Dëshmia e gruas: Pashë autorin, m’u duk se në duar mbante një çadër

0

Elton Qyno

admirimZbardhen dy dëshmitë që mund të sjellin identifikimin e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit Admirim Sako

E. Sako:Vrasësi, i imët dhe më veshje të zezë. Kamerieri: Kaloi me vrap para lokalit, dola jashtë kur dëgjova krismat

 

Dëshmia e kamerierit të një lokali dhe gruas së Admirim Sakos janë shpresat e vetme të policisë dhe prokurorisë së Tiranës për identifikimin e vrasësit të 40-vjeçarit Sako. Sipas deklarimeve të tyre në polici, personi që shtiu tri herë me armë nga një distancë e afërt me viktimën, ishte i veshur me të zeza dhe nga pamja e jashtme i përkiste moshës 25 deri në 30 vjeç. Si gruaja ashtu dhe kamerieri i një lokali që ndodhej përballë vendit ku ndodhi krimi, kanë treguar se gjatë momentit të të shtënave kanë arritur të shikojnë autorin që qëllonte. Sipas tyre, ai ka qenë me një gjatësi prej 1.70, i veshur me të zeza, flokë të shkurtra, kokë të vogël dhe me trup të imët. Gruaja e 40-vjeçarit, E. Sako, ka treguar në polici se në momentin kur bashkëshorti i saj është qëlluar tri herë, ajo ka qenë në sediljen e parë dhe ka filluar të lëshojë klithma të forta, ndërkohë që Admirimi, sipas saj, s’ka lëshuar asnjë britmë, për shkak se goditjen e parë e ka marrë në mënyrë të befasishme në kokë. “Sapo hymë në tunelin e pallatit, nga dritat e makinës pamë një person që qëndronte në rrugë dhe në duar na u duk se mbante një çadër. Jemi afruar me makinë dhe sapo Admirimi ka marrë kthesën në të dalë të tunelit, ky person të cilin ne nuk e vumë më re, pasi s’na ngjalli asnjë dyshim, si duket është afruar disa hapa dhe ka qëlluar në drejtim të burrit tri herë”, – ka treguar përpara oficerëve të policisë së Tiranës bashkëshortja e viktimës, shtetasja E. Sako.

Dëshmia e bashkëshortes

E. Sako ka qenë njeriu okular që ka para masakrimin e burrit të saj me tre plumba. E ndodhur shumë afër zjarrit të pistoletës së agresorit, fatmirësisht gruaja e Admirim Sakos u ka shpëtuar plumbave, por fatkeqësisht burri i saj 40-vjeçar ka mbetur i vdekur pas një ore nga atentati mafioz. E tronditur nga ngjarja e rëndë dhe ankthi për shpëtimin ose jo të burrit të saj, E. Sako për rreth dy orë të mesnatës së djeshme ka qenë e shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka dhënë shpjegime rreth asaj që kishte parë. “Kemi qenë së bashku në makinë dhe kemi vendosur të largohemi në shtëpi. Unë isha në sediljen e parë dhe ishim duke ecur shumë ngadalë. Kur kemi hyrë në tunel, nga dritat e makinës, arritëm të dallonim një person me veshje të zezë, i cili qëndronte në anën tjetër të rrugës. Mua m’u duk se në duar mbante një çadër. Për pak sekonda, kemi dalë nga tuneli i pallatit dhe sapo ka marrë kthesën, Admirimi ka qëndruar, pasi i kam kërkuar që të zbrisja të shkoja deri tek lokali që kemi në zonën e Ekspozitës. Sapo unë kam zbritur, personi i veshur me të zeza është afruar disa hapa dhe ka qëlluar tri herë në drejtim të Admirimit. Unë jam trembur shumë dhe kam filluar të bërtas me sa fuqi kisha dhe në këtë moment kam parë që personi është larguar me vrap në një rrugicë, që të çon në rrugën “Myslym Shyri”. Nuk mundesha ta ndiqja me vrap, pasi jam trembur shumë. Më pas ka dalë kamerieri i lokalit dhe banorë të zonës, të cilët me kanë ndihmuar”, – ka treguar në policinë e Tiranës shtetasja E. Sako. Pritet që nisur nga përshkrimi i saj, policia dhe prokuroria e Tiranës të bëjnë arrestimin e autorit të krimit, ndërkohë që fotografitë e shumë nga të shoqëruarit në ditët në vijim do të ballafaqohen me gruan e viktimës.

Dëshmia e kamerierit

Një nga njerëzit okularë që ka arritur të shohë piruetën e autorit të krimit në vendin e ngjarjes është dhe njëri nga kamerierët e lokalit, përballë vendit ku u ekzekutua me tre plumba Admirim Sako. Sipas dëshmisë së tij, ai ka qenë në lokal, kur është qëlluar me armë zjarri 40-vjeçari, por për shkak të krismave të fuqishme të pistoletës 9 mm, e cila ka tronditur në atë orë të qetë zonën e Ekspozitës, edhe kamerieri ka dalë jashtë. “Kam dëgjuar krismat e armës dhe kam dalë të shoh se çfarë bëhej. Sapo kam hapur derën, kam dëgjuar britmat e gruas, ndërkohë që para meje ka kaluar një person i vetëm me vrap të lehtë. Nuk e pashë nëse kishte armë apo jo, por u largua në drejtim të rrugës “Myslym Shyri” shumë shpejt dhe më shumë lehtësi. Ishte i veshur me të zeza, por nuk e vura re mirë pasi britmat e gruas së Admirimit më tërhoqën vëmendjen dhe u afrova pranë makinës tip “BMW”. Aty pashë se xhami i makinës nga krahu i shoferit ishte thyer i gjithi, ndërsa dëgjoja gruan që bërtiste se i kishin vrarë bashkëshortin. Shumë shpejt në vendngjarje ka ardhur edhe policia që bëri transportimin e trupit për në spital, ndërsa unë jam shoqëruar në polici”, – ka treguar kamerieri i lokalit.

 

Policia, hetime për pasurinë dhe tregtinë e drogës

Shoqërohen rreth 100 persona, dyshohet se

vrasja u krye nga profesionistë të paguar

Vrasja e 40-vjeçarit Admirim Sako ka shtyrë policinë e Tiranës të hetojë në dy pista kryesore, atë të administrimit të pronave të Elton Deliut si dhe pista tjetër bën fjalë për lidhjen e Sakos në biznesin e drogës. Gjatë mbrëmjes së djeshme, në policinë e kryeqytetit janë shoqëruar rreth 100 persona, që njihen si kundërshtarë të Sakos, por mes të shoqëruarve kanë qenë edhe miq të familjes së Elton Deliut, vrarë në vitin 2008 në derën e shtëpisë së tij në Tiranë. Shoqërimet e tyre sipas uniformave blu janë bërë, për shkak se prej disa kohësh mes viktimës dhe disa prej anëtarëve të fisit Deliu kishin lindur konflikte për administrimin e pasurisë së Elton Deliut, pasuri kjo që shkon në mbi 3 milionë euro. Disa nga të rinjtë e këtij fisi nuk pranojnë që pronat e të afërmit të tyre të vrarë në 2008 të menaxhohen nga një ish-shofer. Kjo është vetëm njëra pistë, që bënë të ditur anëtarë të grupit hetimor, ndërkohë që me përparësi janë duke u parë dhe kontaktet e Admirim Sakos me njerëz të shpërndarjes së drogës, pasi 40-vjeçari njihet nga uniformat blu si person që trafikonte heroinë dhe që mbante në këmbë linjën e rrjetit të trafikut, të ngritur nga ish-kapoja i tij Elton Deliu. Ky i fundit Admirim Sakon e ka pasur shoferin e tij personal dhe një pjesë të pasurisë së tij ai ia kishte besuar shoferit, duke e regjistruar atë në emër të Sakos, gjyshit të tij, ish-të dashurës dhe nënës së tij Flutura Deliu. Sipas policisë, Sako rezulton të jetë dënuar disa vite burg nga drejtësia shqiptare për shpërndarje të drogës dhe mundësia e eliminimit të tij për kapjen e zonave të influencës nuk përjashtohet nga ana e policisë. Ndërkohë, nga ekzaminimi i vendit të krimit është arritur në konkluzionin se autori i krimit kishte disa orë që priste viktimën. Ai nuk njihej nga Sakoja dhe duke shfrytëzuar këtë fakt, autori i ka ngritur i qetë pritë në tunelin e pallatit. Policia hedh dyshime se personi që qëlloi tri herë mbi Admirim Sakon, është paguar nga pala kundërshtare për të bërë eliminimin e tij.