Mashtrimi me faturat e TVSH-së, zbulohet skema që xhironte miliona euro

0
148

mashtrimiKompania e ndaluar u lëshonte bizneseve të përfshira fatura sikur kishte kryer shërbime për llogari të tyre, ndërkohë që nuk kishte asnjë aktivitet real në terren

 

Drejtoria e Hetimit Tatimor njoftoi dje zbulimin e një skeme evazioni, që përfshin dhjetëra biznese në qytete të ndryshme përmes faturave fiktive të TVSH-së. Në qendër të skemës ishte një kompani e regjistruar në Kukës. “Drejtoria e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, bënë të mundur ndalimin e shtetasit kosovar Ismet Syla, administrator i subjektit “Dielli – I.I.B”, i regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Kukës dhe me aktivitet të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në fushën e ndërtimit, si evazor fiskal. Ky shtetas, nëpërmjet përdorimit të dokumentacionit tatimor, ka mundur të realizojë furnizim mallrash e shërbimesh fiktive, me vlerë totale rreth 845 milionë lekë, të cilat nuk i ka deklaruar asnjëherë pranë organeve tatimore, duke shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej 170 milionë lekesh, vetëm në mospagesën e TVSH-së”, – tha Erjon Prifti, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

 

Skema
Kompania e ndaluar u lëshonte bizneseve të përfshira fatura sikur kishte kryer shërbime për llogari të tyre, ndërkohë që nuk kishte asnjë aktivitet real në terren. Burime nga Tatimet thanë për median se bëhet fjalë për 35 biznese, të cilat tani do të hetohen dhe do të kalojnë në proces të hollësishëm rivlerësimi.
“Këto furnizime, ky tatimpagues i ka shpërndarë në një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish të tjerë, të regjistruar në Drejtori Rajonale Tatimore të ndryshme, të cilët ushtronin aktivitet në fushën e ndërtimit, transportit etj. Këta tatimpagues jane identifikuar nga strukturat e Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe po punohet për zbardhjen e plotë të skemës evazioniste”, – shtoi Prifti.
Vitin e kaluar organet tatimore zbuluan një skemë të ngjashme evazioni, e cila përfshinte dhjetëra kompani me aktivitet grumbullimin dhe tregtimin e skrapit.

 

 

INSTAT, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miraton ndryshime në ligj

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të mërkurën ndryshimet në ligjin për INSTAT-in. Për vlerësimin e funksionimit të proceseve të prodhimit të statistikave zyrtare në vend, ekspertët janë bazuar kryesisht në vlerësimin global për sistemin kombëtar statistikor, i cili u krye në fund të vitit 2010 nga ekspertë të Eurostatit.

Në këtë projektligj, deklaroi drejtore e INSTAT-it, Ines Nurja, vëmendje e veçantë i është kushtuar kornizës ligjore dhe normave të tjera kombëtare në të cilat mbështetet veprimtaria e prodhimit të statistikave.
Ndryshime të tjera, theksoi Nurja, kanë të bëjnë me kufizimin e mandatit të Drejtores së INSTAT-it. “Ky projektligj ndryshe nga ligji eksiztues që nuk përcakton afat kohor për Drejtoren e INSTAT-it, vendos një limit kohor 5 vjeçar për kreun e INSTAT-it”, – deklaroi Nurja.
Po ashtu, theksoi ajo, parashikon që në përbërjen e Këshillit të Statistikave të jenë përfaqësues të agjencive statistikore, nga sektori privat dhe shoqëria civile.

 

 

Rriten prurjet në rrjedhën e sipërme të lumit Drin, ngrihet niveli i Fierzës

Reshjet e shiut me intensitet të lartë të ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm prurjet në basenin e Hidrocentralit të Fierzës, duke rritur edhe nivelin e ujit në liqenin e këtij HEC-i. Sipas të dhënave të ditës së djeshme, mësohet se prurjet në këtë hidrocentral, më të madhin në vend, janë 165 metra kub ujë në sekondë, duke shënuar nivelin e 275 metrave mbi nivelin e detit, nga 272 metra që ishte një javë më parë. Burime nga kaskada e Drinit thonë gjithashtu se, në rast se reshjet do të vijojnë me këtë intensitet edhe për disa ditë të tjera, prurjet pritet të shkojnë mbi 180 metra kub ujë në sekondë, duke krijuar një situatë tejet pozitive për prodhimin e energjisë nga burimet vendase.

Aktualisht, po punohet me një turbinë, për shkak se po mblidhet një sasi e konsiderueshme uji, që vjen nga përrenjtë dhe lumenjtë, të cilët derdhen në basenin e Fierzës. Ndërkohë, Korporata Elektroenergjetike ka siguruar prodhimin e 20 milionë kilovatorëve energji në ditë, dhe po importon 2.5 milionë kilovatorë në ditë. Në këtë kohë, kur hidrocentralet kanë prurje të konsiderueshme, janë vënë në lëvizje maksimalisht rotorët e hidrocentraleve, për t’i siguruar vendit energji elektrike të qëndrueshme, duke qenë se edhe kërkesa për konsum të energjisë këto ditë është shumë e madhe.

 

 

Shqipëria rrit kuotën e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar

Këshilli i Ministrave miratoi dje rritjen e kuotës së anëtarësimit të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Shqipëria vendosi të aderojë në ndryshimet e marrëveshjes themeluese të FMN-së dhe të pranojë rritjen e kuotës së anëtarësimit në këtë organizëm. Me propozim të ministrit të Financave, kuota e Shqipërisë pranë FMN-së, nga niveli aktual prej 60 milionë SDR do të jetë 139.3 milionë SDR.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency