të dhëna të falsifikuara, me një identitet të rremë siç ishte Ndriçim Xhini.

Sigurimi i pasaportës

Hetuesit që ka pasur dosjen e të riut nga Kosova, me identitetin e falsifikuar në Nderin Xhini, i pandehuri Shqiprim Vogliqi i ka deklaruar: “…Pasaportën dhe kartën e identitetit me emrin Nderin Xhini e kam blerë para një viti në Durrës për shumën 4800 euro”. Për këtë gjë, ai ka deklaruar se e ka ndihmuar një person nga Kukësi i quajtur Fidaim Dida. Në bisedë e sipër me shtetasin nga Kukësi, Shqipërimi e ka pyetur nëse ishte e mundur të bënte një pasaportë shqiptare me foton e tij dhe Fidaimi i është përgjigjur se kjo gjë ishte e mundur që fotoja të jetë e Shqipërimit dhe gjeneralitetet të jenë të një personi tjetër. Në lidhje me këtë problem duhet të shkonin në Tiranë për të takuar një shokun e Fidaimit. Kështu që Shqipërimi është nisur nga Kosova dhe në Kukës ka takuar Fidaimin dhe të dy së bashku janë nisur për në Tiranë. Pasi kanë mbërritur në Tiranë, ata janë takuar me një shokun e Fidaimit, i quajtur Beni me të cilin janë ulur në një kafe pranë Universitetit “UFO” dhe aty kanë biseduar në lidhje me pasaportën dhe kartën e identitetit. Pasi kanë rënë dakord për shumën rreth 4700 euro për pasaportën dhe kartën e identitetit, Shqipërimi është nisur për në drejtim të Kosovës dhe është rikthyer përsëri të nesërmen dhe në Kukës ka marrë Fidaimin dhe janë nisur përsëri në drejtim të Tiranës. Pasi kanë mbërritur në Tiranë, janë takuar sërish me shtetasin e quajtur Beni dhe pasi kanë marrë edhe atë, janë nisur për në Durrës. Me mbërritjen në qytetin bregdetar, i pandehuri Shqipërim Vogliqi ka shkuar në Zyrën e Aplikimit të Pasaportave së bashku me letrën me të dhënat që do të nxirrej pasaporta dhe karta e identitetit, dhe pasi ka dhënë shenjat e gishtave, punonjësi, i cili merrej me aplikimin e pasaportave, i ka thënë që të vinte pas 10 ditësh. Pas dy javësh, Shqipërimin e ka marrë në telefon Fidaimi me një numër privat dhe i ka thënë se pasaporta dhe karta janë gati. Meqë Shqipërimi nuk mund të vinte dot në Shqipëri, ka shkuar Fidaimi dhe ja ka çuar pasaportën dhe kartën në Prizren, ku aty Fidaimi ka marrë 4700 euro dhe i ka dhënë 24-vjeçarit kartën dhe pasaportën, të cilat mbanin emrin e shtetasit Nderin Xhini dhe me foto të Shqipërimit.

Kapja në Zvicër

Te nesërmen e asaj dite që shtetasi kosovar kishte blerë pasaportën biometrike shqiptare me të dhënat e një personi tjetër, është nisur nga aeroporti i Prishtinës në drejtim të Dyseldorfit Gjermani, vend në të cilin ka qëndruar tri javë. Pas kësaj, është nisur në drejtim të Zvicrës ku ka qëndruar në Lucern tek tezja e tij. Më date 8 shtator të vitit të kaluar është kapur nga policia zvicerane në rrugë dhe pasi e kanë verifikuar dhe u ka rezultuar se kishte kaluar ditët e qëndrimit, e kanë ndaluar duke e dërguar në një kamp me qëllimin për ta kthyer në Shqipëri.

Neni 189/1

“Falsifikimi i pasaportës” dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë lekë deri në një milion lekë”.

 

Tiranë

Akuza për vjedhje, dënohen 2 vjet burg dy të mitur

Dy të mitur janë dënuar me 2 vjet burg në total për veprën penale të vjedhjes. Bëhet fjalë për të pandehurit Kristo Muçi dhe Arben Lleshi, të akuzuar për veprën penale “Vjedhje”, e kryer në bashkëpunim. Ndaj dy të miturve është aplikuar gjykimi i shkurtuar, ndërsa vendimin me burg do ta vuajnë në burgun e të miturve në Kavajë. Muçi dhe Lleshi janë dënuar respektivisht me 8 muaj dhe 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa janë arrestuar në kushtet e flagrancës në gusht të vitit të kaluar duke kryer vjedhje.

 

Itali

Vrasja e dyfishtë, dy trupat nisen për në Shqipëri për ceremoninë mortore

Pas përfundimit të autopsisë, e cila ka rikonfirmuar vrasjen me gjakftohtësi të Erjeta Boshtit dhe Shpëtim Hanës nga ish-bashkëshorti Burhan Kapllani, dy trupat janë nisur në Shqipëri për të kryer ritet e fundit të ceremonisë mortore. Dy viktimat bashkëjetonin prej kohësh, ndërsa pas disa muajsh do të ktheheshin në Shqipëri së bashku me katër fëmijët për të kryer ceremoninë e martesës. Por ëndrra e tyre u këput në mes, pasi u kthyen para kohe në vendin e origjinës, jo për martesë, por për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Autopsia përcaktoi qartësisht se viktimat janë qëlluar nga një distancë e afërt dhe jo ashtu siç ka dëshmuar para gjykatës Burhan Kapllani, i cili deklaroi se u takuan rastësisht me ish-gruan. Përfundimi i autopsisë ngre edhe akuzën përfundimtare ndaj 48-vjeçarit, atë të “Vrasjes me paramendim”. Sipas hetuesve, 48-vjeçari e kishte paramenduar krimin dhe për këtë arsye, Kapllani ia kishte shitur firmën e tij të ndërtimit një të afërmi në verën e vitit të kaluar. Dëshmitarë që i kanë njohur të dy, viktimën dhe bashkëshortin-vrasës, kanë deklaruar se Kapllani e bezdiste shpesh pasi donte të rilidhej me Erjetën. Por, kjo e fundit nuk e ka pranuar, duke deklaruar se kishte marrë fund koha për të qenë skllave e atij personi.

 

Vendimi

Ushtronin prostitucion, dënohen 200 mijë lekë gjobë dy homoseksualët

Dy homoseksualë që ushtronin prostitucion pas Pallatit të Kulturës janë dënuar me gjobë deri në 200 mijë lekë, për ushtrim prostitucioni nga Gjykata e Tiranës. Gjithashtu, trupi gjykues ka vendosur të konfiskojë edhe të ardhurat që kishin grumbulluar ata gjatë ushtrimit të prostitucionit natën e arrestimit, një shumë prej 7 mijë lekësh. Bëhet fjalë për të pandehurit Enea Brama dhe Vranakont Necaj, të akuzuar për veprën penale të prostitucionit. Sipas akuzës, dy të rinjtë janë kapur ndërsa po bënin pazaret me një nga klientët për prostitucion. Madje, policia ka shoqëruar edhe klientin e tyre, i cili, pasi ka dëshmuar momentin e ndërhyrjes së policisë, është lënë i lirë. 20-vjeçari ka dëshmuar se i ka kujtuar femra dhe nuk e ka menduar asnjëherë se kishte të bënte me dy meshkuj. Sipas akuzës, dy të pandehurit Brama dhe Necaj janë arrestuar të veshur me rroba femrash, paruke në kokë dhe me një tualet të rëndë dhe se nuk dalloheshin se ishin meshkuj për shkak të errësirës. Ata qëndronin bashkë pas Pallatit të Kulturës, në qendër të Tiranës, për të gjetur klientë. Ata kryenin marrëdhënie seksuale me meshkuj kundrejt shumës së parave prej 1500 lekësh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency