Naser Nuredini: Serbët po na censurojnë, po nxisin shpërngulje në heshtje të të rinjve nga Presheva!

0
139

 Intervistoi: Violeta Murati

 

maskeEkskluzive nga Presheva; çfarë po ndodh prej vitesh në territoret shqiptare dhe me shqiptarët që mbeten nën kufijtë e Serbisë; drejtori i Qendrës për Kulturë, Naser Nuredini, pak kohë më parë në një intervistë ekskluzive për “standard” ka paralajmëruar situatën ku gjendet sot ky vend: serbët në luftë të ftohtë për asimilimin e kulturës dhe të shqiptarëve të rinj nga ky territor; jeta e vështirë për të komunikuar me pjesën tjetër të atdheut dhe varfëria ekonomike që po e çon në zgrip jetën e përditshme të shqiptarëve të Preshevës

 

 

Çfarë po ndodh prej vitesh në territoret shqiptare dhe me shqiptarët që mbeten nën kufijtë e Serbisë, drejtori i Qendrës për Kulturë, Naser Nuredini, pak kohë më parë në një intervistë ekskluzive për “standard” ka paralajmëruar situatën ku gjendet sot ky vend: serbët në luftë të ftohtë për asimilimin e kulturës dhe të shqiptarëve të rinj nga ky territor; jeta e vështirë për të komunikuar me pjesën tjetër të atdheut dhe varfëria ekonomike që po e çon në zgrip jetën e përditshme në Preshevës, si “justifikim” për të vendosur nën kontroll policor shqiptarët e atjeshëm. Naserin e takuam në ditët e festivalit që mbahet në Dibër të Madhe, me konsideratën se në Preshevën e vogël organizohet një festival modest i komedisë, nisur me amatorizëm, por që sot rezulton si një “egoizëm” për të mbajtur jetën gjallë, kulturën shqiptare atje. Pa mundur ta shkëpusë kulturën prej politikës, Nuredini e tregon këtë thelb, pasi çdo event kulturor që ndodh atje ka të vetmin qëllim; mbijetesën shqiptare e instinkti i “mbajtjes gjallë” e bën të kthejë kokën pas e të tregojë çfarë po ndodh me shqiptarët atje.

“Ne, sot nëse i kemi këto vështirësi në të gjitha sferat e jetës, nuk mund të mendojmë se do të jemi qytetarë në përditshmërinë tonë, të cilët ndershmërisht do të kuptojnë pjesëmarrjen e vet aktive aty ku janë. Sepse, me një papunësi të madhe, në mbi 70% të të rinjve, me shkollim të censuruar apo të centralizuar thellësisht në programet mësimore, në pamundësinë financiare… etj., etj., është fare lehtë të nxjerrësh konkluzione, se nuk jemi me atë dëshirë që të jemi pjesa aty ku jemi…!”

Naseri nuk heziton aspak ta denoncojë këtë gjendje, duke kërkuar madje edhe qëndrime zyrtare prej politikës shqiptare, si forcë ndihmëse në të drejtat e tyre legjitime për të jetuar në territorin shqiptar, krejt “pa dashje” përfshirë nën Serbinë. “Ndoshta preteksti më i madh është ai ekonomik; por shtysë e kësaj është politika diskriminuese, e cila shikon me një prizëm krejtësisht tjetër problemin shqiptar në një farë mënyrë paraqet opinionin se e ka nën kontroll…” Sot botojmë këtë pjesë të parë të intervistës së gjatë, marrë pak kohë më parë, por që e bën realitetin e Preshevës, sidomos pas ngjarjeve të heqjes së lapidarit dhe vendosjes së xhandarmërisë serbe në rrugët e saj, një rast tjetër unik në historinë shqiptare.

 

 

Jeni drejtor i Qendrës për Kulturë në Preshevë, në kuadër të kësaj keni themeluar dhe mbani festivalin mbarëshqiptar “Ditët e komedisë”. Ç’do të thotë të flasësh për Preshevën sot?

 

Të flasësh për Preshevën nga momenti i tanishëm që diskutojmë është një gërshetim i së kaluarës, i së tashmes dhe asaj çka presim në perspektivë! Presheva, një qytet i vogël, i cili pa dëshirën e vet shtrihet në territorin e Serbisë. Megjithëse kërkesën dhe dëshirën e vet ka në lidhjen e natyrshme me rajonin ku i takon, në atë formën natyrale. Kjo pa dyshim sjell edhe vështirësitë e veta në sferën e kulturës.

Që nga viti 1945 (viti kur është krijuar) Qendra për Kulturë mbeti nën tutelën serbe, të ish Jugosllavisë, me pretendimin se kjo ishte një dëshirë me votim, që kurrë nuk ka ekzistuar! Kjo së paku është shkruar në politikë si e tillë. Dy komunat Preshevë dhe Bujanoc mbeten përgjithësisht brenda kufirit serb që gravitojnë 30 km nga Gjinali ose 7 km që kalojnë kufirin malor me Kosovën dhe diku 7 km nga ana tjetër e kufirit me Maqedoninë. Pra, është një trekëndësh me rreth 264 km katrorë, flas për Preshevën, kurse Bujanoci ka diku rreth 400 km katrorë, që kemi të bëjmë me një territor me popullatë prej 100 mijë banorë, ku çdo ditë e larguar, çdo ditë në eksod dhe çdo ditë duke mbijetuar me vitalitetin e vet!

 

Ju thatë për Preshevën se ka një të kaluar, të sotmen dhe prisni nga perspektiva… Në ç’kontekst e thoni këtë vështrim?

 

E them këtë nisur nga konteksti i asaj që menjëherë pas mbetjes në këtë anë të Serbisë, Presheva pati vështirësi të zhvillimit të vet kulturor, po edhe në sfera të tjera. Kjo do të thotë se nëse kemi vështirësi që përcillen në politikë, domosdoshmërisht ndikimi i saj shtrihet edhe në sfera të tjera të jetës. Mandej me ndryshimet shoqërore politike Presheva nisi të bëhej si një lloj qendre ku komunikonte lehtë me qendra të tjera shqiptare. Them shqiptare sepse kjo kulturë e ka mbajtur gjallë këtë rajon, dhe këta qytetarë. Qysh në kohë të krizave që ishin prej vitit 1980, e deri në mbarim të luftës së Kosovës, Presheva akoma mbante këtë epitet. Sepse gjithë ajo ç’ka ishte e vështirë të organizohej apo të bëhej në Kosovë, disi gjente vendin e vet në Preshevë të vogël.

Përkujtoj se festivali i ditëve të komedisë shqiptare, për të cilin po flasim, zanafillën e vet e ka që nga ‘94-ën dhe ky është rezultat i asaj që thashë; vështirësitë që paraqiteshin atje, gjenin mundësinë të vinin në Preshevë.

Tani nga ai komunikim që u zhvillua fillimisht, Presheva u shndërrua në një rezervat. …Nga gjithë këto lëvizje e shndërrime tashmë ajo u shndërrua, le ta quajmë, në një rezervat, pasi komunikimi kulturor u vështirësua tej mase; në një anë nga Kosova nuk kishte qarkullim të lirë për të komunikuar në sferën e kulturës, pa injoruar çështje të tjera. Por kultura është e para. Deri para ca kohe duheshin siguruar edhe vizat për të ardhur nga Shqipëria në Preshevë, po ashtu dhe nga Maqedonia, po kjo nuk ishte më mirë. Tani po kalojmë një periudhë shumë të vështirë sidomos kur bëhet fjalë për të qenë të lirë…!

 

 

Cila është problematika, trajtimi që u bëhet shqiptarëve në Preshevë?

Më problem është qarkullimi i lirë që pengon në rend të parë. Përderisa në Ballkan kemi këto barriera, nuk mund të mendojmë për avancime apo çështje të niveleve më të larta. Madje trajtimi i këtij rajoni ashtu siç trajtohet sot me gjithë problematikën e së kaluarës që ka, na rëndon shumë. Nëse dikush kërkon në Kosovë atë që kërkon – dhe shohim që asnjëherë nuk mund të rregullohet- unë nuk di si mund të vësh dorën mbi Preshevë, kur ke mbi 98% popullatë historikisht shqiptare, ku kemi një të kaluar historike jashtëzakonisht të gjatë. T’i tani duhet t’i nënshtrohesh disa rregullave që kërkon një shkëputje totale nga realiteti që ke pasur deri dje.

Përkujtoj se unë, për shembull, kam përfunduar shkollimin tim në Prishtinë, që atëherë ka qenë e barabartë me të gjitha qendrat, kurse sot të rinjtë u nënshtrohen një mijë procedurave, një mijë vështirësive në radhë të parë për diplomat e tyre apo për t’iu nënshtruar kuotave të ndryshme që, ne, më parë nuk i kemi pasur. Kur merr parasysh gjithë këto, atëherë bëhet mjaft e vështirë të mendosh për komunikim të lirë edhe në sferën e kulturës.

 

 

Sa fuqi kanë shqiptarët aty për t’u integruar, për të qenë pjesë e atij shteti me të drejta të barabarta? Si imponohet e drejta e tyre? Si e jetojnë përditshmërinë?

 

Përditshmëria e qytetarëve të Preshevës botërisht është e njohur, sepse vullneti i tyre daton 1992 me një referendum të shprehur lirë se ku duhet të jetojmë, pjesë e kujt duhet të jemi! Mirëpo falë lëvizjeve që ekzistojnë sot në Evropë e botë, ne, mundohemi të respektojmë ato çka për ne është mjaft e rëndë të respektohet! Ne, sot nëse i kemi këto vështirësi në të gjitha sferat e jetës, ne nuk mund të mendojmë se do të jemi qytetarë në përditshmërinë tonë, të cilët ndershmërisht do të kuptojnë pjesëmarrjen e vet aktive aty ku janë. Sepse me një papunësi të madhe, në mbi 70% të të rinjve, me shkollim të censuruar apo të centralizuar thellësisht në programet mësimore, në pamundësinë financiare… etj., etj., është fare lehtë të nxjerrësh konkluzione, se nuk jemi me atë dëshirë që të jemi pjesa aty ku jemi…! Lojërat respektohen. Presheva gjendet në korridorin 10-të apo ndan m’u në zemër të këtij korridori, është një interes më i gjerë sesa që është i shqiptarëve. Ne, mundohemi të kuptojmë të pakuptuarën, por gjithnjë me tendencë që dikush të na kuptojë. Po e them dikush duhet të na kuptojë, pasi forca jonë e vetme është zëri i ngritur për atë çka dëshirojmë, dhe atë ç’ka dëshirojmë të kemi.

 

Si e përjetojnë shqiptarët e Preshevës këtë gjendje?

Preshevasit gjithë këtë ndarje, situatë, e kupton me një ankth të brendshëm. Rezultat i gjithë kësaj janë shpërnguljet në heshtje kur kësaj i shtojmë dhe ndërhyrjet e herëpashershme, për të cilën edhe mjetet e informimit dhe opinion i gjerë është i njohur për atë që bën qeveria serbe; dhe me ato ndërhyrjet spektakolare, apo burgosjet spektakolare të ish-luftëtarëve të UÇK-së; atëherë u krijua aq shumë pasiguri saqë nuk arrijmë dot t’ia imponosh vullnetin apo dëshirën, që me çdo kusht duhet qëndruar aty. Sepse nuk ka elementët bazë; as të sigurisë as të jetës.

 

Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës vazhdon shpërngulja e shqiptarëve nga Presheva, në ç’emër ndodh kjo?

 

Absolutisht vazhdon akoma, madje me një trend më të madh, ku veçanërisht kësaj i ka ndihmuar liberalizimi i vizave që nga 2010; atëherë në një eksod të paparë mbushën autobusët; iku rinia dhe familjet! Ndoshta preteksti më i madh është ai ekonomik; por shtysë e kësaj është politika diskriminuese, e cila shikon me një prizëm krejtësisht tjetër problemin shqiptar në një farë mënyrë paraqet opinionin se e ka nën kontroll. Kontroll do të thotë kur, ne, mbi koka kemi xhandarmërinë, sidomos përreth kufijve që ishte më parë ajo zona, ta quajmë administrative e kontrolluara nga forcat e jashtme të quajtura, që u shpërngul dhe u tërhoqën forcat serbe, pasi forca jonë në atë zonë, është jo tejet e dobët, por e injoruar totalisht. Një përparim i vetëm që është bërë nga marrëveshja e krizës, është e vetmja, e asaj policisë multietnike që patëm. Një pjesë e madhe e djemve të rinj u përfshinë nga policia lokale por me recetë tepër të kufizuar, dhe ata udhëheqës, policor tani kompetencat e tyre i kanë të tërhequr në Vrajë; nga merren dhe përcillen urdhrat. Por, megjithatë kemi ca të rinj që do ta kuptojnë ndryshe problemin në sferën politike.

 

Sa flitet shqip në Preshevë?

 

Absolutisht po, gjuhë tjetër nuk dëgjon.

 

Po marrëdhëniet zyrtare, dokumentacioni civil, si përcillen?

 

Kjo është gjithmonë për ne, një problem më vete. Është injorimi. Edhe pse me kushtetutë të cunguar, për të cilën mendojmë se është gjeneratori i krizës ndaj pakicave gjithsesi duhet ndryshuar, është botërisht se gjoja pranohen edhe gjuhë të tjera, domethënë I pakicave. Kjo është një akt turpi sepse të përdorësh shkronjat apo cirilike në momentin kur nuk kemi të bëjmë asgjë me të; po e flas gjithnjë në kontekstin me çka ishte Presheva dhe çka është tashi. Ne jemi të fundosur, në një transformim gati total. Me këtë nuk dua të them se kemi jetuar shumë mirë, por së paku kemi pas problemin e Kosovës atëherë dhe duke u trajtuar si problem i shqiptarëve ne kemi përjetuar njësoj sikurse problemet që ishin në Prishtinë shkrimi, përdorimi i simbolit, përdorimi i gjuhës etj. Mirëpo tani, rreptësisht është e censuruar një gjë e tillë me vështirësi depërton kurse për gjëra të tjera as nuk flitet për përdorime zyrtare si simbolet, flamuri është shumë i kufizuar, madje me keq, i injoruar totalisht. Ne s’kemi të drejtë të përdorim flamurin shqiptar, absolutisht jo.

 

Ju imponohen simbolet serbe, a nuk e konsideroni këtë shkelje të të drejtave të njeriut për të cilën duhet kërkuar e drejta?

 

Po, unë e konsideroj ashtu, edhe pse me një ligj të 2010-ës kemi pasur edhe më herët këtë ligj, të formimit të këshillave nacionale që ekskluzivisht flet për pozitën e minoriteteve apo të gjitha atyre që e ndjejnë veten si të tillë, që të formojnë këto këshilla gjoja për të mbuluar katër sferat kryesore: informimin, arsimin, përdorimi i gjuhës dhe përdorimi i simbolit! Por kjo është një politikë për të cilën edhe pse është nën trysninë e faktorit ndërkombëtar. E shoh se është e pamundur të realizohet ajo çka kërkohet. Kjo pasi edhe mbi këto këshilla qëndron një kushtetutë që sanksionon përdorimin jozyrtar të simboleve ashtu siç është shkruar në tej, po ta përdorësh, ose të realizosh përmes një këshilli të formuar prej një niveli më të ulët atëherë dhe vetë gjyqi kushtetues do ta hedhë poshtë këtë, do ta rrëzojë!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency