“Më mbajti në burg pa vendim gjyqi prandaj ia hodha acidin gjyqtares”

0
156

Elton Qyno

mirelaArrestohet Nertil Zotaj, si agresori i gjyqtares Mirela Mishgjoni. 24-vjeçari pranon krimin në polici

Për vjedhjen e pompave u dënua me 11 muaj burg e 1.5 milionë lekë. Autori: Qëndrova në qeli më tepër se dënimi

 

Një grabitës pompash uji, që ishte dënuar nga gjyqtarja Mirela Mishgjoni me 11 muaj burg, është autori i sulmit me acid të gjyqtares së Vlorës. 24-vjeçari Nertil Zotaj është arrestuar nga policia e Vlorës në orët e mesnatës të ditës së martë, fill pas marrjes së konfirmimit nga gjyqtarja Mishgjoni, e cila arriti të identifikonte agresorin e saj pas shikimit të dhjetëra fotografive të personave që u shoqëruan nga policia e qytetit bregdetar. Zotaj është arrestuar në banesën e tij, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se dy ditë para se të kryente aktin kriminal kishte shkuar në një dyqan ku kishte blerë acidin që shërben për larjen e banjave, dhe pasi ka survejuar për dy ditë radhazi kohën e daljes nga banesa të gjyqtares Mirela Mishgjoni, ka vendosur që ta sulmojë atë në orën 08:00 të mëngjesit, duke i hedhur lëndën djegëse në fytyrë. Kreu i policisë së Vlorës, Artan Cuku, bëri me dije se Nertil Zotaj e ka ndërmarrë aktin kriminal në shenjë hakmarrjeje për dënimin e dhënë nga gjyqtarja Mishgjoni, pasi, sipas tij, dënimi me 11 muaj burg dhe 1.5 milionë lekë të vjetra gjobë ishte i padrejtë për të. Pas mbarimit të këtij dënimi, Zotaj është mbajtur në qeli edhe disa ditë të tjera, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin, si prokuroria, ashtu edhe gjykata. Në procesin gjyqësor, Nertil Zotaj gjykohej së bashku me vëllain e tij për akuzën e vjedhjes së pompave të ujit në pallate. Nga sulmi me acid Mishgjoni është plagosur lehtë në pjesën e syrit dhe në fyt, pasi lëngu djegës i ka hyrë në sy. Ka qenë një nga tregtarët në pallatin ku banon gjyqtarja, që i ka ardhur në ndihmë, duke ia larë fytyrën dhe gojën me ujë.

“Më dënoi me rëndë”

Shtatë ditë nga sulmi i pazakontë ndaj togave të zeza, policia e Vlorës bëri me dije se ka arrestuar ditën e djeshme 24-vjeçarin Nertil Zotaj, i cili ka sulmuar gjyqtaren Mirela Mishgjoni, duke i hedhur në pjesën e fytyrës acid të lëngshëm sanitar, ngjarje kjo e ndodhur më datën 16 janar në lagjen “29 Nëntori” pranë shkollës “Ali Demi”. Sipas bluve të policisë së Vlorës, ky shtetas ka qenë i arrestuar më parë së bashku me vëllain e tij, shtetasin Pauli Zotaj,  për “Vjedhje” dhe është gjykuar e dënuar nga gjyqtarja Mirela Mishgjoni me 11 muaj burg dhe 150.000 lekë gjobë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këtë veprim ky person e ka kryer me pretendimin se është dënuar me një masë dënimi më të rëndë nga ajo që i takon dhe se nuk është liruar në kohë pas vuajtjes së dënimit, por është mbajtur edhe disa ditë në qeli, megjithëse dënimi i kishte përfunduar. Nisur nga kjo situatë, pas daljes nga burgu, ai ka vendosur të hakmerret ndaj gjyqtares, për shkak se ajo e kishte mbajtur padrejtësisht në qeli, duke shkelur ligjin. Ndërkohë, sipas policisë së Vlorës, arrestimi i këtij shtetasi u krye falë një pune hetimore intensive, profesionale dhe të pandërprerë të strukturave të policisë dhe prokurorisë, ku në një kohë rekord janë kryer hetime dhe investigime ndaj gjithë personave dhe grupeve kriminale si dhe janë bërë objekt investigimi të gjitha proceset gjyqësore dhe personat e dënuar nga kjo gjyqtare vitet e fundit.

Reagimi i KLD-së

Pas arrestimit të 24-vjeçarit Nertil Zotaj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar duke përshëndetur Policinë e Shtetit dhe organet e tjera të hetimit për arrestimin për një kohë të shkurtër të agresorit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni. “Duke falënderuar autoritetet kompetente të rrethit të Vlorës për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së kësaj ngjarjeje dhe vënien para drejtësisë së autorit të këtij akti të shëmtuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideron të papranueshëm çdo sulm ndaj togave të zeza dhe garanton të gjithë trupën gjyqësore në vend se çdo rast agresioni ndaj tyre do përballet me forcën e ligjit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson se gjyqtarët marrin vendime në emër të Republikës së Shqipërisë dhe çdo agresion ndaj tyre është goditje e shtetit ligjor. Ky institucion shpreh mbështetjen për trupën gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, por edhe për trupën gjyqësore në tërësi, duke garantuar se do të ndërmarrë të gjitha masat për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve në vend”, – thuhet në reagimin e KLD-së.

 

Prokuroria Sarandë mbyll hetimet

Katër inxhinierët e Bashkisë Sarandë

nën akuzë për tri lejet e ndërtimit

Katër ish-zyrtarë të Bashkisë Sarandë, mes tyre edhe kreu i Drejtorisë Urbanistike të qytetit, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Sarandës dhe çështja ndaj tyre është dërguar tashmë për shqyrtim gjyqësor. Të katër ish-zyrtarët, me profesion inxhinierë, kanë abuzuar me detyrën e tyre gjatë periudhës së ushtrimit të profesionit në vitet 2006 deri në 2011, duke miratuar tri lejet e ndërtimit të pallateve dhe hoteleve në Sarandë, në kundërshtim me ligjin për urbanistikën. Katër të pandehurit janë P. Gunari, M. Nikollo, Z. Pasha dhe Gj. Dauti, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.Nga hetimet paraprake për këtë procedim penal ka rezultuar se me vendimin nr. 3/24,datë 6.12.2010 të KRRT Bashkia Sarandë, është vendosur t’i jepet leje ndërtimi një subjekti për godinë banimi dhe shërbimesh në zonën “Turizëm Kanali i Çukës”. Nga të dhënat e hetimeve të kryera ka rezultuar se investitori i ndërtimit të miratuar me vendimin e mësipërm të KRRT Bashkia Sarandë, i pandehuri Gj. Dauti, i janë dhënë për ndërtim 700 m² truall në kundërshtim me ligjin, pa qenë pronar i këtij trualli dhe pa ju dhënë trualli për ndërtim me vendim të Këshillit Bashkiak. Në dosjen që lidhet me vendimin e KRRT-së së miratuar, rezulton të jetë lëshuar një vendim dublikatë që referon në vendimin nr. 1, datë 28.8.1999 të Këshillit Bashkiak Sarandë, sipas të cilit sipërfaqja e truallit i është dhënë shtetasit Gj. Dauti. Ky vendim është gjetur fotokopje e noterizuar dhe nuk është gjetur origjinali i tij. Rezultoi nga hetimet e kryera dhe nga akti i ekspertimit se ky dokument është plotësuar nga i pandehuri Pasha, i cili ka pasqyruar rrethana të rreme në akt, duke konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

 

Ngjarja në Tiranë

Pranga tre të rinjve, grabitën lokalin

Tre të rinj janë vënë në pranga nga policia e Tiranës, pasi kanë goditur me sende të forta një person. Sipas të dhënave të policisë, Shkëlzen Madani, 27 vjeç; Albert Bushi, 24 vjeç, dhe Bledjan Deda, 25 vjeç, nga Kamza, kanë hyrë në lokalin e F. Gramit në Rrugën e Durrësit. Pasi kanë konsumuar produkte të ndryshme, i kanë kërkuar atij edhe një shumë prej 1 mijë lekësh. Më pas ata e kanë goditur me sende të forta, duke i vjedhur dhe një sasi pijesh alkoolike. Pas këtij veprimi kriminal, të tre autorët janë larguar në drejtim të paditur, por fill pas njoftimit të policisë, strukturat policore kanë bërë identifikimin dhe më pas arrestimin e tre personave. Aktualisht materialet hetimore në ngarkim të tyre i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës për akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim dhe “Plagosjes së lehtë”.

 

Vendimi në gjykatë

Apeli rikthen në burg ish-shefin e Krimeve

Ish-shefi i Krimeve të Komisariatit të Delvinës, Ramadan Hasani, është kthyer sërish në burg. Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës, e cila ka vendosur ta rikthejë pas hekurave 39-vjeçarin Hasani nën akuzën e korrupsionit. Në tetor të vitit 2010, policia arrestoi Hasanin, në atë kohë shef i Krimeve të Delvinës, pasi akuzohej se ushtronte presion për t’i marrë para babait të një të mituri të ndaluar nga policia. Më pas Gjykata e Sarandës dha vendimin “Lirim me kusht” për ish-shefin e Krimeve, një vendim që është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, e cila e ka dënuar Hasanin me një vit burg dhe 360 mijë lekë të reja gjobë.

 

Vendimi në Saarbrücken

Dënohet me 7.10 vite burg shqiptari për drogë

Gjykata e Landit në Saarbrücken ka dënuar një shqiptar 43-vjeçar nga Saarlandi me 7 vjet e 10 muaj burg për tregti droge “në stil të lartë”. I akuzuari i kishte rënë në sy policisë më 14 janar të vitit 2012 në një tren që po vinte nga Danimarka në Flensburg me 6 gramë përzierje kokaine. Me këtë rast ai ishte arrestuar dhe i ishte dorëzuar burgut të hetuesisë në Saarbrücken. Sipas aktakuzës, personi në fjalë ka shfrytëzuar tri identitete me emra të ndryshëm. Në Itali ai kishte qenë i dënuar me disa vite burg në mungesë për pjesëmarrjen e supozuar në disa raste të tregtisë me drogë. Për këtë arsye drejtësia italiane kishte kërkuar ekstradimin e tij nga Gjermania, por duke e konsideruar personin në fjalë si një “peshk të vogël”,që nuk kishte ndonjë peshë në udhëheqjen e tregtisë ndërkombëtare me drogë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency