Ngërçi për mandatet Komisioni i Ligjeve thërret për raportim krerët e KQZ-së, Lefterie Lleshin dhe Denar Bibën

0
131

 Florenc Drizari

komisioniPD: Zgjidhja e mandateve sipas 2009-ës në Kuvend. PS: Zgjidhja në KQZ

 

Krerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja Lefterie Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba, pritet të raportojnë mëngjesin e së mërkurës pranë deputetëve në Komisionit Kuvendor të Ligjeve, lidhur me ngërçin e krijuar për ndarjen e mandateve. Kërkesa për raportimin e krerëve të KQZ-së u bë nga nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj dhe ajo mori edhe konsensusin e anëtarëve të mazhorancës. Por diskutimi për ndarjen e mandateve nga Kuvendi i Shqipërisë solli edhe përplasjet e para të drejtpërdrejta mes deputetëve të sallën e Komisionit të Ligjeve. Deputetët e Partisë Demokratike theksuan domosdoshmërinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje në Kuvendin e Shqipërisë, duke cituar nenet që kodit zgjedhor për vendosjen përfundimtare të ndarjes së mandateve, ndërkohë që homologët e tyre të majtë theksuan se zgjidhja e këtij ngërçi duhet të vijë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

 

Edi Paloka

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, njëkohësisht edhe relator i draftit për ndarjen e mandateve tha se Kuvendi është në të drejtën ligjore për ta ushtruar këtë kompetencë. Për këtë deputeti Paloka propozoi ndarjen e mandateve sipas 2009-ës. “Kuvendi ka kompetencën e plotë zgjedhore të miratoi ndarjen e mandateve. Kjo nuk është vetëm e drejtë por dhe detyrim i Kuvendit. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit në kolaps. Kuvendi ka detyrimin ndaj shqiptarëve të bëj ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Në ushtrimin e kompetencës së caktimin të mandateve, Kuvendi nuk mund të marrë dhe as mund të zëvendësojë rolin dhe funksionet e KQZ-së, për pasojë, rruga e vetme mbetet miratimi i caktimit të mandateve duke u bazuar tërësisht në ndarjen e mandateve duke u bazuar tërësisht në ndarjen e bërë nga Kuvendi sipas 2009-ës”, – deklaroi Edi Paloka.

Gjatë diskutimit të zhvilluar në Komisionin e Ligjeve, deputeti Paloka bëri përgjegjës për ngërçin e krijuar tre anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “KQZ ezauroi plotësisht rrugën e tij administrative për të marrë në shqyrtim dhe vendosur për caktimin e numrit të mandateve. Në përfundim të procedurës së parashikuar në kodin zgjedhor, KQZ nuk mundi të miratoi vendim për këtë çështje për shkak se nuk u arrit numri i nevojshëm për marrjen e votave të mjaftueshme. Dështimi i kësaj vendimmarrje dhe njollosja e procesit, ka përgjegjës tre anëtarët e KQZ të propozuar nga opozita, të cilët midis zbatimit të ligjit si administratorë zgjedhor dhe zbatimit të urdhrit politik për bllokim si militantë politik, zgjodhën këtë të dytin”, – tha Paloka.

 

Debati Rusmali – Xhafaj

Pas qëndrimit që mbajti relatori për ndarjen e mandateve, Edi Paloka, debati u zhvendos mes kryetarit Ilir Rusmali dhe nënkryetarit Fatmir Xhafaj. Kreu i Komisionit të Ligjeve, para se të miratonte kërkesën e deputetit socialist Xhafaj, kritikoi ashpër qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për ngërçin e krijuar lidhur me ndarjen e mandateve, z. Rusmali bëri përgjegjës drejtpërdrejt nënkryetarin e KQZ-së, Denar Bibën, duke thënë se ka shkelur rëndë ligjin dhe kodin zgjedhor. “Tre anëtarët e KQZ-së patën frikë të respektojnë ligjin, u trembën. Iu nënshtruan presionit dhe diktatit politik, shkelën betimin që kishin bërë. Me ligjin nuk lejohen kompromise, ai vetëm zbatohet. Prej sjelljes së tyre ka rrjedhur ky debat. Katër vjet më parë është ndarë në të njëjtën mënyrë kjo çështje dhe pa asnjë debat. Nuk fitohen zgjedhjet duke bërë hile, duke bllokuar, duke shkelur ligji, duke mbjellë një klimë frike dhe terrori për votuesit”, – deklaroi Ilir Rusmali. qëndrimi i kreut të Komisionit të Ligjeve erdhi si reagim ndaj qëndrimit që mbajti nënkryetari i Fatmir Xhafaj, i cili the se Kuvendi nuk ka pse të nxitojë për këtë çështje dhe se zgjidhja duhet të gjendet pranë KQZ-së. “Jemi përpara 2 opsioneve, ai që thoni ju që KQZ i ka shteruar të gjitha mundësitë dhe opsioni që shtrojmë ne është që KQZ ta rishqyrtojë për të arritur në një vendimmarrje konsensuale. I propozoj komisioni që ta ndërpresim këtu këtë debat. Të kërkojmë të vijë këtu për të raportuar kryetari dhe nënkryetari i KQZ për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur. Për të gjykuar më mirë dhe ne që a është e mundur një gjë e tillë në mënyrë që të mos e fusim Kuvendin në një qorrsokak”, – tha Fatmir Xhafaj. Ndërkohë që kërkesa e socialistëve për thirrjen e krerëve të KQZ-së për raportin në Komisionin e Ligjeve gjeti edhe konsensusin e mazhorancës, debati u zhvendos për kërkesën tjetër të opozitës, atë të thirrjes së grupeve të interesit në komision. Në kërkesën e tyre deputetët e majtë kërkuan thirrjen për të dhënë mendim si palë e interesuar edhe shoqatën e Vëzhguesve Vendor. Edhe pse palët debatuan me akuza lidhur me rolin dhe cilësinë juridike të anëtarëve të kësaj shoqata, palët në fund gjetën konsensusin që edhe vëzhguesit vendor të raportojnë pranë komisionit. “Ata vëzhgojnë zgjedhjet, nuk janë ekspertë. Cilësia profesionale, interpretimi juridik është dizastër. Është nivel i ulët profesional… Ulni integritetin tuaj profesional në nivelin e asaj letre”, – tha kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali.

 

Rikthehet tek Ligjet drafti për nëpunësin civil

Miratimi i kalendarit të punimeve në Komisionin e Ligjeve, i cili përmbante si pjesë të axhendës edhe diskutimin për projektligjin e nëpunësit civil, riktheu debatet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar votash. Fillimisht nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, ironizoi deklaratat e kryetares së Kuvendit, për miratimin e tri ligjeve të integrimit brenda tre sekondave, duke thënë se opozita ka pasur të drejtë me deklaratat e saj kur ka thënë se draftet nuk janë ende gati për tu votuar në sallën e parlamentit. Por qëndrimi i Xhafajt u kritikua nga kreu i komisionit Ilir Rusmali, i cili tha se nëse opozita ka vullnet për ti miratuar draftet, mbledhja e së mërkurës në Komisionin e Ligjeve mund të zgjasë vërtetë tre sekonda. Ndërkaq, gjatë diskutimeve të që iu bë në vjeshtën e shkuar draftit për nëpunësin civil, opozita nuk mori pjesë në shqyrtimet nen për nen që iu bë pr/ligjit në fjalë, duke e bojkotuar sallën e komisionit.

 

Ndarja e mandateve sipas 2009-ës

Qarku Berat 8 mandate
Qarku Dibër 6 mandate
Qarku Durrës 13 mandate
Qarku Elbasan 14 mandate
Qarku Fier 16 mandate
Qarku Gjirokastër 5 mandate
QarkuKorçë 12 mandate
Qarku Kukës 4 mandate
Qarku Lezhë 7 mandate
Qarku Shkodër 11 mandate
Qarku Tiranë 32 mandate
Qarku Vlorë 12 mandate

 

 

Ndarja e mandateve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të respektohet e drejta e votës

Nëpërmjet një deklarate Komiteti Shqiptar i Helsinkit, thotë se deputetët duhet të respektojnë barazinë e votës, si një nga parimet më të rëndësishme kushtetuese e demokratike, në lidhje me procesin zgjedhor. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (KZLN) vlerëson se përcaktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore është proces i lidhur drejtpërsëdrejti me parimin e barazisë së votës së çdo zgjedhësi. Në nenin 45 të Kushtetutës sanksionohet se “vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. “KZLN mendon se ruajtja e skemës së ndarjes së mandateve, të përdorur në zgjedhjet e vitit 2009, nuk respekton detyrimet ligjore e ndërkombëtare të sipërcituara. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e deputetëve të Kuvendit, me qëllim që në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore të mos ketë disproporcione diskriminuese për shkaqe politike, të përbërjes etnike, të seksit, gjuhës, fesë, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual të grupeve të shtetasve që përbëjnë popullatën e zonave zgjedhore apo kufizime të tjera që vijnë në kundërshtim me angazhimet ligjore e konventore, të marra përsipër në kuadër të mbrojtjes nga diskriminimi”, – thuhet në deklaratë.

 

 

Takimi me ambasadorët, Nishani: Detyra jonë të votojmë 3 ligjet për statusin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, dhe ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në vendin tonë. Presidenti Nishani u përcolli mirënjohjen dhe vlerësimin e tij të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kreu i shtetit vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se institucionet, autoritetet dhe shoqëria shqiptare do të përqendrohen në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian nëpërmjet përshpejtimit të reformave dhe përballimit të sfidave që lidhen me arritjen e tyre. “Është detyra jonë që të miratojmë në Parlament tri ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, – theksoi Presidenti i Republikës, duke inkurajuar partitë politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët në plotësimin e këtyre kërkesave. Në ndërhyrjet e tyre, ambasadori i Bashkimit Evropian dhe ambasadorë të tjerë të pranishëm, pasi vlerësuan pikëpamjet e Presidentit Nishani për çështjet e mësipërme, vizionin e tij për reformën në drejtësi si dhe arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e reformave, shprehën ndjeshmërinë e tyre për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve dhe inkurajuan Shqipërinë të vazhdojë të njëjtën politikë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, e cila i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit. Mësohet se temat për të cilat kanë diskutuar ambasadorët me kreun e shtetit shqiptar kanë qenë integrimi në Bashkimin Evropian, zgjedhjet dhe stabiliteti rajonal.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency