Dy fjalë për pensionet adresuar Ministrisë së Çështjeve Sociale!

0

f fugaKuptohet qe në kushte krize gjithandej është ndofta e pamundur të ngrihen pensionet e brezit të tretë. Por, ata kanë një gjendje të vështirë… ekonomike.

Do të kuptoja çdo qeveri që me gjithë dëshirën e mirë të mos bënte dot më shumë tani për tani.

Por, atë që nuk e bën dot në planin financiar, mund ta bëjë një plan social i menduar mirë, ndofta pa harxhuar më shumë lekë nga buxheti.

Por, shteti e ka për detyrë që t’u dalë krah pensionistëve të brezit të tretë. Është mbi të gjitha detyrë morale:

1. Të lehtësojë disa shërbime për ta duke i privilegjuar në krahasim me brezat e tjerë. Për shembull, a nuk mund të detyrohen shërbimet mjekësore në lagje që të gjitha asistencat mjekësore, vizitat etj, për këtë grup moshë të kryhen ne shtëpitë e tyre? Si rregull flas. Është detyrë e mjekut të jetë human. Por, edhe të tjera si këto.

2. A nuk mund të mbështetet pozita sociale e brezit të tretë në familje? Për shembull, të gjithë punonjësit e sektorit publik apo privat që vërtetojnë se kanë në ngarkim nën një çati prindër të moshuar të punojnë një orë më pak në ditë? Si shembull po e them.
A nuk mundet që për prindërit e sëmurë, nën një çati, burri dhe gruaja, të kenë të drejtën e një leje sikur është kur sëmuren fëmijët?

3. A nuk mund të shtohen pak detyrimet e privatëve për brezin e tretë?

Ta zëmë të gjitha udhëtimet në transportet publike apo private urbane të paktën për këtë moshë (të caktohet) të jenë krejt falas. Nuk mund të vihet një ligj për këtë.

4. A nuk mund të shërbehen me prioritet ata në shërbimin publik? Për shembull, a nuk mund të shërbehen të parët në sportelet e shërbimit publik?

A nuk mund të caktohen me ligj që në hapësirat publike të krijohen vende bosh, prioritare për ta, kafene, autobusë etj?

5. A nuk mund të bëhet diçka më shumë për jetën e tyre sociale? A nuk mund të kenë gjyshërit e nxënësve, për shembull, që nëse organizohen të kenë të drejtën e përdorimit të disa mjediseve sociale të shkollave?

6. A nuk mund të ketë një bibliotekë për këto mosha? A nuk mund të detyrohen institucionet kulturore publike të japin së paku një herë në muaj një shfaqje falas për ta? Etj.

A nuk mundet pra të përmirësohet jeta e tyre, pa shpenzuar lekë nga buxheti, por në formën e vendosjes të një kapitali “kujdes social” për ta?

A kemi ministri të përkrahjes sociale apo jo? A nuk mund të ngrejë ajo një grup ekspertësh për ta studiuar me themel këtë çështje?