Edgar Çani kalon tek Katania

0
167

Altin Vorpsi

 

edgarMe këtë transferim, numri i shqiptarëve që luajnë në Serinë A shkon në katër. Përveç Lorik Canës te Lacio, Erion Bogdanit te Siena dhe Samir Ujkanit te Palermo, edhe Edgar Çani bëhet pjesë e elitës së kampionatit italia

Edgar Çani u rikthye sërish në Itali. Shtatlarti i kombëtares së De Biazit ka firmosur dje një kontratë trevjeçare me ekipin e Katanias. Sfida e re e Çanit është disi e veçantë, pasi atij do t’i duhet që të luftojë për një vend titullari. Sipas mediave italiane, shqiptari ka ulur rrogën vetëm që të kalonte në këtë skuadër.

 

Pritja

Sulmuesi i kombëtares kuqezi rikthehet në Itali, pas një eksperience jo fort të këndshme në Poloni, ku problemet e shoqëruan në këtë “stacion” të karrierës së tij si futbollist profesionist. Klubi italian i Serisë A njoftoi dje se ka nënshkruar një kontratë me lojtarin, e cila do të mbetet në fuqi deri më 30 qershor 2016. Sulmuesi shqiptar ka përfunduar në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet e tij profesionale me Polonia të Varshavës muajin e kaluar. Sipas medias së vendit fqinj, Çani mund të aktivizohet për skuadrën e re vetëm pasi FIFA të japë lejë pra pas 20 ose 30 ditësh.

 

Karriera

I lindur në Tiranë më 22 korrik 1989, Edgar Çani shkoi në Itali vetëm 11-muajsh. Ai u rrit në një provincë të Peruxhas (në qytetin e Piaves). 23-vjeçari ka veshur edhe fanellën e Palermos në Itali (skuadër me të cilën bëri debutimin e tij në Serinë A, më 27 prill 2008, kundër Atalantës), të Askolit, Padovës, Piaçenzës dhe Modenës, para se të transferohej në Poloni. Atje ku shënoi 11 gola në 26 ndeshje, në sezonin 2011-2012. Me kombëtaren kuqezi, sulmuesi në fjalë ka shënuar 3 gola në 9 ndeshje të luajtura.

 

“Kolonia”

Me këtë transferim, numri i shqiptarëve që luajnë në Serinë A shkon në katër. Përveç Lorik Canës te Lacio, Erion Bogdanit te Siena dhe Samir Ujkanit te Palermo, edhe Edgar Çani bëhet pjesë e elitës së kampionatit italian. Si pjesë e Katanias, skuadër e cila drejtohet nga trajneri Maran, që mban vendin e tetë me 32 pikë, në 21 javë të luajtura.

 

Sfida

Për të do të jetë një sfidë e vërtetë pasi do t’i duhet që të bëjë mirë ashtu siç bëri Igli Tare dhe siç po bën Erion Bogdani (këtë fundjavë shënoi një gol me vlerë e tri pikëve për Sienën). Çani tek Katania do të ketë një rol të vështirë. Atij do t’i duhet që për një vend në formacion të “luftojë” me Bergesion.

 

Sakrifica

Për të kaluar në Serinë A, Edgar Çani ka sakrifikuar jo pak. Mësohet se shtatlarti ka pranuar që të shkojë tek Katania, edhe pse ekipi në fjalë nuk e paguante aq sa Polonia e Varshavës (200 mijë euro në sezon). “Katania është një tren, të cilin unë nuk mund ta humbisja. Këtu gjej një skuadër që vrapon shumë dhe bën një lojë mjaft të mirë. në këtë ekip unë kam gjetur edhe një projekt që vlen mbi gjithçka”, këto ishin edhe fjalët e para të Çanit. Ndërsa fjalët e drejtorit sportiv të kësaj skuadre, Serxho Gasparin kishin edhe më shumë vlerë: “Katania e ditëve të sotme identifikohet tek idetë dhe mënyra e të sjellë e këtij djaloshi që nuk deshi të fliste për para por për punë. Fakti që tregoi se kërkon të korrigjojë defektet e veta tregon shumë për thjeshtësinë që karakterizon këtë djalosh”.

 

Intervista e parë

Sapo shkeli në tokën siciliane, bomberi kuqezi foli për eksperiencën e tij të re me skuadrën e Katanias: “Jam vërtet shumë i kënaqur që u bashkova me Katanian. Më mjaftuan vetëm dy fjalë me drejtorin për të zgjedhur këtë destinacion sepse projekti i shoqërisë më duket interesant. Dua të jap një kontribut të madh për këtë skuadër. Në fushë luaj si qendërsulmues por mund të aktivizohem në çdo rol dhe për këtë do të vendosë trajneri”. Më tej, shtatlarti komentoi edhe mbështetjen e trajnerit të kombëtares De Biazi, i cili e etiketoi si një sulmues të pamëshirshëm përpara portës. Më bëhet qejfi që kam vlerësimin e trajnerit të kombëtares. Shumë shpejt do t’u tregoj edhe tifozëve se çfarë jam në gjendje të bëj. Më pëlqen të lëviz në të gjithë zonën ofensive por nuk jam një qendërsulmues i palëvizshëm”, – tha Çani. Një tjetër temë e prekur nga Çani është edhe largimi nga Italia 2 vite më parë. Ai pranoi që të shpjegonte përse u largua nga shteti fqinj: “U transferova për disa arsye, por tani jam gati për aventurën e re. Shikoj një skuadër të uritur dhe të gatshme për të bërë shumë sakrifica. Trajnerët me të cilët jam përshtatur më mirë në karrierën time janë Kolomba dhe De Biazi, të cilët kanë ndikuar shumë në formimin e karakterit tim si lojtar”. Mediat italiane janë të interesuara edhe për integrimin e Çanit në kombëtaren shqiptare përkrah një tjetër sulmuesi që aktivizohet në Serinë A. Bëhet fjalë për Erion Bogdanin: “Luajmë bashkë në kombëtare dhe besoj se jam më i lëvizshëm se ai. Gjithsesi një nga aspektet që duhet të përmirësoj këtu në Katania është mbrojtja e topit për të ndihmuar skuadrën të ngjitet në sulm”. Në fund të intervistës, sulmuesi zbulon edhe idhullin e tij: “Sigurisht që është Ibrahimoviç. Ai më frymëzon më shumë. Mendoj se është sulmuesi më i kompletuar në qarkullim. Bergesio? Bëhet fjalë për një lojtar të madh që sakrifikon për skuadrën. Dua të mësoj shumë nga ai”.

 

 

Itali

Ujkani nuk ka më shpresë të jetë i parë

Mediat në Itali flasin për një të ardhme jo të ndritur për Samir Ujkanin. Mbrojtësi ekstrem i përfaqësues sonë duket se ka humbur shumë “pikë” në sytë e drejtuesve të ekipeve të Serisë A. Për këtë fakt mediat italiane kanë bërë me dije dje se kudo që do të shkojë ka për të qenë thjesht rezervë. Sipas “calciomercato.com”, Ujkani do të jetë titullari i Palermos deri kur të mbërrijë njëri mes Karrizos dhe Sorrentinos. Sipas këtij uebsajti për shqiptarin kanë trokitur shumë ekipe që e duan vetëm si alternativë të dytë. Interi kërkon Ujkanin që të marrë vendin e Handanoviçit vetëm në ndeshjet e parëndësishme. Ndërkohë që Lacio preferon që në rast se largohet Karrizo si i dytë i Marketit të mos jetë Bixarri, por pikërisht shqiptari. Ndërkohë që edhe Fiorentina që do të shesë Vivianon tek Bolonja preferon që të blejë Ujkanin si zëvendësues te Netos.

 

Faza përgatitore

Skënderbeu niset drejt Portugalisë

Lanë Shqipërinë me destinacion Portugalinë. Ekipi kampion në fuqi i Shqipërisë u dha fund përgatitjeve në kompleksin “Tropikal” në Durrës dhe u nis drejt Gadishullit Iberik, ku do të marrë pjesë në një turne miqësor, që do të përmbyllë fazën e janarit në prag të startit të pjesës së dytë të sezonit. Kampionët në fuqi të Shqipërisë u paraqitën me grupin e plotë në aeroportin e Rinasit, megjithatë trajneri Mirel Josa nuk e përjashton mundësinë e afrimit dhe të largimit të lojtarëve deri në përfundim të merkatos së dimrit, edhe pse dëshira e tij është që të ketë vetëm përforcime. “Përgatitjet kanë qenë normale. Na kanë prishur disi punë terrenet ku jemi stërvitur gjatë këtyre ditëve që kanë qenë të rënduara prej shirave, megjithatë ne deri diku ja kemi arritur qëllimit që të përgatitemi mirë. Tani po nisemi për në Portugali për të zhvilluar fazën në kushte më të mira, do të zhvillojmë atje dhe një turne dhe synimi është që skuadra të marrë formën e duhur për pjesën e mbetur të sezonit”, – u shpreh fillimisht tekniku i korçarëve. Më tej Josa foli për turneun miqësor. “Ne atje nuk shkojmë për ndeshjet e Evropës, sepse shpesh flitet që ne e kemi siguruar daljen në kompeticionet evropiane, por shkojmë për t’u përgatitur sa më mirë për kampionatin. Nuk shoh shumë larg deri në Kupat e Evropës, por që të kemi një vazhdimësi në kampionat”, – shtoi tekniku kryeqytetas. Numri një i bankinës së skuadrës kampione në fuqi nuk mendon se përballjet me kundërshtarë të fortë evropianë zhvillohen për ta parapërgatitur Skënderbeun për Champions League, teksa e rëndësishme për të është ruajtja e grupit që mbylli gjysmën e parë të sezonit. “Unë jam i kënaqur për momentin që është ruajtur grupi, por asgjë nuk është përfundimtare. Janë dhe disa ditë që të mbyllet merkato dhe çdo gjë mund të ndodhë. Unë nuk kam dëshirë të largohet asnjë, kam dëshirë madje që të afrohen lojtarë, por ato që të vijnë të jenë cilësorë”, – përfundoi trajneri i bardhekuqve, Mirel Josa. Skënderbeu do të zhvillojë tre takime miqësore në Portugali me Silkeborgun, Rapidin e Vjenës dhe Matersburgun.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency